Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, i domosdoshëm apo anakronik?

Bisedat, diskutimet, më në fund edhe propozimi për nxjerrjen e Ligjit lidhur me Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, qysh prej mbarimit të saj,  në verë të vitit 1999,  kanë qenë tema të cilat në radhë të parë i ka kushtëzuar realiteti i ri historik shqiptar, në Kosovë  e më gjerë dhe nuk kanë të bëjë me ndonjë imponim mujshar të komandantëve, sikur pretendon një pjesë e madhe e ish dhe tani zyrtarëve të Kosovës, sidomos ata që nuk e kanë pranuar as duan ta pranojnë fare UÇK-në dhe asnjë vlerë të saj.

Dihet mirëfilli se cilët janë ata njerëz,  që luftën e UÇK-së e kanë injoruar qysh në paraqitjen e saj ilegale e pastaj edhe legale. Të tillët, pa pikë turpi e injorojnë edhe sot, sepse meritat për çlirimin e Kosovës iu atribuojnë politikës pacifiste dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Dhe, fatkeqësisht, dashur pa dashur, duhet ta pranojmë faktin se  pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës nuk mori pjesë në luftë dhe asnjëherë nuk e mbështeti forcën  e armatosur. I pari i kësaj ideje pacifiste, ka qenë vetë kryetari “historik” i Kosovës, Ibrahim Rugova,  dhe ashtu si dikur edhe  tani  janë pjesa dërrmuese e elektoratit të LDK-së dhe jo vetëm ata.

Nëse duam të flasim drejt, duke e mbrojtur të vërtetën, atëherë arrijmë në përfundimin logjik se luftën e UÇK-së e kanë përkrahur vetëm 20 deri në 30 për qind e shqiptarëve të Kosovës, qoftë me pjesëmarrje aktive, apo pasive, qoftë me ndihmë solidare apo ndarje të mjeteve për fondet e luftës. Një përqindje ka qenë dhe ka mbetur e papërcaktuar, ndërsa kundërshtarë fanatikë të luftës së UÇK-së kanë qenë dhe kanë mbetur ish-strukturat politike që kanë  bashkë-qeverisur dhe kanë bashkëjetuar gjysmë shekulli me regjimet pushtuese jugosllave e serbe.

Kjo masë e njerëzve historikisht iu ka përshtatur çdo regjimi të huaj, qysh prej kohës së turkut, të Serbisë së parë, pastaj Mbretërisë Serbe Kroate Sllovene, fashizmit italian e gjerman si dhe komunizmit titist e rankoviqist, por jo në  masë aq të madhe edhe regjimit të Milosheviqit.

Këto konstatime nuk janë paushalle por mund të dëshmohen me të dhëna të faktuara e të argumentuara.

Prej vitit 1946 kur ka filluar të konsolidohet regjimi titist-rankoviqist e deri në vitin 1990 me rastin e fillimit të shpërbërjes së RSFJ-së, 80 për qind e shqiptarëve iu kanë përshtatur regjimit, i cili krahasuar me atë të “kralevinës jugosllave”, ishte shumëfish më i pranuar por edhe shumë dobiprurës, për të gjithë ata që ishin bërë pjesë e regjimit në të gjitha segmentet e qeverisjes.

Gjatë së njëjtës periudhë kohore, pjesa atdhetare e militante e kombit nga radhët e të gjitha shtresave nuk ishte pajtuar me ri-mbetjen e Kosovës nën Jugosllavi dhe atë shtet e trajtonte me të drejtë si shtet pushtues të trojeve shqiptare.

Ashtu sikur në të gjitha proceset e zhvillimit historik të kombeve, edhe në rastin tonë gjithnjë në çdo periudhë të sundimit të huaj është paraqitur klasa e të pakënaqurve, pakica militante, e cila thirrej  në të drejtën e kombeve për Vetëvendosje dhe përcaktim të lirë qytetar mbi parimet e lirisë, barazisë e të drejtësisë.

Ky konstelacion i forcave atdhetare kishte lidhshmërinë e vet historike në trojet shqiptare që i mbante nën pushtim ish-RSFJ, duke filluar nga LNDSH-ja e Imer Berishës, Ajet Gërgurit, Gjon Serreqit e shumë të tjerëve, prej vitit 1944 e deri në vitin 1963 kur   në kushte dhe rrethana të tjera ishte ripozicionuar LRBSH-ja e Adem Demaçit dhe qindra bashkëpunëtorëve të tij, e pasur me organizata të tjera atdhetare me emërtime  të ndryshme por me një program unik që kishte për qëllim çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Tërë ajo masë atdhetare ishte e sintetizuar në LPRK e më vonë në LPK, që ishte pjesa vitale kombëtare, e cila kurrë nuk ishte pajtuar me pozitën e minoritetit, përderisa në Jugosllavinë e gjashtë republikave e dy krahinave ishte popullata e tretë me radhë për kah numri, pas serbëve e kroatëve. Mirëpo ishte edhe synimi historik atdhetar i trashëguar nga brezi në brez për bërjen e Shqipërisë- shtet për të gjithë shqiptarët, ashtu sikur i kanë shtetet e tyre të gjitha kombet e botës.

