Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Tërkuzë, punët e kryeministrit Hoti

4 shtatori po vie me hapa të shpejtë dhe paqartësi po aq të madhe. Thuhet aty këtu se shtyrja dy ditore e bisedimeve Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë bërë për praninë e z.Trump në ato biseidme apo ndoshta vetëm në kurorëzimin e ndonjë marrëveshjeje mes palëve që thuhet të jetë e natyrës ekonomike, por që në fakt askush nuk po e përjashton të ketë më shumë se vetëm kaq.

Pyetjes që po brengos të gjithë e më së shumti Brukselin se a ka marrëveshje të përfunduar është e vështirë t’i gjindet përgjegjje.

Por, dimë se në Uashington nuk shkohet për t’i lidhur Gjilanin e Preshevën me ndonjë rrugë shtesë apo edhe për zgjerimin e trasesë së Merdares, dhe kjo na shtynë të mendojmë.

Sjellja prej rregulltarësh të heshtur këtyre kohëve të paraveprimit politik në zakonin e vënë tashmë me rrëzim qeverish nga vet koalicinet qeverisëse, na thotë më shumë se vetëm dyshim! Ekipi përcjellës i Hotit për në Uashington, i cili po shtohet nga dy anëtarë të partive “dinë asgjë” qoftë për agjendën qoftë për materien. Ekipi është për Washinton derisa për Shtëpinë e Bardhë do ketë vend vetëm për dyshen Hoti-Vuçiq dhe ndonjë përcjellës eventual Hyseni-Gjuriq.

Brukseli me ndërhyrjen e dytë radhazi duke caktuar paratakime pas takimeve të thirrura në Shtëpinë e Bardhë po bëhet një lajmëtar gati histerik, edhe pse Kosova dhe Serbia kësaj radhe po e trajtojnë atë me nivele korrespodence Hyseni-Gjuriq.

Përkundër këtij fakti të shkujdesit para amerikan, këtë radhë BE-ja është kujdesur që kthimin nga Shtëpia e Bardhë ta skanoi me pritjen e delegacioneve në Bruksel. Skanimi i BE-së na thotë që njohja reciproke Kosovë-Serbi jo vetëm është larg, por edhe se është aset mardhënjesh e kusuritjesh të të tjerëve.

Shtërngimi i Kosovës me statusin dhe gjykatën speciale tashmë është kthyer në dhunë ndaj të dobëtit, edhe përkundër që në të shkuarën bota demokratike ndërhyri pikërisht ta shpëtonte po këtë Kosovë dhe po pullin e saj nga gjenocidi serb.

Edhe pse rajoni po luhatet nga rreziku i stisur i një kinse lufte Turko-Greke prap se prap mardhënjet shqiptaro-serbe mbeten çelësi i paqes ballkanike.

Deklarimi i djeshëm i kryeministrit grek në parlamentin e tyre se ata do zgjeronin ujërat e tyre nga 6 në 12 milje në ujërat e Jonit dhe paralajmërimi i një vizite të shpejt të ministrit të jashtëm për të takuar kryeministrin Rama për çështjen e detit nuk janë më shumë se ushqim mashtrues opinioneve të tensionuara greke për t’i larguar nga ajo që po ndodhë në Egje.

Në rrethana të tilla, edhe pse vetëm të stisura, Serbia me kontigjentin e saj luftënxitës dhe me Rusinë nxitëse përbënë rrezik. Rusia mund t’ia përdorë Serbisë disa kapacitete destabilizuese për ta bërë Europën ta kthej vëmendjen nga Bjellorusia në Ballkan. Serbët në Mal të zi duket të jenë kontigjenti i preferuar i Rusisë për kohët që kemi përpara. Kjo imponon sjellje prej shtetarësh të përfaqësimit tonë, aq më shumë kur jemi para një mënjanimi të arrës së fortë sikur quhen në politikë çlirimtarët. Këtij fakti nuk i rri mirë siguria në veriun e Kosovës dhe kjo e lë Kosovën në sportelet e harruara të zgjidhjes ndërkombëtare.

Sikur gjërat po ndodhin, nxjerrja e UÇK-së jashtë tavolinës së bisedimeve mund të ketë qenë objektiv i shumë faktorëve ndërkombëtar! Edhe pse e dimë se kjo tashmë nuk siguron asnjë hile anti Kosovë, meqë PDK, AAK, NISMA dhe LVV, të gjitha janë parti që në përbërjen e vet drejtuese dhe në esencialen e tyre kanë Çlirimin dhe Çlirimtarët, dhe bashkë me to edhe LDK po shihet se e ka kuptuar dhe po ndjehet mirë e është akomoduar edhe ajo nën hijen e lavdisë së UÇK-së, prap se prap arra e fortë i është dashur procesit.

Z.Hoti duhet ta kuptoi se ky nuk është favori i tij dhe për këtë ai do duhej t’i shtrohej transparencës totale! Mbajtja e materies së bisedimeve në fshehtësi është faji që ai nuk do të mund t’i ikë asnjëherë!

Sikur është ndërtuar kjo tërkuza e punëve Hoti, ne po rrezikojmë një përfaqësim krejt delirant! Kosova sot ka mbetur në përfaqësim kuotash partish, sikur e imponuan turpshëm mardhënjet për tepsinë brenda koalicionit dhe egoja tekanjoze e LVV-së, në vend që të kishim një vijimësi ekspertize dhe përfaqësim dinjitoz.

Ndërkombëtarëve që kompozuan këtë mbetje të Kosovës në duart e Hotëve u mbetet ta mbrojnë deh ndihmojnë Kosovën në proces.

Ndryshe: Tërkuzë këto punët e kryeministrit Hoti, tërkuzë!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …