Te Ahishtat e Lanës. E martë 25 gusht, 1998
…Dikush ka rrugëtuar gjatë natës, dikush tjetër ka arritur në orët e mëngjesit dhe secili ashtu shkujdesur ka zënë një vend për të pushuar dhe për të pritur çka do të sjellë çasti. Nga takimet që Elezi ka zhvilluar me ushtarë dhe me popullatën e zhvendosur, mësoj se pozicioni serb në “Rrah” është likuiduar. Si duket ka qenë një njësit i atyre që po i quajnë paramilarë apo mercenarë, meqë, njëri nga ushtarët që ka arritur në afërsi, nëpër pyll ka dëgjuar fjalë të një gjuhe të pakuptueshme. Në çastin e sulmit disa syresh kanë qenë të zhveshur dhe të shkujdesur.
Po ashtu bëhet me dije se armiku ka filluar depërtimin në drejtimin, Lypjan-Magurë-Sedllar. Ushtima e tankeve po dëgjohet edhe në vendin ku jemi strehuar, të lodhur nga pagjumësia, pa ngrënë, pa pushur qe dy ditë. Në vendin e quajtur Isë Beg ( vend-përqëndrimi i një formacioni luftarak të Isë Boletinit në pranverë të vitit 1911) kanë gjetur strehë disa familje të lagjes Karpuzi, të cilët nuk janë larguar nga fshati. Në këtë mes është familja e ushtarit të përkushtuar, Ajvaz Karpuzi dhe disa të afërm të tij.
Në orët e pas ditës, forcat armike kanë depërtuar në Shalë dhe kanë filluar t`i plaçkitin e më pastaj t`i djegin shtëpitë. Tymnaja ka depërtuar edhe në vendqëndrimin tonë që ndodhet përballë fshatit Sedllar. Ata pak banorë që kanë ndodhur në fshat kanë arritur me sukses të depërtojnë në grykë, mirëpo hyrja në Grykën e Shalës që shpie drejt në Kleçkë, nuk është e mbrojtur sa duhet nga ushtarët tanë.
Në orët e mesditës, ndërsa sulmi i armikut ishte intensifikuar nga të gjitha anët, ciflat e predhave na kalojnë mbi kokë duke u ndeshur në degët e lisave të gjatë. Elezi vërteton se gjuajtjet janë të pragave dhe kanë municionin e ashtuquajtur dum-dum që shpërthen në lartësi dhe merr drejtim për në tokë.
-Prej kësaj arme nuk ka mbrojtje në mal, thotë.
-Si t`ia bëjmë atëherë, e pyes.
-Nuk besoj se ka rrezik të madh, vazhdon ai dhe shton, – të shumtën mund të lëndohet ndokush, meqë pylli është i dendur përplasja e parë zbrazet në degë apo në trupat e lisave.
Jemi degdisur në këto pllaja shekullore dhe presin nga çasti në çast ndonjë lajm.
Elezi me dy korrierë është larguar për një kohë për të mësuar se ç’ po ndodh në Shalë, apo në Krojmir.
Mundohem t`i mbyll sytë mbështetur në trungun e një ahu të madh, meqë më djegin dhe më janë skuqur nga pagjumësia. Nuk i mbyll dot. E nxjerri nga xhepi një letër dhe filloj të shënoj kronologjinë e zhvillimeve në dy ditët e fundit, meqë nuk kam arritur t`i radhis në fletore, të cilën e kam me vete. Nuk ka kushte për ta shkruar kronikën, edhe pse, thuhet se kronistët pikërisht në këto momente marrin shënime. Me mua ndodh e kundërta. Unë shënoj vetëm disa elemente dhe nëse më premton koha, apo nuk pësoj nga ndonjë e papritur, sapo të krijohen kushtet i radhis në fletore…
Një krismë e papritur e një predhe në afërsi më dridh vendin dhe ngrihem i befasuar. Pak më tutje, gra e burra të fshatit vërejnë të tmerruar se ku ndodhi shpërthimi.
Nuk ka vend të sigurt, dhe tani po e kuptoj se gryka megjithatë është shumë më e sigurt në raste të predhave, mirëpo jemi larguar nga atje nga frika e njësitit diversant serb, i cili tanimë duket se është asgjësuar.
Në orën tre pasdite kthehet Elezi dhe më njofton se dje dhe sot në mëngjes, 25 gusht ka rënë në altarin e atdheut luftëtari i mirënjohur, komandanti i Pikës së Bajrakut, Ismet Jashari, komandant Kumanova dhe katër ushtarë të tjerë. Lajmi është i vërtetë ndërsa të rënët e tjerë, dje dhe sot, sipas një ushtari që ka arritur të tërhiqet janë: Gani Kastrati nga Nekovci, i njohur me emrin e luftës, Muxhahedin,i pastaj Afrim Buçaj, Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Lajmi është vërtetuar edhe nga ushtarë të tjerë që kanë arritur të tërhiqen të plagosur nga bashkëluftëtarët. Dhe, ç është më keq, shton Elezi, trupat e tyre nuk kanë arritur t`i tërheqin. Ata kanë mbetur në duar të armikut dhe kudi si do të vejë halli i trupave të tyre.
