Arbanë Q. Gashi: Intervistë me zëvendës-ministrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Bekim Brestovci
TV Dielli: I nderuar zëvendësministër, jeni një biznesmen i njohur në diasporë ku edhe jeni dalluar me aktivitetin Tuaj, çka ju shtyri të ktheheni në qeverinë e Kosovës dhe ta pranoni pozitën ku jeni tani e disa muaj?
Bekim Brestovci: Faleminderit që jeni këtu, një përshëndetje për të gjithë shikuesit e televizionit Dielli. Nga Diaspora jam kthyer në vendlindje në vitin 2018, ka qenë një synim i imi i kamotshëm, mos të them që nga dita e shkuarjes në diasporë. Kam pretenduar që një ditë të kthehem. Kam një histori të veçantë, këpucët e mija të cilat i kam quajtur këpucët e ikjes i kam ruajtur 25 vjet, dhe me të njëjtat këpucë jam kthyer në vendin tim. Qëllimi im ka qenë që ta ndryshoj formatin e aktivitetit në dobi të vendit sepse përveç që kam zhvilluar afarizëm në Gjermani jam marrë edhe me shumë çështje që kanë të bëjë me Diasporën. Në dy vitet e fundit para kthimit tim në vendlindje kam qenë drejtor ekzekutiv i Unionit të biznesit Shqiptaro Gjermane, aty jam ndërlidhur me disa aktivitet në dobi të vendit tonë dhe diasporës kudo ku jetojnë nëpër botë, sepse njësia organizative ekonomik është i nevojshëm për ndërlidhjen e vendit tonë me diasporën dhe shqiptarët kudo qofshin ata nëpër botë. Kjo ka qenë shtytja kryesore që më ka shtyrë të ndajë formatin e aktivitetit tim, të kem qasje tek një subjekt politik, përmes së cilit do të kem mundësi që aktivitetin tim ta realizoj edhe përmes institucioneve duke u bërë edhe pjesë e një qeverie.
TV Dielli: Diaspora ka vite që është pjesë e institucioneve, cili ka qenë kontributi në bashkimin e potencialit afarist shqiptar në vendet ku ka bashkatdhetarë ?
Bekim Brestovci: Qeveria e Kosovës përkatësisht ish Ministria e Diasporës ka pasur strategjinë për diasporën. Në vitet 2013-2018 ka paraparë hapa të tillë të cilët do ti bashkojnë shqiptarët kudo ku janë në organizata ekonomike të quajtura unione të bizneseve apo rrjete të bizneseve, të cilat kishin për synim që shqiptarët që punojnë në botë të bashkohen rreth këtij organizimi. Të krijojmë ndërlidhjen biznesore mes vete në shtetet ku ata jetojnë që tërë ky bashkim në diasporë ta ketë të orientuar strategjinë për investim në vendet e origjinës. Tani jemi në fazën e pritshmërisë që këto organizata ti motivojnë anëtarët e tyre që të krijojnë shoqëri aksionare të veçanta, për investime të përbashkëta në Kosovë të cilat do të lenin gjurmë të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit, sepse deri tani kemi vetëm iniciativa private, pra duhet ta ndërrojmë formatin nga ato vetjake në një organizim të përbashkët nga shteti ynë.
Tv Dielli: A keni marrë model nga vendet fqinje për shoqëritë aksionare, apo i keni hartuar vetë planet?
Bekim Brestovci: Jo, planet i kemi hartuar vetë, ne fatkeqësisht nuk kemi ligj për fonde në Kosovë, si e ka e gjithë bota, mirëpo në mungesë të këtij rregulli ligjorë jemi detyruar ti marrim shoqërisë aksionare.
TV Dielli : Ku është pengesa për mos hartimin e këtij ligji, duhet të shkoj në kuvend të aprovohet apo si?
Besnik Brestovci: Po, secili ligj duhet të prezantohet në kuvend por deri tani nuk kanë marrë iniciativë të domosdoshme. Shqiptarët kanë avancuar, kanë krijuar rezervat e kapitalit që të investojnë në vendin e tyre, andaj edhe duhet dhënë orientimin e duhur që ata pastaj ta bëjnë veprimin adekuat.
TV Dielli: Në pozitën ku jeni tani e disa muaj, a keni pasur mundësi të dorëzoni dokumentacionin e nevojshëm për hartimin e ligjit në kuvend?
Bekim Brestovci: Fatkeqësisht jo. Ka afër tre muaj që kam marrë postin e zëvendës ministrit, por kemi pasur procesin e fuzionimit të dy ministrive të MPJ dhe MD, procesi nuk ka përfunduar ende, ne kemi qenë në proces të këtij organizimi. Pastaj ministria ka pasur procesin e rikthimit rreth diplomatëve për rrotacionin e tyre. Pra nuk kemi pasur kohë të krijojmë gjëra të tilla, por është në agjendën time dhe së shpejti do të kemi një draft për ta proceduar në kuvend.
TV Dielli: Diaspora luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit pasi një pjesë e madhe jetojnë nga remitencat që marrin nga të afërmit e tyre, ajo ndër vite ka dhënë një kontribut të madh, çka do të veçoni me këtë rast?
Bekim Brestovci: Jemi dëshmitarë që gjithmonë diaspora ka dhënë kontributin e saj, çdo kërkesë që ka vendi diaspora është mobilizuar dhe ju ka dal në ndihmë. Kujtojmë me këtë rast vitet e 90-ta, pastaj Fondin Vendlindja Thërret për UÇK-në, por edhe tani në periudhën e pandemisë bashkatdhetarët tanë kanë dërguar remitencat më shumë se në vitin paraprak. Kjo është dëshmi se vendi ndihmohet gjithmonë nga diaspora. Shteti ynë nuk do ta kishte të lehtë po të mos ishte diaspora.
TV Dielli: Cilat janë planet për të cilat deri tani keni filluar konkretisht në zbatimin e tyre?
Bekim Brestovci: Ne kemi ngecje këtë vit. Fatkeqësisht nga strategjia për diasporën e cila e ka pasur validitetin deri në vitin 2018-2019 nuk është miratuar ende nga Qeveria, ngase qeveritë Haradinaj dhe Kurti kishin kohë shumë të shkurtër. Ligji ka bërë një rrugëtim të gjatë nëpër shtete e botës, dhe prapë ka ngel në lexim të parë në parlament. Në aspektin logjistik kemi shume ngecje. Në aspektin ekonomik ka pasur dy iniciativa të cilat deri tani nuk janë realizuar e njëra nga to është e dështuar. Ne, në Qeverinë Haradinaj kishim hartuar një plan për ndërtimin e një parku industrial të bizneseve shqiptare, në rajonin e Malishevës afër autostradës Prishtinë Tiranë. Qeveria Kurti me ardhjen e saj e suprimoi vendimin dhe e vuri një masë pezulluese ndaj atij vendimi. Pastaj ne kemi pasur edhe një iniciativë për krijimin e një dhome ekonomike të diasporës të bizneseve shqiptare e cila duhet patjetër të jetë pjesë e ligjit për diasporën. Pra nuk jemi as në fazën finale as për krijimin e një dhome ekonomike.
TV Dielli: Duke qenë i një rëndësie të veçantë krijimi i parkut industrial në Malishevë a mendoni ta ri aktualizoni sërish?
Bekim Brestovci: Kësaj pune do t’ i hyjmë gjithsesi, por qeveria Kurti ka dërguar një sinjal negativ tek bashkatdhetarët tanë të cilët kanë qenë të interesuar për të investuar kapitalin e tyre në këtë park industrial. Ne nuk duhet të varemi nga vullnetet e qeveritarëve. Pra ka qenë një vendim i pa matur, jo i duhur. Mbetet për të parë sa do të arrijmë ti bindim sërish për investim, ngase çdo ndërrim i qeverisë sjell një vendim tjetër, e investitorët penalizohen, me një fjalë është ndalur njëri prej projekteve më gjigante nga diaspora.
TV Dielli: Me qeverinë e Shqipërisë cilat janë bashkëpunimet e deritanishme?
Bekim Brestovci: Dy qeveritë tona kanë nënshkruar shumë marrëveshje. Ne diasporën përpiqemi ta shohim si një tërësi, asnjëherë të ndarë në atë diaspora e Shqipërisë dhe e Kosovës, andaj aktiviteti i dy dikastereve qoftë ai i udhëhequr nga ministri i shtetit z. Pandeli Majko, qoftë nga ne këtu. Ne kemi pasur bashkëpunim të dëshiruar por jo të mjaftueshëm. Kemi nevojë të intensifikojmë projektet tona të përbashkëta. Tekstet mësimore për diasporën duhet të jenë të unifikuara e jo të ndryshme. Aktivitete në këshill koordinues duhet të jenë aktive. Kemi shumë punë për të bërë, ngase ka ngecje në këtë aspekt, dhe ta zëmë hapin aty ku e kemi lënë.
TV Dielli: Ju, jeni edhe anëtar i Unionit të biznesit Shqiptaro Gjerman, a do të jeni urë lidhëse për bizneset në realizimin e kërkesave biznesore ?
Bekim Brestovci: Po, do të flas me shumë respekt për këtë organizatë ekonomike shqiptare që është në Gjermani. Këto unione janë themeluar me iniciativë të ministrisë së Diasporës në vitin 2013, dhe kanë qenë pjesë e strategjisë për diasporën. Një ndër ta është edhe themelimi i unionit të biznesit Shqiptaro Gjerman. Unë jam anëtarësuar që nga viti 2016, me kompanitë e mija për dy vite kam qenë udhëheqës ekzekutiv. Kam udhëheq me pjesën e organizatës të Unionit. Është një organizatë që deri tani ka grumbulluar 500 kompani shqiptare që operojnë në Gjermani në kuadër të organizatës. Ka ndikuar shumë që njerëzit të njohin njëri tjetrin, ka sjell një ndërlidhje mes afaristëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe kanë kontratë dhëne tek njëri tjetri, ndër vite kanë realizuar 20 deri 30 milion euro qarkullim financiar, firmat mes vete duke i dhënë punë njëri tjetrit. Ky ka qenë synimi i kësaj organizate. Ka pasur edhe aktivitete tjera te forumit ekonomik që është organizuar çdo vit në Kosovë që të bëhet lidhja Kosovë Gjermani në mënyrë që të organizohet një treg i përbashkët. Një pjesë e madhe e forumeve shqiptare që shkojnë drejt tregut gjerman janë rezultat i Unionit shqiptaro gjerman. Dërgimi i të rinjve për aftësim profesionalë në Gjermani për tre vjet, një memorandum bashkëpunimi në mes të MPMS-së, dhe Gizit gjerman, ne kemi qenë palë e tretë, të rinjtë tanë kanë pasur mundësi mësimin profesional dhe janë bërë pjesë e unionit të bizneseve. Vazhdon të jetë shumë aktiv, Unioni ka ndarë në atë kohë kur edhe unë kam qenë pjesë e tij 500 bursa për studentet e dalluara dhe ato me nevoja ekonomike. Pastaj ndihmuam Shqipërinë në kohën kur ndodhi tërmeti atje. Në Union vijnë shumë kërkesa ato mandej nga një grup ekspertësh trajtohen ato. Unioni është një shpresë shumë e madhe për zhvillimin ekonomik në Kosovë.
TV Dielli: Ju tani keni parë nga afër nevojat e ekonomisë së Kosovës a besoni se mund të bëhet një kthesë dhe ku mendoni se mund të arrihet më shumë?
Bekim Brestovci: Po, një kthesë mund të bëhet, shoqëritë aksionare mund të japin kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit. Janë tre sektorë që duhet të preken patjetër, përveç zonave ekonomike, prodhuese në mbarë vendin. Ne duhet ti qasemi industrisë ushqimore, ti ngjitim kapacitetet e saja. Pas një faze të zoonimit të Kosovës mendoj që ne do ti krijonim këto me një qark të mbyllur. Bujqve tu krijohet shitja e produktit me një çmim të garantuar paraprakisht që do të ishte një motivacion shumë i madh për ta. Me këtë aktivitet mendoj se do të angazhohen edhe 10 mijë bujq shtesë që do të merreshin me punë bujqësore. Sektori tjerë që duhet analizuar është turizmi malor dhe blegtoria. Pra janë tre fusha që mund të kyçen dhe të shfrytëzohen të gjitha resurset në Kosovë, duke filluar nga fuqia e lirë punëtore, tatimi i ulët që është në vendin tonë për të implementuar projektet me rëndësi nacionale strategjike, duke ofruar edhe parcela në dispozicion, pra nuk duhet anashkaluar këto tri pika.
TV Dielli: Cila është porosia e Juaj për mërgimtarët biznesmen të cilët punën dhe aktivitetin e tyre e zhvillojnë jashtë?
Bekim Brestovci: Porosia ime është që të vazhdojnë ta duan vendin si deri tani, ta ndihmojnë, të krijojnë lidhmëni me njerëzit tanë në diasporë, të marrin modele të ngjashme. Një pjesë e madhe e rinisë sonë varet nga diaspora. Apeloj që të mos bëhen viktima politike, të mos zbehet atdhedashuria për vendin. Nuk është krejt zi siç mundohen ta paraqesin disa parti politike. Ky vend meriton gjithçka. Njeriu vetëm atdheut dhe familjes nuk mund ti dalë borxhit, pavarësisht sa ka bërë për të. Kështu që edhe ne të vazhdojmë tutje të japim kontributin për atdheun sepse është e domosdoshme.
9 tetor 2020