leoni

Kryetari shqiptar, Ilir Meta

Viktor Malaj: Nga “shkarkimi” i presidentit te “sovjetiku i vonuar”, Tare. 7 ngjarje, 7 analiza të javës që lamë pas

Prej kohësh ka vazhduar një “duel” në largësi dhe në rrugë midis shumicës qeverisëse dhe Presidentit të Republikës. Ashpërsimi i marrëdhënieve midis tyre çoi në krijimin e një Komisioni Parlamentar të posaçëm për hetimin e shkeljeve kushtetuese nga Presidenti dhe shqyrtimin e mundësisë së shkarkimit të tij. Pasi Presidenti i Republikës, qysh në fillim të mandatit të tij, u vu përballë dhe kundër shumicës qeverisëse, duke arritur deri atje sa ta shpallë Parlamentin si të paligjshëm, parlament të krimit dhe, madje, të kërcënojë se do e sulmonte me nja dy mijë vetë por edhe do ta shpërndante, megjithëse “fatkeqësisht” nuk po gjente nja 20 burra që të merrnin përsipër qeverisjen e vendit, ky President anuloi edhe datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor pa arsye kushtetuese.

Shumica qeverisëse, e kryesuar nga Kryeministri, e shpallën Presidencën si “opozitë presidenciale” dhe vetë Presidentin si “Salvador Haxhi Qameta”. Pas shumë aludimeve, akuzave dhe qëndrimeve të padenja për burrështetasit e vërtetë, Komisioni Parlamentar dhe vetë Parlamenti konkluduan se vërtet Presidenti e kishte shkelur Kushtetutën por, meqë nuk erdhën pasoja të mëdha (nuk u pengua zhvillimi i zgjedhjeve lokale) Presidenti meritonte, tani për tani, vetëm një paralajmërim ndërsa “herën tjetër” do ta shkarkojnë.

Në gjykimin e tij për klasën tonë politike, populli ndahet sipas preferencave politike partiake, pa e përfillur fare ndarjen sipas shkallës së intelektit. Ajo pjesë e popullit që ka aftësinë e intelektit, dëshirën për arsyetim dhe moralin për gjykim, e kupton se këtu kemi të bëjmë me një nivel të mjerë moral dhe papjekuri foshnjore politike nga krejt klasa politike e vendit. Pse kemi këtë klasë politike të padenjë kemi edhe këtë gjendje që përjetojmë. T’i trajtosh problemet themelore të qeverisjes dhe shtetformimit e shtetfunksionimit me një mendjelehtësi të habitëshme, siç i trajtojnë të gjithë faktorët tanë politikë dhe drejtuesit e tyre, do të thotë se je i pamerituar për postet që ke arritur dhe përgjegjësitë që të janë besuar.

Kryetari formal i opozitës kryesore, PD-së bëri një vizitë në Kosovë dhe u takua me drejtuesit kryesorë politikë atje. Njeriu që ka shërbyer për pesë vjet atje si faktmbledhës rreth krimeve të kryer gjatë luftës Kosovë-Serbi; njeriu, partia e të cilit kur qeveriste vendin i ka burgosur disa drejtues të UÇK-së dhe i ka fryrë propagandës që e shpallte atë ushtri si “organizatë terroriste”, tani shkon atje dhe i thur “lavde” UÇK-së, drejtuesve të saj dhe shprehet se Kosova është shtëpia e tij e dytë. Ky njeri që iu është shmangur procedurave ligjore të gjykimit për korrupsion marramendës në Shqipëri kur ishte Minsitër Transportesh, që ka braktisur institucionet kushtetuese, procedurat gjyqësore dhe proceset zgjedhore në vendin e vet, shkon në Kosovë dhe, pasi takon politikanët kosovarë që kanë respektuar me burrëri procedurat ligjore dhe akuzat për “krime lufte”, iu jep leksion duke deklaruar: “Dua t’i falënderoj për bisedën e sotme, për të qëndruar plotësisht në dispozicion dhe në mbështetje të vendimeve të institucioneve…”.

Vërtet hipokrizia dhe pafytyrësia e kanë shoqëruar politikën në të gjitha vendet dhe kohërat, por vetëm në këtë katundin tonë ndodh që tjetri vetëngalloset publikisht në të pëgërat e tij, duke shpërfillur të vërtetën e cila njihet botërisht dhe kujtohet nga ata që kanë kujtesë.

Një analist që banon në Francë, Genc Burimi, i cili para disa kohësh pohonte se Kulla Eifel ishte ndërtuar për qëllime të përkohshme ashtu si godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë, na thotë tani se ndryshimet në Kushtetutë lidhur me problemet zgjedhore duhen konsideruar “puç kushtetues”. Përveç faktit se termi i përdorur është i pavend dhe i gabuar, duhet thënë se vepër penale përbëjnë shkeljet e Kushtetutës dhe jo ndryshimet e dispozitave kushtetuese apo paragrafëve të tyre në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin shqiptar. Gjithashtu, Burimi  thotë se po u vendos hapja e listave zgjedhore dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, opozita nuk duhet të shkojë në votime dhe, madje, të bëhet gardh për të mos lejuar popullin të votojë (meqë s’do ajo të bëhen votime). Burimi shkon deri atje sa i bën thirrje opozitës që, në një rast të tillë, ta çojë vendin në luftë civile.

Luftë Civile për shkak të listave të hapura dhe moslejimit të koalicioneve parazgjedhore?! Burimi dhe ne të tjerët duhet të mos pajtohemi me sjelljet dhe veprimet e Qeverisë, por edhe të opozitës, kur besojmë se janë të gabuara, por evokimi, justifikimi dhe nxitja e “luftës civile” nuk i lejohen asnjë individi të përgjegjshëm dhe të moralshëm. Shqiptarët as duhen nxitur dhe as lejuar që të luftojnë kundër njëri-tjetrit, të vriten për të zëvendësuar në kolltukët e shtetit disa prapanica të bezdisshme dhe të shëmtuara me disa prapanica të tjera të sprovuara, diskredituara, kriminale dhe të pandreqshme.

Studiuesi Auron Tare botoi një shkrim para disa ditësh me të cilin sillte prova dhe aludonte rreth mundësisë së qenies së dy shkrimtarëve shqiptarë, E. Koliqi dhe M. Camaj bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja agjenturore. Tare u kundërshtua, fye dhe mallkua prej shumë individëve publikë duke ia atribuar mendimet dhe shkrimin e tij prejardhjes familjare, përkatësisë fetare apo krahinore por asnjëri nga kundërshtuesit e Tares nuk deshti apo nuk mundi të argumentonte dy gjëra thelbësore: ishin apo nuk ishin ata spiunë të shërbimeve të huaja dhe është apo nuk është e ndershme, dinjitoze dhe atdhetare të vihesh në shërbim të agjenturave të huaja, qofshin ato të vendeve fqinjë, vendeve pushtuese, diktatoriale apo jodiktatoriale.

Shkrimtari dhe politikani Besnik Mustafaj shkoi deri atje sa ta quante Taren “një askushi… njeri pa sedër e nder… sovjetik i vonuar… produkt kulturor i shkollës ushtarake…” etj. Mirëpo Mustafaj nuk na tregoi se si duhet të jetë një njeri që të konsiderohet gjithkushi, me sedër e nder, që të ketë të drejtë të shprehë mendimet e gjykimet e veta për ngjarje e individë. A mos duhet të ketë qenë punonjës dhe zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksite-Leniniste, drejtues i lartë i një partie që falsifikon e dhunon procese zgjedhore dhe e çon vendin drejt luftës civile, i një force politike që burgos e dhunon kundërshtarët politikë, dhunon e burgos gazetarë dhe djeg redaksi gazetash, që vret protestues të pafajshëm etj.etj.?

Madje, Mustafaj për ta zhvlerësuar Taren, i përmend atij një intervistë që ky i paska marrë një disidenti çek i cili pohonte se lëvizjet antikomuniste i kishin drejtuar bashkëpunëtorët e zbulimeve të fshehta komuniste. Dhe jo vetëm kaq por intervistën e paska transmetuar në TV në 12 dhjetor, në datëlindjen e PD-së, partisë së re të Mustafajt. Mos u çudit po deshe kur gjykime të tilla bëhen nga shkrimtarë, diplomatë, deputetë e ish-Ministra si z. Mustafaj. Asgjë nuk vlen, asgjë nuk ka rënëdsi. E rëndësishme dhe vlerë ka që z. Mustafai të jetë në listën e Lulzimit për deputet. Këtë moral shpreh qëndrimi i tij dhe merret me mend se çfarë mund të pritet nga njerëzit e zakonshëm.

**

Dy gjëra të çuditëshme vihen re në qëndrimet më të fundit të opozitës politike shqiptare ndaj reformës zgjedhore. Ata që deri dje kishin qenë kundër listave të mbyllura sot janë kundër listave të hapura. Ata që iu thonë shqiptarëve se populli e ka braktisur Ramën dhe se 85% e shqiptarëve janë me opozitën, dalin kundër ndalimit të koalicioneve parazgjedhore. Çfarë iu duhen koalicionet partive opozitare kur ato e kanë të garantuar fitoren pasi pushtetarët nuk marrin më shumë se 15 % të votave?!

Një nga mendjet më të “fisme” të PD-së, O. Bylykbashi pohonte se “Këshilli Politik u krijua prej mungesës së legjitimitetit të Parlamentit… hapja e listës së kandidatëve është idioteske… sepse iu mohon qytetarëve mundësinë të kenë një ofertë politike të qartë e transparente përpara zgjedhjeve…”. Sado kohë të shpenzojë njeriu për të zbërthyer këto gënjeshtra dhe marrëzi ogertiane nuk ia del dot, sepse mungesa e logjikës, arësyes dhe të vërtetës janë alarmante. Të vjen keq që edhe Ogerti bëhet pjesë e fitoreve politike të njëpasnjëshme të Lulzim Bashës që thotë se udhëheq PD dhe gjithë partitë opozitare.

**

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, znj. Kim iu bëri thirrje drejtuesve te forcave politike shqiptare që të tregohen të arësyeshëm në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhëshme dhe t’i verifikojnë mirë ata para se t’i fusin në lista.

Prej kohësh, tek ne është bërë e zakonshme që njerëzit e pakulturuar të shesin ” erudicion ” falas, që individët pa moral të mbajnë leksione etike, që të inkriminuarit të flasin për ligjshmëri e drejtësi.

Njëri nga individët politikë më të pavlerë, tërësisht i diskredituar, një halabak i inkriminuar si Ervin Salianji, megjithëse i akuzuar dhe dënuar me burgim me vendim gjykate, gjeti rastin ” të përshëndeste ” thënien e ambasadores amerikane. Njeriu që i është provuar autorsia në farsën politike dhe veprimtarinë kriminale lidhur me Çështjen Babale shprehet se ” Thirrja e ambasadores një paralajmërim shprese…Kumbimi i fortë i partnerëve ndërkombëtarë në mbështetje të prioriteteve të qytetarëve dhe vlerave “.

Sikur paralajmërimet e të huajve dhe ligjet shqiptare të kishin gjetur zbatim njësoj për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Salianji, Mziu, Berisha, Basha dhe shumë të tjerë në opozitë e në pushtet do të ishin tani duke fshirë djersët nëpër qelitë e burgjeve shqiptare dhe jo duke na bërë moral dhe pretenduar për të na udhëhequr.

Disa “artistë” dolën në protestë duke kërkuar lejimin e hapjes së klubeve të natës dhe ambienteve ku ata mund të ushtrojnë “talentet” e tyre. Të mësuar prej kohësh me fitimin e lehtë dhe, jo rrallë, të pamerituar nëpër bare e klube nate ku shitet e konsumohet alkool, drogë, prostitucion e muzikë tallava, këta “artistë” nuk duan t’ia dinë fare për situatën e pandemisë në Shqipëri dhe botë, mjafton që prurjet financiare në xhepat e tyre të mos rreshtin. Qendrimet dhe sjelljet e këtyre tipave janë dëshmi e qartë se sa larg janë “artisti” nga njeriu, Uni nga bashkësia, fitimi material nga humanizmi dhe vlerat morale.

Bohet lek i modh merjahu! Ç’jonë këta që na pengojnë me kenu e fitu pare?! Mu m’intereson xhepi im pa për popullin kush e rru, ne nuk i sjellim me zor. Hajde lale!  Kështu mendojnë dhe shprehen jo pak prej tyre.

Nëse perifrazojmë Migjenin dhe ia përshtasim vargjet e tij mjerimit moral që shfaqin “artistët” e kabareve dhe të xhepave, do të thoshim: Mjerimi asht një njollë e pashlyeme në ballë të njerëzimit që kalon nëpër shekuj. (Gazeta Dita)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …