Maliq Mehmet Sopaj (20.6.1969 - 3.4.1999)

Maliq Mehmet Sopaj (20.6.1969 – 3.4.1999)

Dëshmori i kombit, Maliq Sopaj është i lindur më 20 qershor të vitit 1969 ë fshatin Jançisht të Llapushës, komuna e Malishevës. Bahkëshortët Mehmet e Miradije Sopaj lindën dhe rritën: Halilin, Mujën, Miftarin, Avdylin, Sadikun dhe Maliqin, dëshmor i kombit që la pas bashkëshorten, Fatimen, me të bijtë Mehmetin dhe Maliqin, i cili nuk pati rastin ta shohë babain.
Shkollën fillore, Maliqi e kreu në filloren “Shkëndija” të fshatit Shkozë, sot Shkolla Fillore “Salih Bytyçi”, dëshmor të cilin Maliqi e kishte arsimtar dhe bashkëluftëtar. Pas kryerjes së tetëvjeçares regjistrohet në Gjimnazin “Abdyl Frashëri” të Malishevës, mirëpo pasi i përfundoi dy vitet e para, për shkak të gjendjes së vështirë familjare detyrohet ta ndërpresë shkollimin dhe merr rrugën e kurbetit. Mori pjesë në të gjitha format e organizuara të rezistencës në komunën e Malishevës, ndërsa shquhet në demonstratat e 30 janarit të vitit 1990 kur në Malishevë ranë edhe viktimat e terrorit serb. Për shkak të këtij aktiviteti, fillojnë edhe ndjekjet mbi pjesëmarrësit, madje nuk ndiqej vetëm Maliqi por edhe shumë të rinj të Jançishtit. Pasi arrin t’u shmanget arrestimeve, Maliq, së bashku me vëllezërit punoi disa vite në Slloveni. I ati, Mehmeti, gjatë qëndrimit në kurbet i fliste për gjendjen e rëndë që po mbante mbi kurriz populli shqiptar i Kosovës nën zgjedhën serboçetnike të Beogradit.
Masakrat në Likashan dhe fshatrat tjera të Kosovës, maltretimet më të egra që po i përjetonte popullata e pambrojtur shqiptare, keqtrajtimet që ia bënin ardhacakët e përtejkarpateve bashkëkombasve të tij, Maliqit ia shtuan urrejtjen deri në atë masë sa që edhe ai vetë, së bashku me kushëririn, Hysenin, njëditë do të përballet me ato forca armike të cilat ishin shtrirë anembanë Kosovës.
Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicën heroike të Aem Jasharit, në zemër të Kosovës, Maliq Sopaj e lë kurbetin, braktis Slloveninë dhe kthehet në Kosovë për t’iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 13 maj të vitit 1998 ai radhitet në radhët e luftëtarëve të lirisë dhe sistemohet në njësitin “Bardhi” që vepronte në fshatin Shkozë, së bashku me Hysen Sopajn, dëshmor i kombit e me shumë kushërinj.
Nga dita e radhitjes së tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas kryerjes së stërvitjeve dhe kontributeve materiale që dha për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Maliqi ishte një ushtar i disiplinuar, me një guxim të pashoq dhe me kushëririn, Hysenin, sajonte tandemin e tmerrshëm për forcat paramilitare që lëviznin nëpër Grykë të Pagarushës. Ai, kur ishte fjala për raportin e fircave çlirimtare në krahasim me forcat e pushtuesit, përherë kishte parasysh parimin: “Ne jemi më të fortë se ata, po forcohemi e do të forcohemi edhe më shumë, sepse ne jemi në tokën tonë!” Ishte i pandashëm nga shokët e bashkëluftëtaret e jetës dhe të vdekjes, Hysen Sopaj e Jahir Mazreku, dëshmorë të kombit dhe nga Osman Sopaj, veteran i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Formacioni “Bardhi” mori pjesë aktive në mbrojtjen e Rahovecit dhe në luftimet përreth “Arave të Dulës” dhe vëhet në mbrojtjen e vijës së zjarrit në harkun: “Nënzatriq”, “Kroni i Haxhi Hisës”, “Krahishte”, “Shkozë” prej nga priteshin forcat serboçetnike nga Hoça e Madhe e Rahoveci, që synonin të depërtojnë në fshatrat e Llapushës ku gjendej e strehuar popullata e Rahovecit të djegur. Por pas përfundimit të betejës në “Qafën e Pagarushës”, prej 25 deri më 31 mars 1999, forcat paramilitare e policore serbe, filluan krehjen e këmbësorisë dhe përjetësohen dëshmorët: Maliq Sopaj, Hysen Sopaj e Jahir Mazreku, Salih, Ramë e Sylejman Bytyçi, Hidajet Mazreku, Agron, Bashkim, Luan Krasniqi, e krahas këtyre dëshmorëve ranë edhe banorët e paarmatosur: Hasan Sopaj, Malush Sopaj, Haki Telaku dhe Mehmet Gashi.
Më 3 prill të vitit 1999, ditën e shtunë, kah ora 3:00, Maliq Sopaj së bashku me një grup shokësh ishte duke kaluar nëpër një vetull mali, një pikë mjaft strategjike, e cila ruhej me të gjitha mjetet luftarake të armikut. Ky korridor siguronte kalimin e banorëve të fshatrave në të djathtë të rrugës magjistrale Rahovec-Malishevë e në të majtë të rrugës së përmendur. Aty, në ato pozicione, te “Maja e Kikës”, jo larg Astarzupit, Gurbardhit, Burimit e Zatriqit, në një ballafaqim të afërt me terrin e natës, duke shkrepur automatikun e tij në drejtim të armikut, ra në altarin e lirisë së bashku me: Jahir Shaban Mazrekun dhe Hysen Rifat Sopajn e një grup kushërinjësh, në luftën e nderit, duke ndihmuar një grupi banorësh për t’u tërhequr nëpër atë vetull mali kah arealet më të lira e kah fshati Gurbardh.
Në këtë kalim për ta trupuar aksin rrugor Rahovec-Malishevë ishin edhe familjarët e Maliqit: Ismeti, Rizvani, Remziu, Beqiri, Dauti, Reshiti dhe xhaxhai, Ahmeti.
Forcat paramilitare, ushtarake e policore serbe, për t’i fshehur gjurmët e krimit ndaj qytetarëve të pafajshëm trupat e të rënëve në “Majën e Kikës”, i varrosi në Varrezat e Rahovecit.
Sot trupi i dëshmorit të kombit Maliq Sopaj pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Malishevë. Bijtë e dëshmorit, Mehmeti e Maliqi ruajnë emrat e të parëve dhe shkruajnë vjersha për Maliqin, dëshmor të kombit, të cilin Maliqi i Dytë nuk e kishte parë.
Në vendin e rënies, në “Maje të Kikës”, me një gur të gdhendur janë shënuar emrat e të rënëve në këtë pikë lufte, ndërsa rrëzë “Majes së Kikës”, në të djathtë të magjistrales Malishevë – Rahovec është ngritur lapidari modest që mban emrat e dëshmorëve, por edhe në qendër të fshatit Jançisht është ngritur lapidari për dëshmorët Hysen e Maliq Sopaj dhe bashkëluftëtarin e tyre, Jahir Mazreku, ndërsa në odën e Rifat Sopajt sot gjenden si në muzeum: Mirënjohja nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dekorata “Dëshmor i kombit”, Mirënjohja e Qeverisë së Përkohshme së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Mirënjohja nga Shoqata e Fmiljeve të Dëshmorëve, dhe të gjitha këto nderojnë dëshmorët e kombit: Hysen e Maliq Sopaj, kushërinjtë Hasanin, Rexhepin, Islamin, Arifin, dhe Malushin, kushërirën, Hanife Vrenezi, e krahas tyre edhe Mustafë Krsniqin, Murat Gashin e Haki Telakun. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …