Afërdita Dervishi

Afërdita Dervishi: SHTETI I SERBISË TË DËNOHET PËR GJENOCID!

Gjykata Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit në ish-territorin e Jugosllavisë, është ngritur nga Kombet e Bashkuara, për të vënë në vend drejtësinë. Kjo gjykatë, zërin e kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të vrarë e të masakruar, e dëgjon varësisht nga trysnitë politike ndërkombëtare dhe nga planet globale për rajonin, ku Serbia fashiste ka bërë tri luftëra me përmasa gjenocidi. Mirëpo, pa zbardhjen e krimeve që ka bërë Serbia pushtuese, as nuk ka drejtësi, as eshtrat e të rënëve tanë pa ardhur në tokën e tyre, tashti të lirë, nuk kanë qetësi.

Haga dhe drejtësia

Lideri i serbëve të Bosnjës dhe presidenti i Republika Srpska, Radovan Karaxhiqi dënohet me 40 vite burg vetëm për gjenocidin e bërë në Srebrenicë. Këtë gjenocid, këtë kasaphanë, ai nuk e bëri i vetëm, e bënë forcat serbe të orkestruara nga Beogradi, me planet strategjike të Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe të Kishës Ortodokse Serbe. Prandaj, SHTETI i SERBISË DUHET TË DËNOHET PËR GJENOCID, nga kjo GJYKATË NDËRKOMBËTARE PËR KRIME LUFTE me seli në HAGË!

Serbia nuk mund të shfajësohet se nuk ishte pjesë e kësaj masakre duke i hedhur hi syve të tjerëve, se gjoja paskësh kaluar një rezolutë në Parlamentin e Serbisë, për gjoja kërkim falje, duke thënë se nuk paska mundur të parandalojë krimin. Kjo farsë ndodhi në vitin 2010, kur Serbia po përballej me presion ndërkombëtar për dorëzimin e kriminelëve të luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe për luftën në Kosovë. Sepse, ajo, Serbia me këtë akt, bënte dy veprime. Së pari, niste rrugën e bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte, duke vepruar me dinakëri që të mos shpallej shtet me krime gjenocidi, pra të mos bëhej shtet kriminel. Së dyti, ky shtet që ka kryer gjenocid dhe do të duhej të dënohej për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, duke pasur mbështetjen e Rusisë ortodokse, ka vënë në sprovë drejtësinë e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos drejtësinë evropiane, duke barazuar viktimën me kriminelët.

Fjala ‘gjenocid’ nuk ekzistonte para vitit 1944. ‘Gjenocid’ do të thotë, krime të dhunshme, të kryera ndaj grupeve, me qëllim që të shkatërrohet ekzistenca e këtyre grupeve. (Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e vitit 1948, lidhur me të drejtat e individit). Pra, që nga Lufta e Dytë Botërore, Evropa nuk ka përjetuar vrasje masive me përmasa gjenocidi, si krimet më të rënda kundër lirisë dhe jetës së njeriut, deri në luftën e Bosnjës dhe të Kosovës.

Millosheviqi dhe Karaxhiqi

Lufta në Bosnjë ka zgjatur vite e vite tmerri, të papara deri atëherë në luftërat çlirimtare. Në vitin 1993, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte vendosur ushtarët e KB, për të ruajtur popullatën boshnjake. Megjithatë, në korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë 8372 civilë boshnjakë të pafajshëm në Srebrenicë, brenda vetëm dy ditëve dhe dëbuan 20000 të tjerë, para syve të ushtarëve të Kombeve të Bashkuara, disa prej të cilëve edhe i kishin lidhur për shtylla të energjisë elektrike. Masakra është bërë me urdhër të këtij Radovan Karaxhiqit, i cili jo vetëm që ishte strehuar në Serbi, jo vetëm që kishte ndërruar identitet, por edhe ishte mbajtur dhe ishte mbrojtur nga forcat e sigurisë së Serbisë. Fatkeqësisht me Marrëveshjen e Dejtonit, u copëtua Bosnja e Hercegovina në tri entitete.  Republika Srpska u ndërtua mbi gjakun e derdhur të Srebrenicës dhe krimin gjenocidal të Serbisë.

Mirëpo, dihet botërisht, si edhe Millosheviqi, edhe Radovan Karaxhiqi nuk ka vepruar vetëm, ai nuk ka vrarë e masakruar, nuk ka dhunuar dhe përulur çnjerëzisht mbi 20.000 boshnjakë për një ditë në Srebrenicë, dhe as mijëra e mijëra të tjerë anë e mbanë Bosnjës e Hercegovinës gjatë asaj lufte shfarosëse. Si edhe Milosheviqi, edhe ai i printe një armate të tërë, ushtarësh, paramilitarësh, mercenarësh e kriminelësh të liruar me urdhër suprem nga burgjet serbe, të dënuar për krime, për vrasje, për masakrime, për dhunime. Me këto krime ata përulen në mënyrën me çnjerëzore dhe më barbare popullin boshnjak, popullin kroat dhe popullin shqiptar, në ato tri luftëra të përgjakshme që shkaktuan vetëm për të krijuar Serbinë e Madhe, sipas programeve të Akademisë Serbe të Shkencave.

I njëjti skenar, edhe më tragjik, edhe më masakrues, në vitet 1997-1999 është zbatuar në Kosovë, me poshtërime, dhunime, masakrime, gjenocid i përmasave tmerruese, për të cilin as sot e kësaj dite nuk flet kush në botë, por nuk flasin as si duhet e as sa duhet as shqiptarët, e as organet pushtetore të shtetit të Kosovës dhe të shtetit shqiptar, Shqipërisë. Ne që përjetuarm luftën e Kosovës, e mbajmë mend se bënim lutje duke e parë vdekjen me sy që të na marrë plumbi, vetëm e vetëm që të mos përjetojmë dhunën, masakrat, dhunimet dhe krimet e terrorit serb.

Carla del Ponte dhe Florence Hartmann

Dy protagoniste që ishin caktuar të ndanin drejtësinë kundër gjenocidit serb në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Por njëra, Carla del Ponte, e kishte shitur shpirtin, ndërgjegjen dhe drejtësinë për favoret që vetëm ajo e di sa e si i ka pasur nga Serbia fashiste. Kurse, ish-zëdhënësja e Prokurorisë së Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Krime në ish Jugosllavi, Florence Hartmann, kishte hetuar dhe kishte gjetur prova se po shkelej drejtësia, me guxim të pashoq, nxori në shesh dokumente të Gjykatës Ndërkombëtare të Tribunalit të Hagës, me të cilat dëshmoheshin krimet serbe.

Akuza per Florence Hartmann dhe burgojsa e saj, ditën që i shqiptohej dënimi Karaxhiqit, në të vërtetë është presion dhe mbjellje e frikës për ata që nuk ju nënshktrohen manipulimeve politike, në kurriz të gjakut të derdhur të popujve që luftojnë për liri, të masakrave, të krimeve dhe të mungesës së drejtësisë ndërkombëtare. Kjo intelektuale nxori në shesh dokumentat e gjykatës. Ajo nderoi veten e saj para njerëzimit dhe para Zotit, pasi bëri publike dredhitë e bëra në mes të Carla Del Ponte dhe të shtetit të Serbisë, në mënyrë që të fshiheshin gjurmët e krimit serb, të gjenocidit serb dhe, të fshehjes së përdorimit të metodave barbare e çnjerëzore, të cilat ishin zbatuar kundër popullit kroat, boshnjak dhe popullit shqiptar. Në veprën e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, ajo thekson se ‘zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e e armatës së tyre dhe të organeve të punëve të brendshme, nuk duhej të dorëzoheshin në Gjykatën e Hagës, edhe pse kishin obligim ligjor ndërkombëtar, sepse në atë mënyrë do të zbulohej organizimi, programimi dhe arsenali ushtarak shfarosës ndaj këtyre popujve. (Shih: Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i Madh, Tetovë, 2015).

Kur në Hagë burgosej një intelektuale me dinjitet, disa medie tona, këtu në Kosovë, duke u mbështetur në shkrimet e gazetave dhe portaleve të Beogradit, nuk kanë njohuri se çka kishte vepruar dhe çka kishte shkruar zonja e nderuar Hartman, por e cilësojnë si një antishqiptare, kur dhet se Akademia Serbe, shtypi serb dhe portalet serbe, gjithmonë kanë shtrembëruar të vërtetën dhe kanë përhapur urrejtje. Le të kujtohet vetëm rasti “Panda” në Pejë, kur vetë serbët i kanë vrarë pesë fëmijë serb, vetëm për ta akuzuar UÇK-në, dhe për të mbjellë urrejtje patologjike kundër popullit shqiptar. Prandaj, mediet shqiptare, para se të bëjnë publik një lajm duhet të kenë kujdes nga ku i marrin informatat, sepse në të kundërtën bëhen ‘portparol’ të medieve serbe.

Gjykata dhe tribunale vetëm për shqiptarët

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, u gjykuan shqiptarët, të cilët edhe pse kishin bërë luftë çlirimtare, akuzoheshin për krime lufte, sigurisht nën trysninë e akuzave të shtetit serb dhe të argatëve të tyre shqipfolës. Nuk mjaftoi vetëm kjo gjykatë ndërkombëtare. Duheshin edhe gjithë ato gjykata të UNMIK-ut e të EULEX-it, ku hapeshin procese vetëm për shqiptarët që kishin luftuar për liri. Tashti po krijohet edhe Gjykata Speciale, se edhe Lufta e UÇK-së paska bërë krime lufte, duke mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen dhe dinjitetin. Do të thotë, gjykatë mbi gjykata, thuajse shqiptarët nuk kanë bërë luftë për liri dhe për çlirim, por kanë bërë luftë pushtuese, si serbët.

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, urgjentisht, duhet të deponojnë padi në Gjykatën e Hagës për dënimin e shtetit të Serbisë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, në bazë të Konventave Ndërkombëtare për krime të luftës dhe për krime kundër njerëzimit. Gjithashtu, të deponohet padi për dëmshpërblimin e dëmeve të luftës, në mënyrë që Serbia të mos e quaj më Kosovën si djepin dhe zemrën e Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …