Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF hap sot fushatën nacionale “Komuna ime, e drejta ime sociale”, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e mëtejshëm dhe mobilizimin e vendimmarrësve për ndërhyrje emergjente në sigurimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë, gjendja e të cilëve është rënduar edhe më tepër si pasojë e pandemisë Covid–19.
Gjatë muajit Qershor 2020, KOMF ka publikuar Raportin e Monitorimit ku ka pasqyruar gjendjen tejet të rënduar të shërbimeve sociale në vend. Në mungesë të financimit të qëndrueshëm, shumë shërbime sociale janë mbyllur tashmë apo janë në prag të mbylljes. Për pasojë shumë fëmijë dhe qytetarë të cenueshëm po mbesin pa shërbimet e domosdoshme për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Përmes kësaj fushate, KOMF synon të përçojë rekomandimet e raportit të monitorimit drejt vendimmarrësve dhe institucioneve me qëllim vendosjen prioritet dhe investimin në zhvillimin e shërbimeve sociale.
KOMF konsideron se përballja me pandeminë Covid–19 vërteton edhe më shumë nevojën për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë për shërbime sociale.
Përmes kësaj fushate, akterët kryesorë të përfshirë në sigurimin e mirëqenies së qytetarëve, do të përçojnë mesazhe rreth prioriteteve dhe punës së tyre për sigurimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Gjithashtu, përfaqësues nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, përmes mesazheve që kanë për qëllim mobilizimin e vendimmarrësve për investimin në shërbime sociale.
Pjesë e fushatës virtuale që do të realizohet përmes rrjeteve sociale do të jenë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, kryetarët e komunave, përfaqësues nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të agjencive ndërkombëtare në Kosovë.
Me qëllim të rritjes së vëmendjes së institucioneve për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në nevojë si dhe ngritjes së vetëdijes për publikun e gjerë mbi rëndësinë e mirëqenies sociale, KOMF ka vendosur përballë ndërtesës së qeverisë, një simbol që paraqet përgjegjësinë dhe detyrimin institucional për sigurim të mirëqenies sociale për të gjithë.
Po ashtu, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale, KOMF është duke mbështetur hartimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale. Prandaj, krahas fushatës virtuale, përgjatë gjithë kësaj jave, KOMF do mbajë konsultime me shoqërinë civile, Qendrat për Punë Sociale, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues nga komunat, etj, për t’i dhënë zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve dhe grupeve të interesit gjatë hartimit të Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosove dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, si dhe projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.