Dëshmori i kombit Florim Sejdiu, u lind më 2 qershor 1976, në fshatin Smolicë të komunës së Gjakovës, në një familje atdhetare, e cila, si shumë familje të tjera shqiptare, u trajtua egërsisht gjatë periudhës së pushtimit serb. Gjyshi i tij, Tafë Zyber Sejdiu (1900-1948), bashkë me të vëllanë, Hasanin, (1912-1947), ishin vrarë nga pushtuesit serbë. Hasani kishte marrë pjesë aktive në luftën antifashiste, por nuk ishte pajtuar dot me ripushtimin e Kosovës. Kishte marrë pjesë në Luftën e Drenicës (janar-shkurt 1945), në krahun e Shaban Palluzhës. Gjatë kësaj kohe kishte bërë jehonë aksioni i tij për likuidimin e gjashtëdhjetë e katër çetnikëve serbë.
Pas shuarjes me gjak të rezistencës kundër riokupimit jugosllav në Drenicë, për t’i shpëtuar ndëshkimit, Hasani i bashkohet batalionit të Malë Sadikut, përkatësisht Batalionit të Katërt të Ushtrisë Shqiptare.
Në periudhën kohore maj-qershor të vitit 1946, Hasani u kthye në Smolicë. Ndërkohë u mobilizua si polic në Postëkomandën e Ponoshecit, por nuk kaloi shumë kohë dhe OZN-a e arrestoi atë, të cilin e akuzoi si kriminel lufte dhe së bashku me Sylë Tahirin e fshatit Bërjahë dhe Tahir Malën e fshatit Popoc, i dërguan në burgun e Mitrovicës, ku të tre i sistemuan në dhomën e të dënuarve me vdekje.
Pas një vizite që ia kishte bërë burgut kolonisti serb Dunja Ognjenoviq, shef i UDB-së, dhe pas intervenimit të tij, arrihet që të mbahet seanca e gjykimit në Shkup. Gjykata Ushtarake në Shkup, Hasanin e dënoi me pesë vjet burgim, ndërkaq Sylën e Thirin me nga tre vjet. Pas qëndrimit disa javësh në burgun e Idrizovës, tre të burgosurit i dërguan në llogorin-burg në Demir Kapi, për të punuar në hapjen e rrugëve. Ndërkohë rojat e burgut tri herë kishin tentuar ta vrasin Hasanin, por nuk ia kishin arritur qëllimit. Në rrethana të tilla, Hasani kishte vendosur të arratisej për të shpë- tuar nga vdekja e sigurt, por siç duket plumbat e armikut ia kishin këputur jetën përgjysmë, dhe prej gushtit të vitit 1947, nuk do të dihet më asgjë për fatin e tij.
Pas kësaj, fillon kalvari për familjen Sejdiu. Në muajin shtator të vitit 1947, tërë familja e Tafë Zyber Sejdiut u dërgua në burgun-llogor, që e kishin improvizuar në shtëpinë e Banush Shabanit në Brovinë të Gjakovës, ku i mbajt mbi një muaj. Më vonë e vendosën në arrest shtëpiak, nën mbikëqyrje të rreptë policore, madje kishin planifikuar që këtë familje ta internonin në Banat të Vojvodinës. Disa muaj më vonë, më 14 janar 1948, në fushën e Kallavajit të Junikut, UDB-a vrau mizorisht gjyshin e dëshmorit, Tafë Zyber Sejdiun (48-vjeç), i cili la pas vetes pesë fëmijë të mitur: Xufën, Elezin, Zizën, Haxhiun dhe Ademin.
Prindërit e dëshmorit, Elez Sejdiu e Hate Jakupi-Sejdiu, bijë e Shishmanit të Bokës, i lindën dhe i rritën tetë fëmijë, katër djem e katër vajza: Mandushen, Nafijen, Mustafën, Haxhiun, Naserin, Gonxhen, Vjollcën dhe Florimin.
Babai i dëshmorit, Elezi, punoi në Gjermani për të siguruar ekzistencën dhe mirëqenien e familjes. Florimi, që ishte fëmija më i vogël në familje, shkollimin fillor e kreu në sh. f. “Ganimete Tërbeshi” në Smolicë, të mesmen në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ndërkaq studimet i regjistroi në Fakultetin Elektroteknik në Mitrovicë.
Si student i Ekektroteknikës, Florimi duke e parë dhe vlerësuar drejt gjendjen në të cilën gjendej Kosova, i la studimet për t’iu bashkuar radhëve ilegale të UÇK-së. Ai ishte ndër të parët që i rroku armët e lirisë menjëherë pas daljes haptazi të UÇKsë, në Llaushë të Skënderajt, më 28 nëntor 1997, në ceremoninë e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci. Ndonëse për ekzistencën e UÇK-së kishte njohuri edhe më herët nga djali i dajës së tij, Astrit Jakupi nga Shishmani i Bokës, Florimi në radhët e UÇK-së është kyçur nëpërmjet Gazmend Imerit nga fshati Ponoshec i Gjakovës, tash dëshmor i kombit. Ndërkaq, më 10 shkurt 1998, kur në Zonën Operative të Dukagjinit, u formua Njësiti i UÇK-së në Smolicë, Florimi ishte njëri ndër vullnetarët e parë që e dha betimin, bashkë me të vëllanë Haxhiun. Prej kësaj kohe, me përkushtim e përgjegjësi të lartë i kreu të gjitha detyrat që iu ngarkuan. Këtu duhet veçuar furnizimin me armatim, kur tashmë Smolica me njësitin e djemve të organizuar në radhët e UÇK-së nën drejtimin e komandantit Agron Rama, me rëndësinë e jashtëzakonshme strategjike, pasi që gjendej në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar ishte bërë njëra ndër pikat kryesore nëpër të cilën bartej armatimi për në Kosovë për luftëtarët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Pas daljes sheshazi të UÇK-së në Smolicë e në fshatrat tjera të Rekës, në prill të vitit 1998, Florimi sistemohet në Njësitin për Intervenime të Shpejta, i formuar fillimisht në Smolicë, të cilën e drejtonte eprori Afrim Basha, nga Theranda, ku bënin pjesë edhe Naim Avdiu, Rexhë Rexha, Ramë Rama, Lan Kurti, etj.
Për meritat e larta që i tregoi në stërvitjet ushtarake, në përgatitjet fizike dhe në organizim, po ashtu edhe në aksionet luftarake, Shtabi i UÇK-së në Smolicë e emëroi komandant të Njësitit Special për Intervenime të Shpejta.
Këso kohe Smolica ishte bërë qendër e njohur e luftës dhe e qëndresës luftarake kundër forcave okupuese serbe, ku për pesë muaj me radhë forcat serbe edhe pse përdorën tërë makinerinë e rëndë, artilerinë, aviacionin luftarak dhe njësitet elite të ushtrisë serbe, njësitet speciale policore e paramilitare, nuk mundën ta thyejnë qëndresën e luftëtarëve të lirisë. Aty u shquan edhe luftëtarët tani dëshmorë si: Florim Sejdiu, komandanti Agron Rama, Sejdi Rama, Naim Avdiu, Burim Hamza, Avdyl Tahiri, Fetah Krasniqi, etj.
Për pesë muaj me radhë Smolica ishte bërë fortifikatë e pathyeshme edhe pse u sulmua vazhdimisht dhe u granatua pothuajse për do ditë. Madje ka ndodhur që mbi 700 granata të hedhen mbi fshat vetëm brenda një dite. Më 19 qershor 1998, kur nga granatimet e forcave serbe në Smolicë ishte vrarë Florian Kurti (10-vjeç), atë natë luftëtarët e UÇK-së u hakmorën shumëfish ndaj forcave serbe.
Florim Sejdiu sikurse edhe bashkëluftëtari i tij Naim Avdiu-Lata, shquhej për shkathtësi në përdorimin dhe manovrimin e të gjitha llojeve të armëve që i kishte UÇK-ja në Smolicë, si: mortajat e krahut, mitralozat e rëndë, snajperët, minat kundërtank, bombat e dorës, etj. Florimi disa herë kishte marrë rrugën e mundimshme drejt kufirit shqiptaro-shqiptar për furnizimin e UÇK-së me armatim nga Shqipëria. Si i gjithë fshati Smolicë, edhe shtëpia e tij ishte njëra ndër bazat e mirëfillta të strehimit të ushtarëve të UÇK-së nga mbarë Kosova, që kalonin nëpër Smolicë për të shkuar për furnizim me armatim në Shqipëri dhe anasjelltas.
Më vonë pozicionohet edhe në njësinë e komandantit Shaban Gola në Nec, ku mori pjesë në shumë sulme të befasishme kundër armikut. Po ashtu edhe në minimin e shpejtë të rrugëve në relacionin Smolicë-Nec-Shishman, me ç’rast autokolonat e ushtrisë serbe kishin pësuar shumë herë.
Dëshmori Florim Sejdiu mori pjesë pothuajse në të gjitha aksionet dhe betejat që u zhvilluan në Rekë të Keqe për pesë muaj me radhë gjatë vitit 1998. Madje, për aksionin e kryer kundër stacionit famëkeq të policisë serbe në Ponoshec, më 3 maj 1998, Florimi ishte dënuar në mungesë nga gjykata serbe. Para sulmit të forcave serbe kundër fshatit Nec të Gjakovës, Florimi aktivitetin luftarak e zhvilloir në relacionin Nec-Shishman, në njësitin e Shaban Golës (dëshmor), ku mori pjesë në shumë sulme të befasishme kundër armikut. Ndërkaq, pas sulmit që ndërmorën forcat serbe kundër këtij fshati, për një kohë Florimi me njësinë e tij stacionohet në fshatin Nec të Gjakovës, ku ndërmerr aksione të shumta kundër armikut, ku duhet veçuar aksionet për minimin e rrugëve në relacionin Smolicë-Nec-Shishman, etj., me ç’rast forcat serbe dhe autokolonat e tyre të motorizuara shumë herë pësuan humbje të mëdha.
Florim Sejdiu, gjithnjë u dallua për luftë të pakompromis kundër pushtuesve serbë. Ai nuk mund të qëndronte larg Kosovës, larg luftës. Edhe pse në luftë në Kosovë e kishte të vëllanë Haxhiun, epror i Brigadës 134 “Bedri Shala” dhe dikush duhej të kujdesej për familjen që e kishte të strehuar në Shqipëri, përkundër përpjekjeve, askush nuk mund ta pengonte që të mos kthehej në Kosovë, kur shumëkush largohej prej saj, ku ra heroikisht, më 29 mars 1999 në vendin e quajtur Qerret, sipër fshatit Shishman të Bokës, në një rënie të jashtëzakonshme bashkë me trembëdhjetë bashkëluftëtarët e tij.
Dëshmori Florim Sejdiu nuk ka qenë i martuar. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për birin e saj dëshmor. Është nderuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇK-së, Brigada 134 “Bedri Shala” e UÇK-së, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, etj.
Dëshmori Florim Sejdiu është përjetësuar në përmendoren e ngritur në vendin e rënies, në Qerret dhe në përmendoren e dëshmorëve të kombit në Smolicë. (F. R.)