Pas luftimeve të komandantit Legjendar, Adem Jashari me bashkëluftëtarët e tij në Rezallë të Re të Drenicës, Ish-Ludovik, më 26 nëntor të vitit 1997 kundër një eskadroni të policisë serbe, në këtë pjesë të Drenicës filloi konsolidimi i shpejtë i pikave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fortesa të fuqishme të luftës për liri ishin ngritur në Prekaz, Açarevë, Rezallë, Llaushë, Likoc e në fshatra të tjera. Rezistenca e çlirimtarëve në Açarevë ka shënuar faqe të lavdishme të luftës sonë për çlirimin kombëtar nga robëria shekullore serbe.
Luftës për çlirimin e vendit nga okupatori serb Haçareva i ka dhënë dëshmorët: Ismet Rrahmani, Fazli Beqiri, Shaban Shabani, Xhafer Abdullahu, Arben Nura, Zejnë Veseli, Zymer Tan Tahiri, Avni Fazli Beqiri dhe Xhavit Uka. Gjatë kohës së luftës nga arma armike janë martirizuar: Sejdi Beqiri, Azem Beqiri, Ganimete Beqiri, Qazim Nura, Zyrafete Nura, Hanife Jashari, Hajzer Veseli, Hasan Hajdari, Qamil Jakupi, pastaj Rafet Haxha, dhe Nexhat Haxha, nxënës, Sahit Idrizi, Shehide Haxha, Kadri Jashari, (konsiderohet i zhdukur) Xhemë Azemi, Behram Rama dhe Asllan Asllani.
Açareva luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe dy kuadro të lartë: Sylejman Selimin, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm e komandant i TMK-së dhe Rexhep Selimin, pjesëtar i bërthamës së parë çlirimtare të Adem Jasharit dhe inspektor i Shtabit të Përgjithshëm gjatë kohës së luftës.
Ismet Rrahmani u lind në Açarevë, më 11 qershor të vitit 1962. Babai, Hamiti dhe nëna, Cyma, rritën me mund dhe shkolluan bijtë: Ramoshin, Ismetin, Halitin, Ramadanin, Sabitin, Destanin dhe bijën Gjylen, e cila kishte vdekur në moshën 23-vjeçare. Babai, Hamiti kishte punuar në kurbet, duke i vënë vetes qëllim që t’i shkollonte bijtë dhe ta ndihmonte ekonomikisht familjen.
Ismeti, shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu me sukses meritor në vendlindje. Mësimet e shkollës së mesme me sukses të shkëlqyeshëm i kreu në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Pas kryerjes së shkollës së mesme dërgohet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në Zagreb të Kroacisë. Atje krahas shumë shqiptarëve të tjerë njihet edhe me eprorin shqiptar, Kemajl Shaqiri. Me rastin e lirimit, në saje të angazhimit dhe aftësisë së treguar në zotërimin e artit ushtarak ishte avancuar në gradën e rreshterit, si nënoficer rezervë.
Ndërkohë, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, “Bajram Curri” në Gjakovë, drejtimi Histori-Gjeografi, të cilën e kryen me sukses. Ka diplomuar në temën: “LNÇ në Drenicë 1940-1945” te profesori, Tefik Geci.
I edukuar në frymë atdhetare nga familja e gjerë e sidomos nga babai, Hamiti, gjyshin e të cilit së bashku me disa açarevas të tjerë i kishin vrarë serbët në vitin 1914, por edhe nën ndikimin e arsimit dhe leximit të literaturës me përmbajtje kombëtare, Ismet Rrahmani qysh herët ndien mbi supe peshën e rëndë të robërisë. Ai merr pjesë në demonstrata dhe protestat që ishin zhvilluar me kërkesa për liri, barazi dhe bashkim kombëtar, qysh nga viti 1981. Për pjesëmarrje në demonstrata ishte dënuar vëllai i tij Ramoshi.
Pas kryerjes së studimeve punon arsimtar në shkollën “Rilindja” të Açarevës, duke e plotësuar normën e orëve edhe në shkollën “Kuvendi i Drenicës” në fshatin Abri e Ulët. Ishte shumë i përkushtuar në arsimimin e brazave të ri nj, por edhe i vetëdijshëm se vetëm arsimimi nuk e sillte dot lirinë. Në vitin 1990, së bashku me Sylejman Selimin dhe Mustafë Imerin, grumbullojë të hollat dhe shkojnë në fshatin Dumnicë të Vushtrrisë, me qëllim për të blerë tri pushkë automatike. Shitësi ilegal i armëve, për të hollat që ata kishin, iu jep vetëm një automatik, të cilin e sjellin duke ecur këmbë nëpër male deri në Açarevë. Ka marrë pjesë edhe në Lëvizjen e Pajtimit të gjaqeve.
I bindur se Kosova e robëruar nuk mund të çlirohej vetëm duke pritur dhe duke mos e pranuar sistemin e regjimit okupator, Ismet Rrahmani, i cili tashmë po vazhdonte studimet në shkallën e dytë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, së bashku me të rinjtë liridashës të kësaj ane fillojnë të veprojnë në drejtim të përgatitjeve për luftë të organizuar të armatosur kundër regjimit.
Mbante kontakte të vazhdueshme me Sylejman Selimin, Hysni Shabanin, Rexhep Selimin dhe Vesel Selimin, i cili ishte plagosur nga policia serbe më 31.12. 1991, në kohën kur po shkonte në ndihmë familjes Jashari në Prekaz, e cila ishte rrethuar nga shumë forca policore dhe ushtarake të okupatorit.
Në vitin shkollor 1994/1995, Ismet Rrahmani emërohet drejtor i shkollës “Rilindja” të fshatit. Për shkak të aktivitetit të tij atdhetar, policia serbe e kishte marrë nën hetime në “biseda informative” ndërkohë që mbahet 16 ditë në arrest në vjeshtë të vitit 1996, me ç’rast policët serbë e keqtrajtojnë edhe fizikisht.
Në fillimet e epokës së luftës së UÇK-së, Ismet Rrahmani jo vetëm ishte në dijeni të ekzistimit të grupeve çlirimtare, por ishte i pranishëm në aktivitetin ilegal që zhvillonin ato grupe, sidomos në Açarevë, ku vepronte luftëtari, më vonë komandanti, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe luftëtarë të tjerë. Në radhët e luftës së UÇK-së, inkuadrohet me pushkën që për shumë vjet me radhë e kishte ruajtur familja.
Në kujtimet e tij për veprimtarinë atdhetare të Ismet Rrahmanit, komandanti Sylejman Selimi, në intervistat dhënë gazetarit, Prend Buzhala, për hartimin e monografisë për dëshmorin, titulluar “Lartësimi i lirisë”, thuhet. “Meqë ishim të afërt familjarisht, Ismeti dinte edhe për armatimin ilegal. Më 11 mars 1998, vjen në Açarevë Bekim Berisha-Abeja me disa luftëtarë të tjerë. Ishte Ismet Rrahmani i cili e ndihmoi luftën dhe e liroi shkollën kazermë ushtarake, për të bërë stërvitje e ushtrime luftëtarët e lirisë. Ismeti ishte drejtor por edhe ushtarak. Ai ishte personalitet me ndikim që ka dhënë kontribut të çmuar në konsolidimin e radhëve të UÇK-së në këto anë”.
Më 18 mars fillon punën Akademia e parë ushtarake e UÇK-së, nën drejtimin e Bekim Berishës dhe Kadri Hamitit, i njohur si CeDe-ja.
Më 22 prill nga kjo shkollë e Açarevës, ku Ismet Rrahmani ishte drejtor, dalin edhe kadetët e parë, të përgatitur në rrethana luftë, por të aftësuar për të kryer me përgjegjësi detyrat në strukturimin, masivizimin dhe konsolidimin e UÇK-së.
Atë ditë, drejtori Ismet Rrahmani, me mësuesit, nxënësit dhe bashkëluftëtarët e tij kishte organizuar tubimin me rastin e kryerjes së kursit të kadetëve të parë, me ç’rast ishte ngritur flamuri kombëtar dhe në rrethana lufte ishte kryer me sukses ceremoni ushtarake, ku përveç nxënësve, arsimtarëve dhe popullatës civile kanë marrë pjesë eprorë të lartë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrocvi, Avni Zhabota, Mujë Krasniqi, Abedin Rexha më vonë të gjithë dëshmorë.
“Në prill të vitit 1998, Ismet Rrahmani ishte me mua, thotë ish – eprori i UÇK-së, eprori i TMK-së, Hysni Shabani. Në relacionin në mes fshatrave Tushillë, Kopiliq e Rakinicë, Ismet Rrahmani, unë, Kadri Hamiti dhe disa luftëtarë të tjerë ndërmorëm tri sulme kundër pozicioneve të forcave serbe. Ismeti ka marrë pjesë në luftime edhe në vendin e quajtur “Fusha e Madhe”, mes fshatrave Dush e Siçevë, të komunës së Klinës dhe në shumë vende të tjera”. Ai ishte i pranishëm kudo ku e kërkonte nevoja, qoftë në shkollë, qoftë në luftë, qoftë në logjistikë së bashku me babanë e krejt familjen, duke ndihmuar popullatën e zhvendosur dhe të degdisur nga lufta.
Duke ndjekur rrugën e Ismetit tërë familja e tij ishin vënë në shërbim të luftës së UÇK-së, në mesin e tyre edhe babai, asokohe 60 vjeçar, i cili më 3 dhe 4 gusht 1998, mori pjesë aktive në mbrojtje të fshatit Açarevë. Nga Gjermania, kthehet për të marrë pjesë në luftë edhe vëllai Sabit Rrahmani, ndërkohë që luftës iu kishin bashkuar edhe vëllezërit e tjerë, Ramoshi, arsimtar i gjuhës shqipe, Haliti dhe Destani. Halit Rrahmani, vëllai i dëshmorit Ismet Rrahmani, qysh më 26 nëntor të vitit 1997, me armën e tij ishte kyçur në radhët e UÇK-së.
Oda e kësaj familjeje në Açarevë, gjatë tërë kohës së luftës ishte kurdoherë plot e përplot me luftëtarë, por edhe me pjesëtarë të popullatës së zhvendosur nga shumë fshatra, të cilat ishin përfshirë në flakën e luftës sonë çlirimtare.
Angazhimi i Ismet Rrahmanit si drejtor në shkollë, e cila ishte kthyer në një kazermë të improvizuar të UÇK-së, angazhimi në luftë dhe ndihmesë të çmueshme për popullatën civile ishte i gjithanshëm dhe i pandërprerë.
Për të kryer të gjitha këto obligime ai nuk ishte ndalur për asnjë çast. I tëri, me tërë familjen, miqtë, të njohurit dhe shumë bashkëvendës iu kishte përkushtuar luftës, meqë i besonte fuqimisht domosdoshmërisë së fitores.
Aktiviteti i Ismetit në luftën e UÇK-së ka qenë i gjithanshëm, meqë luftës së UÇK-së ai i dha gjithë çka pati, e më në fund edhe shpirtin dhe gjakun e tij.
Më 27 gusht të vitit 1998, së bashku me disa bashkëluftëtarë ndodhej jo larg shtëpisë, në vendin e quajtur “Te Zabeli i Mustafës”, afër lumit të Klinës. Rreth orës 12.00 sulmohet nga forcat e një grupi të armatosur serb, që kishte depërtuar në atë drejtim nga Kodra e Siçevës. Afër tij, në momentet kur e kishin goditur dy plumba të armës armike, ndodhen Ramiz Sadik Jashari dhe Kamer Adem Hamza. Ndërkohë, bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin kufomën dhe e dërgojnë në Abri të Ulët.
Të nesërmen, më 28 gusht, kryhet ceremonia fetare në xhaminë e Plluzhinës, ndërkohë, po atë ditë, nën masa të shtuara të sigurisë, meqë ishte gjendje lufte, bashkëluftëtarët e varrosin me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Açarevë.
Në ceremoninë e varrimit të dëshmorit, Ismet Rrahmanit përveç familjarëve dhe bashkëluftëtarëve, kanë marrë pjesë edhe eprorët, Mujë Krasniqi, asokohe ende i plagosur, pastaj eprori Kemajl Shaqiri, të cilët edhe mbajtën nga një fjalë me rastin e varrimit. Në varrim mori pjesë edhe bashkëluftëtari, Vesel Selimi.
Ismeti ka qenë i martuar me Gjyle Bajraktarin nga Jashanica, por nuk ka lënë trashëgimtarë. Ai ka lënë babanë, Hamitin, i cili vdiq në vitin 2004 nënë Cymën dhe vëllezërit: Ramoshin, Halitin, Ramadanin, Sabitin dhe Destanin.
Më 27 gusht të vitit 1999, bashkëluftëtarët dhe familja trupin e dëshmorit, Ismet Rrahmani, bashkëluftëtarët e rivarrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në Açarevë, ku prehen në përjetësi 10 dëshmorë e 18 martirë të lirisë nga ky fshat që ishte kështjellë e pathyeshme e luftës së UÇK-së, në Drenicë.
Pas luftës, më 14.12.1999, me vendimin nr: 07 – 464/ 1999, vendimin e Ministrisë së Arsimit, shkolla e fshatit, ku Ismet Rrahmani kishte kryer mësimet e para, ndërsa më vonë kishte qenë edhe drejtor, mori emrin e dëshmorit.
Ministria e Mbrojtjes e QPK-së familjes së dëshmorit i ka dhënë “Nderim”. Familja ka marrë edhe mirënjohje të tjera nga institucionet e vendit.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit Ismet Rrahmani, autori Prend Buzhala ka shkruar monografinë “Lartësimi i lirisë, Mësuesi dëshmor – Ismet Rrahmani”. Prishtinë 2002.
Me rastin e përurimit të librit më 10.6.2003 nga Akademia e TMK – së, bashkëluftëtari dhe bashkëvendësi i tij Rexhep Selimi ka deklaruar: “Sot, në përurimin e këtij libri për dëshmorin Ismet Rrahmani, kam arsye të ndihem edhe krenar, meqë po del në dritë një figurë e ndritur e UÇK-së dhe po ashtu po ndriçohet vepra e bashkëluftëtarit dhe bashkëveprimtarit që kam pasur nderim ta kem bashkëvendës dhe bashkëluftëtar…”
Më 22 prill të vitit 2007, në oborrin e shkollës së fshatit Açarevë, e cila mban emrin e dëshmorit, Ismet Rrahmani, është ngritur lapidari, në nderim dhe përjetësin të jetës dhe veprës së tij. (A. Q.)