leoni

Kryetari Bashota takoi drejtorët e shkollave të Komunës së Klinës

Drejtoria  Arsimore e komunës së Klinës, sipas kërkesës së Kryetarit  z. Sokol Bashota, ka mbajtur takim pune me të gjithë drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore të Komunës së Klinës, për të analizuar gjendjen e përgjithshme në nivelet e arsimit të kësaj komune dhe për të debatuar haptazi për mënyrat dhe strategjitë e përbashkëta për të avancuar edhe më shumë gjendjen e cilësisë së performancës së shkollave në fusha të ndjeshme të saj, siç janë mësimdhënia dhe nxënia, vlerësimi, siguria, menaxhimi dhe qeverisja, të drejtat e fëmijëve dhe kujdesi ndaj tyre etj.

Në takimin e punës ishte prezent Kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, prezenca e të cilit u vlerësua lart nga të gjithë drejtorët e shkollave, sepse kjo formë e komunikimit dhe e debatimit institucional që ka zgjedhur Kryetari Bashota është në funksion të rritjes së efikasitetit të proceseve që zhvillohen nëpër institucionet edukativo-arsimore dhe flet për përkushtimin e udhëheqjes komunale dhe të pushtetit lokal ndaj zhvillimeve në arsim dhe ndaj procesit të reformimit të shkollës sonë.

Drejtori i DKA-së Hajdin Morina paraqiti një informatë të shkurtër për zhvillimet dhe gjendjen e arsimit në Komunë, për pozitën që ka Klina në pjesëmarrjen shtetërore të treguesve në arsim, për aktivitetet e përgjithshme në zbatim të Kurrikulës shtetërore, për veprimtaritë kroskurrikulare dhe ato ekstrakurrikulare të nxënësve të Komunës sonë etj., duke theksuar se treguesit e vlerësimit për nivelet e arsimit në komunën e Klinës asnjëherë nuk qëndrojnë nën nivelin mesatar, por shpesh janë edhe mbi mesataren shtetërore.

Kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, falënderoi drejtorët për angazhimin e tyre në ballë të institucioneve arsimore dhe në ballë të sfidave që sfidojnë arsimin dhe arsimimin e sotëm bashkëkohor, jo vetëm në Komunës e Klinës. Kryetari i bëri një analizë përmbajtësore gjendjes momentale në arsimin e  Klinës, duke ofruar mbështetjen e tij për një avancim edhe më të madh të zhvillimeve dhe të performancës, për përfundimin sa më të shpejtë të ndërtimit të tri objekteve shkollore (në Përçevë, Këpuz e Jashanicë), të cilat do të kenë kushte dhe hapësira moderne për një mësim dhe punë cilësore. Kryetari Bashota u premtoi drejtorëve se nuk do të kursejë mundësitë buxhetore, as kompetencën e tij dhe autoritetin që të ndërhyjë edhe për realizimin e projekteve të tjera të nevojshme, për të cilat kanë nevojë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit e Komunës së Klinës. Kryetari u përqendrua edhe në gjendjen e sigurisë nëpër shkolla, duke kërkuar nga drejtorët që të angazhohen sa më shumë sipas ligjit dhe parimeve ndërkombëtare të arsimit që shkolla dhe ambientet e saj të jenë në çdo kohë të sigurta për të gjithë fëmijët, pa dallim moshe, gjinie, përkatësie fetare, familjare ose race, në mënyrë që të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe të gjitha palët e interesit të bashkërendojnë aktivitetet që shkolla jonë të bëhet qendra kryesore komunitare, duke ofruar shërbime sa më cilësore, përkujdesje profesionale dhe motivim për të gjithë fëmijët që të kenë një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në sistemin e arsimit. Në kuadrin e fushës ndaj kujdesit për nxënësin, Kryetari Bashota apeloi dhe kërkoi nga drejtorët e shkollave që të angazhohen maksimalisht për parandalimin e çfarëdo lloji të dhunës së personelit të shkollës ndaj nxënësve, për referimin e rasteve të dhunës dhe për marrjen e masave ligjore ndaj mësimdhënësve ose personelit tjetër që ushtron dhunë të formave të ndryshme ndaj nxënësit.

Drejtorët e shkollave debatuan hapur për sukseset dhe sfidat e tyre, duke e quajtur shumë të frytshëm këtë takim pune me Kryetarin dhe duke vlerësuar të gjitha format e tjera të komunikimit që përdor Kryetari dhe DKA-ja për avancimin  edhe më të madh të zhvillimeve dhe të cilësisë në shkollat e Komunës së Klinës, në mënyrë që nxënësi ynë të zhvillojë njohuritë. aftësitë, shprehitë, qëndrimet dhe kompetencat ashtu siç e kërkojnë dokumentet për zbatimin  Kurrikulës, në përputhje me interesin e familjes dhe të shoqërisë, së cilës i duhen qytetarë që avancojnë zhvillimet dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për ndryshimin pozitiv të gjendjes.

Kontrolloni gjithashtu

Nënkolonel Besnik Fana, shpallet “Qytetar Nderi” i Deçanit

Nën kujdesin e kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, dhë nënkryetarit, z. Sami Cacaj, u …