Bedeni deri tani i pamposhtur i Kumanovës ra. Ka rënë edhe pika strategjike te Godenët. Atje tanimë janë vendosur forcat armike. Shala po kallet flakë. Sulmi ka filluar edhe në Dukë e Karaçicë. Një familje shumë antërëshe e Dukës, nipa të Hysen Lahut të lagjes Qeriqi të Krojmirit, kanë shpëtuar duke ikur, duke u tërhequr ashtu si kanë mundur nëpër male nën breshërinë e armëve të armikut.
Sylë Qeriqi, Ramiz Qeriqi, Milaim Beha, Jetë Hasani, Naim Ismajli së bashku me ushtarë të tjerë kanë përforcuar pozicionet rreth hyrjes në Krojmir, që tani për tani po granatohet vetëm nga distanca.
Nuk dihet se ç mund të ndodh nga çasti në çast.
Në orët e mbrëmjes janë ndërprerë granatimet. Mirëpo ka filluar marshimi i tankeve të armikut në drejtim të Kleçkës. Ky është lajmi më i tmerrshëm dhe finalja e ofensivës. Nëse serbët depërtojnë në Kleçkë, ne mbesim në rreth të hekurt nga të gjitha anët.
Elezi më njofton se një grup prej dhjetëra ushtarësh në krye me veprimtarin dhe të burgosurin poltik, Elmi Reçicën nga Ferizaj sapo kanë arritur nga Shqipëria me qëllim që të depërtojnë në Zonën e Neredimës. Atyre iu është dhënë urdhri që tani për tani të radhiten në pozicionet tona mbrojtëse, derisa të krijohen kushte për depërtim, meqë nuk dihen mirë pozicionet e reja të armikut.
Një ushtar i Shalës, i cili më njeh, më tregon se mbrëmë natën, bashkëshortja ime, Zymryti me Rrezen dhe me Zamirin nga Bellanica dhe qindra të zhvendosur të tjerë, kanë kaluar në Senik dhe janë nisur në drejtim të Grykës së Shalës. Si duket e kanë humbur rrugën gjatë natës, meqë sapo kanë arritur në Bellanicë, atje nuk janë mirëpritur nga disa krerë pacifistë, të cilët me aktivistët e LDK-së dhe me imamin e fshatit, thuhet se kanë lidhur njëfarë marrëveshje me forcat serbe, me kusht që të mos pranohet në fshat asnjë i zhvendosur dhe asnjë ushtar i UÇK-së. Ushtari i Shalës nuk din gjë për Epirin dhe as për të tjerët. Thotë se në mesin e turmës, tre persona të dyshimtë kanë përhapur një lajm se gjoja Komandant Çeliku iu ka thënë korrierëve që tërë popullata të depërtojë në Grykë të Shalës, dhe prej andej të kërkojë ndihmë nga organizatat e kryqit të kuq, do të thotë të dorëzohet te serbët. Përhapësit e këtyre dezinformatave janë kapur nga ushtarët e Shalës dhe si duket dikush i ka nisur për në Krojmir, te Luani.
Situata është kaotike. Meqë kanë pushuar luftimet, në mbrëmje shumë nga ata që e kanë kaluar natën dhe ditën te Lana, kanë filluar të depërtojnë te tendat në Grykën e Shpëtimit, në Krojmir, për ta kaluar natën.
Derisa po mendoja se a të shkoja në Shalë për ta vërtetuar lajmin dhe për të mësuar se ku ka mbetur Epiri, ai më lajmërohet papritmas si gjithnjë buzëqeshur, por i lodhur. Nuk din gjë për të tjerët, por tregon se sapo kanë arritur në Bellanicë, së bashku me Idriz Qeriqin janë kthyer për në Krojmir, por gjatë rrugës kanë pasur pengesa të shumta, të shtëna me armë mbi kokat e tyre, meqë armiku ka filluar depërtimin drejt Kleçkës. Pas pak ka ardhur edhe Arbana, e lodhur nga pagjumësia dhe rravgimet e ditës, mezi merr frymë. Ajo më tregon se Zymryti, Zamiri dhe Rrezja janë kthyer në Shalë dhe janë vendosur në tendën e Ademit, ku është edhe babai i Zymrytit, Vehbiu. Lajmin ia ka bërë të ditur Mentori i Muhamet Shamollit, teknik në shërbim të UÇK-së.
Edhe pse shumica e të zhvendosurve janë kryer në tendë, unë, Arbana Epiri, Elezi me të shoqen dhe disa fëmijë të tij, kemi qëndruar nën qiell të hapur për ta kaluar edhe një natë. Ndërkohë e kemi ngritur një batanije në disa degë dhe pasi e kemi rregulluar vendin, kemi rënë për të pushuar.
Gjumë nuk ka, por pushimi i gjymtyrëve është i domosdoshëm. Epirin nga lodhja dhe rruga e gjatë e zë gjumi. Arbana ka një gjumë të lehtë dhe kurrë nuk dihet a është zgjuar apo fjetur. Ajo është gjithnjë ka një instinkt fenomenal, të zgjuar, të vigjilencës.