A. Qeriqi: Filloi ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës, (Libri në dorëshkrim: "Kronikë Lufte") II

A. Qeriqi: Filloi ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës, (Libri në dorëshkrim: “Kronikë Lufte”) II

Për shkaqe sigurie  shumë nga banorët zhvendosen nga Gryka e Krojmirit…( E hënë 24 gusht, 1998)

Disa veta kemi mbetur nëpër tenda. Unë, xhaxhai  im, Mehdi Qeriqi me bashkëshortën e tij, Ajshen, (tezen time),  Arbana me ekipin shëndetësor ushtarak, pastaj  Melikija, Ganimetja, Mirdita, Musa dhe  të tjerë që mendojmë të ndërrojmë pozicion. Nuk kanë depërtuar në Ngucat disa nga familjet e Lagjes Rizani dhe të Ollurëve. Këtu ka mbetur ndoshta një e katërta e popullatës së zhvendosur,  e cila është shumuar meqë me rastin e fillimit të sulmit serb  në Blinajë, kanë arritur edhe shumë familje të fshatrave të tjera që kanë qenë të vendosura në grupe të vogla.

Që në mëngjes herët disa traktorë me rimorkio, të mbushur përplot me të zhvendosur rroba e rraqe të ndryshme kanë vazhduar rrugën për në fshatrat e Malishevës. Pikërisht në kohën kur ata kanë mundur të jenë në hyrje të Javurit,  ka filluar sulmi serb. Si duket armiku e ka hetuar dyndjen e popullatës dhe ka filluar të godas.  Granatimi është i furishëm dhe kam frikë se ndonjë granatë ka goditur popullatën.  Të shtëna të pandërprera në moment marrin përmasa në të gjitha vendluftimet. Ushtria dhe policia serbe vepron me komandë unike dhe krejt kjo bëhet me qëllim të krijimit të kaosit, duke mos lënë shteg për depërtim të sigurt. Ofensiva sipas mendimit tim ka qëllim fillimisht sigurimin e korridoreve përreth rrugëve magjistrale, Shtime-Duhlë-Suharekë dhe Magurë- Shalë, pastaj priten zhvillime të tjera.

Nga frika e arsyeshme se mund të sulmohemi nga njësiti serb që ka zënë pozicione te Rrahi Latifit, në Shkrep, largohemi nga Gryka në drejtim të Rrafshnaltës,Te Lanët,  te Arat e Shkreta.

Epiqendra e goditjeve të armikut është në drejtim të Bajrakut, dhe në pikat e tjera luftarake të Komandant Kumanovës. Nuk kemi kontakt me bazën në Luzhnicë dhe nuk dimë se ç’ po ndodh. E marr me mend se atje po zhvillohen luftime ndoshta më të ashprat që janë zhvilluan ndonjëherë në këto anë. Detonime të fuqishme dëgjohen edhe në drejtim të Rancës Graiçevcit, Budakovës. Fshatra të tëra në tym, flakë e zjarr artilerie…

Nga krejt kjo zallahi njerëzore fitoj përshtypjen fatale se kësaj radhe po na vjen fundi, edhe pse tash për tash jemi larg rrezes së veprimit të armës armike por rrethi po na ngushtohet. Se si më sillen ndërmend të gjithë të afërmit.

Baba dhe nëna kanë mbetur , në Shtime, Hasani me fëmijët në Lezhë, ish Leshka e Krojmirit, Epiri, Zamiri, Zymryti dhe Rrezja janë nisur për në Ngucat,  apo në ndonjë skutë malore. Me ta janë nisuur edhe bijtë e Isufit, vëllait tim të ndjerë. Nuk di ku ndodhet Osmani me familje, dhe pse ata i kam lënë në Shtime. Fëmijët e Salimit me bashkëshorten e tij, ndodhen  në Shtime, ndërsa ai ndodhet në Gjermani. Bija ime Antigonja me bashkëshortin e vet, Mehdiun dhe djalin Getarbin po ashtu ndodhën në Gjermani… Arbana në ekipin ushtarak shëndetësor të Krojmirit. Labëria ende  ka mbetur në Prishtinë… Për shumë të tjerë  nuk di se ku ndodhen, por unë me familjen time që nga fillimi i luftës ndodhem  në mesin e disa banorëve të fshatit,  në Grykën e Shpëtimit,  në Krojmir.

Në zjarrin e breshërisë së armëve, nga zbrazja e sa e sa tonëve të barotit e të predhave të topave po bëhet edhe më e padurueshme. Tymi ka depërtuar edhe në grykë. Nga ai tym na rrjedhin lot. Është një tym helmues që të ngulfat…

Papritmas zjarri i armëve dëgjohet në drejtim të Skrepit ku dje ka depërtuar një njësit i armikut. Pas një zjarri të shkurtë të kallashëve dhe të ndonjë mitralozi sulmi ndalet, papritmas. Ma merr mendja se ushtarët tanë e kanë sulmuar vendqëndrimin e armikut në Rrah, i cili qysh dje është mbajtur nën rrethim.

Në orët e mbrëmjes Gryka duket e shkretë, e boshatisur.

Kemi filluar të tërhiqeni në drejtim të perëndimit drejt Rrafshnaltës.

Një pjesë e të zhvendosurve depërton kah Bigat, te Lanët. Nga atje mund të depërtohet në Grykë të Shalës dhe në Kleçkë apo në Berishë. Në atë drejtim jemi nisur të gjithë të tjerët. Kemi marrë vendim që askush të mos ndez dritë baterie apo të llampës. Pas një rrugëtimi të gjatë qindra veta kemi depërtuar në vendin e quajtur  Te  Lanët, në Rrafshnaltë.

Ma atje shihet Rrafshi i Kosovës. Më bëjnë përshtypje dritat e elektrikut Në Lipjan e në Prishtinë që nuk i kemi parë qe sa muaj.

Arbana gjatë rrugës më ka dhënë një jastëk të sfungjerit për të pushuar në të. Shumica kanë rënë në tokë, pa asnjë shtrojë. Nuk ka zëra fëmijësh sepse ata të gjithë i kemi dërguar, në Ngucat. Dëgjohen ofshana të grave plaka e të pleqve. Ndonjë romuz edhe në këtë situatë. Ndonjë kërcënim madje edhe për atë që e ndez shkrepsën.

Jeta njerëzore këtu e në këto çaste,  po merr një dimension të çuditshëm…

Jam mbledhur kruspull në jastëkun sfungjerit të trashë pesë centimetra, të gjatë një metër dhe të gjerë 30 centimetra, të cilin ma ka dhënë bija ime Arbana, gjithmonë dora ime e djathtë. Më duket i mjaftueshëm dhe mendoj si nuk iu ka rënë në mend njerëzve që secili ta marrë një jastëk të tillë, i cili nuk peshon fare por as të hyn në punë gjithaq…

Dikush tanimë ka fjetur. Dikush gërhet, ndonjë tjetër ofshanë…

Qindra veta jemi në natyrë, në një pllajë lisash te vendi i quajtur Lana.

Elez Durmishi  si gjithmonë kujdestaron së bashkua me ata të cilëve iu beson më së shumti.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …