Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka përgëzuar takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, të cilët janë pajtuar për pezullim të punimeve në rrugën Deçan-Plavë. “Ndërtimi i autostradës Deçan-Plavë ka të bëjë më shumë sesa me tokën dhe qasjen. Ka të bëjë me zbatimin e vendimeve të gjykatës, respektimin dhe ruajtjen e të drejtave të të gjithëve për të praktikuar besimet e tyre, për të jetuar në paqe me fqinjët dhe për të vlerësuar trashëgiminë e pasur të Kosovës dhe diversitetin e saj kulturor”, ka thënë Kosnett përmes një postimi në rrjetin social në “Twitter”. Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim, sipas të cilit Manastirit të Deçanit i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune. Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Bashkëpunimi dhe përkushtimi për të gjetur zgjidhje që respekton vendimin e gjykatës, është rruga e vetme që çon drejt zgjidhjes së vërtetë”, ka shtuar mes tjerash ambasadori amerikan.
Kontrolloni gjithashtu
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të …