Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: 78 ditë bombardime të NATO-s mbi Serbinë dhe 7.000 ditë ndëshkime të luftëtarëve të lirisë

Ndonëse kemi hyrë në dekadën e tretë pas përfundimit të luftës çlirimtare, përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe ndëshkimet ndaj ushtarëve e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk kanë të ndalur!!! Shto këtyre përndjekjeve edhe ato të bëra nga Serbia për afër një dekadë gjatë viteve të ’90-ta, habia arrin kulmin dhe të vjen pyetja se përse gjithë ky agresivitet ndaj kësaj kategorie të shoqërisë!? Por kjo nuk është e tëra!!! Një pjesë e konsiderueshme që janë duke u përball me përndjekje, arrestime, burgosje e ndëshkime, kanë kaluar nëpër rrathët e ferrit edhe gjatë viteve të ’80 nëpër burgjet anekënd Jugosllavisë për shkak të angazhimit të tyre për avancimin e pozitës së shqiptarëve të cilët ishin të diskriminuar në të gjitha aspektet. Mbase kaluarin e vuajtjeve të pafund dhe pathyeshmërinë e tyre morale e ilustron më së miri urtia popullore: Njeriu është më i fortë se guri!

Edhe pse 21 vite më parë bota shqiptare ishte plotë shpresë se Aleanca Ushtarake Veri-Atlantike po kryente misionin e saj për të cilin ishte krijuar –për të ruajtur paqen botërore dhe po realizonte fushatën bombarduese ndaj Serbisë e cila po vriste, masakronte e dëbonte shqiptare dhe po digjte e shkatërronte pronat e tyre, pas rreth 70 ditë bombardime nga ajri, filluan përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe ndëshkimet ndaj ushtarëve e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të cilat nuk kanë të ndalur as sot!!! Dhe ndonëse është thënë e stërthënë shumë herë se nuk po dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës e as lufta e saj por individ të caktuar, faktet e dëshmojnë të kundërtën. Si mund të pranohet ky pretendim perfid kur dihet se pas përfundimit të luftës, ndonëse bënë luftë mbrojtëse e çlirimtare, ushtarët dhe eprorët Ushtrisë Çlirimtare u përndjekjen, arrestuan, burgosjen dhe ndëshkuan nga Gjykata e UNMIK-ut, për të vazhduar më pastaj nga Gjykata e Hagës, për të vazhduar më tutje nga gjykatat e EULEX-it dhe tani nga Gjykata Speciale. Nga rreth 18 mijë ushtarë e eprorë sa besohet se kanë luftuar nëpër frontet e luftës, mijëra prej tyre janë ballafaquar me procese gjyqësore ndaj tyre, disa nga dy, tri e më shumë herë dhe të thuash se nuk po luftohet UÇK-ja e as lufta e saj por individë të caktuar, është kulmi i hipokrizisë të cilën e durojmë kokulur e duke pranuar poshtërimin në heshtje, nga dita në ditë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë! Por më shqetësuesja është se ngadalë dal do të mësohemi të jetojmë pa dinjitet, pa krenari e të poshtëruar e përbuzur si mos më keq!!! Cili vend e cili komb do të lejonte që ushtarët dhe eprorët e saj që bënë luftë mbrojtëse e çlirimtare, për mbi dy dekada t’i përndiqeshin, arrestoheshin, burgoseshin dhe ndëshkoheshin nëpër gjykata të shumta e procese gjyqësore të bazuara në sajesa, supozime e paragjykime të shumta por jo edhe fakte! Nëse kaq shumë na paskeshin qenë të interesuara këto gjykata për dënimin e krimeve të luftës, pse nuk akuzuan e as dënuan askënd për krimin kundër njerëzimit në Reçak. E masakra në Reçak  nuk u definua “ KRIM KUNDËR NJERÇZIMIT” nga shqiptarët por nga ndërkombëtarët. Po për vrasjen dhe masakrimin e qindra shqiptarëve civil nëpër qindra vendbanime anekënd Kosovës, Qyshk, Izbicë, Sllovi, Obri, Poklekë, Krushë e qindra fshatra tjera, këto gjykata a e dënuan ndokend!? Po për vrasjen e rreth 1 mijë e 700 fëmijëve shqiptarë, a u dënua ndonjë serb!? Asnjë! Por për dhunimin e 20 mijë femrave shqiptare!? Asnjë! Por për rrëmbimin e mijëra shqiptarëve dhe zhdukjen e tyre a u dënua ndonjë serb!? Përgjigjja dihet-asnjë!

Krimet e kryera nga ushtria, policia dhe forcat ushtarake serbe janë të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme e drithëruese vetëm kur dëgjon për to nga të tjerët që i kanë përjetuar. Kurrë nuk i harroj rrëfimet e një plaku i cili teksa tregonte se çka ka përjetuar gjatë luftës, lotët i rrjedhin pa nda faqeve të groposura, nofullave paksa të zgjeruara e vetullave të trasha sikur mundoheshin t’ia mbulonin sytë dhe të krijonin përshtypjen se përball ke një plak me karakter të fortë e të pathyeshëm. Kurrë nuk do t’i harroj lotët e tij dhe zërin e mekur kur tregonte se çka kishte përjetuar me familjen e tij kur forcat serbe i kishin hyrë dhunshëm në shtëpi. “Disa shfrynin mllefin duke na rrahur e torturuar, disa të tjerë duke kërkuar ari, para e gjëra me vlerë dhe njëri prej tyre pyet:

-Çka po përgatitni për ushqim!?

-Gjellë, përgjigjet njëra prej grave.

-A me mish e pa mish!?

-Po jemi të varfër ne dhe mjaft që po kemi me hanger dicka e mos me vdekë urie!?

-Ja sot, nuk do të hani gjellë pa mish- zgërdhihet ai dushman dhe pa një pa dy, e pret një foshnje, e masakron dhe ashtu copë-copë e fut në tenxhere!!!

Ndonëse mundohej të tregonte edhe më tutje se çka kishte ndodhur më tej, më bëhej sikur ai plak ndjente se diçka po e shtrëngon në fyt e gjoks dhe s’mund të vazhdonte tregimin më tutje!

Dhe plaku përhumbej në kujtime të thella, nuk bëzante më tutje e lotët nuk ndaleshin nga sytë që i kishin hyrë në zgavra nga lodhja e pashembullt dhe ndjenja e pafuqisë dhe e fajësisë se në momentet më kritike skishte mundur ta bënte; Të zotin e shtëpisë sikur pritej prej tij dhe s’kishte mundur të bënte asgjë për mbrojtjen e familjes së tij! Krime të tilla anti njerëzrore ka pasur anekënd Kosovës por ja që këto gjykata kanë heshtur e po heshtin përball tyre!!! Ja humanizmi i tyre dhe e atyre që ju besojnë verbërisht dhe ju gëzohen fushatave të tyre pasi ‘gjahu’i tyre është edhe rival politik. Nuk e qajnë kokën këta të mjerë se para se të kenë qenë ata rival politik, të përndjekurit, të arrestuarit, burgosurit dhe të ndëshkuarit nga këto gjykata,  kanë qenë luftëtar lirie, luftë fal së cilës ne sot jetojmë lirshëm dhe garojmë për pushtet, se kush po arrin të zhvat e marrë më shumë pushtet i cili ju sjell mandej përfitime e privilegje marramendëse.

 Kur kujton se si u bë që të bëhet ky poshtërim i skajshëm e i vazhdueshëm për mbi dy dekada, të vije në mendje shpjegimi i pastorit Martin Numeller se si fitoi nazimi. Duke shpjeguar këtë fitore ai rrëfen: Në fillim, nazistët sulmuan hebrenjtë por unë heshta se nuk isha i tillë. Mandej ata sulmuan komunistët por unë nuk reagova pasi nuk isha komunist. Mandej ata ju sulen katolikeve por unë heshta sepse isha protestant. Mandej ata mu sulen mua dhe kur ktheva kokën të shoh se kush po proteston për mua, e vërejta se s’kishte mbetur askush për të protestuar!

Është shqetësuese porosia që po jepet heshtazi e pa bujë me këtë qasje sepse kjo po len të nënkuptohet se vlerat sublime të njeriut, liria, barazia e pavarësia kanë çmim tejet të lart, vështirë të përballueshëm kështu që njeriu më mirë është të bëjë jetë skllavi e robi se sa sikur bëjnë njerëzit anekënd botës nëpër shtete të lira e të pavarura e që vendosin vet për të ardhmen e tyre. Por jo vetëm kaq. Kjo qasje e bashkësisë ndërkombëtare që aktron rolin e vendosjes para drejtësisë së kryerësve të krimeve të luftës është duke sajuar një tregim që do i vë në lajthitje të tjerët për të vërtetën e luftës së Kosovës. Nuk duhet përjashtuar mundësinë që në të ardhmen, duke u bazuar në mijëra procese gjyqësore për mbi tri dekada kundër ushtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa seancave simbolike ndaj krimineleve serb, të vije në përfundime se pasi shumica e proceseve gjyqësore janë mbajtur ndaj ushtarëve dhe eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë faji më i madh për krimet e bëra në Kosovë bie mbi UÇK-në! Struc politikanët e miopët e sotshëm do të mundohen edhe atëherë të paraqiten si avokat të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke përdorur arsyetimet e sotshme: Pse janë dënuar disa individ kjo s’do të thotë se UÇK-ja ka bërë krime dhe sepse përndryshe lufta e saj është e pastër! E i lajthituri do të vazhdoj me pyetje të tilla: E si është e mundur një ushtri që për krime të luftës i janë akuzuar komandanti i saj, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e Zonave, eprorët dhe ushtarët e saj të ketë bërë luftë të pastër!?

Ne mund ta injorojmë sa të duam këtë tregim që është duke u sajuar duke u mbështetur në akuza të bazuara në shpifje por ky tregim ka kohë që ka filluar të ndërtohet, ngadalë dal sepse derisa të tjerët kanë ndërtuar e po ndërtojnë këtë tregim me anë të shpifjeve ne kemi zgjedhur t’i heshtim të vërtetat tona sepse kështu na e paskëshin kërkuar miqtë tonë ndërkombëtar pasi ndryshe nuk mund të pajtohemi me Serbinë dhe se duhet ta harrojmë të kaluarën tonë për hir të së ardhmes. Duke pranuar këtë logjikë, ne ua kemi kthyer shpinën afirmimit të së vërtetës mbi luftën e Kosovës dhe tani duhet të ballafaqohemi e t’i luftojmë shpifjet që ka sajuar Serbia e ndihmuar nga disa shpirt shitur shqiptar dhe miq të saj ndërkombëtar! Tani ne në vend se të tregojmë për krimet që ka bërë Serbia anekënd Kosovës kundër popullit shqiptar do të na duhet të luftojmë për ta dëshmuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime. Mbase edhe ky është një kompromis i dhembshëm por që e kemi bërë pa e ditur se jemi duke e bërë!!!

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …