Gjermania jep donacion të rëndësishëm për FSK-në

Gjermania jep donacion të rëndësishëm për FSK-në

Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së në Prishtinë, sot u mbajtë ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit në pajisje mjekësore nga Republika e Gjermanisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, paraprakisht priti në zyrën e tij, ambasadorin e   Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Joern Rohde. Në fillim ministri Quni e uroi ambasadorin Rohde për detyrën e re dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të Gjermanisë ndaj Kosovës. Ai theksoi, se edhe donacioni që pranojmë sot është në vazhdën e ndihmës së madhe të Gjermanisë, ministrisë së saj të mbrojtjes dhe forcave gjermane për ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin në stadin aktual të ministrisë dhe forcave tona. Ministri Quni vlerësoi lart edhe angazhimin e oficerëve dhe nënoficerëve gjerman në kuadër të ekipit të NALT nën lidershipin e gjeneralit Best i cili vazhdon traditën e paraardhësve tjerë me profesionalizëm dhe efektivitet të lartë.  “Gjermania si vend mik yni, është njëri ndër partnerët tanë kryesor strategjik dhe se sukseset tona të deritashme, bashkë me partnerët tjerë, janë të arritura të përbashkëta”. Nga ana e tij, ambasadori Rohde, ritheksoi zotimin e Gjermanisë për vazhdimin e mbështetjes së FSK-së për të arritur objektivat e saj zhvillimorë dhe shprehu konfirmimin për intensifikimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral. Gjatë takimit ministri Quni shoqërohej nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtori i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.

Pas takimit, ministri Quni dhe ambasadori Rohde, morën pjesë në ceremoninë e pranim- dorëzimit donacionit me vlerë prej 500 mijë € në Regjimentin e Mjekësisë, respektivisht Qendrën Mjekësore të FSK-së. Nga ana e tij, gjeneral Rama e falënderoi ambasadorin Rohde dhe stafin ushtarak gjerman për angazhimin e tyre të madh për këtë donacion dhe të gjitha donacionet dhe kontributet e tyre të deritashme për ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së. Ambasadori Rohde gjatë ceremonisë para të pranishmëve tha: “Është kënaqësi e veçantë që sot, gjatë vizitës time të parë në Ministrinë e Mbrojtjes, në emër të Qeverisë Gjermane,  kam rastin të dorëzoj një donacion të madh me pajisje mjekësore. Ky donacion do t’i mundësoj Shërbimit Mjekësor të FSK-së për të ngritur gatishmërinë e FSK-së në mënyrë që ajo të arrijë të ashtuquajturin, kapacitet të „Rolit 1“ të NATO-s. Realizimi i këtij donacioni ka qenë një bashkëpunim gjermano-kosovar në mes të këshilltarëve gjermanë dhe ekspertëve mjekësorë të FSK-së.“. Në fund, ministri Quni shprehu rëndësinë që kanë këto pajisje për aftësimin e personelit tonë për të qenë të gatshëm gjithmonë për  reagim dhe trajtim të ndërsjellë në operacione dhe shpëtimit të jetërave të qytetarëve. “Për çdo jetë të shpëtuar do të jemi krenar së bashku” theksoi në fund, ministri Quni. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe zyrtarë dhe oficerë nga ambasada dhe forcat gjermane si dhe ata nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Donacioni i sotëm është në vazhdën e mbështetjes permanente të qeverisë dhe forcave gjermane në kompletimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së dhe shërbimit mjekësor të saj në të gjitha nivelet.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …