Shefik Sadiku

Shefik Sadiku: Vrasjet (“Vetëvrasjet”) e ushtarëve shqiptarë në Armatën jugosllave ishin fenomen i gjenocidit shtetëror jugosllavo serb !

Prej prillit të vitit 1981 e gjer në prill të vitit 1986 vetëm në Gjyqin Ushtarak të Lubjanës janë arrestuar 200 ushtarë shqiptarë dhe më tepër se 1000 janë keqpërdorur nga KOS-i (shërbim sekret i sigurimit të APJ-së) si dëshmitarë të detyruar për t’i akuzuar bashkëkombësit e vet!.

Në përpjekje për të paraqitur sa më realisht marifetllëqet e pista të regjimit titist kundruall shqiptarëve, qoftë edhe në APJ, ku trumbetohej për drejtësinë e përkryer  në shkallë shteti, unë kam zgjedhur për ta trajtuar rastin e  Aziz (Sadik) Kelmendit.

Babai i  Azizit, Sadik ( Hajriz) Kelmendi, sikur shumë bashkëkombës të tij, e mori rrugën e kurbetit, plagë e kahershme e shqiptarëve, Ai filloi të punojë në Gjermaninë Perëndimore, sikur shumë bashkëkombës të tij. Gruan dhe fëmijët i kishte në Kosovë. Ishte i martuar me Salë (Rrahman) Krapin nga Nekoci i Gllogocit, me të cilën i kishte 7 fëmijë (5 djem dhe 2 vajza): Hajrizin, Havën, Idrizin, Isakun, AZIZIN, Melihaten dhe Besimin. Në këso rrethana jetonte familja e Sadikut, i cili fitimin që e kursente nga puna e sillte në shtëpi për mbajtje të familjes. Në Gjermani e kuptoi se duhet të shkollohen fëmijët, dhe gëzohej shumë kur vinte në shtëpi dhe kuptonte se fëmijët e tij korrnin suksese në mësime. Azizi ishte fëmija i pestë i babë Sadikut dhe nanë Salës.

Sadiku, nga fshati i lindjes Karaçicë shpërngulet në fshatin Medvec afër Lipjanit në vitin 1970. Dhjetë vjet më vonë, më 1980, familja e Sadikut, përsëri shpërngulet në Prizren, në lagjen Arbanë (ish-Dushanovë), ku jetojnë në kushte më të mira për jetë…

…Aziz Kelmendi u lind më 15. 01. 1967 në fshatin Krenajë (ish-Karaçicë) të Lypjanit. 6 klasë të shkollës fillore i mbaroi në fshatin e lindjes dhe në Magure, kurse klasën e shtatë dhe të tetën i mbaroi në Arbanë të Prizrenit. Azizi ishte nxënës i shkëlqyeshëm, kishte edukatë të mirë familjare, por edhe lexonte shumë romane. Afërsia me vëllezërit më të vjetër e bënte t’i kishte edhe shokë e jo vetëm vëllezër; kishin harmoni në familje, saqë ishin shembull edhe në lagjen ku jetonin! Azizi e regjistroi shkollën e mesme – gjimnazin në Prizren. Mësonte tepër mirë. Si gjimnazist shoqërohej, jo vetëm me shokët e klasës, por kishte edhe shokë të tjerë. Jetonte me një lagje të cilës emrin ia kishin vënë pushtuesit serbë “Dushanovo”, emër të cilin nuk mund ta duronin shqiptarët, e sidomos pas demonstratave të vitit 1981. Tabela në të cilën shkruhej ky emër shpeshherë hiqej nga të rinjtë e kësaj lagjeje! Pasi doli në vitin e tretë të gjimnazit edhe Aziz Kelmendi merrte pjesë në “aksionin” për ndërrimin e kësaj tabele me emrin “Dushanovo” dhe kërkonin që t’i vihet emri Arbanë; merrte pjesë në shënimin e çdo përvjetori të demonstratave të vitit ’81. Pushtetarët i arrestonin të rinjtë herë pas here, por nuk prishte punë, sepse, siç do të tregojë më vonë vetë Azizi, “… kështu me punë të vogla, si të rinj që ishim, kaliteshim për të ardhmen për të bërë ndonjë punë më të madhe”. Në vitin e tretë të gjimnazit e arrestojnë për herë të parë Aziz Kelmendin, në fshatin Vermicë dhe e akuzojnë se “…ka tentuar të kalojë kufirin për në Shqipëri“. Po ashtu, e akuzojnë se merret me veprimtari armiqësore! Kjo akuzë e milicisë pasoi edhe me përjashtim nga shkolla e mesme e gjimnazit, si dhe me dënim për kundërvajtje në kohëzgjatje prej 15 ditësh burg! Megjithatë, në këtë kohë burgoseshin shumë të rinj. Sa për shkollim të mëtutjeshëm kishte edhe alternativa tjera, një prej të cilave e shfrytëzoi Azizi. Ai shkoi në Lypjan dhe e vazhdoi shkollën e mesme në gjimnaz. U prit si më së miri nga shokët e klasës, por edhe nga personeli arsimor. Bile, disa prej tyre e njihnin! Pasi e mbaroi shkollën e mesme të gjimnazit, me sukses të shkëlqyeshëm, në vitin kalendarik 1985/86 Aziz Kelmendi u regjistrua në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës. Azizi, tashmë ishte i pjekur, i kuptonte proceset politike, kishte drojën se do ta dërgojnë ushtar, sepse, kryesisht kështu vepronin me të mbaruar shkollën e mesme.

Megjithatë, pikërisht më 15.09.1986 ia çojnë ftesën për të shkuar ushtar në APJ, në garnizonin ushtarak të Leskocit, në Serbi. Që ditën e parë filloi të ballafaqohej me një regjim të pakëndshëm, në kazermën ushtarake… Pasi që e dha betimin, ushtarët e “vjetër” filluan ta angazhojnë tepër si ushtarë të ri që ishte, në dhënien e kujdestarisë në çdo të dy orë, e detyronin të pastrojë banjot, korridoret etj. Shpeshherë, këto detyrime jepeshin, sidomos, për shqiptarët  në shenjë “dënimi” për “mos disciplinë”!…

Pas 10 ditësh, nga dita e “betimit”, Aziz Kelmendin e merr në “pyetje” oficeri i KOS-it. Karakteristikat ia kishte dërguar “Narodna odbrana” (Mbrojtja popullore) e Prizrenit, në kazermën ushtarake të Leskocit, me të cilat shërbehej oficeri i KOS-it, i cili të bënte përshtypjen se po i ditka të gjitha për gjithë shqiptarët. Për Azizin këto ishin broçkulla të njohura, i kishte parasysh se prej nga i kishin shkuar, sepse ky ishte inteligjent dhe i përgatitur për grackat e mundshme, besa edhe  kombëtarisht ishte i përgatitur! Azizi i deklaron “zotërisë”- oficerit të “sigurimit” (e quanin eprorin e  KOS-it): “mbi të gjitha, unë jam ushtar këtu, kam ardhur në shërbim ushtarak; më kanë akuzuar se e kam hequr tabelën e lagjes sonë, por nuk kanë fakte, sepse nuk më ka parë askush (!); më kanë akuzuar se kam tentuar të ik për në Shqipëri, por nuk ka qenë e vërtetë, se po të ishte e vërtetë, do të kisha ikur kur të kisha dashtë dhe nuk do të isha këtu në mesin tuaj. Ndaj, kam ardhur në shërbim ushtarak, për ta përfunduar si “obligim” që e kam dhe nuk merrem me ato informata të cilat “ju i paskeni”. Qëllimi im është që të kthehem në familje pasi ta mbaroj shërbimin ushtarak dhe t’i vazhdoj studimet në Fakultetin Juridik” … Eprori i KOS-it në mes tjerash i tha: “Dëgjo Kelmendi, ne i kemi “informatat” për të cilat nuk të kanë akuzuar dhe s’të kanë dënuar në Prizren, ne e dimë për të gjithë ju se çka “mendoni dhe si veproni”, je nën përcjelljen tonë. Na informojnë ushtarët për të gjithë nacionalistët dhe armiqtë e Jugosllavisë. Këtu te ne, asnjë gjilpërë nuk mund të mungojë e të mos e dimë” …Besa, ky epror, me një ton fyes, foli për demonstratat e vitit 1981 dhe për përvjetorët e tjerë të këtyre demonstratave që organizoheshin nga rinia shqiptare në Kosovë. Mburrej me arrestimet e rinisë sonë dhe dënimet që ua shqiptonin gjykatat nëpër gjyqe të Kosovës, si dhe në fund shtoi: ”Të gjithë armiqtë kemi për t’i çrrënjosur nga Kosova. Ata të cilët e duan Shqipërinë le të shkojnë në Shqipëri. Krejt në fund filloi ta fyejë kombin shqiptar dhe Shqipërinë…! Këtë bisedë Azizi ua tregoi shokëve të ngushtë që i kishte. Një ballafaqim jo i këndshëm për kërcënimet që ia bëri ky çetnik nën petkun e një oficeri të APJ-së, do të konstatojë më vonë Azizi në bisedë me shokët e tij. Ky epror ishte sa shovinist, po aq edhe racist. I jepte vetes të drejtë t’i fyejë rininë shqiptare me të gjitha akuzat e politikës ditore që i bëheshin popullit shqiptar nga propaganda e shovinizmit serb në mjetet e informimit, si në Radio Televizion, po ashtu edhe në gazeta ditore e javore. Gjithnjë shërbehej me qëndrimin politik të KQ të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë…

Shpeshherë, Azizi me shokë e shtronin bisedën, pse e lejuam veten për të ardhur në shërbim të një ushtrie të huaj, e cila nuk po i trajtonte sikur të tjerët? Kjo dilemë do ta përcjellë Azizin gjer në çastet e fundit të jetës së tij…

Në këtë garnizon ushtarak e mbajnë 6 muaj të plotë, pastaj e transferojnë në kazermën ushtarake të Paraqinit. Azizit i kishte pëlqyer ky transferim pas të cilit kishte deklaruar: “pasi më larguan nga ai çetnik i Leskocit, këtu, ndoshta, nuk do të kem keqtrajtime dhe si ushtar i vjetër; ndoshta do t’ia dal disi  për ta mbaruar shërbimin dhe për t’iu kthyer familjes dhe shoqërisë sime në Fakultetin Juridik e, me kalimin e kohës, do të organizohemi politikisht më mirë dhe do të çlirohemi nga kthetrat e këtyre çetnikëve të Serbisë…” Këso biseda zhvillonte me shokë, kuptohet me disa shokë të ngushtë, sepse me të gjithë nuk shoqërohej. Ishte tepër i matur, dhe ,kur fliste, sa për disa ushtarë shqiptarë, lirisht mund të thuhej se ishte profesor i historisë shqiptare, sepse shumica ishin ushtarë të rinj, kryesisht sapo e kishin mbaruar shkollën e mesme dhe nuk ishin të organizuar me veprimtari atdhetare siç ishte ai. Azizi ishte trim, i matur, nuk e fyente askënd, ishte pak i tërhequr, të linte përshtypjen se nuk shoqërohej me askënd, por ishte i dashur, këshillues për shokët e rinj, të cilët vinin në shërbim ushtarak; kishte karakter të fortë, kishte dinjitet kombëtar. Azizi, ishte njohës i mirë i historisë kombëtare, i letërsisë shqiptare dhe artit muzikor, sidomos rapsodët popullorë i njihte të gjithë; e donte këngën folklorike; jetonte me kërkesën për Republikën e Kosovës dhe e shihte si të pashmangshme realizimin e saj! I rritur me veprimtarinë atdhetare të rilindësve dhe programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe krerëve të saj, e donte Shqipërinë me bindjen se pa të nuk do të ekzistonte as Kosova me viset e saj!…Aziz Kelmendi i përcillte vlimet e rinisë shqiptare, mësonte nga vëllezërit e vet për shumë dëshmorë që kishin rënë për jetësimin e Republikës së Kosovës, i përcillte me vëmendje bartësit dhe organizatorët e demonstratave të Kosovës, pas vitit 1981, dhe mburrej me punën e tyre. Azizi gëzonte respekt edhe tek ushtarët e kombeve të tjera në kazermë. Kishte qëndrim të veçantë në krahasim me ushtarët tjerë. Sot, pas kësaj distance kohore, mund të konstatohet se ishte pjekur para kohe, siç thotë populli! “Kështu e kalonim jetën në shërbim ushtarak, duke biseduar në mes veti ushtarët shqiptarë, natyrisht duke i kryer edhe obligimet ushtarake, për të cilat kishim përgjegjësi individuale” (kujtime nga Rizah Xhakli).

Edhe në kazermën ushtarake të Paraqinit filluan ta trajtojnë njësoj sikur në kazermën e Leskocit, mirëpo, si ushtar i “vjetër” (kështu u thoshin ushtarëve, të cilët i kanë mbaruar ushtrimet ushtarake, pas 3 ose 6 muaj), besonte se do ta ndryshojnë sjelljen ndaj tij. Mirëpo, siç thotë një dijetar: “uji por, armiku nuk fle”! Eprori i njësisë së tij i ruhej Azizit, jo që i frikësohej, por taktikën e kanë pasur të tillë, të cilët ishin nën përcjellje të vazhdueshme të KOS-it. Eprori i KOS-it, ia lëshoi përcjelljen që nga dita e parë kur erdhi në Paraqin, duke e vëzhguar me kënd shoqërohej, çka bisedonte, pse shoqërohej me ushtarë shqiptarë, pse me ushtarë të tjerë, kur nuk shoqërohej me ushtarë shqiptar i shtronin pyetjen pse nuk po shoqërohej me ushtarë shqiptarë!?. Azizi e kalonte kohën si çdo ushtar tjetër në kazermë. Tashmë i kishte ardhur koha e pushimit dhe për habi atje kah 25. 06. 1987 e liruan për të shkuar në pushim të rregullt në shtëpi, në Prizren. Pikërisht më 15. 07. 1987 e mbaroi pushimin e rregullt dhe u kthye në kazermën ushtarake. Deri në kazermë e kishin shoqëruar babai dhe nëna e tij, të cilët pastaj kishin udhëtuar për në Gjermani. Pushimin e kishte kaluar tepër mirë. Ishte kënaqur me familjen e tij, me prindër, me vëllezër e motra, me farefis e me shokë. Kthimi për në shërbim nga pushimi ishte i mërzitshëm për të, por, megjithatë mbahej, nuk jepej, se, realisht, rëndë e përjetonte shërbimin ushtarak. Dëshira për liri, vullneti për jetë më të mirë dhe shpresa se edhe Kosova do të bëhet Republikë e mbanin krenar. Gjithashtu kishte besim në vete dhe në brezin e rinisë shqiptare, edhe pse shumica prej tyre kudo që ishin në RSFJ, e përjetonin robërinë. Për këtë arsye, ata të cilët e duan atdheun e duan edhe vetveten, por e duan edhe ardhmëninë e popullit tonë, i cili duhet të bëhet KOMB me çdo çmim të jetës, thoshte Azizi! Lirisht mund të thuhet se atdhetarët i çmojnë edhe vlerat dhe liritë e kombeve të tjera.

Ditët kalonin. Koha për mbarimin e shërbimit ushtarak për Aziz Kelmendin po afrohej. Përkundër të gjitha pakënaqësive që i përjetonte, ai ishte i kënaqur, sepse, falë mirësjelljes së tij, me shokë dhe me gjithë ushtarët e njësitit të tij kalonte mirë. Edhe Azizi i përcillte veprimet e shërbimit të KOS-it, por duhet ta kuptojmë drejt se, një ushtar i thjeshtë s’ka mundësi të ndërmerr asnjë hap, për arsye se ishte i mbikëqyrur në çdo lëvizje, pra nën kontrollin e tyre!  Azizin e detyronin  të jepte kujdestari, zakonisht në njësinë e tij. Në ushtri, zakonisht,  kujdestari bëjnë dy ushtarë, dhe ata janë të pa armatosur, por në kujdestari nuk i angazhojnë ushtarët e vjetër. Ushtarët e vjetër kryesisht mund të jenë kujdestar 24 orë në përbërje: një dhjetar (kryesor) dhe një ushtar i vjetër (i cili i ka mbaruar ushtrimet ushtarake) si zëvendës i tij, gjë që, në këtë rast ka mund të ketë qenë Azizi. Nëse u referohemi deklaratave publike të ish shokëve  (të dënuar më vonë nga gjykata ushtarake) të Aziz Kelmendit, vijmë në përfundim se, Azizi paska dhënë kujdestari në njësinë e tij, me kusht që ditën tjetër ta ketë pasur të lirë!…

VERZIONI ZYRTAR I SEKRETARIATIT FEDERATIV TË MBROJTJES POPULLORE TË JUGOSLLAVISË

Krimineli nga P.U.7518

Në agun e ditës së enjte të shtatorit 1987 Jugosllavia ka vajtur. Atë ditë nga Paraqini ka arritur lajmi se në natën e parmbrëmshme zëvendës kujdestari në njësi, Aziz Kelmendi nga kazerma “Branko Krsmanoviq” i ka vrarë, në dhomën e fjetjes, 4 ushtarë dhe i ka plagosur 5 të tjerë.

Njoftimi në lidhje me këtë ngjarje, që e ka dhënë Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore, ka qenë i shkurtër dhe i pikëlluar:

“Sonte, më 03. 09. 1987, në orën 03:05, ushtari Aziz ( Sadik ) Kelmendi, me shërbim në Garnizonin e Paraqinit, në kohën duke dhënë kujdestari në cilësinë e ndihmësit të kujdestarit në njësi, pa asnjë shkas, i ka vrarë, duke fjetur, 4 ushtarë. Këta janë: Simiq Srgjan nga Beogradi, Gjananoviq Hazim nga Koçiqa, komuna e Vitezit, Safet Dudakoviq nga Orahova, KK Bosanska Gradishka dhe Goran Begiq nga Zagrebi, kurse të plagosur janë këta ushtarë: Ante Jazhiq, Petar Gjekiq, Andreja Preshern, Husa Kovaçeviq dhe Negjid Mehmedoviq. Në rrethana të krijuara është lënduar edhe ushtari Nazif Adzhoviq. Të plagosurve menjëherë u është dhënë ndihma mjekësore, dhe jeta e tyre nuk është në rrezik! Pas krimit ushtari Aziz Kelmendi ka bërë vetëvrasje!…

…Kelmendi ka qenë në mbarim të shërbimit ushtarak. Organet kompetente po i zhvillojnë hetimet, për rezultatet e tyre do të informohet opinioni.”

Pyetja e cila i ka prekur njerëzit ka qenë logjike: çka me të vërtetë ndodhi?

Të nesërmen SFMP ka dhënë detaje më të gjera: Duke bërë kujdestari si ndihmës kujdestar në PU 7518 në Paraqin, ushtari Aziz Kelmendi e ka thyer ormanin zyrtar, i ka gjetur dhe i ka marrë 10 plumba 7,62 mm, me të cilët e ka mbushur pushkën automatike me përgjegjësi personale, pastaj nga objekti i kazermës është nisur në drejtim të vendrojës së kazermës. Atje, duke iu kërcënuar se do ta mbyste komandantin e rojës, dhjetarin Riza Alibashiqin, ia ka marrë dy karikatorë me municion për pushkë automatike dhe, duke iu kërcënuar me armë në shpinë, e ka urdhëruar që të shkojë në drejtim të kazermës së njësisë së tij. Nga komandanti i rojës ka kërkuar t’i tregojë se ku fle ushtari Safet Dudakoviq, gjë që ky e ka refuzuar ta bëjë këtë. Pasi ka ardhur në ndërtesë ka urdhëruar që dhjetari Alibashiq të largohet, kurse ai ka hyrë në dhomën e parë të fjetjes. Duke e gjetur ushtarin Dudakoviq në dhomë të fjetjes ka hapur zjarr dhe e ka vrarë, pastaj me rafal ka gjuajtur në ushtarët tjerë, duke i vrarë ushtarët: Simiqin, Begiqin, duke i plagosur edhe dy ushtarë të tjerë. Menjëherë, pastaj ka hyrë në dhomën tjetër dhe me tytë për tavani ka gjuajtur me rafal e ka vrarë ushtarin Hazim Gjananoviqin dhe i ka plagosur edhe dy ushtarë …”

Nacionalisti i përgjakshëm, në kaos dhe nga tollovia që u krijua ka arritur të tërhiqet nga kazerma dhe ka ikur në afërsi të kodrës së Karagjorgjes, duke dashur që ta kalojë autoudhën. Duke e parë se është rrethuar, e ka shkrepur një fishek në kokën e vet, gjë që është vërtetuar me certifikatën mjekësore, duke i demantuar mjetet e informimit se Aziz Kelmendin e ka vrarë milicia. Njerëzit nuk kanë mundur ta besojnë se diçka e tillë ka ndodhur!…(mbarim i citatit zyrtar).

Sipas fjalisë së fundit të deklarimit zyrtar, konstatojmë se: Aziz Kelmendi ka ikur jashtë kazermës në drejtim të kodrës së “Karagjorgjes” si dhe e kaloi autoudhën! Pasi iku aq larg, pse atëherë u kthye në  drejtim të kazermës? Certifikata e mjekut i demantoi mjetet e informimit se Azizin e ka vrarë milicia përtej autoudhës (autostradës), në kodrën e Karagjorgjes! Si guxojnë mjetet e informimit të japin çfarëdo deklarate pa marrë leje nga Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore?!…

Nëse i referohemi deklarimit publik të propagandës serbe (pas datës 04.09.1987), Azizi  ka qenë në rojë më 03.09.1987, mirëpo mjaft i dyshimtë është edhe ky fakt: qysh të angazhohet në rojë ushtari të cilit i kanë mbetur edhe 5 ditë pa e mbaruar shërbimin ushtarak? Edhe këtu mjaft i dyshimtë është deklarimi publik i propagandës serbe, pse u caktua orari i rojës në orën 22:00 e jo në orën 15:oo ose në orën 8:00 të mëngjesit? Megjithëse, në rojë caktohet orari javor. Ky orar ndryshon nëse mungon ndonjëri nga ushtarët e këtij grupi dhe pasojnë zëvendësimet me të tjerë. Një fakt tjetër qëndron – ushtarët të cilët japin rojë janë të armatosur dhe vendosen në objekt të veçantë, afër portës kryesore e cila quhet “vendrojë” (“strazharnica”), këta ushtarë nuk kanë qasje fare me njësinë e vet gjatë tërë javës. Ushtarët në rojë brenda kazermës ushtarake nuk posedojnë më tepër se 5 fishekë të pushkës, për arsye se nëse i ndodhë diçka duhet të shkrepë vetëm sa për të alarmuar se ka rrezik, dhe është sulmuar nga dikush etj… Këto janë disa argumente të dyshimit, të cilat i kanë bërë vetëm ata që kanë qenë pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje!.

Azizi nuk ka mundur të jetë as ndihmës kujdestar i kazermës, sepse nuk ka qenë dhjetar, thjesht nuk ka pasur gradë ushtarake, edhe kjo tezë bie poshtë. Nëse ka qenë ndihmës kujdestar në njësinë e tij nuk ka mund të shkojë në zyrën e oficerit “kujdestar” dhe të pajiset me municion-siç thuhet se: e ka thyer ormanin dhe i ka marrë 10 plumba. Po të ketë qenë ndihmës kujdestar i njësisë së vet, nuk ka teori të veprimit t’i bëjë këto lëvizje pa u hetuar nga askush:

– të del nga njësia e tij dhe të mos e hetojnë kujdestarët e njësisë së tij (2 ushtarë bëjnë kujdestari në njësi). (pozharni).

– të niset në drejtim të shtëpizës së rojës ku janë ushtarët afër portës kryesore të kazermës; në hyrje të shtëpizës së rojës japin kujdestari të pa armatosur 2 ushtarë, te porta e kazermës e cila është afër shtëpizës së rojeve, bëjnë kujdestari tërë natën ushtarët dhe nuk ka shans të mos hetohet lëvizja e askujt e aq më pak e një ushtari shqiptar, i cili ka qenë nën vëzhgimin e KOS-it, dhe të gjithë ushtarëve tjerë, sepse lëvizjet e kujtdo të paautorizuar pas mesnate janë të pamundshme. Në këtë rast edhe kjo tezë është e paqëndrueshme.

– nuk ka mundësi, as teorike, të hyjë dikush brenda dhomës ku është “udhëheqësi i rojës”-komandanti të kidnapohet, të çarmatoset dhe t’i merret municioni me gjithë automatik, në këtë rast gjoja se ka shkuar Azizi e ka marrë  Alibashiqin dhe e ka çuar te dhomat e fjetjes për t’ia treguar se ku janë Safet Dudakoviqi etj… Si ka mundësi të mos hetohet nga askush, kur kjo hapësirë i ka më së paku 50 – 100 m ndërmjet kazermës dhe objektit të rojës (strazharnicës)!?…

– Kjo lëvizje nuk mund të bëhet pa u hetuar edhe nga kujdestarët e njësive të tjera, si dhe të njësive të kateve tjera, e aq më tepër kur nga propaganda serbe thuhet se Azizi para disa ditësh u është kërcënuar ushtarëve për t’i vrarë?. Secila njësi në katin e vet i ka nga 2 kujdestarë, të cilët ruajnë tërë natën në korridor, afër hyrjes kryesore. Askush nuk ka shans të kalojë pa u hetuar, në këtë rast pra, sikur të kishte ardhur Azizi me armë në gjendje gatishmërie duke e urdhëruar Alibashiqin me tytën e automatikut e të mos shihet nga askush. Kjo të tregohet si teori është e pakapshme e lëre më të zbatohet në praktikë?

– nëse i referohemi deklaratës së Paçarizit, oficeri kujdestar-Bllagojeviq kishte shkuar në shtëpi! Kujdestarët tjerë, ushtarët: Dudakoviq dhe tre maqedonë e kishin lëshuar vendkujdestarinë e tyre, Azizi ishte i vetmi që ishte zgjuar! Asnjë ushtarë, të cilët i kanë shpëtuar masakrës së Paraqinit, nuk ka thënë se na ka vrarë Aziz Kelmendi! Ata kanë deklaruar se na ka vrarë një “bjond”, gjë që nuk përputhet me pamjen e Azizit!?… “Kur më morën në pyetje 6 oficerë, duke më torturuar dhe me dhunë më kanë detyruar që ta pranoj “verzionin” zyrtar, se në kazermën e Paraqinit vrasjet i ka bërë Aziz Kelmendi, në orën 3:05 pas mesnate më 03.09.1987!”

Atëherë, thjesht është e kuptueshme se pas gjithë kësaj fshihet politika zyrtare e Beogradit, duke ia shtuar paraqitjen publike të monstrumit më të madh të Ballkanit, Milosheviqit, së bashku me gjeneralin Petar Graçaninin dhe Nikola Lubiçiqin, të cilët pak para kësaj kohë e lëshojnë APJ-në dhe do të kyçen në politikë për ta serbizuar Jugosllavinë, duke i paraqitur shqiptarët armiq të saj e për t’i armiqësuar me të gjitha kombet dhe “kombësitë”, të cilat jetonin në këtë shtet fantazmë!

– Ditën kur ndodhi masakra e Paraqinit, herët në mëngjes, Azizit i vijnë në vizitë prindërit. Babai dhe nëna e tij kishin ardhur për t’ia sjellë të hollat për t’i blerë kostumet civile, sepse i gëzoheshin mbarimit të shërbimit ushtarak dhe kthimit të tij në gjirin familjar. Babë Sadiku dhe nanë Sala i vinin Azizit nga kurbeti. Nanë Sala qëndron në veturë, kurse Sadiku lajmërohet për vizitë te postëroja e garnizonit ushtarak në Paraqin. Me të shpejtë del një oficer dhe e bastis Sadikun, e më pas hyjnë brenda rrethojës së kazermës, me një zyrë, ku filluan ta marrin në pyetje duke e akuzuar se paska pasur qasje me “krimin” që e ka bërë djali i tij, Azizi …Sadikun e dërgojnë me një dhomë ku ishin vendosur kufomat e 4 ushtarëve të vrarë; e informojnë se këta i kishte vrarë djali i tij Azizi, dhe i thonë se në fund edhe ai kishte bërë vetëvrasje (!). Më pas e dërguan edhe në vendin ku ishte djali i tij i dashur, me të cilin priste të takoheshin e të çmalleshin si prindër. Ndërkaq, përnjëherë përpara Sadikut do të shfaqet djali i vet, shtrirë dhe i shndërruar në kufomë (!). E pabesueshme por e vërtetë. Shkoi e puthi në lule të ballit, se e kishin gjakosur kriminelët e Serbisë. Eprorët ushtarakë i treguan Sadikut se i ka plagosur edhe 7 apo 8 ushtarë të tjerë. Sadiku, haptas e shprehu dyshimin: “Azizi kurrë nuk e ka bërë këtë krim, dyshoj ta ketë bërë djali im, por po ju pyes se çka në të vërtetë paska ndodhur!?…U tërbuan oficerët e këtij garnizoni dhe jo vetëm këta, por kishin ardhur edhe nga Nishi e Beogradi. Në këtë kohë ishin duke e konstruktuar planin për ta informuar opinionin për masakrën e Paraqinit, duke ia veshur prindërve të Azizit se edhe këta kishin qenë të involvuar në krim, kinse e kanë gabuar orën e vrasjes dhe për pak s’kanë mund të takohen me Azizin në autoudhë, për ta larguar nga vendi i krimit. “Heu, qëndro Sadik Kelmendi” (i thotë vetit)! Ky fakt mjafton se këta eprorë ushtarakë i kanë vrarë ushtarët e vet! Pas 4 orësh e nxorën Sadikun në një sallë ku lëviznin edhe mantelbardhët, gjoja për t’u dhënë ndihmë ushtarëve tjerë. E ftuan edhe nënën e Azizit e cila hyri në atë sallon. Pas pak, kur e pa Sadikun kokulur e pyet me zë të lartë se çka paska ndodhur? I përgjigjet të shoqes se: “Azizi i paska vrarë 4 ushtarë dhe 7 a 8 i paska plagosur”. U habit nëna Salë !!!… me ankth duke e pritur përgjigjen e fundit. Po Azizi, çka u bë me të? E paska “vrarë veten” edhe Azizi! Nana Salë ua tha troç eprorëve ushtarakë: “po, qysh i keni lanë me u vra ushtarët, ku ishit ju?!..”

Pas mesdite kufomën e Azizit e nisën për në Prizren. Sadikut ia morën veturën dy eprorë, të cilët do ta ngisnin atë deri në Prizren. Prapa i vendosën prindërit e Azizit me të cilët gjatë gjithë rrugës nuk komunikuan fare.

Azizi i pati vetëm edhe 5 ditë deri në mbarim të shërbimit ushtarak, ndërkaq atë e sollën në arkivol me sindromën antishqiptare, se ka bërë “vetëvrasje”. Azizin e varrosën më 4 shtator 1987. Në varrim pati më shumë milicë, udbashë dhe oficerë sesa qytetarë, sepse propaganda jugosllave e bëri të veten, por edhe i frikësonin qytetarët për të mos marrë pjesë në varrim.

Azizit ia burgosën edhe vëllezërit: Hajrizin, Idrizin dhe Isakun

Më 05. 09. 1987 ia burgosën edhe babain dhe nënën. Babain ia dërguan në burgun e Nishit, nënën në burgun e Mitrovicës, kurse vëllezërit në burgun e Prizrenit. Motrën Melihaten ia përjashtuan nga shkolla e mesme…

Pra, si po shihet masakrën e Paraqinit, përkatësisht vrasjen e 5 ushtarëve e ka organizuar KOS-i; këtë masakër nuk e ka bërë Aziz Kelmendi, po ka qenë mirë e konstruktuar në aspektin operativ për likuidimin e ushtarëve të 5 etnive:

  1. Aziz Kelmendi,shqiptar / Prizren, Kosovë /
  2. Sergjan Simiq, nga Beogradi
  3. Safet Durakoviq nga fshati Orahovë e Bosanska Gradishkës
  4. Goran Beliq, nga Zagrebi
  5. Hazim Gjanonoviq nga fshati Koçiq, komuna e Vitezit

Dhe duke i plagosur edhe 6 ushtarë të tjerë të përkatësive të ndryshme kombëtare:

1.Ane Jezhiq, slloven

2.Nexhip Mehmedoviq, boshnjak

3.Andrej Preshern, slloven

4.Petar Gjekiq,

5.Huso Kovaqeviq, boshnjak

6.Nazif Axhoviq, boshnjak

Qëllimi i kësaj masakre ka qenë:

Veshja e kësaj masakre Aziz Kelmendit, për ta shfrytëzuar situatën politike se: terroristët shqiptarë nuk zgjedhin mjete për t’i vrarë edhe kombet tjera në RSFJ dhe jo vetëm serbët që ishin “viktimë” e këtyre “terroristëve”!

Shpallja dhe akuza  e shqiptarëve si “terrorist”, për t’i treguar  opinionit të Jugosllavisë e më gjerë se, me të vërtetë shqiptarët janë të tillë…

Duke iu referuar Tanjugut ( Agjencisë Telegrafike Jugosllave) dhe propagandës së mjeteve të tjera të informimit, të cilat e informonin opinionin për masakrën e Paraqinit, në mes tjerash edhe “RILINDJA” e datës  04. 09. 1987 informon se:

Më 03. 09. 1987, sot në agim, ushtari Aziz Kelmendi bëri një krim të paparë në kazermën e Paraqinit. Vrau në gjumë 4 ushtarë:

1.Sërgjan Simiqin

2.Hazim Gjananoviqin

3.Safet Dudakoviqin

4.Goran Beliqin…

Krimineli Aziz Kelmendi me këtë rast plagosi edhe 5 ushtarë …ndërkaq, ja edhe komenti i agjencisë së lajmeve “Tanjug” me titull:

“TË SHTËNA KUNDËR JUGOSLLAVISË“

“Nuk ka institucion në të cilin njerëzit i dërgojnë fëmijët e vet më me shumë besim e më me shumë siguri se sa në APJ. Me të vërtetë Aziz Kelmendi shtiu kundër Jugosllavisë. Ai nuk zgjodhi viktimat. Të gjithë ata në të cilët shtiu mbajtën të njëjtën uniformë, uniformën e APJ-së, të njejtën kapelë të Titos…”

Ndërsa, korrespondenti i gazetës RILINDJA (R.Sh) nga Prizreni më 06.09.1987, ditë e diel shkruan: ”… Në Bashkësinë Lokale të Dushanovës ku jetojnë familja Kelmendi, dje u mbajtën tubime të shumta të strukturave shoqëroro-politike. Në mënyrë unanime u morën qëndrime që familja Kelmendi të bojkotohet…”

Nëse i referohemi Gjyqit Suprem Ushtarak II nr.98/88, 20.04.1988 në Beograd, konstatojmë se qëllimi i parë dhe i fundit ka qenë të krijojnë një grup armiqësor të përmasave më të gjera të ushtarëve shqiptarë, duke ua veshur petkun e “TERRORIZMIT”, sepse vetëm kjo i ka munguar rinisë shqiptare!

Po sikur të kishte vepruar ky grup, do t’i arrestonin menjëherë ushtarët shqiptarë, ndërsa ata filluan t’i arrestojnë tek pas 10 ditëve pas masakrës së Paraqinit? Këtu pason edhe sekreti i kësaj masakre në Paraqin, për arsye se duhet të arsyetohet ky krim, pasi që politikanët serbë e merrnin si shkas për t’i filluar proceset e mëvonshme politike kundër Autonomisë së Kosovës!…

Pasoi procesi politik i Paraqinit nga parapolitika e Beogradit, dhe e konstruktuan projektin e krijimit të një “grupi armiqësor”, ku akuzoheshin ushtarët shqiptarë si terroristë, për masakrën e Paraqinit, të cilët e “ndihmuan” Aziz Kelmendin për t’i vrarë ushtarët e kombeve tjera! Ndaj të gjithë këtyre ushtarëve të arrestuar është përdorur dhuna fizike dhe psikologjike e KOS-it, për ta bërë gënjeshtrën të vërtetë dhe faktet e vërteta për t’i bërë gënjeshtra…

Aziz Kelmendi ka mund ta vret cilindo ushtar në kazermën e Paraqinit, nuk përjashtohet mundësia, por vetëm nëse kanë tentuar t’ia kurdisin kurthin për ta vrarë atë!. Në vetëmbrojtje ka mund ta vret ndonjërin prej këtyre ushtarëve, ky konstatim mund të vërtetohet vetëm atëherë kur të hapet “dosja reale” e Aziz Kelmendit, e kurrsesi me “dosje të konstruktuara politike” që janë bërë kundër tij!

Të gjithë ata, të cilët e kanë kurdisur kurthin për vrasjen  e Azizit, në një të ardhme do t’i vret ndërgjegjja njerëzore, sepse drejtësia do të fitojë, së paku e drejta morale!

Këtu më poshtë i  referohemi aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë të lëshuar nga Gjyqi Ushtarak në Nish:

E kundërshtojnë aktgjykimin e Gjyqit Ushtarak në Nish I K nr.135/87 të datës 27 janar 1988 me të cilin janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar:

1.Rizah Xhakli, ushtar nga PU 6592 Nish -15 vjet burg, i arrestuar më 19.09.1987

2.Abdylxhemil Alimani, ushtar nga PU 4796 Nish -14 vjet burg, i arrestuar më 19.09.1987

3.Afrim Mehmeti, ushtar nga PU 7518 Paraqin -10 vjet burg, i arrestuar më 14.09.1987

4.Pajazit Aliu, ushtar nga PU 1912/37 Nish -10 vjet burg, i arrestuar më 13.09.1987

5.Shefqet Paqarizi, ushtar nga PU 5982 Nish -5 vjet    burg,   i     arrestuar më 14.09.1987

6.Enver Behluli, ushtar nga PU 3472 Nish -4 vjet burg, i arrestuar më 19.09.1987

7.Riza Alibashiq, dhjetar nga PU 1912/2 Nish -7 vjet burg, i arrestuar më 23.09.1987

8.Islam Mahmuti, ushtar nga PU 1912 Nish -2 vjet burg, i arrestuar më 19.09.1987

Për t’iu përgjigjur ankesave të dënuarve nga gjyqi ushtarak i Nishit, Gjykata Supreme Ushtarake në Beograd, me aktgjykimin II K nr.98/88 më 20 prill 1988./ Beograd/, ua rriti burgun të gjithë të dënuarve shqiptarë në këtë proces gjyqësor:

1.Rizah Xhakli, ushtar nga PU 6592 Nish               -20 vjet burg

2.Abdylxhemil Alimani, ushtar nga PU 4796 Nish    -20 vjet burg

3.Afrim Mehmeti, ushtar nga PU 7518 Paraqin         -13 vjet burg

4.Pajazit Aliu, ushtar nga PU 1912/37 Nish               -13 vjet burg

5.Shefqet Paqarizi, ushtar nga PU 5982 Nish            – 7 vjet burg

6.Enver Behluli, ushtar nga PU 3472 Nish                – 5 vjet burg

7.Riza Alibashiq, dhjetar nga PU 1912/2 Nish         – 14 vjet burg

(Shkrimi është botuar në “Zemra Shqiptare”)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …