Në emisionin e rregullt javor, Bisedë në studion e TV-Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, ka shpalosur kujtime nga jeta dhe puna e tij, veterani i arsimit, mësimdhënësi dhe i përndjekuri politik, profesori në pension, Sahit Selim Salihu, i lindur në Carralevë, me vendbanim në Ferizaj.
Duke evokuar kujtime nga fëmijëria, Sahit Salihu ka rrëfyer për jetën e rëndë në varfëri por edhe nën robëri të familjes së përndjekur nga regjimi i ish-RSFJ-së, meqë babai i tij, Selimi ishte dënuar me burg si luftëtar i NDSH-së dhe kundërshtar i regjimit. Ai ka folur për shkollën e parë shqipe në xhaminë e fshatit, Carralevë, ku ka kryer shkollimin fillore, vazhdimin e shkollimit, në Shtime, pastaj në Normalen e Prishtinës, e cila asokohe ishte vatra numër një e arsimimit dhe edukimit kombëtar të brezave të shqiptarëve, në Kosovë e më gjerë. Më vonë, pa shkëputje nga puna, meqë me një pagë të arsimtarit mbante tërë familjen, ka kryer edhe studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Sahit Salihu është shembulli tipik i mësuesit të popullit, i mësuesit të kohës që duhej të punonte në kushte tejet të rënga ekzistenciale për ta mbajtur familjen, për të dhënë mësim në fshatra malore, madje shpeshherë edhe me mungesë të kushteve elementare. Ai ka punuar mësimdhënës në fshatin Babush afër Ferizajt, në Miradi dhe në Vragoli të Fushë Kosovës, në Lloshkobare, në Karaqicë, në Shtime e në vende të tjera. Në fund ka punuar, në Ferizaj derisa ka dalë në pension.
Ai me nostalgji kujton kohën kur ishte nxënës i Normales në Prishtinë. Kujton Fazli Graiçevcin të cilin e njihte dhe mbante kontakte të vazhdueshme, kujton, mësuesin atdhetar, Hilmi Rakovica, asokohe edhe ai nxënës i Normales, kujton tërë një plejadë profesorësh të Normales, duke veçuar Vahide Hoxhën, Drita Dobroshin, Demush Shalën, Beqir Kastratin, Pajazit Nushin, Murteza Luzhën e sa e sa të tjerë.
Flet edhe për takimin që kishte pasur me Fadil Hoxhën, të cilit iu kishte ankuar se ia kishin ndalur bursën për shkollim, për shkak se familja e tij konsiderohej nacionaliste, balliste. Fadili e kishte mirëkuptuar dhe më vonë e kishte marrë bursën dhe kishte vazhduar shkollimin.
Kujton me respekt edhe mësuesin e përkushtuar, Shaban Shala nga Kizhareka e Drenicës, asokohe drejtor shkolle në fshatin Shalë, ish Sedllar, i cili ia kishte mundësuar të punonte në shkollën e fshatit Karaqicë, meqë pas daljes nga burgu një kohë nuk e kishin pranuar në punë.
Kujton me pietet atdhetarin revolucionar, Xhavit Llapardja nga Krojmiri, i cili me vëllanë e tij, Rabitin, jetonin në Prizren. Xhavitin e kishte takuar në Burgun e Prizrenit, ku zakonisht autoritetet e kohës mbanin nën izolim, për shkak të bindjeve të tij atdhetare që i shfaqte hapur në opinion, sidomos në mbledhjet e funksionarëve komunistë ku shkonte pa ftuar dhe i kritikonte madje edhe i fyente për shkak të tradhtisë të kishin bërë me votimin për mbetjen e Kosovës nën Serbi .
…
Në kujtesën e nxënësve, Sahit Salihu ka mbetur si mësues e mësimdhënës i apasionuar, sidomos duke i dhënë shumë rëndësi, kulturës së leximit dhe recitimit me përkushtim të poezive me përmbajtje kombëtare. Mbi të gjitha ka qenë i dashur për nxënësit, në të njëjtën kohë edhe pedagog e metodist i shquar. Sahiti mban mend dhe reciton pothuajse të gjitha poezitë e rilindësve.
Gjatë tërë jetës është ballafaquar me të pritura e të papritura si nga regjimi ashtu edhe ata që e kishin marrë “për detyrë” ta vëzhgonin, ta përcillnin, meqë gjithnjë ishte në shënjestër të “shërbëtorëve të territ”, për shkak të bindjeve të tij atdhetare të shfaqura hapur, si para nxënësve ashtu edhe në mesin e kolegëve, të afërmve e miqve. Disa herë kishte qenë i arrestuar, i ndaluar, pastaj edhe i burgosur, por kurrë nuk është thyer. Qëndrimi i tij kurdoherë vertikal dhe i pathyeshëm kishte ngjallë respekt te nxënësit, por edhe te kolegët.
“Ishte kohë e rëndë. Nuk kishte sa duhet mjete e tekste shkollore nëpër shkolla. Nxënësve u mungonte çdo gjë, sidomos atyre në fshatrat e thella malore, ku duhej të punoja me disa klasë, sepse kishte pak mësues. Nxënësit, kryesisht ishin të varfër. Ishin të veshur hollë gjatë dimrit, rrugëtonin me orë të tërë nëpër shi e dëborë, te disa hetohej edhe mungesa e ushqimit. Të gjitha këto i vëreja në fytyrat e tyre, ishin të tillë, ashtu sikur i kishte përshkruar Migjeni. Po kisha besim, për ditë më të mira. Shkolla në Kosovë përparonte nga vitit në vit. Hapeshin shkolla të mesme, pastaj fakultete dhe në fund edhe Universiteti, në Prishtinë. Punoja edhe atëherë kur më pengonin, nuk i ndahesha leximit të veprave, sidomos atyre me përmbajtje kombëtare. Lexoja literaturën që vinte nga Shqipëria ilegalisht, përmes lidhjeve. E shpërndaja te ata shokë e kolegë të cilët i besonim njëri-tjetrit. Libri m’ u kishte kthyer në pasion jetësor. Blija kur kisha mundësi, sepse një rrogë e mësuesit me një familje me shumë anëtarë, duhej të jetonte me reduktime, për t ia dalë… Më në fund, në shtëpinë time përdhese me dy dhoma, në Ferizaj, njërën kisha arritur ta mbushja me libra, me të cilat shërbeheshin nxënësit por edhe kolegët e punës” kujton atë kohë, profesori, Sahit Salihu…
Biblioteka personale në shtëpinë e tij Ferizaj, sidomos në vitet 90-të shekullit të kaluar, kur regjimi i Milosheviqit kishte përzënë nga shkolla nxënësit e studentët shqiptarë dhe kishte mbyllur shumë institucione arsimore, ishte vazhdimisht e hapur për lexues. Vetëm atë pasuri kishte dhe ka profesor, Sahiti.
Ai ka mbajtur dhe mbanë një qëndrim të fortë kombëtar. Është idealist, mbështetës i ideve revolucionare për liri, drejtësi e barazi shoqërore e njerëzore. Mbron me gjuhën e fakteve të arriturat kolosale në kombit, sidomos në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit. Flet me gjuhën e fakteve për ndërrimet e mëdha dhe kapitale që ishin bërë asokohe, në Shqipëri dhe që kishin qenë burim frymëzimi dhe përkushtimi edhe për të gjithë shqiptarët, në viset e mbetura nën pushimin jugosllav. Flet për frymëzimin që kishte marrë rinia shqiptare e Kosovës e më gjerë nga Shqipëria e Enver Hoxhës.
Në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai paraprakisht përmes një kushëriri kishte siguruar armën, me të cilën një ditë vjeshte të vitit 1998, ishte lajmëruar në Shtabin e Jezerci te komandanti, Ramadan Rexhepi, i njohur si “Adidasi”. E njohja Ramadanin dhe i pata thënë, se kam ardhur të bashkohem me radhët e UÇK-së ku kishte edhe shumë ish nxënës të mi, tanimë të burrëruar, me armë e uniforma. “Je i moshuar profesor Sahit, më tha Dani. Kemi shumë të rinj që i dalin zot pushkës dhe që po presin në radhë. Ja për shembull, ai atje, bëri me dorë. Ishte një djalë i bëshëm, i gjatë e trupmadh. Atij t’ ia japësh armën, më tha. Për ty ka punë të tjera. Ti na duhesh në qytet. Edhe ashtu ke qenë pjesë e rezistencën dhe tani je edhe e luftës. Lufta jonë është e përgjithshme. Nuk kemi sa duhet armë, por kemi shumë e shumë punë, që na presin në mobilizimin e radhëve…
U binda në fjalët e eprorit të UÇK-së Zonën e Neredimës, Ramadan Rexhepi, tani dëshmor i luftës së UÇK-së dhe hero i Kosovës. Edhe tani më shfaqet përpara pamja e atij djaloshit që ia dhashë armën. Atë ditë gjatë rrugës për t’ u kthyer, nja Jecerci në Ferizaj, shihja luftëtarë të lirisë, që iu kishin qepur maleve e pyjeve të Kosovës dhe zemra më bëhej mal. Pushkën që e kishte blerë ia kisha dhënë luftëtarëve të lirisë. Kisha kryer vetëm një detyrë, të tjerat ishin në radhë, sepse puna dhe angazhimi për komb e atdhe kurrë nuk bëhen mjaftë”…
Edhe tani në moshën 81-vjeçare, profesor Sahiti ka shëndet vital. Ecën këmbë dhe me biçikletën e tij, rend rrugëve nëpër lagjet e Ferizajt. “Kjo është e arritura ime, makina ime. Madje disa nga shokët që kanë vetura ndër më të shtrenjtat, nganjëherë më ndalojnë dhe më përshëndesin. Ata ankohen, dikush nga pesha, dikush nga sëmundja dhe më “marrin lakmi”, që unë edhe në këtë moshë ngas biçikletën time, ndërsa ata ankohen, edhe pse ngasin vetura….
Profesor Sahiti ka bërë dhe bën një jetë modeste, por me dinjitet, me merita të pashoqe si pedagog, mësimdhënës i përkushtuar, kurdoherë me ballin lart, pa iu detyruar askujt. Ai nuk ankohet, edhe pse ka për çka të ankohet. I gëzohet fitores historike të luftës së UÇK-së dhe të arriturave në Kosovë, edhe pse ka shumë vërejtje. Proteston kundër Gjykatës Speciale dhe ka besim të patundur se luftën e UÇK-së nuk mund ta zbehë, as ta zhbëjë askush, aq më pak ata shqipfolës që e injorojnë e fyejnë, njëjtë sikur kriminelët në Serbi, edhe pse ata këtu në Kosovë gëzojnë frytet e luftës, në shumë se vetë luftëtarët.
( Bashkëbisedimin në Studion e TV-Diellit, me profesor Sahit Salihun e realizoi, kryeredaktori, Ahmet Qeriqi)