Vezir Hazir Kolshi (17.1.1970 - 1.4.1999)

Vezir Hazir Kolshi (17.1.1970 – 1.4.1999)

Radhëve të luftës për clirimin e Kosovës, qysh në fillim, iu ashkua edhe rinia atdhetare e Baicës së Kolshit, fshat në pjesën jugore të Drenicës. Ky fshat, i njohur për traditë bese e trimërie, luftës së UÇK-së i dha dëshmorin e kombit: Vezir Kolshi, ndërsa gjatë kohës së luftës kanë qenë radhitur tridhjetë ushtarë të përkushtuar të UÇK-së. Baica ashtu sikurse tërë fshatrat e Drenicës, u dogj dhe u dëmtua rëndë nga forcat piromane serbe, por banorët e saj asnjëherë nuk u larguan nga fshati. Në kohën e ofensivave, ata mësynë grykat e maleve, ku edhe mbijetuan deri në fund të luftës.

Gjatë ofensivave të verës së vitit 1998, forcat serbe kanë vrarë Rashit Canin, i lindur në vitin 1960. Janë plagosur gjatë luftës: Khemë Krasniqi, Smajl Krasniqi dhe Mehdi Bajraktari.

Veziri lindi më 17 janar të vitit 1970 në familjen e varfër, por me traditë atdhedashëse të Hazir Kolshit. Babai Haziri dhe nënë Drita rritën dy bijtë, Vezirin e Nezirin dhe bijat, Elmazen e Nurien.

Mësimet e para, Veziri i mori në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren e ka mbaruar në fshatin Shalë (ish-Sedllar). Duke qenë pjesëtar i një famil-jeje të varfër, Veziri shkon në Gjermani, me qëllim për të zënë punë dhe për të ndihmuar mëkëmbjen dhe ngritjen e familjes. Ka punuar punë të ndryshme fizike në Keln të Gjermanisë.

Me fillimin e luftës në Drenicë, Veziri me bashkëmendimtarë të tjerë vë kontakt me kuadrot e UÇK-së në Gjermani dhe vendos për t’u kthyer në Kosovë, me uniformën e UÇK-së dhe i armatosur.

Veziri ka hyrë në Kosovë në maj të vitit 1998, së bashku me 7 luftë tarë të tjerë të rajonit të Llapit. Fillimisht, sistemohet në shtabin e Gllogjanit ku qëndron disa ditë. Pastaj, së bashku me luftëtarë të Dukagjinit dhe të Zonës së Llapit, sistemohet në një pikë luftarake afër Deçanit. Pas një kohe të qëndrimit dhe luftimeve të ashpra në Dukagjin, Veziri sistemohet në shtabin e Rahavecit.

Nga Rahaveci arriti në Negroc të Drenicës. Atje, pas qëndrimit disa ditësh në njësitin “Pëllumbi”, luftëtari Bajram Thaçi e përcolli deri në fshatin e lindjen, në Baicë që përfshihet në territorin e komunës së Lypjanit.

Veziri erdhi në fshatin tonë, dy tri ditë pasi kishte rënë pika ushtarake e Bajrakut, në kohën kur forcat serbe kishin depërtuar deri në, Kleçkë, më 25 gusht të vitit 1998, thotë bashkëluftëtari i tij dhe njëri ndër luftëtarët e parë të lirisë nga ky fshat, Fadil Kolshi.

Baica tashmë kishte shumë luftëtarë që ishin kalitur nëpër beteja. Shquheshin në mesin e tyre: Fadil dhe Halil Kolshi, Vezir Kolshi, Skënder Bylykbashi, Agim Bylykbashi, Ramadan Krasniqi, Sheremet Kolshi, Bujar Bylykbashi, Shefqet Bylykbashi, Shaban Cani, Skënder Cani, Bedri Krasniqi e të tjerë.

Asokohe, kishte ardhur nga Shqipëria edhe Driton Kolshi. Ai kishte arritur me Grupin e dytë, para Vezirit. Në atë grup luftëtarësh bënin pjesë Salih Kolshi, Kastriot Kolshi, Xhemë Bajraktari, Agim Bajraktari, Selatin Bajraktari, Sefë Bajraktari e të tjerë.

Në kohën kur Veziri arrin në Baicë, në këtë fasht tashmë ishte krijuar pika e UÇK-së, e cila me rastin e ristrukturimit të UÇK-së shndërrohet në Kompaninë e Tretë, Togu i Parë i Batalionit të Dytë “Imer Alushani“ të Brigadës 121 “Ismet jashari-Kumanova”.

Ndërkohë transferohet në pikën luftarake të fshatit Tërpezë, e cila ishte bërë beden i pathyeshëm dhe pengesë e pakalueshme për marshimin e forcave serbe në drejtim të Rrafshnaltës së Drenicës. Atje ndodhej edhe luftëtari i regjur dhe kundërshtari shumëvjeçar i regjimit, Halil Kolshi, i cili për disa vjet rresht kishte bërë jetë ilegale në pyjet dhe malet e Drenicës, meqë kërkohej të arrestohej nga policia serbe.

Në nëntor të vitit 1998, duke qenë se kishte treguar aftësi, zhdërvjelltësi dhe përkushtim në luftime dhe kryerje të detyrave ushtarake, Vezir Kolshi së bashku me Skënder Çanin, Driton Kolshin e të tjerë, pranohet në Njësinë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë, njësi këto të cilat i kishte ushtruar dhe i kishte udhëhequr me shumë sukses, komandanti Tahir Sinani, me origjinë nga Tropoja e Shqipërisë, dëshmor i kombit.
Edhe në këto njësi, Veziri kishte arritur sukses, krahas luftëtarëve i dhe eprorëve të tjerë të njohur si: Milaim Beha nga Carraleva, Xhavit Kelmendi nga Karaçica, Kujtim Krasniqi, nga Domaneku, Ejup Kryeziu, nga Pagarusha e të tjerë, tash dëshmorë të kombit.
Më 16 mars të vitit 1999, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, një grup i Njësisë Speciale, në përbërje: Milaim Beha, Vezir Kolshi, Xhavit Kelmendi. Fatmir Maliqi, Ramadan Mehmeti, Hamëz Beqiri, Burim Shala e të tjerë urdhërohen të shkojnë në ndihmë operative të luftëtarëve në fshatin Llaushë të Drenicës. Ky njësit luftëtarësh të stërvitur për sulme diversante, kishte qëndruar në Zonën Operative të Drenicës deri më 31 mars. Pas një rrugëtimi të gjatë, Veziri së bashku me shokët ishte kthyer në Kleçkë.
Duke qenë se më 1 prill 1999, kishte filluar ofensiva e përgjithshme e forcave ushtarake dhe policore serbe kundër pocizioneve të UÇK-së, Vezir Kolshi me bashkëluftëtarët e tij, pa pushuar fare, të nesërmen, qysh herët në mëngjes, vendoset në pozicionet mbrojtëse të fshatit Tërpezë, në një distancë shumë të afërt me trupat ushtarake dhe policore serbe. Në fshat nuk kishte banorë, meqë ata me kohë ishin evakuar. Atje pothuajse në çdo shtëpi kishte barrikada të luftëtarëve të lirisë, të cilët deri në fund të luftës nuk lejuan depërtimin e forcave serbe në drejtim të Rrafshnaltës, ku ndodhej selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Pallati i Qeverisë së Përkohshme, Radio-Kosova e lirë dhe Agjencia Kosovapress.

Vezir Kolshi, së bashku me Xhavit Kelmendin, llir Qeriqin e të tjerë ishin vendosur në pikën ushtarake, afër shkollës së fshatit Tërpezë. Në kohën e intensifikimit të luftimeve, forcat serbe fillojnë breshërinë e goditjeve kundër pozicioneve të luftëtarëve të lirisë. Predha armike kishte goditur pikërisht në pozicionin ku po rezistonin trimërisht Vezir Kolshi dhe Xhavit Kelmendi. Xhaviti kishte ndërruar jetë në vend, ndërsa Veziri kishte marrë plagë vdekjeprurëse. Luftëtari llir Qeriqi, së bashku me disa bashkëluftëtarë të tjerë i tërheq trupat e dëshmorëve: Vezir Kolshi e Xhavit Kelmendi, të dy komandosë të njohur të njësiteve speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilët atë ditë me gjakun e tyre djaloshar përskuqën- tokën e Tërpezës, e cila qe bërë beden i pakalueshëm për forcat ushtarake dhe policore serbe.

Vezirin, bashkëluftëtarët e varrosin po atë ditë rreth orës 16.00, në varrezat e fshatit Baicë, ndërsa Xhavit Kelmendin, e varrosin në mbrëmjen e asj dite, në fshatin Karaçicë. Rivarrimi i tij u bë më 21 gusht 1999, në Kleçkë.

Familja e Vezir Kolshit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Radio-Kosova e lirë dhe nga instanca të tjera.

Veziri ka lënë vëllain, Nezirin, motrat: Elmazen dhe Nurien si dhe nënë Dritën, e cila vdiq një vit pas rënies së birit të saj dëshmor. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …