Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: Dosjet nuk ranë nga qielli

Pasuksesi i gjykatës speciale duhet të jetë aksioni mjeran i kompilimit të dosjeve, dalur nga vet gjykata dhe plasuar nga eksponentët e tyre që operojnë në Kosovë, mbase edhe vet brenda EULEX-it, meqë ata reaguan vetëm pasi u ezaurua e tërë materia. Sikur po duket Gjykata ka nevojë ta mbuloi dështimin e vet, por ajo duhet të kuptoj se dështimi i saj nuk është për shkak të joprofesionalizmit të saj, por ai vjen për shkak të pastërtisë së luftës që bëri UÇK-ja, dhe sapo të pajtohet me këtë fakt, ajo do pushoj ta godas Kosovën me këso konspiracionesh, të cilat vërtetë na lëndojnë si shjoqëri dhe po aq edhe si përspektivë!

 Gjykata speciale i dha Kosovës paragoditjen fatale. Ajo do të ketë efekte të përhershme. Nxjerrja e dëshmitarëve kaq zbuluar, pa çka se ata mund të jenë krejt një kontigjent i përgaditur për t’u përdorur të joshur nga paratë, mosdurimi i rreshtimit politik karshi çlirimtarëve apo të kapur nga e kaluara e shërbimit për serbët dhe aparatin e tyre represiv në Kosovë dhe të shantazhuar tani me premtimin se do mbeteshin anonim, na kujton fundin e Rankoviqit, i cili nuk ra kurrë nga të qenit i pushtetshëm në antishqiptarizmën serbe. Kur, kinse ra Rankoviqi, ai ra vetëm për aq sa përfaqësoi rrezik për rrëzimin e Titos. Për gjithçka tjetër, ai mbeti një shpirt funksional antishqiptar i mbjellur në institucionet serbe e federative dhe në marionetat shqiptare e shërbëtorët e shumtë të tyre.

 Gjithçka për Gjykatën speciale, duket se është përgaditur në Serbi nga ish struktura operacionale e Millosheviqit. Arkitektët serb të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Drecunët, me skuadrat e pushkatimeve, dhunimeve, djegjeve e deportimit të popullsisë –shqiptare, sikur po vërtetohet me dosjet, paskan përfunduar themele e mure të gjykatës speciale nga propozimi me raportin e Dick Marty-t e deri te nxjerrja e dosjeve të saj, me çka kanë provokuar pa rreshtur reagimin e mundshëm të ish luftëtarëve, por edhe të shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë. Urojmë, që të tillët Drecunë e Vukçeviq të mos bëhën edhe kulmi i saj!

Është për tu habitur sa lëndueshëm shteti ynë bëri qorrin e shurdhin edhe kësaj radhe, për çka ne do e vuajmë si shoqëri, por edhe si histori! Heshtja me të cilën sot po shërbehet politika jonë, kudo nëpër institucionet shtetërore, nuk është thjeshtë heshtje. Ajo më shumë se heshtje është abstenim nga detyrat e të bërit të shtetit në çdo çast e në tërësinë e mbulimit të jetës publike.

Dosjet e servuara me aq komoditet ofrimi, dhe qenësia e tyre origjiniale e vërtetuar nga zyrtarët e dhomave të specializuara, është dashur së paku ta kishin intriguar inteligjencën e policisë sonë për veprim, derisa AKI-në besoj tashmë e ka përfshirë ky akt hulumtim-zbulimi. Organet e krimeve të rënda nuk janë aty për pagat e mira dhe për ta bërë të fortin në shërbim të punësuesit të tyre, sikur e bëjnë nëpër raste edhe të stisura vetëm e vetëm për të treguar protagonizëm në shoqëri. Ata do duhej të ishin të parët që do duhej ti qaseshin këtij diverzioni, i cili i është lëshuar patate e nxehtë në duar veteranëve. Policia jonë do duhej të ishte e para që t’i kishe sekuestruar ato materiale dhe të kishte filluar tashmë hetimin edhe me monitorim 24 orësh të ambienteve, meqë kryetari i veteranëve z.Gucati dhe zëvendësi i tij z.Haradinaj që me rastin e “rrufesë së parë” patën deklaruar premtimin e sjellësit të rrufeve për materiale shtesë.

Mosreagimi i policisë sonë është vet fletarresti i lëshuar për z.Gucati dhe zëvendësin e tij z. Haradinaj.

Çfarë mund të bënin tjetër veteranët me dosjet e mbetura në duar, përveç se ta njoftonin opinionin për atë që po ndodhte, për agresionin që po ua bënin! Zhurma e tyre nuk përfundonte një klithje në shkretëtirë sikur mbeti. Ata po i drejtoheshin institucioneve për hallin që i kishte gjetur. Dhe ata u lane në baltë nga të gjithë: nga institucionet e sigurisë, nga ato politike e pushtetbërëse dhe deri te media e shoqëria civile!

Ndërhyrja e panevojshme spektakulare e EULEX-it, në pas ezaurimin e gjithë dosjeve, deri edhe në propozimakuzat e gjykatës speciale, na thotë edhe një herë se agresioni me dosjet është vepër e vet Gjykatës special përmes mekanizmave që ajo i ka në dispozicion dhe nuk janë të pakët, ose asaj po ia pijnë duhanin fshehtë segmente të caktuara që ajo mund t’i ketë brenda vetes në fragjilitetin e vet eventual.

Përsëritja e praktikës  së Rankoviqit që përdori Serbia përmes Jugosllavisë së atëhershme duke publikuar listën e bashkëpunëtorëve shqiptar të Rankoviqit, na kujton tendencën që atëherë ishte menduar të vazhdonte me pasojën vëllavrasjet. Ky teren i shtruar për hakmarrje, na thotë se është e njëjta dorë që ndërhyri me dosjet.

Komprimentimi i Gjykatës speciale dhe dhomave të saj në Hagë (për Serbinë që tashmë e din se nuk ia kanë dalur të montojnë akuza kundër UÇK-së dhe ti veshin me fakte për t’i bërë të dënueshëm për krime lufte shqiptarët) mbetet e vetmja shpresë për të korrur sado pak nga kjo ndërmarrje jo më pak anti UÇK sa ishte menduar të rezultonte anti NATO dhe anti SHBA.

Kur dimë se, sikur krimineli gjithmonë kthehet te vendi i krimit e kemi poashtu të qartë se ai u beson edhe vetëm metodave të veta të krimit, andaj nuk e kemi të vështirë të kuptojmë se Serbia erdhi këtu me dosjet, të cilat përmes segmenteve që kontrollon në Gjyktën speciale, ua servoj atyre që nuk mund t’i mbanin të fshehura, me çka do të bëheshin bashkëfajtorë në vepër kriminale, por as të rrezikonin të quheshin pa të drejtë bashkëpunëtorë të Hagës, në rast se do i mbanin të fshehura dhe do koketonin me segmente të ndryshme të sigurisë apo të drejtësisë vendore a ndërkombëtare.

Vetëm koketim veteranët nuk mund të bënin

Ata sikur luftuan përballë pushtuesit, ashtu edhe sillen në jetë. Janë të drejtpërdrejtë dhe real në vperimin e vet si në kohë edhe në përmbajtje. Bazuar në këtë ata bënë gjënë e duhur, tranparencën. Sapo morën dosjet,  ata njoftuan opinionin. Ato që ua lanë në derë ua ofruan kujtdo nga institucionet që duhej të verponin me kopetencë dhe mediave që duhej të raportonin me profesionalizëm.

Ata informuan edhe për premtimin e rrufeistit se do sillte edhe tjera dosje, sikur thamë më lartë, kaq ishte detyra e tyre dhe ata e bënë. Përgjegjësia si institucionale ashtu edhe morale për çdo pasojë që do paguhet nga veteranët dhe vendi bie mbi organet tona të sigurisë.

Me mospunën e tyre segmentet tona të sigurisë ua shkruan fletarrestet z.Gucati dhe z.Haradinaj, ashtu sikur do ua shkruajnë edhe dhjetëra të tjerëve në të ardhmen, por edhe ia lidhën duart shtetit për çka e dorëzuan jo vetëm autoritetin e vet por edhe sovranitetin e vendit.

Nëse ne nuk tregojmë kapacitete, atëherë bashkësia ndërkombëtare do të veproi sikur edhe veproi, sepse ka ingerenca të caktuara që ua kemi deleguar herë me vendimet e politikës sonë e më shumë se kaq me mosbërjen e punëve që na takojnë t’i bëjmë. Me dorëzimin e kopetencave që EULEX-i e bëri në drejtim të policisë sonë vendore, autoriteti i parë i sigurisë te ne është policia jonë. Këtë nuk e kanë mësuar akoma segmentet tona të sigurisë. Kjo ndoshta vjen nga fakti që në krye të policisë sonë ka ish efektiv të Millosheviqit dhe të tillët e kanë në zakonin e tyre të sillen marioneta e të varur. Të tillët nuk dinë të veprojnë të pavarur dhe si të tillë ata dinë vetëm të shërbejnë, dje Serbisë e sot dreqit të mallkuar.

Braktisja e kompetencave, sikur bëri policia e Kosovës në këto ditë në raport me dosjet dhe veteranët, nuk është më shumë se sa bërja e shurdhit dhe qorrit në rastin e gylenistëve. Pra, është hera e dytë që policia jonë kapet nga segmente të huaja dhe bëhet e paqenë. Në të dyja rastet janë forca të huaja të cilat nuk kanë autoritet veprimi në terenin tonë. Në rastin e parë duhet të kenë qenë policia dhe shërbimi sekret turk ai që gjeti sheshin dhe bëri përsheshin, derisa kësaj radhe EULEX-i, i cili tashmë ka vetëm autoritet këshillues.

Dështimi i Gjykatës për ta njollosur luftën tonë të pastër, mbi themelet e argumentave të rremë sikur përdori Këshillin e Europës Dick Marty (i lajthitur nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit), është argument i mirë për të dyshuar se gjykata është vet autori i kompromitimit dekonspirues të procesit me kompilimin e dosjeve, për çka në fund të ditës do arsyetohet se pasuksesi i saj bazohet në pengimin e dëshmitarëve për të dëshmuar kinse nga rreziku që iu kanoset nga publikimi i identiteteve me zbardhjen e dosjeve.

Ata, bëjnë sikur harrojnë, që ky kontigjent i dëshmitarëve duhet të ketë qenë në proceset e shumta që u zhvilluan anë e kënd Kosovës e deri në Hagë, në rastin e Dukagjinit, Llapit, Drenicës, Llapushnikut a Pashtrikut, dhe ja, ata janë gjallë e shëndosh dhe nuk i ka prekur kush. Bilëz të tillët janë shumë trima meqë kanë shumë nëna, Kosovën të natyrshme mjerisht, Serbinë si zgjedhje dhe bashkësinë ndërkombëtare që ndikohet nga Rusët si mburojë.

Në këtë katrahurë nuk na mbetet të themi tjetër veç se: Dosjet nuk ranë nga qielli!

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …