Njëzet e një vjet pasluftës, secili prej nesh në vend që të bëjë luftë me plagët dhe pasojat e saj, duhet të bëjmë luftë për të vërteten.
Për të vërteten e abuzuar!
Me drejtësinë e njëanshme!
Pas shumë proceseve gjyqësore, gjykatave, akuzave dhe aktakuzave, ashtu si këto që kanë ndodh në këto dy dekada, në gjykatat vendore e ndërkombëtare, tashmë ka humbur sensi i pafajësisë.
Pas gjykimeve ndërkombëtare, provave të rrejshme dhe sprovave për t’i dënuar luftëtarët e lirisë, aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeperlamentarit Kadri Veseli, dy prej prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. tashmë duket se gjykata ndërkombëtare, gradualisht ia ka humbur sensin konceptit të lirisë, konceptit të drejtësisë, atë që e njeh e drejta ndërkombëtare, atë që e njohën të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë: luftën e drejtë të UÇK-së, luftën gjithpopullore për mbijetesë.
Kjo është luftë e paparë denigruese, prej që ekziston historia e gjykatave për krime lufte, jo vetëm ajo për krime luftë në ish-Jugosllavi, por kudo në botë ku ka ndodhur një gjenocid, ku si me shpatë janë ndarë viktima nga agresori.
Nuk kemi parë, e as lexuar që të ketë një shembull si ky i Kosovës, prej të cilës kërkohet padrejtësisht t’i bëhet gjyqi edhe pse mbi të u ushtrua gjenocid e spastrim etnik.
Kosovës, përfaqësuesve të saj, dhe të Ushtrisë Çlirimtare i kërkohet t’i bëhet gjyq, edhe pse askush nuk u mor mbi mijëra të vrarë e të masakruar, me mijëra të zhdukur, e me sa e sa viktima që rënkojnë akoma nën tokën serbe.
Kjo luftë e paparë dhe e ndytë, e një drejtësie selektive, tashmë ka marrë formë: nuk lidhet vetëm me emra të përveçëm, por me një nacionalitet, nuk lidhet me një organizëm luftarak, siç ishte UÇK, por me një popull.
Ndaj nisi nga kreu i shtetit tonë, ndaj dhe dështuan me komandantin e pamposhtur të Dukagjinit!
Ramush Haradinaj, dy herë iu nënshtrua Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, dy herë doli i pafajshëm. Por, pafajësia kishte një emër: dhjetë vjet përndjekje e persekutime, dhjetë vjet mungesë drejtësie, dhjetë vjet mungesë lirie.
Fatmir Limaj, njeriun që mbrojti mijëra civilë, po ashtu kishte të njëjtin emër: pafajësi e keqpërdorur.
Tash, lufta tjetër vazhdon me aktakuzën ndaj Presidentit dhe kryeparlemtarit, ec e bëso se ku dhe kur do të përfundojë!!
A nuk është kjo humbje e kuptimit të të drejtave dhe lirive të njeriut?!
A nuk është kjo humbje e vlerave të bashkëpunimit për paqe e drejtësi në emër të së drejtës ndërkombëtare?!
Serbia po vazhdon luftën e saj, po aq agresive: po lufton të gjallët, po i vret për së dyti viktimat, shpresën e atyre që akoma gjenden në varreza masive.
Aktakuza si kjo, ndaj krerëve të shtetit të Kosovës, po fyen mijëra civilë, fëmijë, gra, pleq, duarthatë që presin që vrasësit e tyre, që sillen hapur nëpër rrugë e sheshe të Beogradit, dhe kjo gjykatë dhe të tjerat si kjo po mbyll të dy sytë ndaj të vërtetës së luftës në Kosovë.
Unë jam dëshmitar i gjallë, i Masakrës së Dubravës, e cila ndodhi më 19 deri 24 maj të vitit 1999, në burgun, përkatësisht në kampin e përqendrimit në Dubravë të Istogut. Jam dëshmitar se si para syve të mi dhe bashkëvuajtësve të mi, u masakruan 120 të burgosur dhe 300 të tjerë u plagosën. Jam dëshmitar se si në praninë time, tek po na transferonin nga një burg në një tjetër, krimineli serb, preu në fyt gati për vdekje bashkëvaujtësin tim Filip Pjetrin.
Jam dëshmitar, sepse isha krahë me ta dhe me shumë të burgosur të tjerë, se si u vranë mizorisht Gazmend Imeraj nga Ponosheci i Gjakovës, Dervish Sylaj nga Ratishi i Deçanit , Ibër Metaj nga Hereqi i Gjakovës, që të tre ushtarë të UCK-së.
E gjithë kjo masakër ishte planifikuar mirë me në krye drejtorin e këtij burgu, Aleksandër Rakoqevic, për të cilin ka foto e video pranë krimit, ka dokumente tashmë të prezantuara, ku ka nënshkruar kinse për “lirimin” të Ukshin Hotit, tashmë që nuk dihet për fatin e tij.
Ka dëshmi me foto dhe video nga vendi i krimit, për komandantin e burgut, Miroljub Vidiq. Bota i ka parë imazhet se si Boban Bashqareviq, jo vetëm që është parë nga të burgosurit, por edhe është fotografuar mbi viktima, duke i ri-ekzekutuar së bashku me Ilija Mishkovicin nga Ҫacaku, e shumë të tjerë, lista e të cilëve është publikuar jo një herë.
Që njëzet e një vjet kemi folur e dëshmuar, kemi afruar fakte dhe asnjë gjykatë, as UNMIK- ut, as e EULEX-it, as kjo e veçanta, specialja, e specializuar fatkeqësisht për shpifje, kurrë nuk më ka ftuar mua dhe qindra të tjerë dëshmitarë të dëshmojmë atë që kemi përjetuar vetë, atë që atë që kemi parë me sytë tonë.
Po flas për raste që jam i mbijetuar dhe dëshmitar i gjallë, por poashtu nuk mund të mos flas edhe për masakra të tjera, sidomos për ato nga treva e Dukagjinit, nga vij unë, si Masakra në Qyshk të Pejës ku vranë 44 nga 17 deri 70 vjeç nga nga grupi paramilitar “Çakallet”.
Qytetarët që i shpëtuan kësaj ploje, i kanë njohur, i kanë publikuar me emër dhe mbiemër.
Masakra në Beleg të Deçanit, në mars nga 29 marsi i vitit 1999, ku policia, ushtria dhe paramilitarët, pasi torturuan gra, pleq dhe fëmijë, e më pas edhe i vranë e i dhunuan!
Nga 47 të vrarë e të masakruar, 33 prej tyre u zhdukën pa gjurmë.
Dhe për fat, kësaj masakre i ka mbijetuar profesori Mehmet Mazrekaj, i cili ka arritur ta identifikojë kriminelin serb Zoran Gjurishiq nga Prapaqani!
Pavarësisht se emrat këtyre kriminelëve i janë dhënë hetuesve të Tribunalit të Hagës, deri me sot asgjë nuk ka ndodhur!
Është i papërshkrueshëm rrëfimi i nënës Xhyke Vishaj nga Belegu që ia kanë marrë të birin nga duart dhe akoma shpreson të ketë një varr ku mund ta vajtojë 16 -vjeçarin, Faton Vishaj, aty ku vranë edhe gruan shtatzënë me foshnjën e saj nëntëmuajshe.
Çfarë t’i thuhet familjes së profesorit tim Sokol Shala nga Prapaqani të Deçanit, kur babain mbi 80 vjeç, Osë Duat Shalën, pasi e gjetën në shtëpi, derisa dy dëshmitarë ishin të fshehur dhe po e shihnin krejt situatën nga kulmi i shtëpisë, militarët dhe paramilitarët serbë, atij i thanë që të zhvishej ngadalë, t’i palonte rrobat e veta një nga një, e afrojnë te cungu dhe me sopatë një nga një gjymtyrët ia bëjnë copë, pastaj ia presin edhe kokën.
Pa harruar këtu Maskrën e Recakut e të Rakovinës, të Krushës e të Celinës, të Izbicës e të Mejës, të Korenicës e të Poklekut të vjetër, të Lashticës e ajo që ndodhi në bodrumin e Mehdi Vejsës, atë të familjes së Selatin Gërxhaliut e të familjes Deliu, e shumë të tjera.
Për këto nuk kishte asnjë gjykatë, as të thjeshtë, e lerë më speciale!
Krejt në fund të këtij shkrimi, shumë kisha dashtë që asnjë shqiptarë mbi këtë dhé, që flet shqip dhe që i thotë vetes shqiptarë të mos i jetë gëzuar kësaj aktakuze që godet padrejtësisht vlerat tona, shtetin tonë dhe historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.