Naser Hajrizi u lind më 7 gusht të vitit 1962 në fshatin Henc të Fushë-Kosovës. I ati i tij, Beqir Hajrizi, u lind në Strofc të Vushtrrisë kurse e ëma, Fatime Saliu-Hajrizi ishte me origjinë nga Gradicë të Drenasit (ish Gllogocit). Axha i Beqirit, Zymber Hajrizi, ishte pushkatuar nga forcat serbe më 1921, sepse kishte ndihmuar luftën e çetave të Azem Galicës, kurse axha i Shefkijes, Milazim Saliuka ishte dënuar më 1949 me pesë vjet burg, si pjesëtar i Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. I biri i Zymber Hajrizit, Zenel Hajrizi, kishte luftuar në brigadat shqiptare për çlirimin e Kosovës nga fashizmi, pastaj në radhët e kryengritësve të udhëhequr nga atdhetari Shaban Polluzha dhe më 1960 bashkë me Zeqir Hajrizin, axhën e Naser Hajrizit, si pjesëtarë të Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të udhëhequr nga Kadri Halimi dhe Ali Aliu, kishin formuar dy aradhe të armatosura në rajonin e Artakollit, të gatshme për veprime luftarake, çlirimtare.
Naser Hajrizi që në moshën 12 vjeçare angazhohej nga veprimtarë të Grupit Revolucionar të Kosovës (organizatë ilegale e lëvizjes së atëhershme kombëtare), për bartjen dhe ruajtjen e materialeve konspirative. Më 1979 ai kishte organizuar një grup të të rinjve, të cilët vepronin kundër pushtuesit nëpërmjet propagandimit të ideve të lirisë dhe me shpërndarje të literaturës e shtypit ilegal. Naseri u organizua pastaj në radhët e Organizatës Marksiste – Leniniste të Kosovës, kurse me kolegët e vet vazhdonte veprimtarinë përgatitore për organizim më serioz. Ndonëse i ri, si maturant i Shkollës së Mesme Elektroteknike “Miladin Popoviq” në Prishtinë, mbante kontakte me profesorët Ahmet Qeriqi dhe Zenun Gjocaj.
Naser Hajrizi ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë. Më 2 prill 1981 Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset por masa demonstruese marshon drejt qytetit (Shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Ai shkon në familjen e Adem Kurteshit, lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore ( Sot Kryeministria) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë, para dite, u vranë nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës. ( Mehmet Hajrizi)
Fjala e mbetur peng e Ahmet Qeriqit në evokim të dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi
Fjala e pa thënë e Ahmet Qeriqit në evokim të dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1981, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, në Akademinë e mbajtur për 35-vjetorin e rënies së tyre. Edhe pse organizatorët: Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Komuna e Prishtinës, kishin paraparë në skenar që fjala e tij të mbahej në kuadër të pjesës tematike, profesori i dy nxënësve dëshmorë, Ahmet Qeriqi nuk u ftua për ta mbajtur fjalën. Nuk u dha as një sqarim në fund të Akademisë.
Këto janë kujtimet që ishte paraparë të thuheshin para të pranishmëve në këtë Akademi
Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar organizatorë të aktiviteteve në nderim të dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1981!Çka të kujtoj më parë për Asllan Pirevën, Naser Hajrizin dhe për gjeneratën e tyre?
Asllani, ishte edhe sinonim i emrit, por gjithnjë i buzëqeshur, i gatshëm për të vepruar në çdo rrethanë, pa hezitim. Në qenien e tij, gjatë ditëve të marsit të vitit 1981 vërehej sikur kishte shpërthyer me plot hire forca djaloshare, vrulli i papërmbajtur për Kosovën Republikë.
Naseri, kishte shikim kureshtar dhe natyrën e të riut të përmbajtur, natyrën e një djaloshi të burrëruar para kohe. Të dy kishin shpërthyer në mënyrat e veta, të dy ishin në mesin e një dyzine shokësh e shoqesh, të cilët më 2 prill të vitit 1981 maturuan me diplomat e dëshmorëve të kombit. Ata, me grushtin lart e flamurin edhe më lartë, jo rastësisht u gjenden në ballin e demonstruesve, jo rastësisht u ballafaquan edhe me mizorinë serbe, që ishte strukur në Ndërtesën e Bankës Qendrore, ( tani Kryeministria) përballë sheshit dhe kishte zgjedhur për të goditur, më të përkushtuarit, sikur zakonisht ndodh në sulme të tilla, mizore.
Naser Hajrizit i kam dhënë mësim në vitin e tretë të shkollës së mesme teknike, ndërsa Asllan Pirevës në vitin e katërt. Në vitin e katërt, lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë, Naser Hajrizit i ka dhënë, profesori, Zenun Gjocaj, tash i ndjerë. Por jo vetëm unë dhe Zenun Gjocaj u kemi dhënë mësim atyre dhe shokëve e shoqeve të tyre. Unë isha vetëm njëri nga profesorët e tyre, por paksa më ndryshe në komunikim me ta, mbase sepse ishte përfolur fakti se pikërisht në moshën e tyre, kisha qenë i arrestuar dhe i dënuar dy muaj burg, për propagandë armiqësore kundër Jugosllavisë. Më bënte përshtypje fakti se sidomos ata të dy, por edhe Fatmir Graiçevci e Ilaz Zhitia më shikonin më ndryshe nga shumica e nxënësve, madje me respekt e përfillje të veçantë. Edhe pse relativisht të rinj në moshë, dukeshin të pjekur dhe të gatshëm për të vepruar, për të shtruar pyetje ndër më të ndryshmet, që nuk i bënin secilit prej profesorëve.
Më kujtohet fare mirë se në gjysmën e dytë të marsit vitit 1981, Drejtoria kishte caktuar një temë të detyruar hartimi për kryetarin, Tito, që kishte vdekur afër një vit më parë. Unë kokë më vete kisha shtuar edhe një temë të lirë, për nxënësit ku jepja mësim. Në klasën e Asllanit, ishte edhe Ilaz Zhitia, më vonë i dënuar me burg të rëndë. Këta dy dhe disa të tjerë ishin shprehur të gëzuar për mundësinë alternative në zgjedhjen e temës së hartimit, që iu kisha dhënë. Në fund kisha vërejtur se shumica dërrmuese e nxënësve të klasës së katërt, kishin hartuar temën e lirë. Kjo fliste shumë për mua, sidomos fakti se nxënësit nuk ishin përcaktuar për temën zyrtare të Drejtorisë së shkollës. Dëshmi janë fletoret e nxënësve, nëse ato janë ruajtur në objektin e Akademisë Pedagogjike ku punoja dhe nëse nuk janë tërhequr me qëllim të caktuar, pasi isha arratisur, më 3 prill të atij viti.
Për Naserin e dija se kishte xhaxha, Zeqir Hajrizin, të cilin e kisha njohur shumë vjet më parë dhe komunikonim kohë pas kohe. Mbaj mend se në një bisedë, në korridor, kur po përgatitesha të hyja në klasë, Naserit i kisha preferuar të shoqërohej me Asllan Pirevën, Fatmir Graiçevcin, Rrahim Ramën, Naim Mahmudin, Lutfi Maqedonin e ndonjë tjetër. Ai më kishte njoftuar se i njihte mirë të gjithë, ndërsa kishte veçuar faktin se Asllanin e kishte shok të fortë. Me aq ishim marrë vesh, mes 11 marsit dhe 1 e 2 prillit të vitit 1981.
Ditën kur ata ranë në qendër të Prishtinës, në orët e para ditës unë isha në mesin e nxënësve, shumë prej atyre të cilëve iu jepja mësim. Ne ishim pozicionuar në “Lagjen e Muhaxhirëve” dhe te Fakulteti Teknik, në kohën kur kishte filluar parakalimi i tankeve të Ushtrisë jugosllave, në rrugën prej qendrës së qytetit deri te “Mensa e Studentëve”. Papritmas një oficer serb kishte nxjerrë kokën jashtë tankist, kishte nxjerrë revolen dhe kishte goditur në drejtimin tonë. Kisha parë se dy apo tre protestues të rinj ishin plagosur, por ishte e pamundur të lëvizje nga masa e stisur e protestuesve. Tri ditë më vonë, i arratisur, kam mësuar se në qendër të Prishtinës, kishin rënë, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, dy ndër flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës.
Ata, me gjakun e njomë, me frymën liridashëse të tyre, kishin përskuq Sheshin e Prishtinës dhe për të fundit herë kishin thithur ajrin e bërë shkrumb të qytetit, nga tymi e arma vrastare serbe e jugosllave.
Në mendjen time edhe sot pas 35 vitesh sa herë përmenden emrat e tyre, më shfaqet imazhi i takimit me ta. Naserin e përfytyroj në korridor të Shkollës, para derës, në klasën ku mësonte, në mos për diçka tjetër, atëherë të më përshëndetur, ndërsa Asllanin për pyetjen e fundit, pse drejtoria kërkon të shkruajmë për Titon, profesor? Mbaj mend sesi kishte reaguar plot emocione kur iu kisha përgjigjur. ( -“Të vdekurit për së gjalli”, le të shkruajnë për të vdekurin e vdekur).
Lavdi dëshmorëve të viti 1981, lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Prishtinë
- 4. 2016