leoni

Sylejman Rrahim Statovci (4.3.1965 – 4.4.1999)

Sylejman Rrahim Statovci (4.3.1965 – 4.4.1999)

Pas Kongresit të Berlinit, në fshatin Batllavë të Besianës (ish-Podujevë) ishin dyndur shqiptarët e përzënë nga trojet e tyre në rrethin e Leskovicit, Prokuples, Nishit, etj. Në atë periudhë ishin vendosur në këtë fshat edhe banorët e fshatit Statovc, prandaj edhe paraardhësit e dëshmorit të kombit Sylejman Statovci. Familja e tij, me tradita atdhetare e liridashëse, e cila qysh në dimrin e vitit 1877 ishte detyruar të marrë arratinë dhe të shpëtojë jetën nga dhuna dhe mizoritë e pushtuesve serbë të Mihail Obrenoviqit dhe të lë vendin e të parëve në Statofc të Sanxhakut të Nishit, i cili fshat ishte djegur e bërë shkrumb e hi. Bashkë me Statofcin ishin bërë shkrumb e hi edhe 713 fshatra të tjera shqiptare dhe 8 qytete të sanxhakut të Nishit, Toplica, Kosanicëa, Prokupja e deri te Kurshumlia.
Nga trungu familjar i Sylejman Statovcit njihen edhe emra të brezave të mëhershëm, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar si në çështjen kombëtare ashtu edhe në atë arsimore në trevën e Llapit. Ndër ta janë të njohur Rrustem Statovci, Sylë Statovci, Kasum Statovci, Bajram Statovci, Rrahman Statovci etj.
Rrugës së lavdishme të të parëve të tij shkoi edhe dëshmori i kombit Sylejman Statofci. Prindërit e dëshmorit, Rrahim Statovci dhe Mihane Zymeri lindën dhe rritën katër fëmijë: Zylfinë, Adilen, Fatimen dhe Sylejmanin. Szlejmani ishte djalë dëshiri në familje. Ende pa i mbushur dy vjet ai kishte mbetur pa përkëdheljet dhe kujdesin e nënës e cila kishte vdekur. Pastaj për të ishin përkujdesur i ati dhe motrat.
Shkollën Sylejmani fillore e kreu në Batllavë, ndërsa të mesmen, gjimnazin në Besianë. Për shkak të kushteve jo të mira ekonomike nuk arriti të ndjekë studimet por u mor me punë bujqësie. Me shumë përtesë kreu shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, ku gjatë asaj mbetet edhe pa të atin.
Si shumë të rinj liridashës, edhe Sylejmani ishte i mbushur me urrejtje ndaj pushtuesit i cili e kishte katandisur popullin shqiptar në shtypje e mjerim të skajshëm. Ndonëse e njihte edhe më parë barbarinë fashiste atë e pa dhe e përjetoi edhe në demonstratat e vitit 1981 ku ishte pjesëmarrës aktiv i tyre në Besianë e Prishtinë.
Më 1988 Sylejman Statovci u martua me Nexhmijen nga Llapashtica, më të cilën patën tre fëmijë : Egzonën, Egzonin dhe Kushtrimin.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejmani vetëm po priste çastin për t’iu bashkuar radhëve të saj.
Më 15 gusht 1998 u rreshtua në radhët e UÇK, në Brigadën 151 “Zahir Pajaziti”, në kompaninë “Kështjella 27” në Batllavë, e cila veproi në frontin lindor të luftës, në Llap. Që në fillim u caktua me detyrë në Togun e logjistikës, detyrë të cilën e kreu me përkushtim dhe përgjegjësi deri në ditën e rënies.
Në njësitin “Kështjella 27”, Sylejmani nuk kufizohej vetëm në detyrat që kishte në togun e logjistikës. Atij i ishin besuar edhe detyra të tjera. Natyra dhe disiplina e punës, te eprorët e tij kishin shtuar tej mase dozën e besimit tek ai. Të gjitha ato që iu besuan ai i kreu me sukses deri në ditën e rënies së tij më 4 prill 1999.
Ato ditë forcat ushtarake, policore, paramilitare serbe kishin nisur një ofensivë në drejtim të pozicioneve të UÇK – së të cilat i mbante “Kështjella 27”, përreth lumit Batllava. U luftua dy ditë pa ndërprerë, ku njësiti i Sylejmanit së bashku me njësitet e tjera po përpiqeshin të pengonin forcat serbe të depërtojnë në drejtim të fshatit Dyz, aty ku kishte shumë popullatë civile. Bashkëluftëtarët e Sylejmanit sot kujtojnë ato ditë kur forcat okupuese serbe me shumë teknikë të motorizuar dhe forca këmbësorie ishin nisur një ofensivë të përmasave të gjera në drejtim të pozicioneve të UÇK – së, të cilat i mbante Kompania “Kështjella 17”. Nga breshëria e zjarrit të dy trimave të asaj dite, Sylejmani e Halimi, makineria e forcave armike u bllokua. Ditën e dytë të luftimeve të ashpra me shumë të rënë, aty kah mesdita në fshatin Batllavë ra heroikisht Sylejmani bashkë me kushëririn e tij dhe bashkëluftëtarin, Halim Statovci. Ata kishin luftuar në istikamet e tyre deri në rënien e tyre pa u zbrapsur për asnjë hap. Më 16 qershor 1999 u gjet trupi i dëshmorit Sylejman Statovci dhe më 17 qershor u varros me nderime ushtarake në Varrezat e fshatit Batllavë. Pas luftës familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga strukturat e UÇK-së, komanda e ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …