U mbajt mbledhja e 30-të e KK të Mitrovicës

Nën drejtimin e kryesuesit, Bislim Imeri  dhe në prani të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri  e  bashkëpunëtorëve të tij, është mbajtur mbledhja e 30-të e rregullt e Kuvendit të Komunës, në të cilën u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës, që më parë kishin qenë temë diskutimi në mbledhjen e KPF.

Deri në aprovimin e rendit të ditës, të propozuar nga kryesuesi Imeri, për gati dy orë këshilltarët kanë debatuar lidhur  me të dhe për çështjen e emërtimit të komunës, të propozuar nga këshilltarët e PDK-së, të cilët kërkuan që në dokumentet komunale të përdoret vetëm emri Mitrovicë, ashtu sikur ende ekziston në Statutin e Komunës, e jo Mitrovica Jugore, ashtu sikur ekziston në Ligjin mbi kufijtë administrativ të komunave.

Pas shumë debateve dhe sqarimeve, të cilat i bënë kryetari komunës dhe kryesuesi i  Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, u arrit kompromisi që KK t’i drejtohet MAPL-së, që të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës, që të ndryshohet Ligji, neni 5 dhe pikat 4 dhe 5 të tij, në pjesën që ka të bëj me Mitrovicën, përkatësisht, që në ligj të saktësohet se formohet vetëm Komuna e Mitrovicës veriore, ndërsa të mbetet emërtimi Komuna e Mitrovicës, ashtu sikur është quajtur gjithmonë, pasi që kjo komunë është e formuar qysh moti dhe nuk është komunë e re që formohet tani.

Lidhur me rendin e ditës,  debati përfundoi ashtu që pika e dytë Draft-rregullorja për ndryshim dhe plotësim të Rregullores Nr. 01/2012 për Taksa, Tarifa dhe Gjoba Komunale, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 18/2013, të largohet dhe të përgatitet për mbledhjen e radhës të KK.

Mospajtime ndërmjet pozitës dhe një pjese të opozitës pati edhe gjatë debatit lidhur me pikën e 13-të rendit të ditës, që kishte të bëj me Raportin financiar për vitin 2015. Vërejtje patën këshilltarët e PDK-së, ndërkohë që drejtuesi, kryetari dhe përgjegjësit për financa mbrojtën raportin, duke theksuar se gjithçka është në rregull dhe se nuk ka shkelje ligjore.

Megjithëkëtë, për shkak të reagimit të një drejtori, nga fjala e të cilit këshilltarët e PDK-së u ndien të fyer, ata e lëshuan mbledhjen.

Sidoqoftë, të gjitha pikat e rendit të ditës që u shqyrtuan, u aprovuan me shumicë votash. Kështu, këshilltarët aprovuan Draft-rregulloren për plotësim të Rregullores Nr. 01/2016 për Kriteret për Vendosjen e Objekteve të Përkohshme në Hapësirat Publike; Propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës; Propozim-vendimin për ndryshim të Vendimit të Kuvendit të Komunës Nr. 02/06-6535/7 dt. 10.03.2014 për zgjedhjen e përfaqësuesve të Kuvendit të Komunës për anëtarë të Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës; Propozim-vendimin për përkrahje të filmit me metrazh të shkurtër “Dielli lindë në kohë”; Propozim për subvencionim të projektit “Ngritja e përkujdesjes shëndetësore në Komunën e Mitrovicës”.

Po ashtu, u aprovuan edhe Kërkesa e Klubit të Futbollit “Trepça” në Mitrovicë për marrjen në shfrytëzim të një autobusi; Kërkesa e Klubit të Hendbollit “Trepça” dhe Klubit të Futbollit “Australia” për marrjen në shfrytëzim të një autobusi; Plani i punës së Kryetarit për vitin 2016; Plani lokal antikorrupsion 2016-2018; Raporti i DSHPI-së për situatën ekonomike-financiare dhe realizimi i investimeve kapitale për vitin 2015, si dhe Dorëheqjen e z. Ali Ismajli nga Komiteti për Komunitete.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …