17 vjet nga granatimi i lagjes “Arbëria” të Gjilanit nga ushtria serbe

17 vjet nga granatimi i lagjes “Arbëria” të Gjilanit nga ushtria serbe

Fillimin e bombardimeve të NATO-së (me 24 mars 1999) mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë, shënon ditën e fillimit të shpresës për jetën dhe lirinë e shumëpritur. Me fillimin e bombardimeve filloi edhe tmerri dhe frika e popullsisë civile shqiptare, e cila mbeti nën mëshirën e forcave çetnike serbe dhe ushtarako-policore.   Qysh në ditën e parë të bombardimeve të NATO-së popullata e pambrojtur shqiptare në shumicën e fshatrave të Komunës së Gjilanit kryesisht ato të u urdhëruan nga forcat paramilitare serbe, që banorët t’i lëshojnë këto vendbanime.  Sipas dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar në prokurorinë  themelore në Gjilan, thuhet se granatimi i lagjes është bërë nën organizmin dhe mbikëqyrjen e komandantit të policisë për lagjen e “Qenar Qeshme” ( tash “ Arbëria”), Vitomir Iliq.

Më 28.03.1999 në ora 22 Komandanti i policisë serbe për “Qenar Qeshme”, Vitomir Iliqi së bashku me dy persona ka ardhur afër derës së hyrjes së shtëpisë të Hetem Murtezit (baba i Hajdin Murtezit dhe Ukshin Ajdini). Ka vëzhguar terrenin (shtëpitë e Hetemit dhe të djemve të Ukshinit dhe Ajdinit) me qëllimin se ku kanë qenë, dhe në cilën shtëpi gjenden anëtarët e gjerë të familjes.  Djali i Hetemit, Ukshini së bashku me djalin e hallës së tij Ahmet Halili me vendbanim në fshatin Zhegër, ishte i strehuar së bashku me familjen e tij (tre fëmijë dhe bashkëshortja). Në kohën e lartpërmendur kishin dalë në derë të shtëpisë së babait të tij dhe në atë moment ndeshen me një civil të panjohur (kishte të veshur farmerka dhe një xhemper ngjyre hiri). Ai kishte tentuar ta hapte derën e dyerve të oborrit, por në atë moment e kishte parë Ukshinin dhe Ahmetin. Ishte tërhequr mbrapa dhe disa metra nga aty, kishte renë në një vend me rërë. Aty kishte qëndruar dy-tre minuta dhe pastaj është ngritur në këmbë për t’u larguar. Me rastin e largimit, ai i bashkohet në një vend më larg komandantit të policisë Vitomir Iliqit. Iliqi me këta dy persona të panjohur kanë vazhduar pastaj rrugën dhe afër 100 metra në rrugën e epërme që ka hyrjen tek varrezat, me këta tre kanë ardhur edhe tre persona të panjohur! Janë ulur dhe kanë biseduar për planet e tyre. Vitomir Iliqi u kthye me dy persona afër shtëpive tona te muri i varrezave, mbi shkollën fillore “Abaz Ajeti”, dhe aty janë ulur. Kurse tre personat tjerë, të panjohur (bashkëpunëtorë të Iliqit) kanë dalë në lagjen e epërme “Bregu i Diellit”, afër shtëpisë së mixhës Ramë dhe Shabanit të Uglarit.

Të njëjtën natë, më 28.03.1999 në ora 22.00 e kam pare Iliqin kur e ka shkrepur revolen me predhë ndriçuese, për t’i sinjalizuar forcat e ushtrisë serbe të cilat ishin të stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për gjuajtje nëpër shtëpitë shqiptare në lagjen e “Qenar Qeshmë” dhe në lagjen “Bregu i Djegur” në Gjilan.

Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës ( vllahut të Kadri Zekës). Nga kjo gjuajtje është goditur dhoma e ndejës. Fatmirësisht asnjë anëtarë i familjes nuk ishte në atë dhomë, pasi që në atë moment ata ndodheshin në oborrin e shtëpisë. Nga ky sulm, është dëmtuar një dhomë e shtëpisë së Shaipit, ku të gjitha tjegullat e shtëpisë kanë rënë në tokë. Përveç kësaj, në këtë sulm të ushtrisë serbe është plagosur djali i Shaip Zekës, Isa Zeka.

Në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (e lindur me 13.08.1978) dhe Fikrije Pireva (1981). Familja Pireva menjëherë i marrin për t’i dërguar me automjet e tyre privat në ambulanten e qytetit. Sipas deklaratave të familjes, janë ndalur nga policia serbe i ka urdhëruar të kthehen mbrapa dhe ju kanë thënë:”… lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!” Me atë rast një polic e ka gjuajtur veturën me automatik dhe e ka plagosur për së dyti herë Fikrijen. Këta prej frikës kanë shkuar drejt në spitalin e qytetit, dhe i kanë dërguar të plagosurit. Zyhrije Pireva ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit më 01.04.1999.

Granata e dytë ka goditur shtëpinë e Ukshin Ajdinit. Është qëlluar vetëm kulmi i shtëpisë, nuk ka eksploduar dhe ka përfunduar në varreza.

Granata e tretë e ushtrisë serbe ka rënë pranë shtëpisë së Ramës, ku kishte pasur disa të plagosur dhe është vrarë Ramadan.  Nga kjo granatë, Hajdin Murtezi është plagosur rëndë, bashkë me të është plagosur edhe Rama dhe e shoqja e tij e cila ka mbijetuar dhe ende është gjalllë.

Granata e radhës  e hedhur  nga ushtria serbe  ka qëlluar  shtëpitë e Xhemajl Ymerit , Aziz Kadriut. Në ballkon të shtëpisë së vet është vrarë Xhemajl Ymeri.

Granata e radhës  e hedhur nga forcat ushtarake serbe, përsëri është gjuajtur në shtëpinë e Xhemajl Ymerit, ku i ndjeri ishte i vrarë në vend. Kishte edhe të tjerë të plagosur, por nuk kanë guxuar të lajmëroheshin për shkak të policisë serbe!

Shtëpitë kanë qenë të dëmtuara shumë prej granatimit, ajo mbrëmje ka qenë shumë e trishtueshme për këto familje dhe banorët e “Qenar Qeshmes”., thuhet në mes tjerash në dëshminë e lartpërmendur.

Në dëshminë e dorëzuar në prokurori të Gjilanit, thuhet: “Hajdin Murtezin e kanë sjell Fëmijët e vet në shtëpinë e të Atit Hetem Murtezit. I plagosur shumë rëndë prej granatimit, as fytyra nuk i shihej, as sytë e gjithë lëkura i kishte rënë dhe mishi prej copave të granatës e copave të betonit!!! Kishte edhe copa të mëdha në tërë trupin e tij. Kishte dhimbje shumë, sikur kur e nxjerr prej zjarrit i djegur ishte prej flakës së granatës dhe copave. Ne nuk guxonim që ta dërgojmë në spital, shkaku se kishte ushtarë dhe polici serbe. Tentonin të na vrisnin dhe thoshin lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s!!!. Ne jemi detyruar ta thërrasim mjekun shqiptar në shtëpi për ndihmë mjekësore, ai ishte Shaqiri nga Burinca me banim në lagjen “Qenar Qeshme”, ku i ndihmonte edhe vajza e Ukshin Ajdinit (infermiere). Vajza e vëllait të Hajdinit, i kanë dhënë ndihmë mjekësore, ushqim artificial, injeksione dhe vaksinim kundër helmimit të gjakut. Edhe Shaqiri i kishte thanë Meritës se nuk e zënë 24 orëshi, ka për të vdekur se është rëndë i plagosur dhe merr helmim gjaku prej plagëve të rënda. Merita dhe doktori bënin pastrimin me alkool dhe me jod trupin e tij. Tre muaj ai është shëruar nën përkujdesje të infermieres Merita Ajdini, dr Shaqiri Hajdarit dhe Dr. Maliq Bajrami, deri sa ndërroi jetë”.

Të vrarë dhe të plagosur nga granatimet e ushtrisë serbe në  Gjilan më 28 03 1999 janë:

– Zyhrije Pireva e  lindur me 13.08.1978 emri i babait Sherif, emri i nënës Bahtije e lindur ne fshatin Tugjec Komuna e Kamenicës ne vitet 1970-ta familja e saj janë shpërngulur nga fshati dhe jetojnë në lagjen “Arbëria”. Nga plagët e rënda Zyhrija ka vdekur në spital me datën 01. 04. 1999 ka vdekur dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan.

-Ramadan Salihu, i lindur me 23. 06. 1950, në Gjilan, shkollën fillore dhe 8 vjeçare e ka kryer në shkollën Musa Zajmi, shkollën e mesme ekonomike e ka kryer në Gjilan, ka qenë futbollist i klubit futbollistik “ Drita” në Gjilan, ka punuar në entin e  në Gjilan. Me datën 28.03.1999 është granatuar prej ushtrisë serbe shtëpia e Ramadan Azemit. Granata ka rënë në murin e oborrit para derës së hyrjes së shtëpisë 7 metra para tyre. Ramadani gjeti vdekjen në vend, të nesërmen është varrosur në varrezat e qytetit të Gjilanit.

– Xhemajl Ymeri, i lindur me 20. 06. 1938, në fshatin Lladovë, komuna e Gjilanit. Shkollën fillore 8 vjeçare e ka kryer në Zhegër, ka punuar prej vitit 1974 në “KOSOVA TRANS” të Gjilanit deri në vitin 1990 , kur  edhe është larguar prej punës , Deri në vitin 1999 ka punuar si taksist. Vdiq me datën 28. 03. 1999 në ora 22:00 nga granatimet serbe. Varrimi është bërë të nesërmen në varrezat e qytetit të Gjilanit.

– Hajdin Murtezi, i lindur me datën 20. 09. 1944, në fshatin Sefer, Komuna e Preshevës. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Sefer, shkollën e mesme ekonomike e ka kryer ne Gjilan, Fakultetin Juridik e ka kryer ne Prishtinë në vitet e 70-ta. Familja e tij erdhi në Gjilan Hajdini ishte i punësuar në Viti si shef në entin e inkuadrimit dhe pas andej ka kaluar në Gjilan. Në entin për inkuadrim ka punuar deri në vitin 1999. Me datën 28. 03. 1999 në ora 22:00 u plagos rëndë dhe prej plagëve të rënda ka vdekur në vitin 2001 si dhe është varrosur në varrezat e qytetit në Gjilan.

Ukshin Ajdini dëshmitar i këtyre ngjarjeve dhe  plagosjes së vëllait të tij  thotë: “Ajdini ishte i plagosur rëndë. Fytyra dhe sytë nuk I shiheshin. Kishte shumë dhimbje. Mishi e lëkura i kishin rënë prej copave të granatës. Ishte I tërë I djegur, sikur ta nxirrje nga zjarri. Nuk kishim guxim ta dërgonim në spital, atje kishte ushtarë e police serb. Vdiq në mënyrë më mizore pas  tre muajve” .

– Ramadan Azemi, i lindur me 15.07.1928. në fshatin Suharnë, Komuna e Bujanocit. Nga granata e rënë në murin e oborrit para derës së hyrjes, është plagosur ,  nga  plagët e marra  ka vdekur me datën 11. 05. 2000. Varroset në varrezat e qytetit të Gjilanit.

Fikrije Pireva është plagosur nga  granatimet, mandej  është plagosur për së dyti me automatik nga polici serb me datën 28.03.1999. Nga granatimet në të njëjtën ditë është plagosur  Isa Zeka  në shtëpinë e vet . Në këtë kohë është rrahur prej policisë serbe plaku i vjetër, Tefik Vokshi.

Në ditën e varrosjes së  Ramadan Salihut dhe Xhemajl Ymerit, policia serbe që kanë qenë në varrim i kanë ofenduar njerëzit, i kanë torturuar, ku në mesin e të torturuarve ka qenë edhe Faredin Murtezi, thuhet në dëshmon e familjarëve dhe banorëve të lagjes, dorëzuar  prokurorisë themelore në Gjilan më 24 04 2013.

Mbarimi i bombardimeve të NATO-së   mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë, përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës dhe dita e   shpresës për jetën dhe lirinë e shumëpritur u shijua vetëm pas 78 ditë bombardimeve. Tmerri dhe frika e popullsisë civile shqiptare, përfundoi  pas kapitullimit të forcave çetnike   dhe ushtarako-policore të Serbisë.

 (Ismet Azizi)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …