Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është një politikan mjaft kontrovers, por shumë pragmatik për të shfrytëzuar gjithçka që është e mundshme me çdo mjet e metodë, me qëllim për të qëndruar në pushtet, në rrethanat e “luftës” së tij ashtu sikur bëjnë edhe të gjithë të tjerët, që pushtetin e kanë qëllimin e parë dhe të fundit në jetë. Ali Ahmeti ka arritur të mbahet në pushtet, edhe atëherë kur i ka shkelur me të dyja këmbët interesat e shqiptarëve në Maqedoni, edhe atëherë ku ka avansuar ndonjë pozicion, por gjithmonë në bashkëqeverisje me sllavomaqedonët shumicë dhe asnjëherë i bashkuar me liderët shqiptarë të partive të tjera politike, për çka e kanë fajin të gjithë, jo vetëm Ali Ahmeti.
Njeri i fjalëve të mëdha, i retorikës bombastike shpeshherë edhe teatrale, i prononcimeve deri edhe skandaloze në medie, sikur ishte rasti kur kishte deklaruar se “shqiptarët nuk u dashka të bashkohen me një shtet dhe t’i prishin katër shtete të Ballkanit’, pastaj zotimi gjatë zgjedhjeve të fundit se shqiptarët në krye me atë do ta marrin qeverisjen e Maqedonisë, si kompromis për koalicion qeveritar me LSDM-në, pse jo edhe me VMRO-në dhe mjaft prononcime të tjera politike, pa asnjë mbulesë.
Është e ditur se deklaratat e politikanëve makiavelistë vlejnë vetëm deri sa të kumtohet deklarata vijuese, kështu që ata as kanë dhënë as u shkon në mendje të japin përgjegjësi për fjalën publike, sepse, për mjerimin tonë kombëtar, janë vetë shqiptarët që i votojnë di të tillë, meqë i nxjerrin nga radhët e veta, ashtu sikur janë vetë.
Pozita aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, është më e mirë sesa ka qenë ndonjëherë dhe kjo nuk ka si mohohet, por nuk është kjo merita e Ali Ahmetit, as e politikanëve të tjerë shqiptarë, por në radhë të parë është merita e Zoran Zaevit dhe e elektoratit të tij politik, në Maqedoni. Kjo nuk ka si mohohet, por tani po shihet qartë se edhe Zaevi i ka disa vija të kuqe, deri ku mund të pranojnë avansimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, të cilët sipas Kushtetutës aktuale, edhe pse zyrtarisht përbëjnë një të tretën e popullsisë, nuk janë komb shtet-formues i Republikës unitare të Maqedonisë. Maqedonia e Veriut, e cila nën presionin sistematik të Greqisë dhe të BE-së, u detyrua ta ndërrojë edhe emrin kushtetues, mbetet shtet i maqedonëve me prejardhje bullgare e sllave, me kohë i përcaktuar për kombësi maqedone dhe i pakicave kombëtare, me të drejta që parasheh Kushtetuta e vendit.
Ali Ahmeti i di të gjithë këto, por si çdo politikan tjetër, gjatë fushatës zgjedhore premtoi se do me çdo kusht do të marrë postin e kryeministrit të vendit dhe arriti sërish të fitojë shumicën nga radhët e partive shqiptare, duke u zotuar se fitorja e tij në zgjedhje, nënkupton postin e kryeqeveritarit, por nuk ndodhi kjo. Edhe po ta përkrahnin të gjitha partitë e tjera shqiptare, në Maqedoni, Ali Ahmeti nuk do të mund të bëhej kryeministër i një shteti unitar, sikur është Maqedonia me Kushtetutën e vet. Madje po të kishte qenë i detyruar të lidhte koalicion me partinë nacionaliste VMRO-DPMNE, ai nuk do të fitonte as postin e kryekuvendarit, sikur e fitoi në koalicion me Zaevin. Këto i di fare mirë, Ali Ahmeti dhe të gjithë ata që i vënë pas, andaj nuk ka hije të bëhet hopa, pa kërcyer hendekun.
Lidhur me jehonën e keqe që pati koalicioni ku Ali Ahmeti iu nënshtrua krejtësisht, Zoran Zaevit ka reaguar edhe opozita shqiptare në Maqedoni.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dënuar marrëveshjen mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë në Maqedoninë e Veriut. Në reagimin e përbashkët, thuhet se BDI-ja është mashtruesja kryesore pasi shkeli me të dyja këmbët premtimin që qeveria e re do të kishte një kryeministër shqiptar, dhe jo vetëm në 100 ditët e fundit. Edhe LSDM-ja nuk mbetet mbrapa pasi deklaroi para zgjedhjeve se nuk do të bënte koalicion me BDI-në. “Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LSDM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në”. Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik” – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.