Ajet Godeni jatak besnik i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare
Ndër ata pak jatakë, që i qëndruan besnik çështjes kombëtare, që i mbajtën dhe nuk i denoncuan asnjëherë të strehuarit e tyre, ishte Ajet Brahimi, i njohur në popull si Ajet Godeni.
Ajet Godeni lindi më 1886 në fshatin Karaçicë , tash komuna e Shtimes. Ajet Godeni është i njohur në tërë Drenicën për mikpritje, trimëri e bujari. Ai është shembulli më tipik i mikpritjes dhe sakrificës shqiptare. Është thënë më se një herë se “Më trim është jataku se kaçaku”. Madje, simboli ynë i rezistencës, Adem Demaçi, me një rast , ka deklaruar : “ Para se të shkruani për ne të burgosurit politikë, më parë duhet të shkruani për jatakët, ku jemi strehuar ne, sepse ata dhe familjet e tyre kanë hequr më keq se ne, ata kanë hequr të zitë e ullirit”.
Te Ajet Godeni , në dimrin e ashpër të vitit 1944-45 , kishin gjetur strehim të sigurt këta individë e çeta luftëtarësh , si : Çeta e Ukë Sadikut, Shefqet Kapetani nga Baica e Kolshit, , profesor Ymer Berisha nga Gjurgjeviku i Madh, Smajl Gorani nga Davidoci i Shtimes, Alush Smajli nga Llazica e Malishevës, Ali Lladrovci nga Gllanasella e Skënderajt, Kapetan Sata ( Ahmeti) nga Peshkopia, Smajl Mati nga Mati , Islam Domaneku nga Graca e Lypjanit, Rrustem Terni (i rrethit të Ferizajt), Adem Dushi i Klinës etj.Vetëm gjatë këtij dimri të ashpër, kulla e tij qe rrethuar e bastisur 7 (shtatë ) herë nga xhandarmëria e ushtria serbo-jugosllave kur qenë maltretuar gra e fëmijë të kësaj familjeje, por meshkujt nuk mundën t’i zënë. ( Shih : Mr. Sheremet Krasniqi, Hasan Hysen Budakova , Prishtinë, 1997, f. 335 ).
Ajeti nuk kaloi pa pasoja nga OZN-a e UDB-a. Ai u burgos, u arrestua dhe shumë herë u mor në pyetje nga këto organe. U maltretua, por kurrë nuk u përul. Bëri një jetë të gjatë e të lumtur. Ishte krenar për veprën patriotike . Nga mbarë Drenica , por edhe më gjerë , njihej si burrë i fjalës , besës e qëndresës.