Kosova gjatë tërë kohës së ish-RSFJ-së, ka pasur numrin më të madh të të burgosurve politikë në Jugosllavi, duke e radhitur edhe vetë shtetin, në mesin e shteteve evropiane me numër të madh të të burgosurve politikë. Për nga numri i banorëve, shqiptarët nën Jugosllavinë e asaj kohe kishin vendin e parë me të burgosur politikë nga të gjitha vendet e Evropës.

Me gjithë këto të dhëna, pjesa më e madhe e popullit shqiptar nën Jugosllavi e kishte pranuar regjimin, dhe për këtë nuk ka pse na vjen keq, ne pjesëtarëve të pakicës, sepse ai realitet nuk mund të mohohet, pavarësisht se na prish “namuzin” folklorik romantik se gjithë shqiptarët janë Mic Sokola, apo Adem Jashara.

Këto fakte, që nuk kanë nevojë të argumentohen, me citate e  fusnota, janë rrëfyes i lavdishëm dhe i palavdishëm në të njëjtën kohë, sepse i tillë ka qenë dhe është realiteti dhe atë nuk e ndryshojmë dot me ligje, madje edhe ligjet si të tilla kundërshtohen.

Andaj Kërkesa për Mbrojtjen e Vlerave  të Luftës së UÇK-së,  në dukje është e domosdoshme, sepse me këtë rast pakica kërkon të mbrohet nga shumica, e cila jo vetëm që nuk e ka përkrahur luftën e UÇK-së,  por e ka quajtur dhe e quan terroriste, njëjtë sikur Serbia. Po të mos ishte shumica shqiptare që e kishte votuar Gjykatën Speciale kundër UÇK-së pesë vjet më parë, ajo gjykatë kurrë nuk do të ishte themeluar.

I shëmtuar dhe i çoroditur është fakti se një  shumicë e popullit shqiptar të Kosovës,  që ka  vetëm 21 vjet qysh kur është çliruar nga një regjim okupator terrorist e kriminal, sikur ishte regjimi serb i Beogradit, nuk ka rritur t’ i pranojë  vlerat e lirisë dhe i përdhos ato, i nënçmon dhe e nënvlerëson, madje edhe shprehet hapur kundër tyre.

Ideatorët e hartimit të propozimit të ligjit për Vlerat e luftës së UÇK-së, kanë marrë për bazë një realitet fiktiv, duke qenë të ballafaquar me sulmet që i bëhen vlerave të luftës jo nga pakica, sikur thuhet me eufemizëm, por realisht nga shumica shqiptare, e cila edhe sot e kësaj dite i mohon ato vlera, sepse i ka vlerat e veta të quajtura të paqes, mirëkuptimit, partneritetit, bashkëjetesës, multietnicitetit të bashkim vëllazërimit, të  demokracisë, që janë më universale sesa ato vlerat fizike e shpirtërore të pakicës, që lidhen me UÇK-në.

Luftëtarët e lirisë, invalidët e veteranët e luftës, nuk duhet të hidhërohen me komentet e vlerësimet e ambasadorëve të huaj rreth Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, sepse kërkesa është që këto vlera të mos përdhosën nga shumica shqiptare, jo nga shtetet e huaja, të cilat shprehim mendime të  ndryshme. Ne nuk kërkojmë që këto vlera të na i pranojë Serbia, as kërkojmë të mbrohen nga Serbia, sepse në rast nevoje i mbrojmë vetë, me aq sa kemi mundësi e force, por nuk i mbrojmë dot nga shumica shqiptare e cila nuk i njeh si vlera të tilla, e cila i injoron dhe nuk duron dot që në të gjitha sheshet e qyteteve të dominojnë shtatoret e komandantëve, heronj të UÇK-së. Ky konstatim dikujt  do t’ i duket pesimist e reaksionar, por po të mbështetemi në realitetin,  që cilin e ka prodhuar koha, pse jo edhe lufta e klasave, gjatë këtyre 20 viteve, nuk mund të jemi optimistë e romantikë sikur shprehen shumë veteranë.

Na kujtohet rasti,  jo i vetëm i pas luftës, kur veteranët kishin bërë përpjekje të vendosnin shtatoret e heronjve,  Ismet Jashari-Kumanova dhe Xhevat Berisha, në Prizren dhe kryetari i asaj kohe, Eqerem Kryeziu i LDK-së në pushtet, nuk kishte lejuar vendosjen e tyre.

Janë strukturat e larta politike të Kosovës, ato  që  edhe 22 vjet pas rënies, nuk kanë lejuar të vendoset në Prishtinë shtatorja e Adem Jasharit, sepse vendi iu ka rezervuar shtatores së Ibrahim Rugovës. Në 20 vitet e fundit, janë ngritur qindra përmendore, pllaka përkujtimore, shtatore, Komplekse Memoriale por  jo pak prej tyre janë dëmtuar nga dora tinëzare. Nga frika dhe paralajmërimi se do të thyhet sërish me çekan pllaka me emrat e dëshmorëve, në Shtime, janë hequr emrat dhe ka mbetur vetëm pllaka e mermerit me mbishkrim, pa emra e mbiemra, sikur kishte qenë më parë.

Hidhni një sy në google dëmtimit të pllakave të dëshmorëve dhe do të bindeni në këtë realitet të dorës tinëzare të fantazmave të natës.

Nuk ka gati asnjë monument apo pllakë të vendosur në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve të UÇK-së që të mos jetë dëmtuar apo përdhosur,  në një mënyrë apo tjetër. Dhe nga “namuzi” ynë patriotik,  gishtin e dyshimit e drejtojmë te mbetjet serbe në Kosovë e kurrsesi te shumica shqiptare e vendit, që nuk i ka pranuar, as i pranon këto vlera, sepse ajo shumicë në kohën e luftës kishte ikur nga Kosova, meqë  atyre iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka atdheut që po lahej me gjak e po i zihej fryka nga tymi i barotit, madje  duke arsyetuar në mënyrë hipokrite me fjalët: Më fal qyteti im i dashur, Prishtinë, por  më shumë e desha jetën se lirinë… Ajo shumicë edhe sot e kësaj dite na bën fajtorë, sepse sipas tyre ne  ua kemi prishur rehatinë dhe e kemi nxitur Serbinë për të bërë krime.

Ky është realiteti lakuriq-nudo, të cilin nuk duam ta pranojmë, andaj duam që këto vlera t’ i ruajmë me ligje nga shumica shqiptare,  e cila nuk i vlerëson dhe nuk i trajton si vlera unike të të gjithëve, por si vlera të një pakice, që gjithnjë  i paska prishur punë shumicës, si në kohën e Shaban Palluzhës, ashtu në kohën e Adem Demaçit, në kohën e Adem Jasharit, por edhe sot sepse po ia jep votën politikanëve të dalë nga lufta e UÇK-së.(!)

Ne veteranët duhet ta kuptojmë më thellë realitetin ekzistues, duke pasur për bazë edhe shumë shembuj të tjerë analogë. Për 45 vjet në kohën e regjimit komunist në Shqipëri u ngritën  mijëra përmendore e shtatore çlirimtarëve antifashistë dhe sot dihet se si kanë pësuar. Madje çoroditja nuk u ndal me aq. Në qendër të Tiranës iu ngrit shtatore, Ahmet Zogut, vrasësit më mizor që ka shënuar ndonjëherë historia shqiptare, pas Ballaban Badherës, ndërsa mbetjet e ringjallura të fashizmit e nazizmit,  rrënuan shtatoren e Enver Hoxhës.

Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së nuk sanksionon që  në sheshet e qyteteve të Kosovës, të mos iu ngrihen përmendore: Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, Ali Shukrisë, Xhavit Nimanit, Mehmet Maliqit, Ibush Kllokoqit, Selim Broshës dhe sa e sa të tjerëve, madje edhe disa të gjallëve, të cilët  me aq fanatizëm, idiotizëm, çmenduri e urrejtje  janë pozicionuar kundër UÇK-së, kundër komandantëve të luftës, të cilët i konsiderojnë fajtorë, që Kosova qenka më keq se në kohën e Millosheviqit. Këtyre nuk ua mbyllim dot gojën, sepse nuk lejon Amerika as BE-ja, sepse kanë liri të plotë të shajnë, të përdhosin, të mohojnë, të akuzojnë, të bëhen dëshmitarë të mbrojtur  e të paguar nëpër gjykata, të ndërrojnë identitetin. Të tillë, nuk janë pakica sikur mendojmë ne,  por e tillë është edhe shumica që nuk reagon, përkundrazi i arsyeton ata. Andaj Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, me siguri se nuk do të miratohet edhe për faktin se këtë nuk e duan, ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnett dhe ai gjerman Jörn Rohde, por as shumica e deputetëve. 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …