Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, u mbajt mbledhja e parë me kryetarë të degëve, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Republikës së Kosovës. Mbledhjen e udhëhoqi kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli. Kryetarët e degëve fillimisht uruan zgjedhjen e Thaçit President dhe falënderuan për kontributin e tij në themelimin, ndërtimin dhe zhvillimin e Partisë Demokratike të Kosovës, gjithashtu për mbështetjen dhe punën e përbashkët për 16 vjet me radhë, si dhe sukseset e njëpasnjëshme të cilat u kurorëzuan me fitore të shumta në zgjedhje të Partisë Demokratike të Kosovës dhe sukseset e vendit në përgjithësi. Z. Veseli përgëzoi kryetarët e degëve për angazhimet e vazhdueshme dhe gatishmërinë për të çuar përpara proceset shumë të ndjeshme të shtet-ndërtimit, forcimin e shtetit ligjor dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në këtë mbledhje u diskutua rreth përgatitjeve për mbajtjen e Konventës së Përgjithshme të jashtëzakonshme, që do të mbahet më 7 Maj 2016, dhe u rikonfirmua puna e përbashkët me qëllim që Konventa të jetë sa më e suksesshme. Po ashtu, kryetarët e degëve paraqitën punën dhe aktivitetet e tyre që po i zhvillojnë në terren, në bazë të specifikave të degëve duke u shprehur të vendosur për intensifikimin e aktiviteteve.