“pjesa e parë e rrëfimit e vrasjes së katër ushtarëve e plagosjes së pesë të tjerëve, nga Aziz Kelmendi si dhe vetëvrasja e tij me një plumb në kokë, ka qenë reale, ashtu si përshkruhet në versionin zyrtar, ndërsa përpjekja për ta paraqitur si plan të kurdisur, të organizuar nga ai dhe shokët e tij ushtarë ishte inskenim me qëllim për t’ i dhënë dimension politik vrasjes që do të përdorej për suprimimin e autonomisë së Kosovës, në luftë sikur thuhej kundër nacionalizmit, separatizmit dhe irredentizmit shqiptar”. (Riza Xhakli)
Në emisionin javor të TV-Diellit, i burgosuri politik i viteve 1987-2001, Rizah Xhakli ka shpalosur shumë kujtime e fakte për vrasjen, në Kazermën e Paraqinit në Serbi, më 3 shtator të vitit 1987, e cila kishte tronditur në themele ish RSFJ-në.
I dënuar nga Shkalla e parë e Gjykatës së Nishit me 15-vjet burg dhe më pas duke i rritur dënimin për vepër penale armiqësore kundër Jugosllavisë nga Gjykata supreme me 20 vjet burg, Rizah Xhakli, me disa nga shokët e tij ushtarë në armatën e pushtuesit serb në atë kohë, është në mesin e të dënuarve me dënimin maksimal, që kanë paraparë ligjet e Jugosllavisë së atëhershme.
I rritur dhe i edukuar në një familje atdhetare, e cila në vazhdimësi kishte qenë e përndjekur nga regjimet okupatore, Rizah Xhakli nuk ishte zgjedhur rastësisht të dënohej e të ndëshkohej në krye të grupit, që akuzohej se kishte ndihmuar e mbështetur, Aziz Kelmendin në vrasjen e katër ushtarëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve, në orën 3 të mëngjesit të hershëm të 3 shtatorit të vitit 1987, në Kazermën e Paraqinit.
Rizahu ka kaluar nëpër kalvarin e vuajtjeve njerëzore, në moshë të re dhe është kalitur si askush tjetër, për të qëndruar, për të mos u dhënë nga grushtet e vështirësitë e jetës, për të qenë pjesë organike e Lëvizjes për çlirim dhe bashkim, pavarësisht se veprën penale të cilën ia kishin vënë në barrë, me “rastin e Paraqinit” ai nuk e kishte kryer, por do ta kishte kryer po t’ ia kishte kërkuar Aziz Kelmendi. Ai përmend faktin se dy tri net më parë, Azizi kishte kërkuar mendimin e shokëve se a ishin të pajtimit të bëjnë diçka, por ata nuk e kishin marrë seriozisht, meqë biseda të tilla kishin qenë të shpeshta…
Vetëm pasi Azizi e kishte bërë të vetën, e kam kuptuar se çka kishte pasur përnjëmend, të bënte sepse njerëzit që e bëjnë historinë, në momentin e caktuar vendosin vetë, ashtu kishte bërë edhe Azizi. Asnjëherë nuk jam ligështuar dhe nuk kam thënë se ia pashë sherrin, se duhet ta vuaj burgun, sepse kam qenë i orientuar në rrugën e lirisë për ta luftuar pushtuesin, me çdo mënyrë të mundshme.
Ai, ka rrëfyer kronologjinë e vrasjeve në Kazermën e Paraçinit dhe pasojave të saj për ushtarët shqiptarë, për veten dhe secilin prej tyre veç e veç. Duke qenë ngjarja më tronditëse në jetë për të dhe shokët e tij, Rizahu është në gjendje të kujtojë dhe të shpjegojë madje çdo detaj, i cili inkorporohet në rrëfimin e tij krejtësisht realist, duke kundërshtuar e devalvuar versionet, sidomos të atyre që nuk kanë qenë fare të pranishëm dhe mundohen ta bindin opinionin madje edhe atë vetë se ngjarja ka ndodhur ndryshe, se ka qenë e manipuluar dhe e inskenuar krejtësisht nga regjimi.
Gjatë hetimeve ai ka mbrojtur këndin e tij për të vërtetën, por regjimi kishte konstruktuar një tjetër rrëfim, që donte me çdo kusht, ta përhapte si të vërtetën e vetme. Duke folur lidhur me këtë nyje, Rizah Xhakli e thotë me bindje e vërtetësi se “pjesa e parë e rrëfimit të vrasjes së katër ushtarëve e plagosjes së pesë të tjerëve, nga Aziz Kelmendi si dhe vetëvrasja e tij me një plumb në kokë ka qenë reale ashtu si përshkruhet në versionin zyrtar, ndërsa përpjekja për ta paraqitur si plan të kurdisur, të organizuar nga ai dhe shokët e tij ushtarë ishte inskenim, me qëllim për t’ i dhënë dimension politik vrasjes, që do të përdorej për suprimimin e autonomisë së Kosovës, në luftë sikur thuhej kundër nacionalizmit, separatizmit dhe irredentizmit shqiptar”.
Rizah Xhakli i cili ka mbajtur 14 vjet burg të tmerrshëm dhe mizor, është “enciklopedi” e gjallë, realiste, rrëfimtare e tërë historisë së ndodhur dhe të konstruktuar në Kazermën e Paraqinit e më vonë në burgun e Nishit. Ajo lidhet me shpërthimin e zemërimit revolucionar të Aziz Kelmendit, i cili i tregoi regjimit jugosllav të kohës, se përderisa vritni në tortura ushtarë shqiptarë dhe ua dërgoni familjeve në arkivol, me mbishkrimin se ka bërë vetëvrasje, dikush mund t’ i vrasë edhe ushtarët tuaj, në mënyrë që të mos vajtonin mbi arkivole vetëm nënat shqiptare por edhe ato serbe, kroate boshnjake e të tjera.
Ky ishte mesazhi luftarak i Aziz Kelmendit, i dhembshëm, tragjik për të gjithë, edhe për atë vetë, edhe për familjen e shokët e tij, por ishte vetmi për t’ ia dhënë alarmin kuptimplotë regjimit shqiptar-vrasës, pavarësisht se ishte një akt i përgjakshëm. Ishte pikërisht mesazhi i ripërsëritur i Avni Rrustemit, të cilin e kishte shprehur para gjyqit në Francë, kur kishte deklaruar se vetëm kur kërcet pushka ju në Evropë mësoni se çka po bëhet në Shqipëri dhe pastaj thoni pse ndodhi kjo. Për ta dimensionuar këtë të vërtetë, Rizah Xhakli sjellë në kujtesë takimin e parë që kishte pasur me Murat Rifat Jasharin, pas daljes nga burgu, i cili kishte thënë kur ndodhi vrasja në Paraqin, Bali Adem, (Adem Shaban Jashari) kishte thënë: “Jo po, paska shqiptar, që po ia zbrazka edhe në zemër të Serbisë”.
Rizah Xhakli është i burgosuri ndër më të veçantit. Ai që prej ditës së parë e kishte kuptuar se nuk do t’ i shpëtonte kalvarit të vuajtjeve, sepse ishte përzgjedhur për të qenë i pari, në saje të prejardhjes atdhetare nga familja por edhe qëndrimit dhe afrimit që kishte pasur me Aziz Kelmendin gjatë pak më shumë se dy muajve sa kishin qëndruar së bashku, në Kazermën e Paraçinit.
Edhe pse asokohe i ri në moshë, ai kishte mbushur 34 vjet jete kur kishte dalë nga burgu, por kurrë nuk e kishte humbur besimin në të drejtën dhe të vërtetën, gjithmonë i kishte besuar lirisë, e cila nuk do të vinte vetë. Ai iu kishte përmbajtur devizës së njohur, “Historia bëhet, pastaj shkruhet” dhe jo fillimisht të shkruhet e pastaj të bëhej vetë, me urata dhe me dy gishta përpjetë, sikur kishte provuar Lëvizja pacifiste e kohës.
Natën e tmerrshme e me pasoja të 3 shtatorit të vitit 1987, ai me sytë e tij e kishte parë sesi Aziz Kelmendi kishte shkruar një faqe lavdie të historisë, jo një faqe krimi sikur do të thoshte kreu i politikës vasale dhe i të nënshtruarve të kohës, por ishte një shpërthim që i drejtohej Jugosllavisë, duke ia bërë të ditur se edhe ne mund të vrasim, dhe nuk do të durojmë që ju të na vrisni, e ne të pajtohemi me fatin e skllavit e robit.
Habitem sesi disa njerëz kur flitet për Aziz Kelmendin e vrasjet në Paraçin mundohen të më bindin në të vërtetën e tyre, sikur unë të mos kisha ndodhur fare në ato momente, sikur të mos kisha mbajtur 14 vjet burg. Është i çuditshëm pacifizmi skllavërues i një pjese të njerëzve tanë, madje edhe tani pas luftës çlirimtare të sa e sa akteve të heroizmit të luftëtarëve tanë.
Aziz Kelmendi ka shkruar historinë. Ai nuk na kishte treguar në natën kritike, me qëllim që të mos na implikonte, edhe pse kishte qenë i vetëdijshëm për pasojat.
Ndër faktet e argumentet e pakontestueshme, Rizahu ka përmendur rastin kur ai ia kishte marrë dy karikatorë me plumba boshnjakut, Riza Alibashiq, i cili atë natë kishte qenë kujdestar. Po ashtu Rizahu tregon rastin kur ishte dhenë alarmi pas sulmit dhe kur ai kishte dalë në korridor për të mësuar se ç po ndodhte, meqë kishte menduar se ishte thënë alarm me plumba shkollorë nga komanda. Ndërkohë kishte vërejtur gëzhojat e armëve të zjarrit e jo të municionit shkollor. Në pyetjen se ç’ po ndodhte, ushtarët i kishin thënë se kishte goditur me armë ai bashkëvendësi yt, Azizi. Pastaj ka treguar momentin kur me rastin e ngarkimit të kufomave në kamion, ushtarët serbë nuk kishin pranuar ta tërhiqnin kufomën e Azizit dhe eprorët kishin urdhëruar atë ta ngarkonte në kamion me ç rast ai e kishte parë se plumbi nga arëza e fytit i kishte dalë në kokë mbi kokë me një pjesë e trurit. Duke folur për fushatën e përgjithshme antishqiptare nga krerët e ish-RSFJ-së, ai ka veçuar fjalën e Azem Vllasit, e cila ishte iu kishte komunikuar ushtarëve në rresht gjatë rivistës së mëngjesit, ku ai kishte kërcënuar: Duhet sa më parë të gjenden të gjithë organizatorët dhe të dënohem ashpër për këtë vepër kriminale të nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë. E veçoj këtë fakt se në asnjë nga deklaratat e tjera të krerëve komunistë jugosllavë nuk ishte kërkuar në mënyrë decidive zbulimi i organizatorëve. Mbase edhe kjo deklaratë e Azem Vllasit ndikoi që të na burgosnin të gjithë ne shokëve të Azizit dhe të na dënonin me dënime drakonike deri në 20 vjet burg, edhe pse asnjëri prej nesh nuk ka ditur, nuk ka qenë i organizuar, as ka marrë pjesë në vrasjen e ushtarëve. Pranimi, nga ana jonë i veprës së konstruktuar dhe të paragjykuar është bërë nga dhuna sistematike që kanë ushtruar mbi trupat tanë, gardianët dhe vetë drejtori i burgut e ndonjëri nga inspektorët.“
…
Jeta e mundimshme e Riza Xhaklit dhe e bashkë-vuajtësve të tij, përgjithësisht atyre shqiptarë, nga burgu në burg, nga hetuesia në hetuesi, nga gjyqi në gjyq është vetë historia e protagonistit real të pathyeshëm, historia e revolucionarit shqiptar të kohës, që nuk përpëlitej duke u molepsur në dilema pacifiste, por ishte i bindur se rruga e historisë kurdoherë ishte hapur dhe hapej me shpatë në dorë, apo me plumbin e dalë nga grykë-holla dhe jo duke pritur, duke kërkuar lëmoshë e mëshirë, sepse liria nuk falet as nuk dhurohet, ajo fitohet, ashtu sikur edhe ishte fituar.
Në bisedën e tij në studion e TV-Diellit, veprimtari, Rizah Xhakli ka shpalosur shumë kujtime nga jeta në burg, njohja me të burgosurit politikë nëpër burgje e kazamate, që asokohe ishin me qindra e mijëra, kalitja fizike e shpirtërore, qëndrimi vertikal i shumicës dërrmuese të tyre, gatishmëria për sakrificë deri në flijim, besimi i patundur në fitore dhe ajo që i kishte bërë kurdoherë përshtypje ishte se të gjithë ishin treguar të pathyeshëm, në raste të veçanta kishte ndonjë që ishte luhatur, por ajo nuk kishte quar peshë. Ai në burg kishte qëndruar edhe me të kidnapuarit shqiptarë nga regjimi shqiptarë-vrasës i Milosheviqit gjatë kohës së luftës, të cilëve edhe u kishte ndihmuar me sa kishte mundur, meqë ai ishte i burgosur “veteran” dhe kishte zgjeruar rrjetin e komunikimit duke i korruptuar gardianët. Ai u dërgonte libra shokëve në dhomat e tjera. Disa nga ato ia kishte dërguar edhe Albin Kurtit, duke e korruptuar një gardian. Po ashtu ai kishte korruptuar gardianin që ia kishte blerë edhe telefonin mobil, me të cilin komunikonte me familjen por edhe u jepte shokëve të burgut për të kontaktuar me familjet e tyre.
….
Gjykata Supreme Ushtarake në Beograd, me aktgjykimin II K nr. 98/88 më 20 prill 1988, ua kishte rritur dënimin me burg të gjithë të dënuarve në atë proces gjyqësor, i cili kishte për qëllim ta thellonte luftën kundër “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, me qëllim edhe të abrogimit të autonomisë së Kosovës.
Gjykata e Shkallës së Dytë u kishte shqiptuar këto dënime:
Rizah Xhaklin, e kishte dënuar 20 vjet burg,
Abdylxhemil Alimanin po ashtu 20 vjet,
Afrim Mehmetin, 13 vjet,
Pajazit Aliun, 13 vjet,
Shefqet Paqarizin, 7 vjet,
Enver Behlulin, 5 vjet,
Islam Mahmutin, nga Gjakova, 2 vjet
dhe Riza Alibashiqin, me kombësi boshnjake, 14 vjet burg.
(Bisedën me Rizah Xhaklin në studion e TV-Diellit e ka zhvilluar, profesor, Ahmet Qeriqi).