Sot mbushen 22 vjet që kur mjeku dhe humanisti Shpëtim Robaj ra në luftë derisa po shkonte për të shëruar plagët e luftëtarëve të lirisë dhe popullatës civile. Ai duke qenë mjek atdhetar dhe humanist i shquar qysh në fillim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfaq interesim për të ndihmuar luftën dhe të plagosurit. Me këtë qëllim patriotik, pa vonuar kontakton me drejtuesit e Spitalit Ushtarak në Likoc të Drenicës qysh në prill 1998. Ndihma e tij si anesteziolog në shërimin e luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, ishte e pazëvendësueshme, pasi pikat shëndetësore nuk kishin pajisje të tilla të domosdoshme e sidomos blerja dhe vendosja e teknikës së Rentgenit me pajisjet përkatëse, në Likoc.
Më 30 shtator të vitit 1998, veprimtari dhe mjeku i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shpëtim Robaj, ishte në hyrje të fshatit Likoc, në Abri të Ulët, kur kamioni i ndihmës mjekësore, të cilin e ngiste zonja Margaret Braison, bie në minat që i kishin vendosur forcat armike, serbe. Nga shpërthimi i fuqishëm, doktor Shpëtim Robaj merr plagë të rënda vdekjeprurëse, ndërsa plagosen edhe kolegu i tij mjeku, Ilir Tolaj, si dhe Margaret Braison dhe Linda Bunjaku. Gjatë luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë edhe mjekët: Lec Leci-Gradica, Hafir Shala, ende i zhdukur, Izet Hima, Igballe Oshlani, Vesel Elezi, Blerim Dema, Fahredin Hoti, Masar Radoniqi, Faton Huma, Nuredin Zejnullahu, Xhevat Gashi e të tjerë.