Hidajet Hasan Mazreku (24.10.1975 – 31.3.1999)

Hidajet Hasan Mazreku (24.10.1975 – 31.3.1999)

Dëshmori i kombit Hidajet Mazrekut, u lind më 24 tetor të vitit 1975 në fshatin Drenaj të Rahovecit pasi që i ati, Hasani, ishte shpërngulur prej Gurishti të Malishevës me detyrë të imamit në Drenaj. U rrit në një familje të varfër, por me traditë për pjesëmarrjen e të parëve në lëvizjet e rezistencës kombëtare. Më 1984 Hidajeti mbetet pa babain dhe familja tij kthehet në Gurishtë, kurse nënës, Fatimes, i mbeti barra që me skamje e varfëri të skajshme, si nënë me shumë fëmijë e pa ekonomi familjare në fshat, t’i rritë Sefedinin, Tahirin, Nysretin, Jahirin, Hidajetin, Sinanin, Sadatin dhe bijat Haxheren e Veziren.
Shkollën fillore, Hidajeti e vazhdoi në fshatin Pagarushë. Gjatë mësimeve të para në shkollën fillore ai shquhej si nxënës i zellshëm prandaj edhe për çdo vjet, për sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore shpërblehej nga shkolla. Shkollën e mesme e vazhdoi në gjimnazin e Malishevës, e këtu krahas mësimit shquhet edhe me aktivitetin patriotik të cilin e zhvillonte në shkollë dhe jashtë saj në kuadër të aktiviteteve të rinisë shkollore. Ai vizatonte bukur portrete të veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe po këto edhe i skaliti në allqi dhe kështu u bë një skulptor i njohur, por afirmohet edhe si krijues i ri në fushën e letërsisë, ndërsa vjershat i botonte në gazetat e murit dhe në shtypin për fëmijë. Punimet i ekspozonte në lokalet e shkollave fillore të Llapushës dhe me këtë veprimtari ndikonte në përhapjen e dashurisë ndaj formave të organizuara të rezistencës kombëtare. Pas përfundimit të gjimnazit punoi bustin e veprimtarit të çyshtjes kombëtare shqiptare, Abdyl Frashëri, meqenëse gjimnazi mbante emrin e tij. Por krahas shumë monumenteve të Malishevës, edhe ky bust nuk u shpëtoi hordhive të egra barbare. Kishte dëshirë të studionte në Universitetin e Prishtinës, sidomos në degën e mjekësisë.
Ëndrra e tij u realizua dhe kështu Hidajetin e gjejmë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në Universitetin e Prishtinës Hidajeti organizohet në lëvizjet patriotike të çerdhes së Fakultetit të Mjekësisë profesorit, Dr. Shpëtim Robajn, e së bashku me Dr. Lec Lecin, Agron Krasniqin, Azem Babiqin, Imri Halilin, Nijazi Zenunin, Sejdë Gërxhaliun, Visar Krasniqin, të gjithë dëshmorë të kombit dhe me shumë stundentë të mjekësisë, sot mjekë, e veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familja e Hidajet Mazrekut ishte e njohur për mikpritje e bujari, për trimëri dhe atdhedashuri, ngase të parët e saj ishin pjesëmarrës të dalluar në të gjitha format e organizuara të rezistencës ndaj pushtuesve, veçanërisht shquhej Hazir Guriqi i njohur në këngët popullore historike kundër Reformave të Tanzimatit, prandaj Hidajeti qysh si i ri ëndërronte për vendlindjen e për të parët e tij që gjithmonë ishin në krye të aradhave të luftës.
Si student i mjekësisë, krahas literaturës profesionale, e krahas përgatitjtjes serioze të provimeve, Hidajeti lexon edhe literaturë me përmbajtje patriotike, vjersha të shkrimtarëve të Rilindjes Kombëtare e materiale nga historia e lëvizjeve tona kombëtare të cilat ndikuan në formimin e portretit shpirtëror të tij. Këto, krahas rrëfimeve të të atit, mulla Hasanit dhe të xhaxhait, Durak Mazrekut, një ndër mësuesit e parë, e frymëzuan Hidajetin dhe i ndihmuan në orinetimin e drejtë kah rezistenca e armatosur. Si i ri, së bashku me vëllezërit Sefedinin, Tahirin, Nysretin, Jahirin, Sinanin e Sedaditin, mori pjesë në protestat dhe demonstratat që organizoheshin nga studentët dhe popullata shqiptare e Kosovës, në fillim në Rahovec e Malishevë e pastaj edhe në Prishtinë.
Veprimet kriminele të policisë serbe, çdo ditë e më tepër Hidajetin e mbushin me urrejtje ndaj atij regjimi kriminal serboçetnik. Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë dhe aktiviteti i saj luftarak e çlirimtar në Kosovë, për Hidajetin, por edhe për vëllezërit, Jahirin dhe Sinanin, kishte një domethënie të madhe. Rrëfimet që i kishte dëgjuar më herët për trimat shqiptarë dhe për momentin e paraqitjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, studentit të mjekësisë i dhanë zemër, frymëzim e forcë që edhe ai vetë ta marrë pushkën dhe t’u bashkohet vëllezërve në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të batalioneve të komandantit legjendar Adem Jashari. Ai ndërpret studimet në vitin e katërt dhe u bashkohet vëllezërve Jahirit e Sinanit, ku radhitet në Brigadën 122 “Imer Krasniqi” të Zonës Operative të Pashtrikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me nofkën “Mjeku”. Përveç mantelit të bardhë e çantës me materiale sanitare për ndihmë të parë, Hidajeti mbante pushkën dhe shquhej si luftëtar trim dhe i gatshëm për sakrificë. Ai mori pjesë në shumë aksione. Ishte i lumtur dhe krenar që ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ëndërronte që si çlirimtar, me mantel të bardhë e me betimin e Hipokratit t’i ndihmojë kombit të vet për çlirim nga sundimi shekullor serb.
Vështirësitë që i sillnin momentet e luftës, sidomos arrestimi dhe kapja nga pushtuesi i të vëllait, Jahirit, pas betejës te “Rrasat e Rahovecit” e pas luftimeve në “Arat e Dulës”, më 26 e 27 korrik të vitit 1998, atë nuk e dobësuan asnjëherë, përkundrazi i dhanë forcë e ia shtuan ambiciet që Kosova të çlirohet sa më shpejt, prandaj vepronte nëpër fshatrat e Llapushës më shumë si komesar dhe kërkonte organizim e masivizim të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht rreizkut për Jahirin e burgosur që vuante nëpër kazametet e Dubravës, Lypjanit, e Nishit, e për Sinanin luftëtar në formacionet përreth Bjeshkëve të Zatriqit.
Por në fund të marsit të vitit 1999, forcat serboçetnike ndërmorrën një ofensive të ashpër në disa fronte, veçanërisht në Zonën Operative të Pashtrikut. Këto janë ditët më të përgjakshme në Frontin verior të Anadrinit kur përjetësohen: Fadil Ferati, Gani Bajrami, të Qëndresës, Latif Shukaj, Lulëzim Bylikbashi, Mirsad Musaj, Behxhet Hoti, të Samadraxhës, Bahtjar, Xhelal e Sylejman Gashi, të Hoçës së Vogël, Ramadan Mazreku i Retisë, Rifat Dina i Celinës, Ramadani, Shabani, Sulejmani dhe Muharrem Sadiku të Mamushës, Shefki Thaçi i Rogovës, Mejdi Xhaferi i Mirosalës së Ferizajt, Milazim Kiçina i Bajicës së Drenicës, Shukri Hoti, Xhavit Hoti e Xhemali Hoti nga Krusha e Madhe, Qazim, Zabit dhe Fahredin Shabandula, të Rahovecit, Hamdi Gashi i Semetishtit, Skënder Bytyçi i Nishurit, Xhavit Syla i Sllapuzhanit, Xhevdet Morina i Astarzupit, Nuhi Geci i Llaushës së Skënderjat, Indrit Cara i Kavajës, Fadil Krasniqi i Rudinës, Fatmir Krasniqi i Pagarushës.
Ushtria serboçetnike synonte ta thyente rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 31 mars të vitit 1999, në grykën e fshatit Semetisht të Therandës, trimat e lirisë ndeshen ballë për ballë me forcat armike. Aty në një betejë të afërt, duke depërtuar prej Semetishti në ndrejtimin Nishor-Kasterc, buzë lugu nga bëhej depërtimi, në një cep të rrugës, kah ora 8:00, duke u qëlluar prej snajperëve që vinin nga Gallusha dhe “Pika 00”, u përjetësua “Mjeku”, dëshmori Hidajet Mazreku. Luftëtarët e lirisë të Brigadës 123, arrijnë ta tërheqin trupin e tij dhe e përcjellin për në amëshim. U varros në Lagjen e Brahajve të fshatit Nishur. Më vonë trupi i tij rivarroset në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Malishevës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …