Tri projekte madhore me interes për komunën

Gjatë këtij viti Drejtoria për Urbanizëm dhe Mjedis në Ferizaj, përveç aktiviteteve të rregullta në prioritet do t’i ketë tri projekte madhore me interes për komunën.

Kështu ka bërë të ditur i pari i kësaj drejtorie Faik Grainca, gjatë një konference për medie në të cilën ka spikatur se projekti i studimit të fizibilitetit për zonën qendër, hartimi i  planit zhvillimor të komunës dhe projekti i përgatitjes së hartave zonale janë në fokus të prioriteteve të kësaj drejtorie.

“Të tria këto dokumente të planifikimit hapësinor të cilat kërkojnë  një punë, angazhim dhe një përkushtim jashtëzakonisht të madh. Deri më tani kemi formuar vetëm grupet sa i përket  planit zhvillimor komunal dhe jemi duke i mbledhur shënimet, siç dihet këtij plani i ka skaduar vitin e kaluar afati pesëvjeçar dhe ne, tani planifikojmë që këtë dokument ta hartojmë për një periudhë ndoshta më të gjatë se pesëvjeçar, këtë e mundëson ligji për çështje të Kuvendit”, ka thënë Grainca.

Për më tepër duke u ndërlidhur me projektin e studimit të fizibilitetit për qendrën e qytetit, Grainca, ka  thënë se komuna e Ferizajt është e interesuar që qendra e qytetit të ketë një pamje tjetër, tu përshtatet kushteve moderne duke u nisur nga fakti se vetëm qendra e Ferizaj që nga pas lufta nuk ka pësuar transformim.

“Të gjitha pjesët tjera kanë pësuar transformime me përjashtim të qendrës kështu që jemi të interesuar që ta kemi një projekt si ide se si do të procedohet më tutje. Jemi në fazën fillestare, janë mbajtur takimet e para me qytetarët, do të ketë edhe të tjera që të merren sugjerime që ta kemi një  ide më  të mirë, “ka shtuar Grainca.

I pari i Drejtorisë së Urbanizmi, Faik Grainca, ka përmendur edhe procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke thënë se kjo drejtori është duke u marr intensivisht me këtë problematikë dhe se brenda këtij viti do të lëshohen edhe vendimet e para të legalizimeve.

“Deri  më tani janë të regjistruara diku 33 mijë objekte të ndërtuar pa leje por për fat të keq në fazën  e aplikimit për t’i trajtuar këto kërkesa ka qenë një interesim krejt i vogël sikurse në tërë Kosovën dhe ne i kemi më pak se 300 kërkesa dhe ne mendojmë që shpejtë secilën prej tyre ta trajtojmë dhe për secilën të kthejmë përgjigje. Shpresojmë se një numër i madh i tyre do të legalizohet por kjo nuk nënkupton se secili qytetar që ka aplikuar do te merr  vendimin e legalizimit”, ka thënë Grainca.

Ndryshe u bë e ditur se në adresë të kësaj drejtorie numri i kërkesave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është dyfishuar për 50 përqind, ndërsa u tha se gjatë këtij tre mujori të parë  janë diku 20 kërkesa për leje ndërtimore dhe prej  tyre 15 janë kërkesa për leje individuale dhe vetëm 5 kërkesa për ndërtime kolektive, gjë që tregon për një numër të vogël krahasuar me vitet e kaluar.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …