Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, paramilitarët ndërmarrin hapa të shpejtë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare dhe për ta shuar kombin në mënyrë që të bëhet spastrimi etnik i Kosovës, prandaj edhe popullata nis të dëbohet nga vendlindja e tyre, ndërsa mbi të tjerët u bënë vrasje e masakra makabre. Kështu, më 29 mars të vitit 1999, pushtuesi serb për vijë të kufirit shqiptaro-shqiptar ngjeshi kurtha e pusi, investoi në prita e tradhti, prandaj edhe në këtë ditë, në Shishman të Bokës, te “Livadhet e Gjata”, të Rekës së Keqe, në orët e hershme të mëngjesit ranë në pritat serbe dhe pas një rezistence të gjatë, në një terren tejet të papërshtatshëm për rezistencë përjetësohen: Armend Qymiri i Gjakovës, Besim Rama i Botushës, Bujar Beqir Shala i Rashiqit të Pejës, Bujar Esat Shala i Gjakovës, Florim Sejdia i Qëndresës (Smolicës), Ibrahim Asllani i Devës, Jahja Danuza i Rahovecit, Jashar Jashari i Strofcit të Vushtrrisë, Naim Lataj i Qëndresës (Smolicë), Kadri Berisha i Pozharit, Mon Maçi i Shishmanit, Nuhi Elezaj i Lugishtës së Hasit dhe Xhemajl Avdullahu i Gjakovës.
Në frontet e Zonës Operative të Drencicës forcat tashmë të shfrenuara pushtuese serbe avancuan kah Prekazi dhe u gjendën jo larg Kullës së Ahmet Delisë, ndërsa jo larg Grykës së Llapushnikut, iu afruan Grykasit (Tërdefcit) e gjatë rezistencës u përjetuan: Daut e Mehmet Halilaj të Grykasit, në Palac të Skënderajt Xhemë Veliu, në Burojë, Musa Sahiti ndërsa në Izbicë, e njohur për çmimin e shtrenjtë të lirisë, u përjetësuan Ajet Beqiri dhe Enver Bajra.
Po kështu, ndodhi edhe në “Rrasat e Rahovecit”. Forcat pushtuese serbe, duke kërkuar luftëtarin e lirisë, Zabit Shabandula, ekzekutuan vëllezërit Shabandula të Rahovecit, kështu krahas Zabitit, luftëtar të lirisë, u ekzekutuan edhe vëllezërit Qazimi dhe Fahredini dhe po kjo dorë vazhdoi mbi fshatrat Pastasel e Senoc të Rahovecit duke bërë masakrat të papara. Ekzekutoi këdo që ndeshi ngase mëninë ndaj NATO-s dhe luftëtarëve të Adem Jasharit e shfrynte mbi popullatën civile.
Dshmori i kombit Zabit Shabandula është i lindur në Rahovec më 5 prill të vitit 1964. Xha Ahmeti dhe nënë Shemsia kishin 6 fëmijë: Qazimin, Zenelin, Fahredinin, Zabitin, Fahrinë dhe Shiqirinë. Fëmjët i rritën ashtu si mundën: në varfëri dhe skamje, por përherë të ushqyer me ndjenjën e patriotizmit dhe të gatishmërisë për t’u përballur çdo padrejtësi.
Pas kryerjes së shkollës fillore, Zabiti u regjistrua në shkollën e mesme “Xhelal Hajda-Toni” të Rahovecit, por ashtu si të gjithë nxënësit e Kosovës, edhe ai merr pjesë në demonstratat e vitit 1981, ndërsa i ati, edhe në të gjitha aktivitetet që kishin të bënin me organizimin e rezistencës kundër pushtuesit. Por, pasi familja Shabandula jetonte në “Mahallën e Shkijëve”, herët u ra në sy pushtetarëve, prandaj edhe filluan përcjelljet serbe mbi fqinjin e tyre dhe mbi tërë familjen e gjerë Shabandula. Zabti hetoi çdo hap që bëhej gjatë përcjelljeve dhe përndjekjeve jo vetëm në lagjen e tij, por edhe në tërë Rahovecin, me të marrë lajmin se në fshatin Drenaj të Zatriqit kishte dalë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nisi ta vizitojë më shpesh këtë fshat dhe t’i ndjekë për së afërmi ushtrimet dhe përgatitjet e luftëtarëve të lirisë në Drenaj dhe Zatriq. Kështu në maj të vitit 1998 u radhit në formacionin e Xhelal Hajdës-Tonit dhe u vendos në “Kërshin e Keq” ku ishin të kazermuar luftëtarët e Rahovecit, duke lënë prapa bashkëshorten Advijen dhe bijtë: Adelinën, Artanin, Artën dhe Dafinën.
Gjatë luftimeve për Rahovecin, në korrik të vitit 1998, Zabit Shabandula u plagos në këmbën e djathtë, por nuk e ndali aktivitetin luftarak dhe pas shërimit të këmbës vazhdoi luftën deri më 29 mars të vitit 1999, kur u ekzekutua së bashku me vëllezërit, Qazimin dhe Fahredinin. Militarët serbë dhe banorët serbë të Rahovecit, morën trupat e vëllezërve Shabandula dhe i varrosën në varrezat e qytetit, ndërsa pas përfundimit të veprimtarisë luftarake të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, bashkëluftëtarët e Zabitit bënë rivarrimin e trupit të tij pranë bashkëluftëtarëve të tij të rënë dhe sot pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Rahovecit.
Në nderim të jetës dhe të luftës së dëshmorit, e bija, Adelina ia kushtoi një përmbledhje me poezi (“Freski në krua”), ndërsa në lagjen “Sahatkulla” të Rahovecit, një rrugë mban emrin e Zabit Shabandulës. Xha Ahmeti me krenari ruan në odë të gjitha mirënjohjet dhe uniformën e Zabitit, një orë dore dhe një fletore (ditar e album) me ca shënime modeste dhe fotografi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …