Siç informuan mediet në gjuhën shqipe, eurodeputeti grek i “Demokracisë së Re”, Manolis Kefalogiannis, ka ngritur në Komisionin Evropian çështjen e ndryshimit të teksteve në librat e gjeografisë dhe të historisë shqiptare, me qëllim që as në Shqipëri të mos figurojë asgjë lidhur me Çamërinë dhe shqiptarët e Çamërisë.
Dihet fare se në të gjitha periudhat e krimit të gjenocidit, ata që kanë kryer krim të shëmtuar vënë në përdorim të gjitha strategjitë e mundshme për ta fshehur gjenocidin e kryer kundër një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë. Prandaj, krahas heshtjes së plotë në planin e brendshëm, përfaqësuesit e shtetit grek, dhe të institucioneve të saja politike, përpiqen të imponojnë interpretimin e tyre edhe jashtë kufijve të shtetit të tyre. Madje, një gjë të tillë përpiqen ta paraqesin si qëndrim të institucioneve të BE-së se gjoja “kjo kërkesë themelore do të forconte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të siguronte që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të mos keqinformohen”.
Në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe me Statutin e Romës, vrasja, dhuna seksuale dhe dëbimi masiv i shqiptarëve në Çamëri që kishte për qëllim të shkatërronte shqiptarët si të tillë, që jetonin në trojet e tyre është gjenocid që ka kryer shteti grek.
Jo fshehja e krimit të gjenocidit, por njohja e të vërtetës së plotë për gjenocidin në Çamëri dhe riparimi i atyre dëmeve që mund të riparohen do të forconte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe do të siguronte që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë dhe grekë të mos keqinformohen.
Për këtë arsye, Greqia duhet të ndryshojë teksteve e librave të gjeografisë dhe të historisë lidhur me Çështjen Çame!
Reagimi i Jakup Krasniqit, kundër përvetësimit të shkrimit të tij, “Çka fshihet prapa kërkesës greke për ndryshimin e teksteve në librat e gjeografisë dhe të historisë shqiptare?”, nga Rexhep Hida
Një orë pasi publikova në faqen time të fejsbukut shkrimin tim të titulluar: “Çka fshihet prapa kërkesës greke për ndryshimin e teksteve në librat e gjeografisë dhe të historisë shqiptare?”, pronari i shtëpisë botuese “Fan Noli”, z. Rexhep Hida, publikoi në faqen e vet një reagim një reagim, me të njëjtin titull.
Fillimisht mendova se z. Hida ka shpërndarë shkrimin tim, siç kishin bërë një numër i konsiderueshëm i miqve të mi, por fatkeqësisht doli diçka tjetër.
Për habinë time të madhe, z. Hida i kishte shtuar disa fjali shkrimit tim dhe e kishte publikuar si të ishte shkrim i tij, pa futur në thonjëza tekstin e shkrimit tim dhe pa përmendur fare emrin tim! Jam autor i 16-të veprave që lidhen me fushën e historisë dhe të politikës, dhe për herë të parë konstatoj një qasje të tillë ndaj shkrimeve të mija. Sinqerisht nuk e kam pritur një gjë të tillë nga një udhëheqës i një shtëpie botuese. Kërkoj nga z. Rexhep Hida të respektojë kriteret e publikimeve dhe kur citon mendimet e dikujt, referencat duhet të jenë të sakta. Në të kundërtën i vjen era plagjiaturë!