Naim Shin Avdiu - Lata (21.1.1977 – 29.3.1999)

Naim Shin Avdiu – Lata (21.1.1977 – 29.3.1999)

Dëshmori i kombit Naim Avdiu, u lind më 21 janar të vitit 1977, në fshatin Smolicë, të komunës së Gjakovës, në një familje të varfër, por të ndershme, bujare e me tradita të larta atdhetare. Prindërit Shin Avdiu e Nazmije Zeneli-Avdiu, i lindën e i rritën pesë fëmijë, tre djem e dy vajza: Rexhepin, Sabrijen, Shkurtën, Halitin dhe Naimin, që ishte fëmija më i vogël në familje. Ndonëse mbiemrin zyrtar e ka Avdiu, Naimi në radhët e UÇK-së më shumë është i njohur si Naim Lata.

Shkollimin fillor e kreu në Sh. f. “Ganimete Tërbeshi” në Smolicë, me sukses të shkëlqyeshëm. Ndërkaq, shkollën e mesme në Gjimnazin Matematiko-Natyror “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Babai i dëshmorit, Shini, gjatë gjithë jetës kishte punuar punë të rënda fizike, duke e siguruar me djersë e nder ekzistencën e familjes. Ideali i tij si pjesëmarrës i Luftës aAtifashiste nuk ishte përmbushur, edhe pse kishin rënë në luftë mijëra dëshmorë nga Kosova e Shqipëria, pas përfundimit të luftës populli shqiptar jo vetëm nuk u bashkua ashtu siç kishte ëndërruar dhe i ishte premtuar, por gjysma e tij mbeti sërish nën robërinë jugosllave, madje i ndarë dhe i copëtuar në katër njësi federative, duke iu nënshtruar dhunës e terrorit të paparë. Më herët, ndërmjet dy luftërave botërore, gjyshi i Naimit, Dervish Lata (varri i tij është shndërruar në varr të shenjtë – tyrbe, në Smolicë), gjithnjë i kishte sfiduar xhandarët dhe ushtarët serbë, kur përpiqeshin të futeshin nëpër shtëpitë shqiptare të brezit kufitar, prandaj banorët e kësaj ane edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me nderim e admirim.

Në moshën 6-vjeçare Naimit i vdiq babai, prandaj prej kësaj kohe u rrit nën përkujdesjen e vëllait të madh, Rexhepit. Ndërkaq, sapo i kishte mbushur 16 vjet, në vitin 1993, Naimit i vdiq edhe nëna, Nazmija. Në rrethana të tilla, kur dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Rexhepi e Haliti, gjendeshin në shtetet e Perëndimit (në Zvicër e Gjermani), barra e kujdestarit të familjes, bie mbi supet e njoma të Naimit, dhe këtë detyrë e kreu sikur të kishte përvojë të gjatë. Faktikisht, vëllai i madh Rexhepi shumë herët ishte detyruar të marrë rrugën e kurbetit, ku nëpërmjet dajës së tij (vëllait të nënës), Sadik Ukë Zenelit, nga fshati Dushnje i Gjakovës, veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare për më shumë se tri dekada, u kyç në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK, e më vonë LPK), duke qenë një nga aktivistët e saj të dalluar, i dalluar më pas edhe në përpjekjet për organizimin e radhëve të UÇK-së dhe të Fondit të luftës “Vendlindja Thërret”. Në këto aktivitete atdhetare ishte i angazhuar edhe vëllai tjetër i tij, Haliti.

Në rrethana të tilla, Naimi qysh në bangat e shkollës fillore kishte pasur rastin që nëpërmjet të vëllait, Rexhepit, të lexonte literaturë ilegale siç ishin gazetat: “Zëri i Kosovës”, “Lajmëtari i Lirisë”, etj., gjë që kishte ndikuar në informimin, përgatitjen dhe formimin e tij, duke u bindur se liri pa gjak nuk kishte. Për këtë arsye Naimi ishte përgatitur shpirtërisht, mendërisht e fizikisht.

Kur më 28 Nëntor 1997, UÇK-ja doli haptazi në varrimin e mësuesit dëshmor, Halit Geci, në Llaushë të Skënderajt, Naimi sikurse edhe shumë të rinj të tjerë, nuk mund të priste më, donte të ishte pjesë e aksionit konkret. Prandaj, pa një pa dy, i drejtohet Fondit “Vendlindja Thërret” me një letër-kërkesë për t’ia mundësuar inkuadrimin në radhët e UÇK-së. Kjo letër kishte rënë në duart e të vëllait, Rexhepit.

Kështu, Naimi, i rritur dhe i edukuar në frymë atdhetare, sapo jepet kushtrimi i luftës, ishte ndër djemtë e parë të Smolicës, që iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Djemtë e Smolicës, në mesin e të cilëve dallohet dëshmori Naim Avdiu-Lata, nën drejtimin e komandantit Agron Rama, në kontakt me komandën e Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, i kishin formuar celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, duke e bërë Smolicën njërën ndër bazat më të fuqishme nëpër të cilën kalonte pothuajse i gjithë furnizimi me armatim për në Kosovë. Më 6 prill 1998, njësitet e UÇK-së dolën haptazi në Smolicë, duke e zgjeruar më pas zonën e lirë të kontrolluar nga UÇKja deri në Nec e në Junik. Me gjithë sulmet e pandërprera, të ushtrisë, policisë e paramilitarëve serbë, Smolica u bë kështjellë e pathyeshme e qëndresës së UÇK-së. Sa herë që i sulmuan pozicionet e Smolicës, forcat serbe u thyen dhe u detyruan të zmbrapsen me turp.

Falë idealeve të larta, përvojës e përgatitjes profesionale, me punë e vetëmohim të pashembullt, luftëtarët e lirisë në Smolicë arritën që organizimin luftarak ta ngrejnë në një shkallë të lartë, të mirëfilltë e të qëndrueshme para të gjitha ofensivave të forcave serbe. Duhet vënë në dukje se pos luftëtarëve të lirisë, të gjithë banorët e Smolicës, burra e gra, pleq e fëmijë, secili në mënyrën e vet e ndihmuan luftën pa kursim.

Smolica, ishte vatër nëpër të cilën kalonin luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Ishte sofër e mijëra ushtarëve çlirimtarë që hynin në Kosovë. Edhe pse u sulmua pandërprerë për gati pesë muaj me radhë, Smolica me luftë nuk u mund kurrë. Luftë- tarët e lirisë nga istikamet e luftës në këtë fshat, u detyruan të tërhiqen vetëm pasi kishin rënë pozicionet e tjera të luftës në rajonin e Rekës së Keqe.

Naimi ishte dalluar në të gjitha luftimet dhe frontet e luftës, duke luftuar me heroizëm të rrallë në Rekë të Keqe e në mbarë Dukagjinin. Shquhej për shkathtësi në manovrimin dhe përdorimin e të gjitha llojeve të armëve, që i kishte në përdorim UÇK-ja. Gjatë vitit 1998, përveç në frontin e Smolicës, duhet veçuar trimërinë dhe heroizmin që tregoi Naimi edhe në betejën e Ponoshecit, në atë të Morinës, të Dobroshit, të Junikut, Gllogjanit, etj.

Më 3 maj 1998, kur ushtria serbe e sulmoi fshatin Ponoshec, me artileri të rëndë, tanke, autoblinda e helikopterë, në luftimet e rrepta që u zhvilluan në këtë fshat Naimi dallohet për trimëri e heroizëm. Me të dëgjuar për sulmin, pjesëtarët e Njësitit Special të UÇK-së për rajonin e Rekës së Keqe, ku bënin pjesë Naim Avdiu-Lata, Florim Sejdiu, Rexhë Rexha, Bajram Ahmeti, Ramë Rama (të gjithë nga Smolica), Shkëlzen Sadiku nga Beci, Sylejman Avdyli e Mursel Avdyli nga Morina, u shkojnë në ndihmë banorëve të këtij fshati. Mirëpo me t’u futur në brendi të tij, marrin vesh se banorët e fshatit pas sulmit të rreptë nga forcat serbe, tashmë ishin larguar nga Ponosheci dhe ishin strehuar në mal. Ky njësit i luftëtarëve mbesin në fushë të zbuluar breg lumit Erenik, afër stacionit të policisë serbe në Ponoshec. Në rrethana të tilla zbulohen nga helikopteri serb dhe sulmohen nga të gjitha anët. Ndërkohë, eprori i UÇK-së Afrim Basha, nga Suhareka, luftëtar në Smolicë, sapo merr vesh për gjendjen e krijuar, se njësiti kishte mbetur i rrethuar nga forcat ushtarake serbe, niset menjëherë së bashku me Agron Ramën, që t’u dalin në ndihmë. Me të arritur afër vendit të ngjarjes, Afrimi qëllon me snajper në drejtim të helikopterit serb, i cili pas goditjes detyrohet të largohet. Luftëtarët e UÇK-së me sukses koordinojnë luftën. Në mbrëmje të kësaj dite, njësiti i lartpërmendur bashkë me Afrim Bashën e Agron Ramën, në koordinim me luftëtarët e Morinës, si: Canë Demiri (Korabi), Sami Ukshini, Sadri Avdyli, Luan Salihu, Abaz Salihu, Nezir Elezi, Blerim Ukshini, Demir Demiri (Lumi) dhe Shkëlzen Syla, ndërmarrin sulm të organizuar mirë kundër stacionit policor serb të Ponoshecit, të cilin e kryejnë me sukses të plotë, duke i mundur forcat serbe.

Naim Avdiu-Lata merr pjesë edhe në aksionin e parë të gjuajtjes me top kundër forcave ushtarake serbe, që ishin të stacionuara në Pllanik të Gjakovës. Në fillim të muajit korrik 1998, u dallua edhe në aksionin e ndërmarrë kundër kolonës ushtarake serb, afër Urës së Musë Imerit në periferi të Smolicës, ku Naimi së bashku me shokë minoi rrugën në një gjatësi prej 200 metrash. Si rezultat i kësaj, kolona e forcave ushtarake serbe pësoi humbje të mëdha: dy tanke të shkatërruara, një blindë, një kamion dhe mbi njëzet ushtarë të vrarë e shumë të tjerë të plagosur.

Naimi u dallua edhe në luftimet tepër të rrepta që u zhvilluan për trembëdhjetë ditë pandërprerë në Kallavaj të Junikut, në fundkorrikun e dhe fillimgushtin e vitit 1998. Në këto luftime nga njësiti i luftëtarëve të Smolicës bie dëshmor Fetah Krasniqi, nga Gjyrgjeviku i Mash i Klinës, i cili kishte ardhur nga Belgjika për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Ndonëse kishte më shumë se tetë vjet që nuk e kishte parë familjen, Fetahu nuk kishte shkuar për ta takuar atë në vendlindje, por ishte ndalur në vijën e parë të frontit në Smolicë.

Më 2 gusht 1998, fur forcat serbe në orët e hershme të mëngjesit sulmuan nga të gjitha anët Smolicën, Naim Avdiu-Lata, bashkë me bashkëluftëtarët Esat Lata, Ramë Rama, Musë Balia e disa të tjerë, ndodheshin në Kallavaj të Junikut, ku u kishin shkuar në përforcim luftëtarëve të atij rajoni.

Me të dëgjuar gjëmimet e artilerisë së rëndë dhe granatimet kundër Smolicës, këta së bashku me disa luftëtarë nga Peja nisen drejt Smolicës, ku arrijnë pas një ore. Naimi hyn nga lagjja e Latajve për të parë nëse ishin tërhequr familjet. Aty ndeshet me forcat serbe dhe për më shumë se një orë e gjysmë lufton përballë tyre, derisa arrin të tërhiqet nga ai pozicion e të bashkohet me bashkëluftëtarët e tjerë. Atë ditë luftimet e rrepta zgjatën deri në orën 19:00 kur edhe arrijnë t’i tërheqin familjet nga fshati.

Pas depërtimit të forcave serbe në Smolicë, luftëtarët Naim Avdiu-Lata, Esat Lata, Ramë Rama, Bajram Ahmeti, Qamil Lata, Dervish Tahiri dhe Skënder Smajli nisen në drejtim të Gllogjanit, ku gjendej selia e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit të UÇK-së, për të kërkuar përforcime, ndërsa luftëtarët tjerë kalojnë në Shqipëri për të marrë armatime me qëllim që armikun ta godasin nga të dyja anët. Mirëpo nuk vonon dhe në Gllogjan me rrethinë shpërthejnë luftime të ashpra në një vijë mjaft të gjerë frontale, pa ndërprerë për pesë ditë me radhë (8-12 gusht 1998). Naimi, Esati, Rama e Dervishi, marrin pjesë aktivisht në këto luftime, duke treguar heroizëm e trimëri të pashoqe.

Pas ofensivës së muajit gusht 1998, luftëtarët e Smolicës lejohen nga Shtabi i Zonës që të merren me evakuimin dhe strehimin e familjeve në drejtim të Shqipërisë. Këso kohe Naimi dy herë e bën rrugën për në Shqipëri, kah drejtimi i Hasit, njërën herë duke e dërguar familjen e komandantin Agron Rama dhe herën e dytë familjen e tij.

Naimi ishte betuar se deri në vdekje do t’i qëndrojë besnik UÇK-së, prandaj nuk është e rastit se ai ishte i pari nga luftëtarët e Smolicës që u kthye në Kosovë, madje në rrethana të jashtëzakonshme, pas gjendjes së krijuar në Rrafshin e Dukagjinit, pas ofensivës së shtatorit të atij viti. Hyri pikërisht në fund të muajit shtator me grupin e parë të luftëtarëve, të udhëhequr nga vëllezërit Lleshi, së bashku me Xhelal Hajdën – “Tonin” e Selajdin Mullabazin – “Micin” e disa bashkëluftëtarë të tjerë, duke arritur në Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës. Një kohë veproi si epror në kuadër të Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza” të Zonës Operative të Dukagjinit, e prej muajit dhjetor 1998, sistemohet në radhët e Brigadës 134 “Bedri Shala”, nën drejtimin e komandantit Agron Rama, si komandant kompanie në kuadër të Batalionit të Parë dhe zëvendëskomandant i Batalionit të Policisë Ushtarake të kësaj brigade dhe kudo e kurdo shkëlqeu si epror lufte. Gjatë kësaj periudhe Naimin e gjejmë në aksione të shumta, të kryera në prapavijë të armikut, në rajonin e Rekës së Keqe por edhe në ballë të luftimeve të rrepta që u zhvilluan në Kralan, Gërgoc, Ratish i Epërm, Dashinoc, Irzniq, Maznik, Pozhar e shumë vende të tjera.

Më 17 dhjetor 1998, kur Gllogjani sulmohet nga të gjitha anët nga forcat ushtarako policore serbe, me ç’rast luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” nën drejtimin e komandantëve Shkëlzen e Daut Haradinaj, luftojnë heroikisht për disa orë me radhë, luftëtarët e Smolicës që gjendeshin në pozicionet luftarake në Ratish, menjëherë marrin masa për krijimin e korridorit për kalimin e kanalit, për të kaluar nga Gllogjani në Ratishë. Naimi ka marrë pjesë dhe është dalluar edhe në betejën e njohur të janarit 1999, e zhvilluar për dhjetë ditë radhazi në Ratish e Dashinoc, ku forcat serbe pësojnë humbje të rëndë, duke pësuar dëme të mëdha në njerëz dhe në teknikë lufte. Gjatë zhvillimit të kësaj beteje në Pejë e Deçan kishte dezertime masive nga radhët e ushtrisë serbe.

Më 17 mars, Naimi me një njësit të bashkëluftëtarëve, urdhërohen nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit që nga Ratishi të kalojë në Shqipëri për të shoqëruar grupin e luftëtarëve të lirisë, të cilët kishte kohë që po prisnin që të hynin në Kosovë për të sjellë një kontingjent me armatim. Gjatë përpjekjes së parë për të hyrë në Kosovë bien në fushë të minuar dhe detyrohen të kthehen prapa. Në përpjekjen e dytë, edhe pse kishin lënë prapa kufirin kobzi shqiptaro-shqiptar, Naimi bashkë me 13 bashkëluftëtarë bie heroikisht në altarin e liris. Deri në vdekje luftoi e qëndroi në krye të detyrës.

Naim Avdiu-Lata është i varrosur pranë trembëdhjetë bashkëluftëtarët e tij, në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë. Ai nuk ka qenë i martuar. Pas vetes ka lënë vëllezërit Rexhepin e Halitin, dy motrat dhe nipat e mbesat. Familja Avdiu është nderuar me mirënjohje të shumta për dëshmorin si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e UÇKsë, Njësia “Shqiponjat e Zeza”, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, etj.

Familja e gjerë Lata, përveç Naimit, lirisë së atdheut ia fali edhe dy dëshmorë të tjerë: Burim Zenun Hamza (1981), i rënë dëshmor më 5 korrik 1998, në luftimet e zhvilluara në Smolicë dhe Demush Isuf Lata (1969), i rënë dëshmor në Betejën e Çabratit në Gjakovë, më 7 maj 1999, trupi i të cilit më pas ishte zhdukur nga forcat serbe dhe ishte varrosur në varrezën masive në afërsi të Beogradit (Serbi). Ai u rivarros në qershor të vitit 2005, në Varrezat e Dëshmorëve në Smolicë. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …