Pas një pauze të gjatë Trepça po rikthehet në temë qendrore të politikës së Kosovës. Madje, Trepça edhe nga Serbia po konsiderohet si çështje e një rëndësie të veçantë strategjike! Në garë për Trepçën e Kosovës shqiptare janë edhe grupe ndërkombëtare të interesit dhe qeveri të vendeve të ndryshme! Por, ajo që më së shumti po më bën përshtypje mua, dhe po i bënë përshtypje gjithë popullit të Kosovës, është tendenca e qeverisë që këtë temë ta mbaj larg nga qarqet me kompetencë dhe qasje profesionale, duke kufizuar gjithë debatin në një retorikë demagogjike të tipit: “Nuk negociojmë për pasuritë tona me askënd” dhe me frazeologji tjera të ngjashme, që nuk vlejnë më shumë se për një konsum ditor! Mirëpo, realiteti është kokëfortë dhe nuk mund të mbulohet dhe as të ndryshohet me frazeologji dhe propagandë politike shterpe. Trepça vazhdon të jetë e ndarë dhe e pushtuar, ashtu siç është i pushtuar i gjithë Veriu i vendit, duke e shndërruar atë në monedhë për kusuritje në të mirë dhe për interesa të elitave të caktuara politiko-ekonomike në rajon e më gjer. Shkalla e lartë e korrupsionit, mungesa e plotë e gatishmërisë dhe e fuqisë së institucioneve shtetërore për bashkimin e Trepçës i ka shembë shanset zhvillimore të saj, e me këtë edhe ato për një zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës. Fillet e shembjes së këtij kompleksi gjigant datojnë që nga vitet e 90-ta, ndërsa dinamizimin e kësaj shembjeje e “përuroi” administratori civil, Bernard Kushneri, i cili, aty nga mesi i vitit 2000 dha urdhrin për ndalimin e operimeve në Trepçë, të cila kishin rifilluar në qershor të viti 1999, ku xehtarët dhe metalurgët e Trepçës, të ndihmuar edhe nga KFOR-i, përmbysën tendencat pushtuese të Veriut dhe iu rikthyen gjigantit të tyre, i cili përtej një cope buke, për ta dhe ne, shprehte integritetin territorial dhe unitaritetin e vendit. Pra, këtu e 16 vite më parë, Kushneri, përzgjodhi një kompani franko-daneze, që “zbuloi” materie ndotëse në afërsi të uzinave të kombinatit të cilat do t’i merrte si “shkas” për ta ndaluar punën në Trepçë me euforin fluturuese, vendosi ta shpallte Trepçën “dinosaur”. Dhe si të mos mjaftonte kjo, në rrethana misterioze, në vitin 2000, do të ndodhë djegia e Elektrolizës së Zinkut. Me metalurgjinë e plumbit të mbetur në veri, dhe me elektrolizën e zinkut të djegur në jug, praktikisht, u rrënua baza prodhuese dhe e gjithë industria metal përpunuese në Kosovë
AKM-së, në cilësinë administratorit të Trepçës, përmes menaxhmentit serb në Veri dhe atij shqiptar në Jug, dhe ndikimin politik të Prishtinës dhe Beogradit, po vazhdojnë të mbajnë të ndara jo vetëm operimet minerare, por edhe ndarjen e tokës së Republikës së Kosovës dhe me te, edhe Trepçën në atë të Jugut dhe në atë të Veriut!!. Besojmë se e ardhmja e afërt do t’i jap përgjigje pyetjes: Nëse është ndarë Kosova për shkak të Trepçës apo është ndarë Trepça, sepse është ndarë Kosova? Të jemi të sigurt se riaktivizimi dhe rivitalizimi i Trepçës nuk po pengohet për shkak të “ndotjes mjedisore”, të “gjendjes teknike-teknologjike”, të “mungesës së traditës dhe përvojës në përpunimin e metaleve me ngjyra”, për “mungesë të studimit të fizibilitetit, biznes planeve dhe programit zhvillimor” ose “për mungesë të kuadrit ligjor e rregullator “, e të një mijë e një sajesave të shpikura, por se problemi rrënjët i ka tek Trepça e ndarë. Përmes Trepçës së ndarë më së miri krimi i organizuar po e defunksionalizon dhe po e mban të ndarë Republikën e Kosovës! Vetëm një çerek shekulli më parë Trepça ishte gjigant me 22 000 të punësuar që prodhonte koncentrate të plumbit e zingut, plumb të rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra super-fosfate, akumulatorë, bateri nikel-kadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte llamarine, materiale elektro-kontakti, vagoneta, elektro-lokomotiva për xehetari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehtari e produktet të tjera.
Pra, Trepça e tillë çfarë ishte, për Kosovën paraqiste më tepër se sistem ekonomik, ngase ajo mund të ishte gjigant ekonomik i përmasave rajonale. Shikojeni se si është katandisur Trepça sot!! Ajo është kthyer në një “gjigant” që vret! I gjithë aktiviteti minerar është i bazuar në prodhimin e koncentrateve sipas modeleve ekploatuese edhe më të degraduara se ato të kohës së pushtimit nazist! Ka pak shtete në botë, me përjashtim të atyre si Kongo dhe Kosova, të cilat i ka zërë “mallkimi i mineraleve”, për shkak të mënyrës se si i përbuzin ato, duke i shitur si të pa përpunuara. Kosova e këtyre 17 viteve është kujdesur që përmes vijës hekurudhore serbe dhe asaj detare të Tivarit të realizojë shitjen e miliona tonelatave koncentrate, mbetje metalurgjike dhe gjysmë produkteve tjera minerale! Prej tyre qindra mijëra tonelata të padeklaruara që shkojnë për Kinë, Holandë dhe në tregjet tjera të mineraleve!! Ky aktivitet tepër fitimprurës, rehatia që krijoi vendosja e vijës ndarëse në urën Ibër, që nga qeverisja e z. Kushner dhe papërgjegjshmëria e elitave qeveritare në mbrojtjen e integriteti territorial ka fuqizuar një rrjet shumë të organizuar dhe unik të kontrabandës dhe krimit të organizuar që kontrollohet nga “bosët” e politikës në Prishtinë e Beograd, të cilët nga njëra anë i kanë mbytur shpresat zhvillimore në Kosovë, ndërsa në anën tjetër i kanë mundësuar Serbisë që ta shtrijë aparatin e vet administrativ dhe të sigurisë në Veri të Kosovës, duke e pasur kështu më lehtë që ta bind faktorin ndërkombëtar për hisen e “saj” në Kosovë e në Trepçë!
Qeveria Mustafa-Thaçi, e zënë ngushtë nga zotimet e Marrëveshjes së Rashkës, pikërisht atëherë kur dukej dritë në fund të tunelit, u zmbrapsë para presionit dhe shantazhit të Beogradit dhe nuk e shndërroi Trepçën në pasuri publike e në pronësi të Republikës së Kosovës!! Mbetja e Trepçës si ndërmarrje shoqërore dhe e ndarë, sabotimi që iu bë procesit të reformimit e të ristrukturimit të skemave tekniko-teknologjike dhe shantazhi përmes borxheve të pretenduara ishin mjegull e krijuar enkas sipas shembullit: “ujku do mjegull’, që vështirëson kthimin e Trepçës në normalitet dhe në një shans për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. Pikërisht në këtë mjegull, këtyre ditëve kryeministri kundërkushtetues, Isa Mustafa, deklaroi se “Trepça është çështje e vështirë për t’u zgjidhur”, ndërsa Gjuriçi, në përgjigje të asaj që deklaroi Isa Mustafa, tha se: “Nuk kërkojmë asgjë të huaj, kërkojmë vetëm atë që është e jona. Kur flitet për rastin Trepça flitet për diçka që nuk ka lidhje thelbësore me pasurinë e ndokujt pos të kreditorëve të saj, e që janë firma në pronësi të shtetit të Serbisë”. Pra, është e qartë se “zhurma” që po bënë qeveria e Kosovës dhe premtimet e saj për për një ligj të veçantë për Trepçën më shumë duhet kuptuar si këmbëngulje e koalicionit, PDK-LDK për të mbajtur pushtetin, duke sakrifikuar Trepçën, se sa si vullnet dhe përpjekje serioze për zgjidhjen e çështjes “Trepça”! Paralajmërimet e mediave se nga Komisioni Evropian do të tentohet që çështja “Trepça” të futet në bisedimet me Serbinë dhe faktit se çdo gjë që është paralajmëruar më parë, sa i përket dialogut me Serbinë, në fund të fundit, ka dalë ashtu siç kanë thënë serbët, japin indikacione se Trepça do të jetë pjesë e tryezës ose e shtratit të prokustit në Bruksel! Në tryezën eventuale të bisedimeve, pala që përfaqëson Kosovën do të jetë e shantazhuar nga zotimet e koaliconit qeverisës lidhur me kmpetencat e asociacionit/bashkësisë së komunave serbe, tretmanit të veçantë që do t’i jepet komunave me shumicë serbe gjatë privatizimit si dhe shantazhet me procesin e likuidimit para të cilave me deklarimet paragjykuese të Isa Mustafa, se: “Trepça ka mbi 1.4 miliardë borxhe” dëshmon se që tani është ai është dorëzuar!
Sikur edhe vetëm këto, besojmë se janë paralajmërime të mjaftueshme që gjithë spektri politik, e veçanërisht opozita, ta vendos në krye të agjendës çështjen “Trepça”. Sepse, ajo përveç se është çështje ekonomike, ishte dhe mbetet çështje me ndjeshmëri të lartë politike dhe kombëtare për Kosovën. Futja e Trepçës si temë bisedimesh në dialogun e Kosovës me Serbinë përbën tejkalim të limiteve të atyre gjërave që mund të negociohen me Serbinë. Prandaj, detyrë mbi detyra është që të rrisim presionin publik, që edhe minierat e Trepçës të kthehen në pronësi publike, me qëllim që të mundësohet transformimi i tyre, e më pas edhe likuidimi i aseteve të mbetura, ngjashëm siç është vepruar me minierat e linjitit-KEK, Ferronikelit, Sharr-Cemit, Magnezitit, etj., të cilat me rregulloret e UNMIK-ut apo më vonë me ligjet e Republikës së Kosovës janë privatizuar dhe u është mundësuar që të trajtojnë borxhet dhe kërkesat e kreditorëve pas procesit të privatizimit në kuadër të procesit të likuidimit.
Opinioni publik duhet ta ketë të qartë se bisedimet me Serbinë për Trepçën do të nënkuptonin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, ngase Kushtetuta, përkatësisht neni 121, pika 3 dhe 122 e paragrafit 1,2 dhe 3 e konfirmon se të gjitha pasuritë e Kosovës, ligjërisht i takojnë vetëm Republikës së Kosovës. E drejtë kjo ndërkombëtare e garantuar me vet Pakon e Ahtisarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Deklarata e z. Mustafa se “duhet shikuar çfarë të bëjmë më Trepçën” rrjedhimisht është tendencë për obstruksion të kësaj të drejte kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe nëse lejohet të ndodh, do të thotë dorëzim para rrënuesve të shtetësisë së Kosovës. Shoqëria shqiptare në Kosovë duhet ta mbajë parasysh se pa Trepçën unike dhe në pronësi të Republikës nuk mund të ekzistojë as Kosova unike dhe stabile, nuk mund të ketë siguri ekonomike dhe as siguri politike.
E kaluara e afërt na mëson se sa herë është aktualizuar çështja “Trepça” pasojat në rrafshin politik kanë qenë me efekte të mëdha shkatërruese dhe, si gjithmonë, duke krijuar pasoja për rajonin e Ballkanit e më gjerë. Trepça është një detyrim i madh i yni, që thërret për bashkim dhe mobilizim. Ajo është AMANETI i brezave që fle dhe zgjohet me Kosovën!