Kujtim Avdyl Qallakaj (3.4.1978 – 3.4.1999)

Kujtim Avdyl Qallakaj (3.4.1978 – 3.4.1999)

Dëshmori Kujtim Qallakaj u lind më 3 prill të vitit 1978, në fshatin Baballoç të Deçanit. Prindërit etij, Avdyl e Fane Qallakaj i kishin gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza. Kujtimi ishte më i vogli ndër vëllezërit. Qysh i ri mbeti jetim, pa babain. Shkollën fillore e kreu në Gramaçel.
Me t’u dhënë kushtrimi i luftës, Kujtimi ngjeshi armët dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht më 18 prill 1998, fillimisht në Shtabin Lokal të UÇK-së në Baballoç. Ishte i sistemuar në Togun e Dytë. Stërvitjet ushtarake i kreu në Baballoç. Ai dha një kontribut të çmueshëm në luftë për liri, si në luftë frontale, si në furnizim me armë. Siç dihet këso kohe për muaj të tërë Baballoçi ishte bërë muranë e pakalueshme për forcat ushtarako-policore serbe.
Pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998, Kujtimi risistemohet në Njësinë Speciale “Shqiponjat e Zeza” të Zonës Operative të Dukagjinit, duke qenë gjithnjë në vijat e para të frontit, kudo që e kërkonte nevoja. Kjo njësi, e themeluar më 14 maj 1998, nën drejtimin e komandantit dhe luftëtarit të shquar të UÇK-së, Idriz Balaj, u dëshmua me luftën heroike e të suksesshme në vijat e frontit me betejat më të rrepta, si në Gllogjan, Baballoç, Gramaçel, Drenoc, Voksh, Pobergjë, Junik, Shaptej, Ratish, Dashinoc, Lumbardh, Pozhar, Shqiponjë, Rugovë, Gërgoc, Kralan e në vendluftime të tjera.
Luftëtari Kujtim Qallakaj, i shquar për guxim e trimëri, ra heroikisht në luftimet e zhvilluara në Kralan të Gjakovës, më 3 prill të vitit 1999, bashkë me bashkëluftëtarin e tij Visar Miftari nga Gjakova, i goditur nga një predhë tanku. Të dy dëshmorët, të njëjtën ditë, u varrosën në Kralan.
Kujtimit, forcat serbe ndërkohë ia zhdukën edhe nënën dhe dy motrat.
Për dëshmorin Kujtim Qallakaj mbase është simbolikë e veçantë dhe e rrallë fakti se ditëlindja dhe ditërënia e tij kanë të njëjtën datë. Trupi i tij, pas përfundimit të luftës u rivarros me nderime të larta ushtarake në Baballoç, ku është ngritur kompleksi memorial në shenjë nderimi e kujtimi të përjetshëm për të dhe dëshmorët e tjerë të kombit.
Kujtimi nuk ishte i martuar. Pas vetes ka lënë vëllezërit. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta, si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Njësia Speciale “Shqiponjat e Zeza”, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, komuna e Deçanit, etj. Për të janë thurur këngë e janë shkruar shkrime përkujtimore si në librin “Heronjtë e Dukagjinit”, në revistën “Fokus”, “Zgjimi” etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …