Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Froni i Presidentit!

Për sa kohë që fluturimet mes turbulencash drejt karriges së Presidentit, po behën më atraktiv, akrobatët e këtij sporti, sikur janë vu në garë, o burra: o unë, o s’ka!… Janë futur në garën maratonike, të yshtur, pa ndezur askush flakën olimpike të maratonës drejtë Fronit të Presidentit të vendit. Tani, së kush do të arrijë cakun, është ecje nëpër tehun e shpatës së quajtur kohë, dhe zhvillimit të paparashikuar të ngjarjeve politike në vend. Një gjë po vihet re nga qytetarët tanë të cilët në një masë janë edhe të shqetësuar (Po si!), përderisa kësaj radhe, garës për Fron të Presidentit, po i mungon, apo më mirë me thënë nuk po i turret, z. Ismet Hebibi.

Tani, dilema shtohet: në mos z. Hebibi, ka vendosur të tërhiqet nga gara fluturuese drejt karriges së Presidentit, pyetja që shtrohet: cilat mund të janë arsyet e kësaj tërheqjeje, në mos, ai po sheh më larg se bashkë pretenduesit e fronit presidencial! Sidoqoftë, me, apo pa te (duke i kërkuar falje zotëriut në fjalë, që po lakoj emrin e tij) , shumë nga figurat politike në Kosovë i ka kapluar një dalldi përçudnuese me retorikën e pretendimeve të përditshmërisë, drejt Fronit o burra! Ambicie kjo, që përformon gjendjen e tyre të paqëndrueshme emocionale, me dëlirin e ndjenjës se dheu po rrëshqet nënë këmbë, në këto kohë të pështira deri në banalitet: vraponi o burra, o sot, o kurrë! Pa dyshim me ankthin e fshehur nën këmishë, së mos Gjykata Speciale nuk do t’i fuqizojë akuzat, dhe mos pyet kush: Fronit nuk i zbret, ky që i ka hipur!…

Gjithë këta burra, që janë fortifikuar në Kalanë imagjinatave të mbretërisë dhe mbretit me përralla, furnizuar më armë bashkëkohore të sofistikuara, mjerisht, nuk e kaluan dot, as sot, unin e vet. Gjithmonë në vetën e parë, unë Kryetar, unë President, unë Kryeministër, unë Deputet, unë i parë, unë dhe vetëm unë… Pa mua kjo botë do shembët, kjo botë do çmendet, kjo botë do rrokulliset, pa mua kjo botë nuk do të gdhijë e nuk do të ngryset, pa mua kjo botë do përmbyset, pa mua globi nuk sillet!…

 E kuptueshme; ethet e zgjedhjeve po ofrojnë ngadalë, dhe kjo lojë do kondicion për vrapim maratonik, ky vrap në rreth vicioz, këtu e 20 vite me radhë, sikur ka zvetënuar filozofinë politike deri në skajshmëri, ku mujsharë të tërë, që kanë lodhur e dërmuar këtë vend nga prurjet e kotësisë boshe, sikur nuk u vetëdijesuan kurrë. Me gjithë mend, kjo nuk është vetëm dalldisja e fundit, por edhe nuk po i shihet fundi dalldisjes… Në kohë kaq të rëndë për Kosovën, si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit, është e kotë, jo, nuk bashkohen bajraktarët dot!, që nga pushtimi Osman e këndej; shqiptarët e ndarë në bajraqe, bajrak që mund të valojë vetëm mbi kotecet e tyre anarkike, me këtë krekosje gjelash mbi pleh.

Ju, politikanë të kohëve moderne, ju pretendues të froneve, ju udhëheqës të ekzekutivit, legjislacionit, ju deputet, çaj e duhanpirës, ju idealistë  të bashkimit gjithëkombëtarë, dilni në mëngjes, dhe shihni përtej urës, Luginën e Diellit, pastaj shihni Kullën e Zhlebit nga maja e plepit, pasaportat serbe në Dragash, valët e Telekombit të Serbisë deri në kufi të Shqipërisë, patrullimin e xhandarmërisë së Serbisë në territorin e shqiptarisë, rreth rrotullimin tek ura mbi Ibër, ku nuk e përuroj Bahtir shahiri me Shakirën, deri në strehë të Ddëbëllde-së, nuk kalojmë dot as nga Manastiri, nuk kalojmë hiç, nuk lejon Sava Janiç!… Greku kërkon të zgjerohet në detin e Shqipërisë, ne shqiptarët, vërtetë jemi nëna e vakisë!

Qytetari modest pyet: nëse jemi esëll, Kosova po digjet, njerëzit e politikës, po krihen!…

Do ta modifikoj vargun e Migjenit: Kafshatë që nuk kapërdihet, është or vëlla injoranca!

CH-03-09-2020

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …