leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Çmimi Nobel, dhe Ironia e një propozimi!

Qeveria e Kosovës, Serbisë dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë propozuar për nominim me çmim “Nobel” për paqe!…
Nominimi është bërë nga Magnus Jacobsson, anëtar i legjislativit suedez, në cilësinë e një përfaqësuesi politik të kristian-demokratëve. Arsyetimi i Magnus ishte: ” për qasjen e përbashkët për paqe dhe zhvillim ekonomik!”, të Qeverisë së Kosovës, asaj Serbe dhe SHBA-ve. E tëra kjo, duke marrë për bazë nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Do ishte shumë absurde, që z. Magnus të ishte jashtë rrjedhave të asaj kohe, është, apo po paraqitet kaq naiv, kur Kasapi i Ballkanit, Millosheviq (pjesë e asaj Qeverie gjakatare, ishin edhe vet Vuçiq e Daçiq), që kishin larë në ploje gjaku popujt e Ballkanit si: Sllovenët, Kroatët, Boshnjakët dhe Shqiptarët, duke vrarë, mbi 300 mijë gra, pleq, fëmijë, duke përdhunuar e djegur çdo gjë para vetes, duke dëbuar qindra e mijëra veta nga shtëpitë dhe trojet e tyre, duke fshehur mbetjet e mijëra të zhdukurve, të cilët as sot, Qeveria Serbe e Vuçiqit dhe Daçiqit (të nominuar nga ana juaj për Nobel), nuk denjojnë t’i kthejnë për t’ju pushuar eshtrat në tokën e vet.

– z. Magnus, sa ironike, po aq sarkastike është propozimi juaj për çmimin Nobel; sa është për të qeshur, aq është për të qarë, madje për të qarë një ditë të tërë!…
– z. Magnus, me siguri se nuk keni harruar se vetëm në Serebrenicë, janë vrarë mbi 8000 burra, të gjithë civil, të paarmatosur, të zënë rob, të lidhur me tela, të ekzekutuar pa gjyq, me plumb pas koke, vetëm e vetëm pse ishin Boshnjak!…

z. Magnus, kam vetëm një pyetje:

– Po sikur në Suedinë tuaj, me urdhër të Qeverisë, të vriteshin 8000 pëllumba, 8000 qengja, 8000 drenusha, çka do thoshte Qeveria Suedeze, çka do thoshte bota, Amerika, Rusia dhe Evropa, që për boshnjakët nuk po e thonë dot, as sot?!…

– z. Magnus, vetëm në Kosovë, janë vrarë mbi 15 mijë civil, të të gjitha moshave dhe gjinive, janë përdhunuar me mijëra gra e vajza, janë vrarë mbi 1500 fëmijë, kemi ende të zhdukur mbi 1700 viktima, janë mbi 500 mijë shtëpi e ekonomi të djegura, shkatërruara dhe plaçkitura.
Qeveria Serbe, deri me sot, as ka denjuar, që shqiptarëve t’ju kërkoj falje për krimet që ka bërë mbi ta, e lërë më të bëj zhdëmtimet e dëmeve të luftës, madje edhe sot, Qeveria Serbe kërkon arrestimin dhe dënimin e qindra shqiptarëve, që ajo i ka vënë në listat e Iterpoilit e të tjerë shqiptarë, që ende po i mbanë nëpër burgjet e saja!

– z. Magnus, shih në Komunat shqiptare të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, gjendjen e shqiptarëve autokton atje- rastin më të freskët: kërkohet dënimi i kryetarit, z. Ragmi Mustafa, vetëm e vetëm pse ai fletë shqip, dhe pse ngriti flamurin kombëtar në shtëpinë, Institucionin dhe tokën e vet!… dhe për të qenë ironia juaj kaq e pa precedencë: ju kërkoni çmim Nobel për pjesëtarët e një Qeverie vrasëse të cilës sot i mungon vetëm Millosheviqi!
Këtë kërkesë, ju e bëni krejt hapur e publikisht për një marrëveshje qarkullimi trenash, avionesh dhe ndërtimi autostradash, të cilat Serbia nuk do t’i njohe e zbatoj asnjë herë, për aq sa ka zbatuar që 20 vite e këndej.

– z. Magnus, nuk e di nëse është koincidencë rasti kjo; pikërisht kur ju keni bërë këtë propozim, shënon 17 vjetori i vrasjes së zonjës së nderuar Anna Lindh. Ishte pikërisht 11 shtatori i vitit 2003, kur zonja. Anne Lindh, Ministre e Punëve të Jashtme të Qeverisë Suedeze u vrau me thikë, e vrau mizorisht e krejt gjakftohtë, në mes të Stokholmit, serbi Mihajlo Mihajloviç- motivi: pse ajo dhe Qeveria Suedeze kishin njohur pavarësinë Kosovës!…
z. Magnus, 11 shtatori, thotë po aq shumë edhe për vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo koincidencë e djallëzuar me 11 e rreth 11 shtatorit!…
Propozimi juaj për çmim Nobel, vë në një rrafsh agresorin me viktimën, gjetje e pështirë dhe absurde kjo, të cilën e gjëni vetëm ju, z. Magnus- kompliment!…

Shqiptarët, si gjithmonë dhe të pa luhatur: duan lirinë e vet dhe respektojnë lirinë e tjetrit, duan zhvillimin dhe progresin e gjithmbarshëm, duan paqe me të gjithë fqinjët paqedashës, nuk ngërthejnë në gjenet e tyre urrejtje për të tjerët, gjërat nuk i shohin vetëm nga ana e zezë.
Në të kaluarën, bota ka përjetuar tmerre edhe më të rënda, ne shqiptarët, edhe pse kemi përjetuar gjërat ndër më të tmerrshmet mbi kurrizin tonë, nga pushtuesit Serb, që nga zbritja e tyre prej Karpateve në Ballkan e deri tek Qeveria aktuale në Beograd, të vetëdijshëm se tek populli serb ka edhe njerëz dhe shpresa që botës do t’i sjellin paqe e qetësi, siç janë zërat e guximshëm që i thërrasin arsyes si: Natasha Kandiç, Sonja Biserko, Çedomir  Jovanoviç, Nenad Çanak i komunitetit hungarez e dhjetëra tjerë. Këto figura politike dhe humane, janë para së gjithash shpresa për një Serbi të lirë e cila do të marrë frymë e liruar nga urrejtja patologjike kundër të tjerëve.
E qartë, tani për tani, jo, përderisa ende është në pushtet Qeveria aktuale e Serbisë, në Ballkan e rajon nuk do të ketë paqe, prosperitet, zhvillim e liri të mirëfilltë, madje edhe propozimi juaj për çmim Nobel, që keni ngatërruar “paqen me ekonominë!”, po duket sa absurd, aq ironik!

z. Magnus, ta zëmë së edhe po të ishte ky propozim qëllim mirë, në këtë kohë e fazë të pa cak të bisedimeve, mes Qeverisë së Kosovës, Serbisë dhe SHBA-vë, si ndërmjetësues,  kërkesës suaj për të “Nobelizuar” paqen dhe marrëveshjen e pazbatuar, dhe tepër formale e cila dëmton në masë të madhe interesat vitale të Republikës së Kosovës, propozim ky, që nuk i vjen erë e mirë. Kjo iniciativë që ka një shkëlqim në formë por jo në esencë, nuk i kontribuon momentit, dhe nuk i bënë nder Kosovës, madje as Amerikës. Ky variacion inovativ, gjetura nga ana juaj, avancon para botës, vetëm Serbinë, dhe kjo të bënë me dyshua se nuk është bërë pa qëllim!…

z. Magnus, të paktën do duhej të kishit mësuar nga qasje dhe sjelljet e Qeverisë Serbe të këtyre 20 viteve të fundit, e cila obligimet e saj përballë fqinjëve të vet, në veçanti kundër shqiptarëve, nuk i ka përmbushur asnjëherë, natyrisht përderisa Qeverinë Serbe e miklon, Evropa dhe bota e hileve, tani edhe ky sihariq: Qeverisë Serbe që vrau mbi 300 mijë qytetarë në Ballkan, çmimin Nobel, po ia kërkon një jaran, toka që na mbanë!…

14-9-2020

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …