Ferat Shala

Ferat Shala: Letër publike ambasadorit Miroslav Lajçak

I nderuar ambasador i BE-së, z. Miroslav Lajçak,
Me lejoni që në fillim të kësaj letre time publike, të përshëndes përpjekjet tuaja për të zgjidhur problemin shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, për të vendosur paqen e përhershme dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. Është e qartë për këdo që ka njohje mbi historinë e Ballkanit, se vendosja e paqes dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një sipërmarrje aspak e lehtë, përkundrazi vendosja e paqes dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë kërkon angazhim dhe njohje të thellë të historisë që e ka sjellë këtë marrëdhënie në këtë pikë.
I nderuar ambasador,
Për të mos u kthyer gjatë në histori, Kosova dhe Serbia ndodhen në këtë pikë të raporteve mes tyre pasi jo shumë larg nga sot, shteti serb vrau mbi 13 mijë shqiptarë, më shumë se 1000 fëmijë, dëboi nga vendi i tyre gati 1 milion të tjerë dhe zhduku rreth 6000 persona, nga të cilët mbi 1600 ende nuk janë gjetur. E gjitha kjo ndodhi vetëm për një arsye: ata kërkonin të jetonin të lirë si gjithë popujt e tjerë të Evropës.
Vrasja dhe masakrimi i dëshmuar ndërkombëtarisht i mbi 13 mijë shqiptarëve, dëbimi i gati 1 milion dhe zhdukja e mbi 6000 të tjerëve, erdhi pasi Serbia kishte vrarë mijëra njerëz në vendet tjera të Ballkanit.
Shqiptarët e Kosovës shpëtuan nga shfarosja dhe vrasjet masive vetëm pasi perëndimi vendosi të mbështesë përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të mbrojtur popullsinë e pafajshme civile nga forcat serbe. Kjo mbështetje kulmoi me bombardimin që NATO i bëri Serbisë në vitin 1999.
Pra, është e qartë, i nderuar ambasador, se përpjekja jonë për liri, lufta jonë ishte e drejtë, dhe drejtësia e kësaj përpjekje dhe lufte është vërtetuar nga mbështetja që ka marrë ajo nga NATO, perëndimi dhe të gjitha vendet demokratike.
Përvoja e themelimit të Bashkimit Evropian, organizatë të cilën e përfaqësoni Ju z. ambasador, na ka mësuar se paqja midis popujve mund të arrihet vetëm kur ata të pranojnë dhe të përgjigjën për krimet që kanë bërë në luftë dhe të kërkojnë falje. Bashkimi Evropian u themelua pasi vendet që sot janë anëtarë të tij morën përgjegjësinë për krimet dhe dëmet e luftës së dytë botërore dhe i adresuan ato.
Të ju them sinqerisht, z. ambasador, unë nuk besoj shumë se përvoja evropiane për adresimin e krimeve të luftës do të përsëritet në rastin tonë në Ballkan. Dhe kjo për dy arsye themelore:
1. Sepse, Serbia nuk është përgjigjur kurrë për krimet që ka bërë në vendet tjera në Ballkan;
2. Sepse, unë nuk shoh ndonjë gatishmëri nga komuniteti ndërkombëtar që Serbia të vihet para përgjegjësisë. Aq më pak këtë gatishmëri e shoh tek Ju, edhe pse Ju mund të thoni se kjo nuk është në mandatin tuaj ligjor, diplomatik dhe as politik.
Z. ambasador, Ju edhe mund të mos keni mandat të merreni me krimet e luftës por, megjithatë, ju nuk mund ti mbyllni sytë kur Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daqiç thotë se njerëzit në Serbi nuk duhet të flasin për trupat e shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës.
E kuptoni saktë çka d.m.th kjo z. ambasador?! Ai, pra, nuk e mohon që trupat e shqiptarëve të zhdukur janë në Serbi dhe se ai e di ku janë, por pa fije turpi bënë thirrje që njerëzit të mos flasin për atë të vërtetë, pra të heshtin. Kjo është e papranueshme z. ambasador. Ne nuk mund të arrijmë paqen duke shkelur mbi trupat e familjarëve tanë dhe këtë gjë Ju nuk mund të na e kërkoni. Duke mos reaguar ndaj deklaratave të Daçiqit, Ju duket sikur po na kërkoni pikërisht këtë: marrëveshje për paqe me Serbinë mbi trupat e familjarëve tanë pa kërkuar ajo falje asnjëherë.
Javën e kaluar gjatë vizitës tuaj në Beograd, pasi takuat presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaruat se Kosova duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Duke shpjeguar këtë ide, Ju, ndër të tjera, thatë se Kushtetuta nuk është Bibël dhe se ajo mund të ndryshohet.
Z. ambasador, që kushtetuta nuk është Bibël këtë ne e dimë më së miri në Evropë, dhe kjo jo sepse ky është një koncept i thjeshtë që e kupton kushdo që ka një formim minimal intelektual, por, sepse ne kemi akomoduar shumë kërkesa të faktorit ndërkombëtarë që kanë pasur të bëjnë më standardet për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, standarde këto që nuk janë parë askund në Evropë. E ndryshuam Kushtetutën edhe për të themeluar Gjykatën Speciale, edhe pse ishim të bindur që ajo ishte një ngrehinë juridike që Evropa gjeografike, ku bëjmë pjesë edhe ne, nuk e kishte parë kurrë më parë. Pra, ne jemi të fundit në Evropë që duhet të na thuhet se kushtetuta nuk është Bibël dhe se mund të ndryshohet.
Z. ambasador, ne nuk duhet dhe nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën për të akomoduar Asociacionin për dy arsye kryesore:
1. Sepse, ndryshimi i Kushtetutës për të themeluar Asociacionin nuk është përcaktuar në asnjë nga dy marrëveshjet që ka nënshkruar Kosova në Bruksel. Përtej atyre dy marrëveshjeve ne nuk duhet dhe nuk do të dalim;
2. Sepse, ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë të prishet rendi ynë i brendshëm kushtetues i përcaktuar me Planin e Ahtisarit, mbi bazën e të cilit Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe mbi bazën e të cilit është hartuar Kushtetuta. Plani i Ahtisarit është kompromis i madh që ka bërë Kosova, dhe këtë ju duhet ta kuptoni njëherë e mirë.
Kushtetuta e Kosovës është e dizajnuar në tërësi mbi bazën e Planit të Ahtisarit, me këtë Kushtetutë, Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete, 22 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
I nderuar z.ambasador,
Para se të kërkoni që ne të ndryshojmë kushtetutën për të akomoduar asociacionin, ju duhet të kërkoni nga Serbia që të heq nga kushtetuta e saj Kosovën.
Para se të flisni për të drejta shtesë për komunitetin me pakicë serbe në Kosovë, ju duhet ta ktheni pak kokën për të parë se si jeton komuniteti pakicë shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si sillet Serbia me ata dhe çfarë të drejta kushtetuese dhe ligjore gëzojnë në sistemin juridik të Serbisë, dhe t’i krahasoni ata me komunitetin serb në Kosovë. Apo reciprociteti nuk është një parim që duhet të zbatohet kur është fjala për Serbinë?!
Para së të flisni nga Beogradi për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës duhet të flisni më Daçiqin për kthimin e eshtrave të shqiptarëve që ndodhen në Serbi, sepse, ai e di ku janë, e ka thënë me gojën e tij para pak ditësh. Pyesni pak atë i nderuar ambasador, mbase juve nuk mund të ju thotë mos flisni për këtë temë siç po ju thotë të tjerëve në Serbi.
Para se ti kërkoni Kosovës kompromise të reja, duhet të numëroni dhe bëni një bilanc të kompromiseve që ka bërë deri tani. Që nga Pakoja e Ahtisarit e deri te marrëveshjet për asociacionin. Para se të akuzoni palën kosovare se nuk po e zbaton marrëveshjen për asociacionin, duhet të shikoni sa marrëveshje të nënshkruara në Bruksel nuk i zbaton Serbia tash e sa vite.
Z. ambasador ne duam që një ditë Serbia të vihet para përgjegjësisë për krimet që ka kryer në Kosovë, për dëmet ekonomike që i ka shkaktuar Kosovës dhe për të gjitha këto të kërkoj falje. Atëherë dhe vetëm atëherë, mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndërtohet paqja e qëndrueshme dhe bashkëpunimi i ndërsjellë.
Prof. Asoc. Dr. Ferat Shala, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …