Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Kujtimet e “Artistit të Popullit”, Reshat Arbana

 

– Interpretimet e të mirënjohurit Ramazan Zyberi ishin befasuese për mua.

– Nxitës për mua u bënë Ramazan Zyberi dhe Margarita Xhepa, që luante rolin e gruas së Titos

– Kujtoj një skeç ku Xani luante rolin e Titos dhe gruan e tij, Jovankën e interpretonte bukur  Margarita Xhepa

– Ëndërroja të takoja yjet e skenës si Mihalin, Naimin, Pjetrin, Prokopin, Sulejmanin, Gjonin, Lazrin, Dritën, Margaritën, Pirron

– Si improvizoja mizanskena, monologje, shëmtira siç më thoshte nëna: “Leni, mos bir i nënës, leni këto shëmtira, se je gjithë ky çun”

 

Reshat Arbana rrjedh nga një familje modeste tiranase, zanatçinjsh, ku dashuria për fëmijët ishte kult, ku varfëria shpesh ngërthehej në luftë të përditshme me mbijetesën. Shqipëria, një vend i varfër, e ronitur nga krizat dhe e rraskapitur nga luftërat. Në një kohë të pakohë, ku të siguroje bukën e fëmijëve duhet të përballeshe fort për të ngadhënjyer mbi vdekjen. Pikërisht ato kohë, erdhi Reshati në jetë, kur pllakoste varfëria materiale, por në kulmin e dashurisë njerëzore dhe vlerave humane. Në familjen ku erdhi në jetë, mësoi diferencën e të mirës dhe të keqes, të vesit dhe virtytit, të bukurisë dhe shëmtisë, pra duke mbetur gjithnjë përjetësisht, pinjoll i një kulture dinjitoze dhe të ndershme.

Mban mend shfaqjet e  para të Estradës së Shtetit që i jepte në sallën e Teatrit Popullor, sepse nuk kishin sallë të vetën. Shfaqjen e parë, trupa e dha nën siglën “Estrada numër një” dhe më pas  “Estrada numër dy”. “Më kanë mbetur në mendje dy numrat e para. Interpretimet e të njohurit Ramazan Zyberi edhe të tjerëve. Ishin befasuese për mua. Kujtoj një skeç ku Xani luante rolin e Titos dhe gruan e tij, Jovankën e interpretonte aktorja e mirënjohur, “Artistja e Popullit”,  Margarita Xhepa”. Kujton Xanin, kur i drejtohej  serbokroatisht, Jovankës:

-Ljubicica serce moja, draganaja ljubica!

Nuk mban mend sa herë e ka parë, por batutat i përsëriste çdo kohë në mendje dhe ndjehej i plotësuar. Kur nisën shfaqjet e mëngjesit, “matinet” siç quheshin, ndjeu një çlirim të vërtetë. Tani do mundej t’i frekuentonte këto shfaqje, pa pengesë. Ndërkohë, vitet rrodhën, dhe ai e pa veten të lirë. Shihte çdo premierë. Lozha kushtonte vetëm 15 lekë dhe prindërit këto nuk ia kursenin.

***

Hyrja në rrugën e artit për të ishte si një ëndërr pasionante

Perceptim imazhesh dhe tingujsh të njohur që rridhnin nga brendia e tij për të formësuar një model. Ishte një dëshirë organike që trupi ia ushqente në çdo çast. Joshje e brendshme që e përkundte në djepin e lumturisë. Ndjehej i ngazëllyer, kur takonte aktorët e teatrit. Kishte mall dhe dashuri njerëzore për ta. Ishte kurioz për mënyrën si ata përgatisnin rolin, për provat, emocionet që përjetonin, kur ata përcillnin personazhin në skenë. Përpinte gjithçka, ç’ka i tregonin dhe bashkë me to ndjente admirim, përulje, pasion. Rrinte me orë të tëra para teatrit dhe kur takonte ndonjë aktor të njohur, çuditej, që ata ishin aq njerëzorë dhe të thjeshtë. Ëndërronte të takonte yjet e skenës si Mihalin, Naimin, Pjetrin, Prokopin, Sulejmanin, Gjonin, Lazrin, Luanin, Nikollën, Marijen e Violetën, Dritën, Afërditën, Margaritën, Pirron e shumë aktorë, e aktore të tjerë të mrekullueshëm. I dukej vetja krejtësisht i vogël përballë tyre, ndaj gllabëronte, çdo detaj që kishte të bënte me artin e tyre të bukur. Asokohe, nuk e mendonte aspak që ajo dashuri dhe ai pasion që kishte për teatrin, do e rreshtonte përkrah të mëdhenjve, idhujve të tij. Kontakti me ta dhe eksperienca e tyre, do ishin shkolla më e madhe për të. Artistët janë njerëz të çuditshëm! Janë “open minds”. Janë thesare. Janë të ndjeshëm deri në kockë. Ata ta thonë të vërtetën në sy. Me ta grindesh për principe. Por ata dinë të falin. Kanë një botë të brendshme, që ngjan me një zabel natyre të hijeshuar. Të interpretosh një personazh tjetër që mund të jetë një mashtrues, një koprac, një i çmendur, etj. duhet një punë përgatitore e veçantë. Sepse duhet të hysh thellë, në qenien dhe gjakun e tyre, në gjithçka.

Asokohe ishin shumë në modë filmat italianë

Por kishte dhe filma francezë e amerikanë. Prej tyre u njoh me aktorët Amadeo Nazari, Raf Valone, Renato Salvadore, Zhan Maria Volonte, Zhan Gabenin e madh, të rrallin Zherar Filipi e Alen Delonin, Xhina Lolobrixhidën, Vittorio Gasman e të tjerë, shumë të mëdhenj. Artistët e mëdhenj bëjnë epokë. Ishte i tërhequr nga figurat e tyre, bota e brendshme që ata shprehnin, deri tek ecja në skenë. Yjet e ekranit janë shkolla më e përsosur për aktorët e rinj. Vittorio Gasman ishte një perfeksionist i lindur. Të dhuronte emocione të mëdha dhe kishte ndjeshmëri dhe intelekt të rrallë. Ishte perfeksionist i dialektit, paraqitjes, lojës së shkathët duke tipizuar italianin e kohës në mënyrë perfekte. Alen Deloni kishte një vështrim plot hijeshi, fytyrë të skalitur bukur, e sy që të arratisnin në fantazi. Që atëherë mahnitej nga mekanizmi dhe magjia e kinemasë. Në nëntëdhjetë minuta ndërtohej një histori e tërë jete, një eksperiencë që të jepte mesazhe tronditëse. Aty kuptoi se personazhet kryesorë nuk janë kurrë negativë. Heronjtë e filmave konkretizonin atë që ndodhte si fenomen në shoqërinë njerëzore. Figura në fillim ishte nën torturën e ndërgjegjes, e cila gjithnjë miklohej nga një gabim shoqërues e në fund ndodhte pendesa, e cila mund të shoqërohej me rrezikimin e jetës. Dhe fundi ishte kryesisht “happy end”, ose një akt tragjik që tregonte se ndonjëherë fati është tektonik dhe letal.

Tek rreket të kujtojë pragun e udhës së tij artistike, i vijnë shumë imazhe në mendje.

 I kujtohet vetja para pasqyrës ovale, që vendosej në sallon, duke bërë imitime e duke skërmitur fytyrën. Nëna,  kur e shihte  që zgërdhihej, që shihte vëngër, që përsëriste me zë të lartë ndonjë batutë, të ndonjë aktori  që i kishte mbetur në mendje, tundte kokën dhe thoshte “më iku djali”. Qeshte, egërsohej, nevrikosej e qortonte dikë, që e mendonte sikur e kishte përballë. Imagjinonte personazhe skenikë si Agamemnonin e Eskilit, mbretin Edip të Sofokliut me problemet e tij të jetës dhe drejtësisë, Hamletin dhe mbretin Lir që mashtrohej nga Goneril e Regan ndërsa vajza e vogël Kordelia e adhuronte me shpirt. Lexonte ndonjë libër dhe përpiqej të imitonte ndonjë monolog. Pra improvizonte mizanskena, monologje, shëmtira siç i thoshte më pas nëna. Më tej ajo shprehej; “Leni, mos bir i nonës, leni këto shëmtina, se je gjithë ky çun. Pse bo si budall. Ti je gjithë ky djalë të mortë të keqen nona…Lum nona mooo. Mos bo mo kështu, se të thonë paska lujt nga fiqiri.”  Këto ishin hapat e parë të tij drejt aktrimit. Fillesa e tij drejt skenës. Ëndrra më e dlirë e jetës. Burimi më i kthjellët i përroit të shpirtit dhe arsyes që fshiheshin tinëz nën shtresën amorfe të kraharorit dhe mendjes. Dhe kërkonin udhën e tyre drejt shpërthimit. Mendimtarët e mëdhenj shprehen se ëndrra është ilustrimi i librit që shpirti po shkruan për të ardhmen tënde.

Nëna  e tij e mrekullueshme

Nëna  e tij e mrekullueshme kishte të drejtë që preokupohej dhe shqetësohej, për këto “budallallëqe”. Një ditë, në shtëpinë e tyre kishte ardhur për të bujtur një kushërirë nga fshati  Vishje i Tiranës, bashkë me djalin e saj pak më të vogël se ai. Një krijesë imcake me ca mollëza që skuqnin si mollë starkinge. Gjatë një shfaqjeje të Estradës, një aktor kishte recituar disa vargje që iu ngjizën në kujtesë. Vargjet, një ditë po i recitonte përpara pasqyrës, në prani  të djalit nga fshati. “Interpretonte” gjoja, thurte e akuzonte sipas vargjeve të strofave të mëposhtme. Bërtiste, duke menduar se kështu po interpretonte mirë. Duart i shpaloste në ajër si degë pemësh nën tufan. Kraharori buçiste si qielli i skuqur nga rrufetë. Djaloshi u tremb, ia mbathi në kuzhinë, i lemerisur, ku ishte e ëma me nënën dhe tezen e tij.

“-Nanë, nanë Xhinosi, Xhinosi, Xhinosi (fshatarët e Tiranës i thonë Gogolit, Lugatit në këtë emër). Sa dëgjoi këto fjalë, ia beh e ëma me fytyrë të inatosur që e gjeti përpara pasqyrës, duke recituar. I thirri me zë të lartë:

    -Çfarë bën, mër lugat, mër shejtan, se trembe çunin. Hajde mjaft ke bërtit të keqen nona, se u lodhe. Hajde ke nona dhe boni ndonjë lojë tjetër”.

Siç e ka përmendur më lart, babai dhe xhaxhai kishin një dyqan zarzavatesh. 

Atëherë nuk kishte qese plastike. Me fletët e librave që sillnin njerëzit, me pak brumë që bëhej nga përzierja e ujit me miell gruri sajoheshin qese për të mbajtur frutat e perimet. Një ditë i tërheqin vëmendjen disa libra të shtypur e të lidhur bukur. Në kopertinën e tyre lexon një emër Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”, “Mrrizi i Zanave”, e të tjera që ndonjëherë u mungonte kopertina, pra s’kishin titull  dhe as emrin e autorit por ishin (kuptohet) pjesë e librave të poetit tonë të madh Gjergj Fishta. I lë veç dhe nuk i shqep. Sapo gjeti kohë u zhyt në lexim. Por nuk i kuptonte. Gegërishtja e tyre ndryshonte kryekëput me të folurën e Tiranës dhe me atë që mësonin në shkollë. Më vonë mëson që ata ishin libra të ndaluar. Edhe pse me frikë i fsheh larg syve të njerëzve. Nuk guxon kurrsesi t’i grisë. Libri është shenjtëri më vete dhe duhet vlerësuar si ikonë e shpirtit. I ka dhe sot në bibliotekë dhe herë pas here i nxjerr dhe i sheh me admirim. Fishta me vargjet e tij do ishte fatsjellës për artistin dhe do i sillte  emër në të gjitha trojet ku ka shqiptarë.

***

 Ëndrra për t’u bërë aktor e mbante gjallë.  Dhe ishte koshient që një ditë do bëhej realitet. Por ndërsa i kujton tani, është i bindur se, çdo artist i famshëm në këtë botë ka bërë punë të thjeshta, para se të bënte emër. Pasi mbaron shkollën teknike në Tiranë, siç ishte zakon në atë kohë, të vinte emërimi nga zyra e punës. Ishte caktuar në Peshkopi, në SMT. Grave të shtëpisë, nuk u pëlqeu fare emërimi, po s’kundërshtuan. Ndërsa atij si djalë i ri që ishte, iu duk diçka interesante. Dibra ishte me famë për pemëtarinë e saj, dhe ai mendonte se do mund të kontribuonte në ekonominë e familjes me rrogën, por dhe me frutat e prodhimet dibrane. Dhe një ditë në verën e vitit 1958, herët në mëngjes, ndërmerr rrugën për Dibër (Peshkopi) me një autobus “SKODA”-Çeke. Autobusi u mbush  plot  me njerëz. Uturinte luginave të maleve  të asaj rrugë, me gropa të thella që ia hidhnin trupin përpjetë. Një udhëtim që zgjati mbi 8 orë. Herë pas here,  atmosferën e heshtjes e zymtësisë e thyente shoferi, një djalë i ri simpatik, që këndonte për qejf të tij, këngët e bukura tiranase. Mëson më vonë, që e quanin Mentor Soraqi,  ish dibran i vendosur në Tiranë. Në Peshkopi, arrin pasdite. Pushon në një hotel, pa komoditet dhe pa entuziazmin e nisjes si mburojë. Rruga e gjatë dhe e mërzitshme, i trazoi ëndrrat e tij. Megjithatë me të gdhirë, u nis plot optimizëm drejt SMT-së, që ndodhej në periferi të qytetit.  Paraqitet në zyrën e drejtorit, i cili e mirëpriti me buzëqeshje dhe temena. Ishte një burrë babaxhan që gjatë bisedës i përsëriste shpesh të mos mërzitej, se dhe ai ishte jabanxhi nga Gjirokastra.

-Do kalosh mirë këtu, ka njerëz mikpritës, e do bësh miq shumë shpejt. Do punosh si xhenerik. Do marrësh dollapin e veglave e do flesh në fjetoren e SMT-së. Kushtet nuk janë si të shtëpisë, kuptohet, por s’ka gjë… mësohesh, mësohesh. Do adaptohesh me siguri. Një herë në dy-tre muaj, mund të shkosh në shtëpi.

Dhe kur drejtori vërejti një farë hezitimi tek ai, i hedh dorën në qafë dhe e udhëheq për nga fjetorja. Ishte mesi i verës dhe ishte koha e korrjeve të grurit.

-Ti do flesh këtu lart. Poshtë është një traktorist kombajne i vjetër, që kthehet vonë nga puna sepse korr deri vonë. Po ti fli. Do i them, të hyjë me kujdes.

Bram!-ia bëri zemra, e gjithçka iu bë terr. Ëndrra u këput si fryt i kalbur.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …