leoni

Sefer Pasha

Albert Z. Zholi: Intervistë me publicistin dhe skenaristin, Sefer Pasha IV

 Në promovimin e këngës “Baladë Çame” në Tiranë, Adem Demaçi më tha të bëj një film për Çamërinë.

Popullsia çame që ka mbetur në trojet e dikurshme në varshmëri me politikën nuk shfaqet

-Shteti grek kërkon që të zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje por  bisedimet janë sekrete

Çamëria, Shkëmbi Barketa, djali i Akilit në Qafën e Botës, dhe Mehmet Shehu suliot

-Dua të realizoj një dokumentar biblik për viset e Çamërisë si një substrat i rrallë dhe skenari nuk po merr trajtë

– Hija e rrejshme e Asafalisë në këto vise qysh prej motit është atashuar dhe në valët e detit të Prevezës dhe tek shkëmbinjtë e Filatit

– Mes Kosovës dhe Çamërisë ka një tis ngjashmërie proverbiale, por Kosova e fitoi lirinë me luftë, po Çamëria?

– Në afërsi të piramidës 70 grekërit në Filat masakruan një djalë të ri që humbi të dyja këmbët, por u hoq zvarr deri në Konispol

– Sot pushtetarët po e zvogëlojnë Shqipërinë, po shesin territore, vendi po boshatiset, lindjet kanë firuar

                                                            “Prej Tivarit e n’ Prevezë

                                                              Nji a gjuha e kombi nji.

                                                              Ku lëshon dielli nj’ato rreze,

                                                              Qi veç toka e jote i di”

                                                                                                       Ndre Mjeda

-Ku është lidhja?

Në një nga përzeniet e mëdha të çamëve për në Shqipëri prej Gumenicës bashkë me karvanin e çamëve fluturonin mbi ta dhe gjeraqinat e bregut. Gjeraqinat ishin të lidhura me banorët e bregut të Gumenicës. Një tufë me gjeraqina përfunduan në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku u vendosën një pjesë e gumeniciotëve. Janë shtuar dhe fluturojnë mbi Shashicë.

Kam bërë një listë me kapedanët çam. I ka kaluar nja një qind trima. Të gjithë janë karaktere. Po tani kanë ndryshuar kohët. Nuk vrapohet pas atdheut, por pas dollarit. Kur shërbeja në Gardë një “personalitet”, i cili kishte bërë krime kishte vendosur të shkoj në fshatin e lindjes. Vajti natën. Por në hyrje të fshatit filluan të kuisnin qentë. U bën kope dhe e rrethuan ekskortën e Gardës. Njëri nga shoferët shtypi një nga qentë. U bë potere e madhe. Në fshat krisi pushka. Dhe “personaliteti” u kthye me bisht ndër shalë në Tiranë. Nuk u fut dot në fshatin ku kishte lindur.

                    Herë pas here kur flasim për dokumentarin Dhimitër Butrinti më thotë që të lëmë një “furrik” për të qepur një fragment nga jeta e aktorit me origjinë nga Pagra. Rolin e Ibrahimit tek filmi “Sulejmani i madhërishëm” ai e ka qarë. Ngjan që është çam. Unë nuk ja bëj shumë të bardhë Dhimitrit. Më shumë më interesojnë kapedanët e Çamërisë legjendat e të cilëve i gjejmë tek valët e detit, dhe në udhën drejt Shqipërisë, ku iknin të traumatizuar mijëra refugjatë çam. Në të dy anët e udhës nuk ka qeparisa, por varre të fshehur. Varre pa një gur tek koka. Më sfilit ankthi për të gjetur varre nga të atyre që ishin në karvanin tragjik të përndjekur nga cikloni i andartëve grek. Sa keq. Ëndërr për të gjetur varre. E brenda varreve ndonjë adresë.

               Në Gumenicë u futëm në një dyqan mishi. Brenda nuk kishte klient. Shitësi, i cili e mori vesh se ne ishim nga Shqipëria, e mori fjalën i pari: – “Si jeni nga Tirana?” tha ai. Gjithashtu tha si ishte nga çamët e dikurshëm të Gumenicës së vjetër. Vetëm kaq. Kur në dyqan u futën klientët ai heshti. Ishte hera e parë në këtë shtegëtim që guxonte dhe na fliste një çam. Shumica flasin greqisht. Pyetja: “Si jeni nga Tirana?”ma trazoi shpirtin. Dhe vetëtimthi solla në mendje tregimin e Heminguejt: “Ç’lajme ke nga atdheu?”. Heminguej e ka shkruar këtë tregim në vitin 1924. Titulli i këtij tregimi dikur nuk më ka pëlqyer. Më është dukur prozaik. Në socializëm atdheun e kishim brenda telave me gjëmba dhe nuk kishim mall për të. As nuk pyesnim. Tani që shqiptarët janë shpërndrë në të gjithë planetin e vlerësojnë tregimin e Hemiguejt: – “Ç’lajme ke nga atdheu?”. Kjo ishte arsyeja që mua më emocionoi pyetja e çamit nga Preveza: – “Si jeni nga Tirana?”. Po cili është atdheu për çamin e dyqanit të mishit? Për të është Tirana dhe Çamëria. Kasapi i mishit ka dy atdhe. Një në Shqipëri dhe një në Çamëri. Por atdheu është një siç e ka përshkruar Ndre Mjeda: – “Prej Tivarit e n’Prevezë”.

               Kam bërë me dhjetra kilometra në këmbë dhe me makinë brigjeve të detit dhe anës lumit Pavël. Nuk po godas dot në shenjë. Kameramani Dhimitër Butrinti më kërkon me këmbëngulje që të gjejmë nën tokë buzë arave dhe pyjeve gur kufiri të ngulur nga çamët, të cilët u përzunë nga sinorët e pronave të tyre në Çamëri. Siç thonë gojëdhënat gurët nën tokë sikur të ishin piramida, që nga thellësia, ku janë mbuluar shikojnë njëri – tjetrin, tregojnë sinoret e arave dhe kufizimet me gjitonët. Çamët e përzënë shpresonin që të ktheheshin një ditë. Por ajo ditë nuk po vjen. Do të ishte gjë e madhe më thotë Dhimitri sikur të gjenim qoftë dhe një gur të vetëm dhe ta filmonim. Nuk i humbasim shpresat. Mbi Gumenicë është një pyll me lisa. Lisat përballë më kujtojnë Naim Frashërin. Dhe me sytë nga lisat recitoj: – “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë”! Lisat më sjellin përpara syve elitën e fisnikëve çam për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë. Populli aristokrat çam i ka përjetësuar trimat e tij. Me vargje epike i këndon Thanas Çamit, i cili në Rrapëz të Pargës vret kriminelin Dhionis Xhima. Janë monumental vargjet: -/Nxore revolen llagandë/ /Vrave Dhionis kapetanë/ /Ja hodhe trutë mënjanë/ /I mori gjaku pazar/ /Kish bërë zullume në çam/. Po kështu me vargje si për ligjvënës hyjnor këngët dokumetojnë plot kuptimësi heroizmin e trimave të Çamërisë siç është dhe ajo kushtuar trimit Hamit Margëlliçit, i cili në luftën ballkanike qëndroi heroikisht për mbrojtjen e trojeve të Çamërisë. Ja dhe vargjet që e ilustrojnë: /Kush lufton në Çamëri?/ /Hamiti me shqiptarë/ /Çamëria s’bëhet Elladhë!/. Me kredo e kult të paqshëm përjetësohet në këngët çame dhe komandanti i çetës “Çamëria”,  Muharrem Rushiti, i cili u kërkoj ndihmë trimave të Labërisë: – /Kazaja vuri tellallë/ /Djema na kërkon vatani/ /Me çetat e Labërisë//Grekut t’i hidhemi në grykë/.

         Çamët kanë shumë qibër dhe elegancë në këngët kushtuar prijësave të tyre.

– Por edhe kur nuk ka këngë ?

Por edhe kur nuk ka këngë vepra përjetësohet me baladat. Andartët grek i kanë përzënë çamët edhe në drejtim të Turqisë. Kështu i ndodhi Mulla Abazit nga fshati Karbunarë i Paramithisë. Grekrit i rrëmbejnë nusen e djalit. Shkulen çamët me sopata e me pushkë dhe ja u marin nusen grekërve. Mulla Abazi detyrohet të niset për në Turqi. I gjithë fshati e përcolli me këngë deri në të dal të fshatit: – /Aferim, vëllezërit tanë/ /Se ne tok jemi vëllamë/ /Gjak e gjuhë shqipëtar/…../Haj medet, o Mulla palla/ /Tej të zezës është e bardha/.

         Bota çame është e panjohur për shkak të rrethanave e të ndëshkimit të fatit. Një biografi monumentale në optikën çame do të kërkonte shumë ngazëllim. Ndofta një vëllim me vete e kërkojnë lidhjet e çamëve me lebërit. Megjithëse të dimensinuar i janë gjetur njëri – tjetrit në betejat e luftës me grekrit. Çamët janë zanafillor e autoktonë në trojet e tyre para helenëve. Dhe këtë e vërtetojnë kërkimet arkeologjike, veglat e stërrallit, armët, varret, poçeritë, puset e qeramika. Zeusi kishte si emblemë shqiponjën dhe vetëtimën.                                                                                                                            –            Në Parathimi ndeshëm me një fis, i cili mbante mbiemrin Buxheli. Pyetëm e nuk na dhanë ndonjë përgjigje për të qenë. Mbiemri Buxheli më trazojë. Ja tregova dhe Dhimitër Butrintit. Ma kishte thënë Avni Buxheli, vëllai i shkrimtarit Qamil Buxhelit, i cili në ato vite kishte bërë emër si shkrimtar. Qamil Buxhelit i kishte ndodhur një ngjarje e pazakontë. Ai ishte Kryeredaktor i revistës “Ylli”, që gëzonte famë në botimet e Tiranës. Revista “Ylli” shkonte për tu arshivuar dhe në Bibiliotekën e Parisit. Një ditë, krejt papritur, në sektorin e shtypit të Komitetit Qendror mbrrin një letër nga Drejtori i Bibliotekës së Parisit. Në letër thuhej që revistën “Ylli” Tirana të mos e dërgonte më në Paris. Ishte pa vlera. Shkrimtarin Qamil Buxhelin e thërret Ramiz Alia dhe e këshillon që revistën të mos e nisnin më në Paris. Ai ja jep dhe letrën e ardhur prej andej. Ramiz Alia gjithashtu e porositë Qamil Buxhelin, që të mos kthejnë asnjë përgjigje në drejtim të Parisit. Qamil Buxheli heshti parpara Ramiz Alisë. Pasi shkoi në zyrat, ku ishte redaksia e revistës “Ylli”, ai me kokën e tij i kthen një përgjigje private Drejtorit të Bibliotekës së Parisit. I rradhit ca rreshta falenderimi dhe në fund i shkruan se: – “Ku di dhia, ç’është tagjia!”. Përgjigja e Qamil Buxhelit bëri përshtypje në Bibliotekën e Parisit. E botoi dhe Gazeta “L’ Mond”. Proverbi: – “Ku di dhia, ç’është tagjia” ishte shoqëruar dhe me një karikaturë. Një dhi kishte përpara këmbëve një thes me tërshërë e me kokën lart përtypte gjethet e ferrës. Shkrimin e botuar në “L’ Mond” e kishte lexuar dhe Ramiz Alia. Në kafen e mëngjesit ai u kishte thënë bashkëpunëtorëve se Qamil Buxheli është çam i zgjuar.

             Në të dal të Pargës gjarpëron një lum i vogël. Nuk ja di emrin. S’dua të pyes. E shfletoj hartën digjitale, por as aty nuk lexoj gjë. Motivi i hartës më solli në mendje dramën e një oficeri topograf në vitet e socializmit. Topografi ishte me shërbim dhe kishte dal në vijën e kufirit në Janjar, që në ato vite ishte brez kufitar. Topografi po shikonte kordinatat e Çamërisë dhe detaje të tjera me të cilat do të pasuronte hartën në Institutin e Topografisë në Tiranë. Topografit i kishin dhënë një detyrë nga Drejtoria e Zbulimit të Jashëtm në Ministrinë e Brendshme. Oficerin e topografisë e shoqëronin dhe dy topograf të tjerë. Në sekondë ndodhi e pabesueshmja. Nje erë e befasishme ja mori topografit hartën nga dora dhe e fluturoi në greminë shumë larg vijës së kufirit. Era qe aq e fuqishme sa hartën e lehtë si pendë skifteri e shpuri në thellësi të teritorit grek. Kështu e kishin ndarë kufirin Fuqitë e Mëdha të Londrës. Topografi që u bë gur nuk mundej të kalonte vijën e kufirit për të marë hartën. Aty qe dhe njësiti i shërbimit i postës kufitare të Janjarit. Nëse topogrfi do të guxonte rojet e kufirit hapnin zjarr dhe në bazë të ligjit e asgjesonin. Harta në ato vite klastifikohej si”tepër sekret”. Po atë ditë dega e brendshme e Sarandës e arreston topografin dhe materialet ja përcjellin prokurorisë ushtarake të Tiranës. Dhe oficeri topograf bën disa vite burg. E kam takuar pas shëmbjes së regjimit komunist. Topografi kishte nxjerr vizë për në Greqi. Pikësëpari kishte shkuar në Janjar, ku në rini era i rrëmbeu nga duart hartën dhe ja çoi në thellësi të teritorit grek. Në fakt nuk ishte teritor grek, por padrejtësia kishte bërë punën e saj. Dhe topografi si të qe ndonjë i çmendur kërkonte hartën që i shkatërroi jetën. Në fund të fundit harta sekrete kishte rënë në një nga viset shqiptare siç qe Çamëria. Topografi qe thinjur në burg për një palo hartë që asohere klastifikohej si sekret. Sot hartat digjitale zbresin në ind të fenomeneve të panjohura në çdo cep të planetit.

           E shoh që nuk po gatuaj ndonjë brumë për të bërë bukë të mirë. E kam nga përvoja. Janë të vështirë skenarët. Ky për Çamërinë është si t’i futesh detit më këmbë për të dal tek Shkëmbi Barketa. Nuk je mbi bllok shënimesh, por mbi bombë. Neshat Tozajn e kam pasur mik. I kërkuan që të shkruante një skenar për antentatin e dështuar ndaj Ramiz Alisë në Krumë të Hasit. Neshati punoi dy vjet. E lexoi të gjithë dosjen e grupit të akuzuar të Golajve, ku pati dhe të dënuar me vdekje. Është e pamundur i tha ai Ramiz Alisë. Si mundet të realizohet një antentat me granadë nga një njeri që nga mesi i mitingut? Kjo është një broçkull kishte thënë Neshat Tozaj dhe nuk e shkroi skenarin. Gjithsesi unë po ngulmoj të gjej nëpër Çamëri ndonjë fabulë që t’ më shërbej. Një ma treguan çamët e Prevezës. Një çift çamësh kishin lindur dy djem binjak. Që të dy djemtë i lanë tek një bari në stan qysh kur qenë motak. Fëmjët nuk dinin asnjë fjalë as shqip dhe as greqisht. Bariu i ushqente mirë fëmijët. Atyre nuk u mungonte as “qumështi i dallandyshes”. Bariu qe shurdhmemec. Kur fëmjët qenë rritur pak tek dera e stanit futet një druvar. Të dy djemtë binjak i dolën përpara dhe i thanë dy fjalë: – “Bukë! Bukë!”. Çamët ua tregonin fëmijëve këtë tregim që nuk ngjante me përrrallat për t’u thënë se fjala “bukë”, të cilën e shqiptuan si fjalën e parë ishte e gjuhës shqipe. Këtë fjalë të dy fëmijëve të mbyllur në stan nuk ua kishte mësuar askush. Ajo u kishte dal nga “hambari” i gjuhës së nënës. Gjuha shqipe është folur në Çamëri që kur është krijuar bota.

         Mbledh e vjel ngjarje nga më të pabesushmet. Dua të theksoj se pas një tregimi apo novele vjen medoemos dhe kënga që i bën jehonë. Shpesh baladat nuk thuhen me fjalë, por me vargje siç është dhe kjo për një vashë të plagosur në Parathimi: – /Nëpër qiellin e Parathimisë/ /Shkon një zogëz me një sisë/ /Me një sisë e pa krah fare/ /Vasha e mjerë kërkon ca varre/ /Ku ka nënën dhe babanë/ /Në një varr një qind janë çam/. Me dy vargje shprehet jeta e çamit ne truallin e tij: /Mëhalla e Mustafa Dushes/ /Këtu vajzë e këtu nuse!/.

               Në kafene dhe në takime fare të thjeshta flitet dhe për takimet e Edi Ramës me kryeminstrin grek, Micotaqis. A mos ka ndonjë “pazar”?. Të dy kryeministrat sikur si kanë qejf marrveshjet. Dihen se ku janë denbabaden kufijtë detar. Një tregëtar peshku më habiti kur citoj De Golin që paska thënë: – “Traktatet janë si vajzat dhe trëndelinat. Zgjasin sa zgjasin!”.

            Dhimitër Butrinti më thotë që kur të kthehemi do të ndalojmë në Qafën e Botës. Ai më thotë gjithashtu se ka rënë në gjurmët e një fakti ku thuhet se emrin Qafa e Botës këtij vendi ja ka vendosur djali i Akilit, Pirro Neptolemi. Edhe emri i Akilit (heroi më i madh i Iljadës) shpjegohet nëpërmjet gjuhës shqipe. Dhimitri më pohon po ashtu se një skallave me emrin Andromaka ka kundruar bukuritë e Qafës së Botës, ku ndërthuhej deti, toka dhe qielli. Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë që djali i Akilit ishte pikërisht ai që ja kishte vënë emrin Qafa e Botës visit,  ku ndan vija e kufirit me Greqinë. Unë kisha lexuar një poezi të bukur të poetit Kostantinos Kavafisit për kuajt e Akilit, ku midis të tjerave Kavafis dhkruan: – /Kur të vdekur e panë Patroklin/ /Që ish aq trim, i fortë dhe i ri/ /Filluan të qajnë kuajt e Aklit/……./I pa Zeusi lotët e kuajve të pavdekshëm/ /Dhe u pikëllua. Në “Dasmën e Peleut” tha: -/S’ duhej të veproja kështu pa menduar/ /Më mirë o kuajt e mi fatkeq/ / Atje të mos u kisha dhuruar/.

           Miku im këmbëngul. Nëse do të bëhet dokumentari doemos që do të themi dhe ato që dimë për djalin e Akilit. E pëlqej mendimin e Dhimitrit. Prej Qafës së Botës nuk është larg Butrinti. Po sa të panjohura ka për Butrintin misterioz. Si mund të lulëzoj kaq shumë një qytet antik me madhësinë e një tepsie. Brenda një “tepsie” të ketë aq shumë vepra arti. Enigmë. I përplas mendimet me Dhimitrin. Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet çamët ju përshtatën regjimit. Nuk u arratisën. Ja dhe një ngjarje që ma ka treguar ish komandanti i kufirit të Sarandës me qendër në Livadhja. Në vijën e kufirit afër Konispolit natën kufitarët kapën një njeri që erdhi nga Greqia me një çantë në krah. Njësiti kufitar e pyet dhe ai u përgjigjet se ishte çam dhe banonte në qytetin e Sarandës. Kishte dy javë që kishte qenë në Filat. E kishte amanet nga gjyshi. Ai do ta kalonte fshehtas kufirin dhe do të merte në varrezat e vjetra të Filatit eshtrat e xhaxhait. Gjyshi ja kishte bërë dhe skicën e varrit. Dhe çami nga Saranda e që kishte ardhur i përzënë nga andartët grek, tani i moshuar, e kishte plotësur amanetin e gjyshit. Eshtrat e gjyshit i kishte në çantë. Kjo ishte shkelje dhe hetuesia e Sarandës e arrestoi shkelësin e ligjit. Sekretari i Parë Jashar Meselxhiu ndërhyn dhe çamin e lirojnë nga burgu. Dhe ai e rivarrosi me familjen dhe fisin xhaxhain e varrosur në Filat.

          Tërë këto ditë më mundon mendimi. Kufijtë e Çamërisë dihen. Dihet gjithashtu padrejtësia e Fuqive të Mëdha të Londrës në vitin 1913. Po çamët autoktonë ku janë? Pyes dhe askush nuk më përgjigjet. Flasin greqisht. 300 000  shkuan në Shqipëri të përzënë nga andratët. Po kaq dhe në mos më shumë ikën në Turqi e shtete të tjera. Po sa çam kanë mbetur nga fara e arës së madhe të çamëve? Ngre supet. Pyetja është sfilitëse. Çamët po asimilohen????. Kjo është dramë e përmasave të mëdha. Ndaluam në Marglliç. Në një lokal bëhej një dasëm. Dasmorët ishin në valle. I thashë Dhimitrit të filmonte. Është valle çame më tha ai. Jo, iu përgjigja. Çamët dhe në valle janë rrebel. Ngjajnë me cikolonet. Nuk ulen rrafsh me tokën. Edhe kur janë në valle dorë për dore “sulmojnë” qiellin. Duan të ngjiten lart. Janë shumë krenar. Vështroj si kërcejnë. I ngjajnë flakës. Kur flaka në pyll bëhet e madhe shkëputet dallgë – dallgë dhe vallëzon në hapsirë e vetmuar. Duke vallëzuar ikën larg si ai vargu i Mjedës “Prej Tivarit e në Prevezë”. Në valle çamët shkelin me këmbë të ligat e kësaj bote. Natyrisht të parin genocidin e andartëve grek. Duke kërcyer merren vesh vetëm me perënditë. Edhe kënga “Të krishterë e mysliman/ /Kanë një nder e një vatan/, i cili  është një krijm çam,  shpirtëzon botën çame, e cila nuk ka pasur kurrë dyfytyrësi. Megjithëse ja bëjnë apologjinë fesë myslimane, të cilën e kanë ikonë të jetës së tyre, çamët me vargun “Të krishterë e mysliman”përcjellin mesazhin e brishtë të unicitetit fetar.                                                                                                                                                    –         Megjithëse nuk kam kohë të mjaftushme më duhet të shkoj në zonën e Sulit. E kam pasion figurën e Marko Boçarit, të cilin e vrau “Lleshi i Zi” nga Mirdita. Por gjithashtu kam dhe një shqetësim tjetër. Ka studjues që thonë se suliotët nuk janë çam. Por ka dhe kronikan të kohës si Pukvili, i cili thotë se “suliotët janë shqiptar me origjinë çame”. Ka gjithashtu studjues arvanitas të cilën mbrojnë mendimin se suliotët janë të prejardhur nga Parathimia. Unë kam dhe një brengë tjetër, që më mundon prej vitesh, dhe po e publikoj për herë të parë. Gjyshi im nga nëna Hazis Dulja ishte mik i shtëpisë së Mehmet Shehut. Nga kujtimet e gjyshit njëra më mundon edhe tani që jam në zemër të Çamërisë. Në një vizitë në shtëpinë e Mehmet Shehut në Tiranë nëna e Mehmetit, Sulltana,  e cila e respektonte shumë Hazis Dulen i thotë përpara filxhanit të kafesë se i shoqi, Sheh Çorrushi, e kishte molloisur kur ata banonin në Çorrush se Shehajt i kishin rrënjët nga Suli. Gjyshi, Hazis Dulja, qe befasuar dhe kishte nxjer nga goja fjalën: “Çam?”. Gjyshi im plak nuk kishte mendim të mirë për çamët. Kur ai fare i ri punonte yzmeqar në Kaninë të Vlorës i kishin thënë se çamët janë të pabesë. Por menjëherë pas pyetjes së gjyshit me një fjalë: “Çam?”, kishte ndërhyrë Fiqirete Shehu që rrinte në kolltuk. Ajo e kishte sqaruar gjyshin tim dhe i kishte thënë se jemi suliot dhe suliotët nuk janë çam. Për këtë tregim të gjyshit kë nuk kam pyetur. Historianët ngrenë supet. Nëpër arkiva nuk ka ndonjë gjë të shkruar. Me gjithatë e gjeta një gjë të shkruar si e zeza mbi të bardhë. Studjuesi i njohur Aristidh Kola në librin e tij me vlera shkencore, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekërve”, në faqen 540 ai bën dhe këtë shënim: “Shpalljen e nënshkruajnë: Shehu, Boçari dhe Xhavella. Shehu që ka të njëjtin mbiemër me Kryeministrin e Shqipërisë (Gjithnjë në vitin 1980) është me sa duket, i së njëjtës farë me paraardhëse të përbashkët Dhespon e njohur suliote, që luftonte e mbyllur me “nuset, nipërit e mbesat në kullë të Dhimullës”që thotë dhe kënga. Disa të krishter, disa mysilimanë. Por gjaku është i njëjtë: Shqiptar!” Bëhet fjalë për “Lidhjen arvanitase të Athinës” e vitit 1897.

                Kohën e kam te rracionuar. Megjithatë më duhet të shkoj ne Mesologji, ku ka vdekur Bajroni më 19 prill 1824. Në Mesologji është vrarë dhe Marko Boçari suliot hero i luftës për pavarësinë e Greqisë. Bajroni e donte Greqinë. Ai thotë: “I kushtova Greqisë kohën time, pasurinë, shëndetin. Ç’t’i jpja më? Tani i jap jetën”. Po unë një skenarist i heshtur nga Tirana a e dua Greqinë? Sigurisht që po. Por Greqia e Homerit në ditët e sotme nuk është e lirë. Jam i sigurtë që Bajroni është takuar me çamët. Ka dëshmi që Bajroni mësoi të këndonte labçe me lebërit që i takoi që nga Himara e deri në Mesologji ku dha shpirt. Ndihem keq. Pse të mos ketë shkolla në gjuhën shqipe në Çamëri? Bile në Filat të kishte dhe një universitet. Heq në zëmër. Kërkesa të tilla janë çmenduri në Greqi. Më mbajnë gjallë vargjet e Mjedës e i përsëris ato vend e pa vend. Sytë i hesh mbi majat e ca rrepeve shekullor. Mbi kurorën e tyre fluturon një gjeraqinë. Ajo është e lirë. Po çamërit kur do të jënë të lirë si ajo gjeraqina? Nëpër rrugët e Çamërisë askush nuk të flet lirshëm shqip. Po bota pse hesht? E shoh që do më dështoj dokumentari. Por i them Dhimitrit që së paku kaseta të mbrrijë shëndoshë e mirë në Tiranë. Jam në ankth. “Faqebardhë caku!” thotë në veprën e tij Ukshin Hoti. Nuk ka dritë nëpër Çamëri. Sot për sot ka vetëm natë. Jam i sigurtë se edhe vargu i këngës çame: – “Gërsheti me natë deti, moj Leno” është krijuar në brigjet e detit të Camërisë.

                       Nuk e di nëse do ta realizoj skenarin kur të ulem që ta qëndisë. Synoj që ai të jetë një poemë në prozë. Kjo ma ngut zemrën që të nxjerr një dokumentar të mirë. Muskujt e kujtesës i kam vënë në punë. Do ta fus në dokumetar dhe poezinë e shkruar në Filat “Lisi mysliman”: – /Borziloku i Filatit/ /Ma trego rrugën e fatit/ Në cilat shtigje kaloi karvani?//Ku qe baba, nëna, fisi//bshkë me ta ishte edhe lisi//Lisi ish i lart sa mali/ /Në të dal të Filatit/ /Kur e pa gjëmën e madhe/ /U shkul nga vendi për në karvane/ /Dhe në të dal të Filatit//Lisi arriti karvanin/ /U tha pleqëve: Burra u mbani!//Kalamaj: Ju mos qani! //Mbahuni o trimat çam!//Këngë këndoni në karvan/ /Greku le t’ja bëj “bamb”//Ju vëllezër dhe ju motra//Le t’ju ketë çarë plumbi në mes//Me këngë e valle të forta/ /Shëndosh t’ju gjej çdo mengjes//Unë lisi i Filatit/ /Për karvanin jam banesë//Çamët i kam marë në besë/ /Le të siten plumba e le të bjerë breshër//Si filatas unë fitoj mbi dreqër//Me dëgët e gjera kthehem në spital/ /Për fëmijë e pleq bëhem kal//Shqiponjat bëhen ortopete//Operojnë ata që kanë plagë plumbi//Lumit Pavël gjak i kullon shkumi//Unë jam mysliman vikat lisi//Dhe si mysliman ju jap fuqi//Borzilokut si humbet fara nëpër Çamëri/.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Moti duket sikur është përmirësuar por ka filluar era e dimrit. Fryma e ftohtë që …