Adem Breznica

Adem Breznica: Prokuroritë hajdute ngritin aktakuza kundër hajdutëve

Prokuroritë janë plagjatoret më të mëdha të punës dhe mundit të të tjerëve në gjithë Kosovën institucionale. Ato nuk i japin përgjegjësi kurrkujt për vjedhjet e tyre masive të cilat i bëjnë në mënyrë të hapur, madje ndër sy dhe të vet gazetarëve e prokurorëve.

Vjedhjet, pra, janë krejt publike, transparente dhe më e keqja është se bëhen në mënyrë institucionale dhe në emër të drejtësisë…

Prokurorët “harrojnë” se ngritin aktakuza falë punës dhe hulumtimeve disa javore, mujore, e madje vjetore, të gazetarëve. Ndërsa,

– rrogat mesatare të prokurorëve e kalojnë shifrën e 1500 eurove, pa asnjë vonesë;

– ato të gazetarëve mezi arrijnë mesataren e 500 eurove, me njëqindenjë vonesa e peripeci të llojllojshme.

Dhe, krejt në fund, në vend se gazetarët me u ankua për plagjiaturë ndaj tyre nga ana e prokurorisë, ata “fryhen” e “shtyhen” ndërmjet vete se kujt prej tyre ua vodhi prokurori hulumtimin, në bazë të të cilit u ngrit kjo e ajo aktakuzë.

Atyre, madje, nuk u shkon ndërmend as propozimi i ndonjë (projekt)ligji, i përgatitur e përshtatur prej tyre, që do ta rregullonte këtë çështje, apo dhe propozimi për amandamentimin e ligjeve aktuale që do t’i qartësonin e forconin rolet dhe pozitat e ndara të gazetarëve e prokuroreve, qoftë edhe me marrëveshje zyrtare bashkëpunimi ndërmjet tyre.

Akoma më ironike se kaq është edhe fakti se gazetarët janë të parët të cilët atakohen nga krim(b)i që ua servirin për trajtim të mëtutjeshëm prokurorëve, pa e pasur mbrojtjen e askujt, madje as të Odës së Avokatëve të Kosovës.

Ndërkaq prokurorët gëzojnë privilegjin e mbrojtjes e bonuseve speciale, për shkak të kinse rrezikshmërisë së lartë që i përcjellë gjatë kryerjes së detyrës, respektivisht punës së tyre; e që në fakt nuk është e tyre por e vjedhur prej tyre.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …