Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Në dritën e botimit të romanit: “Guri i betimit”, vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

 Kronika historike, letrare, “Guri i Betimit”, vepër e  autorit, Ahmet Qeriqi, është një tërësi organike e rrëfimeve historike, por edhe gojore, të përcjella gojarisht  nga brezi në brez nga rapsodët popullorë, për Luftën e Kosovës të vitit 1389 dhe disa zhvillime historike të kohës që i paraprinë asaj lufte, me pasoja të rënda për popujt e Ballkanit e më gjerë. Vepra në radhë të parë është një përpjekje për ta nxjerrë në dritë të vërtetën historike të asaj periudhe, praninë dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në ato zhvillime historike, fakte që në vijimësi janë injoruar nga historiografia serbe, sllave dhe evropiane, përgjithësisht.

 E veçanta e krijimtarisë së Ahmet Qeriqit, është metoda analitike e studimit të mirëfilltë dhe mbi këtë parim krijues ai për më së 30 vite, as tani, nuk ka pushuar së krijuari duke shtjelluar me saktësi metodat dialektike të zhvillimit të proceseve shoqërore që burojnë nga një mendje-mprehtësi e përkushtuar, e cila nuk le anash as dromcat më të vogla të problemeve shoqërore të cilat i trajton me modesti, si në prozë, ashtu edhe në analizë politike e filozofike, në fushën e folklorit dhe problemeve të  tjera sociale.

Ai si edhe në veprat tjera, zbaton me përpikëri metodën e tij të depërtimit të thellë në esencën dhe shpirtin e lëndës që merr përsipër ta shtrojë e disiplinojë, në mënyrë që ajo të jetë e kapshëm dhe të afërt me lexuesit e të gjitha shtresave të shoqërisë sonë.

Autori i librit, shkrimtari dhe studiuesi, Ahmet Qeriqi, në këtë vepër ka sjellë fakte e dëshmi të shumta, të ricikluara dhe të përpunuara, të vjetra e të reja, argumente historike,  që ndërlidhen me kujtesën popullore, me toponiminë e antroponiminë, me gjurmimin e hulumtimin e mbijetesës së kulturës fizike deri në ditët tona dhe të gjitha këto dalin të metamorfizuara në një kompozicion të ndërlidhur e të hartuar në mënyrë letrare e artistike, duke sajuar një tërësi të lidhur organikisht, që i akordon kohës dhe hapësirës, sinkronisë dhe diakronisë të zhvillimeve relevante historike të asaj kohe.

Vepra,  në dukje ka një kompozicion të shkapërderdhur, në kohë e hapësirë dhe zhvillimet shtrihen në vendet që i mbanin nën sundim dy perandoritë më të mëdha dhe armiqësore të kohës, ajo e Bizantit e cila po rrënohej nga brenda e nga jashtë  dhe Perandoria Osmane e cila në atë kohë, ishte në kulmin e fuqisë. Në atë ndeshje të ashpër të dy botëve gjakoseshin popujt, sidomos popujt që ndodheshin në kuadrin territorial të  luftimeve, sikur ishin shqiptarët, grekët, bullgarët e sllavët përgjithësisht. Përderisa disa nga popujt e Ballkanit kishin krijuar  mbretëritë dhe aleancat e tyre, shqiptarët në atë kohë kishin krijuar vetëm principata, të cilat bëheshin pre e pushtuesve të ndryshëm.

Në romanin e tij më të ri: “Guri i betimit”, ka  shtjelluar  ngjarjet shekullit XIII dhe XIV e më herët. Ai është ndër të paktët krijues shqiptarë (për të mos thënë i vetmi), nga të dyja anët e kufirit, që lexuesit i ofron romanin në të cilin ngjarja boshte ka për bazë zhvillimin e ngjarjeve dhe luftën e viti 1389 në Kosovë. Në një hapësirë kohore më shumë se 600 vjeçare, ku personazhi i shumë lakuar në historinë tonë, Milush Kopiliqi (fatkeqësisht), pak i studiuar dhe jetësuar në letrat shqipe, qoftë të historiografisë, prozës, poezisë, romanit, folklorit apo filozofisë sonë… sikur është lënë anash, apo elitës sonë krijuese në nivel kombëtarë, mund edhe t’i ketë munguar guximi për një qasjeje shtjellimi të mirëfilltë të kësaj figure markante shqiptare, siç është Milush Kopiliqi.

Këtë shtjellim të kësaj periudhe epokale për shqiptarët, e ka bërë me guxim, me fakte e dëshmi të pakontestueshme, duke nxjerrë në sipërfaqe tërësinë e këtij rrafshi mbi gjashtë shekullor, që edhe sot lundron mes mitit dhe realitetit! Figura e tij  dhe trajta e shtruar nga historianët dhe krijuesit tanë, deri me sot nuk ka kaluar më shumë së mënyrën e ripërsëritur dritë-zbehtë se: Milush Kopiliqi, ka qenë shqiptar nga Kopiliqi i Drenicës, dhe kaq. Pra një ripërtëritje e vakët e kësaj trajte pa formë deri me këtë rast, kur tanimë kemi në dorë një roman (që unë do ta quaja pasuri kombëtare!), për këtë figurë dhe për shtjellimin e thuktë të zhvillimeve shoqërore të asaj kohe, së cilës krijuesi, Ahmet  Qeriqi i ka dhënë rrugë dhe jetë.

Vepra në tërësi është një epope heroike-epike, një vepër e llojit të vet, që ka për bazë kronikën dhe kronologjinë e ngjarjeve, të cilat janë ndërlidhur me kujdes përmes një imagjinate produktive dhe aktive në përshkrimin e rrethanave ekzistuese, historike të kohës, duke inkorporuar shumë nga elementet realistë të jetës së personazheve në përshkrime të karaktereve, temperamenteve, mirësive e ligësive të tyre, aspiratave,  vuajtjeve, ndeshjeve të egra e me pasoja dhe tërë një botë që lëviz brenda, jo vetëm në Korpilian dhe në Drenicë, por edhe në principatat shqiptare, në Pallatin e Dushanit, në Prizren, në Pallatin e Sulltanit në Adrianopojë, në Manastir, në hanet e Adrianopojës, në burgje dhe sheshe qytetesh, në fshatra e qytete, në kisha e manastire, në fushëbeteja e në jetën e përditshme. Është pasqyruar në lëvizje tërë një botë, e cila rrjedhë si kurorëzim i hulumtimeve disavjeçare të autorit, mbështetur  në qindra burime historike. Vetë autori ka deklaruar se ka lexuar dhjetëra mijëra faqe nga historia e asaj periudhe në gjuhën shqipe, serbe, greke, italiane, turke dhe ka hulumtuar e gjurmuar relikte e fakte fizike sidomos në fshatrat e Drenicës qendrore, Kopiliq, Marinë, Prekaz, Rezallë, Likoc, Tushillë, Ticë, Llaushë, Kllodernicë, Vajanik, Terstenik, Abri e fshatra të tjera.

Në këtë vepër janë skalitur shumë personazhe e ndër ta krye personazhi, Milush Kopliqi dhe Sulltan Muradi i Parë dy protagonistët kryesorë të kohës, përfaqësues të dy botëve . Personazhet tjerë, gjuha e përdorur, kostumografia, lokacionet e Drenicës, arkitektura e asaj kohe të ndërtimit të kishave tona, traditën, besimin e fesë, ritet tjera, zakonet e fejesave, martesave, mjetet e rezistencës dhe mbrojtjes, gjuha dhe komunikimi, besa e lidhur me betimin mbi guri, që është thirrur: “Guri i betimit!”, si vendi i shenjtë ku është lidhur besa e burrave etj. Pastaj segmenti tjetër; barbaria sllavo-ortodokse, që nuk ka ndryshuar që nga zanafilla e saj as këtu e shtatë shekuj më parë, që na u përsërit edhe pas gjithë këtyre shekujsh! Më së e saktë, për gjashtë shekuj, ka ndryshuar edhe reliefi tokësor, por barbaritë serbo-sllave-ortodokse, kundër popujve tjerë, nuk ndryshuan, as sot, që nga kohë e shkizmave që kalon një milenium!…

Është për admirim qasja e shkrimtarit, i cili në asnjë rrethanë, nuk ka keqpërdorur mprehtësinë dhe fuqinë e tij krijues shumëdimensionale, për të shtrembëruar të vërtetën historike. Duke qenë besnik i së vërtetës, ai më se një herë, ka paguar me lëkurën e tij, tagrin e saj, por kurrë nuk është zmbrapsur, gjithnjë duke qenë vrojtues i thellë i fenomeneve shoqërore, ai fuqishëm u përpoq ta bëj ndarjen mes mitizimit dhe realitetit, si dhe në veprat tjera, ai asnjëherë nuk ka rënë pre e ndërrimit të bindjeve me qëllim përfitimi personal nëpër kohë. Ahmet Qeriqi, gjithmonë, ka vepruar me ndërgjegjeshmëri, dhe duke qenë para së gjithash vet i ndërgjegjshëm, ka të drejtë morale, që edhe nga të tjerët të kërkoj përgjegjësi për fjalën e thënë dhe të shkruar!

 Në  romanin e tij më të ri: ”Guri i betimit”, personazheve të asaj kohe, ju ka dhënë frymë, ngjyrë, jetë, i ka bërë të prekshëm pas 6 shekujve…, duke i përjetësuar ata përgjithmonë si: Murgu Damjanus, Nikollë e Janina Danai (prindërit e Miroshi dhe Fitoshi), Kolë Nikoni, Gjergj Alpushi, Prenk Nikollë Mati, Bdek Zografi, Gjel Gjetani, Nikë Kurulli, Mhill Shaljani, Tomë Bahori, Nak Gashani, gurgdhendësit e njohur Dardan: Flori dhe Lauri nga Ulpiana etj. Po ashtu në këtë vepër autori ka skalitur e tipizuar edhe shumë personazhe historike të kohës, nga mesi i rashjanëve, turqve, bizantinëve, priftërinjve ortodoksë, katolikë, dervishë, murgj, murgesha, fshatarë. Luftëtarë të thjeshtë që bëjnë karrierë sikur janë prijësit e arianitas, arvanitas,   e të tjerë.

Nuk kam shpjegim tjetër, veç asaj që kanë konstatuar edhe historian tjerë; përçapja ime në këtë shkrim, është që lexuesve t’ua preferoj për lexim një vepër të re, që letërsisë shqiptare i ka munguar deri me sot, ku figurat qendrore e Betejës së Kosovës të vitit 1389, ka qenë dhe mbetet, Milush (Nikollë) Kopiliqi me bashkëluftëtarët e vet nga një anë, si ruajtës dhe mbrojtës i gjuhë, fesë, zakoneve dhe tokave të Arbrit, dhe nga ana tjetër Sulltan Muradi i Parë, pushtues. Këto dy figura, njëherë janë edhe përfaqësues të dy botëve, të botës islame, e cila po zgjerohej me Perandorinë Osmane dhe botës së Krishterë, e cila ishte vënë në mbrojtje të Evropës nga dominimi i furishëm Osman. Pushtimi turk në këto troje dhe në Evropë, shikuar realisht, ishte hakmarrja e botës Islame për kryqëzatat që ndërmori Evropa, kundër myslimanëve dhe hebrenjve në shekujt XI e XII. Tanimë, romani: “Guri i betimit”, është në dorën e lexuesit i cili më së mirë do ta thotë fjalën e vet. Ndërkaq, Ahmet Qeriqit,  i uroj shëndet dhe sukses të reja në letrat shqipe.

Shtator, 2020

Doli nga shtypi kronika historike letrare, “Guri i Betimit”, vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …