Porosia e drejtuar në vitin 2008 për drejtorin e SHIK-ut të atëhershëm
Nuk do të dëshiroja assesi që me vdekjen e Bashkim Gazidedës të vdes edhe shpresa për të zbardhur të vërtetën për fatin e Remzi Hoxhës. Remzi Hoxha u arrestua më 21 tetor 1995 në qendër të Tiranës nga pjesëtarët e SHIK-ut, i cili ishte i komanduar nga Bashkim Gazidede. Arrestimi u bë në mes të ditës dhe nga persona zyrtarë. Veturat e përdorura ishin të po kësaj krijese që mendon të jetë kombëtare si dhe në prezencën e dëshmitarëve, punëtorëve të punëtorisë së Remziut, të cilët këtë fakt e prezantojnë me një deklaratë të firmosur dhe të bërë publike. Zyrtarisht një fakt i tillë për këtë arrestim vërtetohet edhe nga vetë SHIK-u në shkresën zyrtare të tij si përgjigjeje Avokatit të popullit Nr. 2294 Tiranë 31.07.2002 ku thuhet qartë “… një ndër automjetet që është përdorur për këtë arrestim është se vetura me targa TR 2449 C i takonte SHIK-ut dhe se ajo është tërhequr nga shefi i prapavijës së drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë Nuredin Dërvishi për nevoja operative me datë 20.10 1995. Më pas është i dorëzuar ish-drejtorit të SHIK-ut në Tiranë Mehmet Hagjolli. Nga të dhënat operative konfirmohet fakti se në këtë operacion ka marrë pjesë edhe shefi i bazës 10 të vëzhgimit Avni Kolldashi. Pas arrestimit të Remziut nga ta është dorëzuar tek oficerët operativ si Ilir Kumbaro dhe Arben Sefëgjini, kryetar dege dhe zëvendësdrejtor në drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë. I arrestuari është dërguar në një bazë sekrete në Vain të Lezhës”.
Bashkim Gazidede si shef i këtij shërbimi edhe në shkresën e tij Nr. 3755 datë 95/96 drejtuar prokurorisë mohon se vetura është marrë në datën e caktuar dhe përdorur nga SHIK-u, duke injoruar edhe faktet e cekura më lartë dhe këtu edhe i vihet pikë aktivitetit për zbardhjen e fatit të Remziut, pasi vullneti i Gazidedës dhe mohimi i tij kishte fuqi për të bërë këtë.
Dëshmitarët të këtij rrëmbimi zyrtar paraqiten edhe Ziso Kristopolo nga Saranda si dhe Armend Loshaj nga Deçani, të arrestuar po atë ditë nga SHIK-u për po të njëjtin rast. Ziso tani jep shpjegimet dhe për natyrën e bisedave nga inspektorët e SHIK-ut, të tëra të natyrës politike dhe ngjarje të konstruktuara nga vetë ata. Vetëm motivi është ende i paqartë dhe mund të spekulohet. Dëshmitari tjetër dhe i arrestuari Armend Loshaj në këtë mes ka një rol krejtësisht tjetër. Që të dy dëshmitarët janë gjallë.
Në dokumentin zyrtar të SHIK-ut paraqiten në përfundim se si të implikuar në rrëmbim dhe zhdukje inspektorët Avni Kodashi (më vonë i liruar nga shërbimi 1998), Ilir Kumbaro i liruar nga shërbimi 1996, Dion Mece i liruar më 1997, Arben Sefëgjini 1997, Behxhet Muhellasi i liruar më 1997, Roland Dede shofer i Ilir Kumbarës. Për këtë ngjarje ka pasur dijeni edhe zëvendësdrejtori i kundërzbulimit Flamur Gjymyshka (kunat i Gazidedës). Se është marrë vetura zyrtare me targa të cekura nga të lartpërmendurit ka edhe një konfirmim tjetër zyrtar Nr. 805/2 data 30 03 1996 të policisë rrugore të nënshkruar nga drejtori i Policisë rrugore të Ministrisë së Brendshme kolonel Edmond Kasesi …
E dëgjova me vëmendje paraqitjen e Gazidedës para se të vdes në TV Klan, është e para publike pas kthimit nga azili në vendet islamike dhe mendoja se kjo kohë i ka mundësuar që të ndryshojë pozitivisht, por jo ishte ai i vjetri dhe ai me të vërtetë dinte të fliste vetëm nga pozita e të fortit, pasi edhe ishte në atë pozitë të mbështetur nga politika pushtetare gjithsesi. Gazidede në atë paraqitje publike ironizoi aq shumë dhe fare gjakftohtë refuzonte faktet që ai, përkatësisht vartësit e tij rrëmbyen një atdhetar. Të ironizosh nuk është forcë, është virtyti më i dobët në karakterin e njeriut. Mohonte fare thjesht e pa asnjë argument faktet e ofruara për veturën e përdorur dhe dëshmitarët që dëshmojnë këtë ngjarje. Në procedurën hetimore vartësit e tij e pranojnë se Remziun e kanë arrestuar dhe dorëzuar eprorëve për trajtim të mëtejmë, ndërsa ai e mohonte këtë. Ky ishte cinizëmi i Gazidedës. Ishte i fortë dhe në shtetet me demokraci të brishtë ku nuk sundon ligji por vullneti politik, ia ofruan këtë hapësirë që të luante me ndjenjat e familjarëve dhe shumë të interesuarve tjerë për zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen në fjalë. Një shef i shërbimeve informative, në një shtet të Evropës juglindore mos të di për aktivitetin e vartësve të tij dhe mos të ketë njohuri për rrëmbimet në mes të ditës, vërtet është qesharake. Vallë, çfarë pune të ketë bërë atëherë ai?
Ai dhe vartësit e tij, por dhe politika që i mbështetë janë duke e fshehur të vërtetën për krimin e bërë dhe sa kohë ende se kam të qartë. Shpjegimi i tij në emision se biznesmenëve të rrëmbyer, të zhdukur, vrarë etj., nuk kanë qenë në fokus të veprimtarisë së SHIK-ut por të policisë dhe se rasti i Remziut nuk është i vetëm nuk paraqet farë arsyetimi faktik. Remziu nuk ishte biznesmen tipik dhe të kishte kapacitete të mëdha fitimprurëse. Ai e dinte mirë se rrëmbimet e biznesmenëve përcillen me kërkesa për përfitime materiale nga i rrëmbyeri përkatësisht nga familja e tij dhe në këtë rast nuk kishte asnjë kërkesë të tij. Në rastin në fjalë kishte të bëjë me një veprimtar kombëtar dhe nuk ka kërkesa përfitimesh materiale.
Duke njohur mirë Remziun jam shumë i sigurt se ai e donte Shqipërinë shumë më shumë se Gazidede. Si shpjegohet e dhëna se vetëm një ditë pas rrëmbimit të Remziut në Tiranë, në Ferizaj nga policia serbe u bastisën lokalet sindikale dhe të tjerat në të cilat punoi Remziu. U bastisën edhe shtëpitë e udhëheqësve sindikal dhe veprimtarëve kombëtar e që ishin miqtë më të mirë të Remziut. Policia serbe mori dokumentacionin e gjetur. Është kjo koincidencë apo çfarë? Si e mohoni arrestimin e Remziut nga vartësit tuaj kur ai u prangos në ora 13:30 e në ora 14:45 prapë vartësit tuaj u rikthyen për ndonjë dokumentacion dhe për t’u treguar punëtorëve se Remziu po verifikohet në organe.
Letra publike e dërguar në vitin 2008 për Sali Berishën në kohën sa ishte kryeministër
U gëzuam ne shokët dhe bashkëveprimtarët me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri si vendi ynë i shenjtë. Marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të lira na gjeti së bashku me Remziun në Tiranë. Ishte gëzimi më i madh në jetën tonë që kishim jetuar dhe vepruar për këtë ditë u vizituam edhe juve dhe partinë Lëvizjen Demokratike edhe pse Remziu më thoshte se vizita pa një mbështetje të madhe financiare për këtë lëvizje është boshe. Mendonim që sa më demokratik dhe i konsoliduar të jetë shteti shqiptar aq më dobiprurëse do të ishte për pjesët tjera të ndara nga trungu ynë i përbashkët.
Berisha, jam shumë i bindur se rastin e zhdukjes së veprimtarit Remzi Hoxha e keni të njohur. Jam informuar për përgjigjet që u keni dhënë figurave publike e politike nga ana tjetër e trojeve shqiptare se ju nuk keni njohuri për raste të tilla pasi në Shqipërinë që ju e udhëhiqnit pushteti është i ndarë dhe politika nuk përzihet në mekanizmat e sigurisë. Arsyetimi i tillë nuk qëndron fare apo është i njohur vetëm në teori.
Mekanizmat e tillë të sigurisë janë leva në dorë të pushtetit e të politikës e veçanërisht për shtetet e Ballkanit kjo është bazike. Berisha kaluan ca vite të juaja në opozitë dhe ju keni fituar besoj një përvojë nga gabimet e qeverisjes së parë dhe shtetin shqiptar do ta shpini drejt konsolidimit në shtet të së drejtës, ku ligji dhe përgjegjësia para tij është fundamentale. Lufta e filluar kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj., nga Ju më jepte shpresë për një mendim të tillë. Shpresova që edhe për fatin e bashkëveprimtarit tonë tani më lehtë mund ta zbardhim, por shpejt u zhgënjeva. Berisha, ju me rikthimin e Gazidedes dhe dhënies së një posti në qeverisje më demantuat dhe gradualisht tregoni se jeni po ai i vjetri. Në vend të qelisë ju e shpërbleni mikun tuaj dhe këtu vërehet qartë se pushtete të ndara nuk ka pas as atëherë e as sot. Kam pritur se gjatë qëndrimit tuaj disa ditor në Kosovë do të ktheheshit në familjen e Remziut dhe të kërkoni falje për humbjen e birit të tyre. Kështu bëjnë liderët e përgjegjshëm. Nuk është ligësi të pranohet gabimi, e të ndëshkohen fajtorët. Dëshirojmë që e vërteta të nxirret vullnetshëm dhe ju mund të kontribuoni për të. Sakrifikoni ca miq për të vërtetën dhe drejtësinë. Ne nuk dëshirojmë që gjerë te ky akt të vijë detyrueshëm për shtetin shqiptar edhe pse durimit i ka ardhur fundi, u bënë 15 vjet.
Kryeministër, kaloni vetëm për pesë minuta në anën e familjarëve dhe dashamirëve dhe miqve të shumtë të Remziut, dhe sigurisht se do ta merrni vendimin meritor. Këtë veprim e keni borxh dhe me marrjen e tij nuk humbni asgjë personalisht.
Ne bashkëveprimtarët e Remziut, e konsiderojmë arrestimin e tij politik, ngase në atë kohë juve ish-kryeministër Berisha ju duhej një kurban, dhe e gjetët Remziun për ta realizuar sajesën tuaj se jeni i rrezikuar dhe e dëshironit rolin e viktimës në kohën kur ju kishit humbur mbështetjen qytetare, por edhe të miqve perëndimorë. Skenari i tillë ju dështoi, pasi Remziu përkundër gjithë atyre torturave nuk e pranoi këtë rol, dhe aryesja dihet, Remziu kurrë nuk do ta lëndonte Shqipërinë që aq shumë e deshti, mbase shumë më shumë se ju dhe strukturat tuaja vartëse.
Rasti në Ohër, dhe vizitat e Arkanit bashkë me bashkëshorten e tij Cecën në Tiranë e Shkodër atyre viteve, për të cilat Remziu kishte informata të sakta, e dëshmojnë këtë.
21. 10. 2010