Xhevat Bislimi

XHEVAT BISLIMI: HIDHROHU KALIT E BJERI SAMARIT…

   (Ose « engjëjt » tanë e « djajtë » e huaj!?)

 

Pak «parahistori»

   Kosova, jo vetëm kaq sa është sot, por tri herë më e madhe (Dardania), historikisht, gjeografikisht, etnikisht, gjuhësisht, kulturalisht e kombëtarisht ka qenë dhe është degë e trungut ilir, pastaj arbëror e sot shqiptar, – pjesë organike e Shqipërisë, siç ishte Shqipëria e Poshtme (Çamëria me krahinat tjera).

   Serbia, me ndihmën ushtarake e diplomatike të Rusisë dhe me “miratimin” e Evropës, pushtoi me dhunë e terror pjesën më të madhe të kësaj krahine të Shqipërisë gjatë shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Viset e pushtuara (dy të tretatë e Shqipërisë së Epërme, Dardanisë) u spastruan me vrasje, masakra dhe shfarosje (gjenocid) e dëbim masiv të popullsisë shqiptare autoktone… Zgjerimi i Serbisë dhe i Malit të Zi në dëm të tokave të Shqipërisë vazhdoi edhe me luftërat ballkanike. Të njëjtin fat patën edhe krahinat që ishin në kufi me Greqinë. Nuk ishin pa faje edhe “krerët” dhe pjesa e popullit që ishin rreshtuar pas “babës mbret” dhe ishin njëjtësuar me miletin osmanli-mysliman!!

   Tragjedia shqiptare u thellua pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Kosova (siç e mori emrin Dardania nga pushtuesit) dhe viset e saj shqiptare u ripushtuan nga Jugoserbia e Tito-Rankoviçit. Fuqitë e Mëdha nuk pranonin ndryshimin e kufijve!? Fuqia nuk ishte në anën tonë. Ishim popull i copëtuar dhe i ricopëtuar. Me një shtet AMË që numronte rreth 800 000 banorë dhe i pazhvilluar e me varfëri ekstreme. Në këto kushte dhe pozita që kishte kombi shqiptar në Iliri e në botë populli i pushtuar shqiptar nga Jugoserbia u bë pre e thikave të pamshirshme të xhelatëve, Tito-Rankoviç. Tokat e pushtuara të Shqipërisë nga Jugoserbia u copëtuan midis republikave sllave: Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, e cila njësoj si dy të parat, u themelua kryesisht në tokën e Shqipërisë! Pasojat tragjike të këtij (ri)copëtimi po i vuajmë e do t’i vuajmë edhe për shumë dekada! Copëzimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë u bë që t’i gëlltisin ato më lehtë e pa “dhimbje të mëdha barku”! Duhet ta themi, por pa u lëshuar në shpjegime, se në gjithë këtë tragjedi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kanë hise edhe bijtë e saj që jo rrallë u ndodhën në anën e gabuar të historisë!! E bëra këtë “parahistori” të gjatë për të ardhur te historia e Kosovës…

Histori e re e Kosovës

   Viset e Kosovës, pas shpërbërjes së Jugoserbisë, u “përvetësuan si të ishin toka të tyre nga republikat që u shkëputën nga Jugoserbia (Mali i Zi e Maqedonia), kurse Kosova Lindore mbeti nën Serbi!! Lëvizja Popullore e Kosovës ishte organizata e vetme (për dy dekada) që iu kundërvu kësaj padrejtësie e tragjedie që i gjeti shqiptarët e pushtuar nga Jugoserbia. “Lojërat e fatit” që disa parti legale, sidomos LDK-ja, i organizuan për “çlirimin” e Kosovës, duke hedhur fall e duke “dialoguar” me Serbinë e sollën popullin e pushtuar shqiptar buzë përbuzjes nga Serbia dhe nga Evropa e Fuqitë tjera. Inteligjencia dhe atdhetarët e organizuar në LPK (më vonë pati edhe një fraksion të saj, LKÇK) e kishin kuptuar me kohë se Kosovës liria mund t’i vinte vetëm nga gryka e pushkës. Këtë barrë të rëndë dhe këtë vendim historik për Luftë të Armatosur Çlirimtare e mori LPK-ja, e cila grupet dhe njësit e armatosura të saj i emërtoi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që fitoi simpatinë dhe përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës së qytetëruar e demokratike. Mirëpo, Fuqitë e Mëdha nuk ishin të gatshme t’i ndryshonin kufijtë e shteteve të sapokrijuara!

   Në kohën që popujt e federatës jugosllave po derdhnin gjakun lumë për tokë, shqiptarët, partitë e tyre, kishin hall “pluralizmin” e “demokracinë”!! Kështu që shqiptarët edhe njëherë u vonuan në takimin e madh të historisë! Fuqitë e Mëdha ndërhyn ushtarakisht për të penguar zgjerimin e luftës në shtetet që u krijuan me shkëputje nga federata jugoserbe! Ushtritë e tyre, në emër të një rezolute që ishte rezultat i kompromisit me Rusinë e Kinën (pse jo edhe me Francën…), u vendosën në Kosovën e kufijve autonomist, kufij që ishin përcaktuar nga Jugoserbia e Tito-Rankoviçit! Serbia u tërhoq brenda kufijve republikan pa ferrë në këmbë, kurse Kosova Lindore mbeti e pushtuar!…

Kosova unmikiane!

   Me ushtrinë e madhe shumëkombëshe (40 000 ushtarë) në Kosovë erdhi edhe UNMIK-u (Mision i OKB-së!) që, në emër të administrimit e sundoi si mos më keq Kosovën shqiptare. Krah i fuqishëm i këtij sundimi ala unmik u bë krahu i vjetër politik, që përfaqësohejë me siglën: LDK. Krerët dhe strukturat e kësaj force politike ishin treguar të “përmbajtur” edhe në luftën për jetë a vdekje që u zhvillua ndërmjet UÇK-së (shqiptarëve) dhe forcave policore dhe ushtarake pushtuese serbe! Për habinë e administratës unmikiane dhe të pranisë tjetër ndërkombëtare, në garë për t’u vënë në shërbim të UNMIK-ut hyri edhe pjesa “reprezentative” e Luftës Çlirimtare!! Kjo gatishmëri për t’u bër krah i UNMIK-ut, që Kosovën e shikonte më shumë si një “minierë” të pasur, rezultoi me dallimin e atyre që kolaboronin me UNMIK-un në dëm të Kosovës e të pasurive të saj dhe atyre që nuk kolaboronin me UNMIK-un. Ky dallim në fillim nuk vrehej shumë në horizont, por me kalimin e dy-tri viteve erdhi dhe u thellua.

   Shpalosja e platformës së UNMIK-ut për një “autonomi substanciale” dhe angazhimi gjithnjë e më hapur për ta vënë në jetë këtë platformë e rriti pakënaqësinë e popullit shqiptar në Kosovë. Projekti për bosnizimin e Kosovës po dukej gjithnjë e më qartë në horizont! Spastrimi i Veriut të Kosovës nga shqiptarët dhe mbajtja e tij si “rezervatë” për pakicën serbe shpërfaqte pretendimet e Serbisë për ta mbajtur atë pjesë të Kosovës shqiptare për vete, por edhe si kartë shantazhi e kërcënimi në bisedimet për statusin e Kosovës. Edhe enklavat serbe dhe kisha ortodokse në shërbim të këtyre pretendimeve të Serbisë ishin…

   Klasa e vjetër politike dhe një pjesë e klasës së re politike e humbën rrugën në “labirinthet” e UNMIK-ut dhe të zyrave të huaja në Prishtinë!! Etja për pushtet, pasuri e lavdi ua errësoi sytë dhe mendjet edhe atyre që ishin betuar dhe kishin luftuar për lirinë e Kosovës!! Politikanët e Kosovës po bënin garë se kush po bëhej çifligar më i madh, duke “blerë” (kupto përvetësuar e trafikuar!) më shumë tokë Kosove!! Të harruar pas psurisë e lavdisë të pushtetshmit tanë nuk e shikonin dhe as nuk e kuptonin se merimanga serbe po e mbërthente Kosovën shqiptare!! Kur nisën ta shikonin e ta kuptonin këtë realitet gjërat kishin shkuar tepër larg…

   Shpërthimi popullor i marsit të vitit 2004 i detyroi Fuqitë e Mëdha ta kuptonin se projekti i tyre për një “autonomi substanciale” nuk i binte Kosovës shqiptare tamam. Këto ngjarje popullore hapën një kapitull të ri për Kosovën-, i hapën bisedimet për statusin e Kosovës, – të cilën UNMIK-u dhe të huajt, bashkë me politikanët tanë të korruptuar, kishin nisur ta shikonin dhe trajtonin si një plaçkë të tyre!! Kapja e klasës sonë politike nga ana e tyre ua kishte krijuar bindjen se me Kosovën mund të bënin si të donin e çfarë të donin!! Mezi e kuptuan se vullneti i një klase të kapur politike nuk ishte edhe vullnet i popullit shqiptar…

   Ngjarjet e marsit 2004 e prishën status quon! Mirëpo, meqë kjo ishte një lëvizje dhe revoltë spontane nuk rezultoi edhe me largimin e klasës së korruptuar e të stërkapur politike nga skena… Bisedimet në Vjenë u zhvilluan me këtë klasë të tredhur politike, e cila hoqi dorë pa asnjë “vështirësi” nga kërkesa dhe vullneti mbarëshqiptar për bashkimin e Kosovës me shtetin e saj, Republikën e Shqipërisë!! Ky ishte edhe “kompromisi” i madh dhe i dhimbshëm, që prodhoi shumë pakënaqësi te populli shqiptar i Kosovës!!

   Me mandatin e fituar nga UNMIK-u dhe zyrat e huaja, Grupi Negociator, bëri koncesione të rrezikshme edhe për Kosovën e pavarur e sovrane!! Zgjidhjet e pranuara për një Kosovë të pavarur si për “koincidencë” ngjanin shumë (në thelb ishin të njëjta!!) me Planin e Serbisë për Kosovën, që kishte miratuar Kuvendi i Serbis në prill të vitit 2004!! Ndarja e Mitrovicës shqiptare, lënia e Veriut të vendit nën kontroll të forcave “civile” të Serbisë, krijimi i komunave dhe zonave të mbrojtura “serbe” në Kosovën shqiptare ishin koncesione të rrezikshme për funksionalitetin dhe stabilitetin e shtetit ahtisarian të Kosovës!!… Këto « zgjidhje » e rritën oreksin e Serbisë…

   Mospranimi i Planit të Ahtisarit nga Serbia, edhe pse u negociua, paralajmëronte beteja të reja për mvetësinë e Kosovës dhe statusin e saj! Në pushtet dhe në krye të institucioneve edhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbetën të njëjtit politikanë!! Madje, tash me atribute të reja: si “etër” dhe “zotër” të shtetit të pavarur të Kosovës! E veshur me këto atribute të reja klasa politike e shtetërore e Kosovës u bë edhe më arrogante (në raport me shqiptarët!) dhe më e papërgjegjshme! Në marrëdhënie me popullin e tyre këta politikanë u bënë « shqiponja », kurse në marrëdhëniet e tyre me “ndërkombëtarët” ishin dhe mbetën pula të lagura edhe pas Shpalljes së Pavarësisë!! Pushteti, fati dhe pozitat e pasuritë e tyre ishin të lidhura ngushtë me dëgjueshmërinë deri në përulje ndaj “ndërkombëtarëve”!! Kjo marrëdhënie e tyre me “ndërkombëtarët” e thelloi “bialncin” negativ për Kosovën shqiptare!! Koncesionet ndaj Serbisë (jo ndaj pakicës serbe) s’kishin të ndalur!! Nga pesë komuna “serbe”, që parashikonte plani i Ahtisarit, këta dainjtë e dheut i bënë dhjetë!! Kontrolli i Serbisë në Veri sa vinte e konsolidohejë! Ura që ndante Veriun nga tërësia e Kosovë mbetej e mbyllur dhe ishte bër « park»!! Tash ishte përforcuar edhe me një mur të trashë betoni, që mbyllte edhe rrugën për në Veri!!

   Nuk vonoi shumë dhe krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës e vendosën edhe njëherë Kosovën shqiptare në shtratin e prokrustit: pranuan rihapjen e bisedimeve me Serbinë (në emër të “normalizimit të marrëdhënieve”!!) për statusin e Kosovës! Megjithë të drejtën që i dha Kosovës Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, krerët e saj i dhanë goditjen e fortë Kosovës së pavarur e sovrane, duke i vendosur FUSNOTËN!!  Për besë turp i madh! Nuk u ndalën me kaq! Bënë marrëveshje në Bruksel që rrezikonin dhe kërcënonin shtetin e Kosovës dhe integritetin e tij territorial sot e në të ardhmen!! Po kjo klasë politike e shantazhuar themeloi Gjykatën Speciale (dhomat e specializuara!) për hetimin dhe dënimin e “krimeve” të shqiptarëve!! Turp mbi turp! Kosova shqiptare u bë me dy gunga: me një pjesë të politikanëve të kapur e me hipoteka të vjetra kolaboracioniste dhe me një pjesë të politikanëve të rinj të kapur e të shantazhuar nga BËMAT e tyre të pas Luftës!! Ishin dhe janë pikërisht këta dy  krah të politikës që e sollën Republikën e Kosovës dhe qenien e saj shqiptare në këtë derexhe…

Përfundim

   Janë këta politikanë uzurpatorë të pushtetit e të shtetit që vetëm tash kanë nisur të shpurdhin, të ankohen e të vajtojnë se si i “mashtruan ndërkombëtarët”!!?? Në momente “krize” nervore këta politikanë të tredhur hedhin vickla dhe lëshojnë edhe “akuza” kundër “ndërkombëtarëve”, duke u hedhur e përdredhur herë në prehrin e Uashingtonit e herë në prehrin e Brukselit!! Me përkrahjen edhe të mediave të kapura kjo klasë politike e shtetërore po përpiqet të krijojë opinionin sikur këta “ndërkombëtarët” janë “djajtë”, kurse ne, politikanët e vendit, “engjëjt”!? E vërteta është se pa këtë klasë të mjerë politike as “ndërkombëtarët” nuk do të mund t’ia bënin këtë që po ia bëjnë Republikës së Kosovës”…

   Presioni në rritje mbi Kosovën shqiptare dhe Republikën tonë për ta krijuar entitetin politik serb në Kosovë me atribute dhe ingerenca të qarta ekzekutive (mini shtet serb ala republika serbska!!) përbën kërcënim, ndërhyrje dhe dhunim të vullnetit të popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe plotësisht i pavarur nga Serbia… E keqja është se Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj shtagën për t’i rënë Republikës së Kosovës ua ka dhënë kjo klasë politike e shtetërore që nuk ka forcë as të dorëhiqet e të thyej qafën për të mirën e Kosovës!! Janë këta politikanë që i kanë nënshkruar marrëveshjet poshtëruese e me rrezikshmëri afatgjate për ne në Bruksel!! Ishte mosbindja qytetare dhe Gjykata Kushtetuese që e shtyri deri sot zbatimin e tyre! Sa për Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Ramushin ato do të ishin zbatuar me kohë!!

   Këmbëngulja e Bashkimit Evropian (edhe e disa “miqve” tanë”…) që Republika e Kosovës ta ndryshojë kushtetutën e ta krijojë bashkësinë e komunave serbe (mini shtetin që garanton praninë e Serbisë në Kosovë…), duke u thirrë në nënshkrimin dhe votimin në Kuvend të atyre marrëveshjeve me rrezikshmëri të lartë për sigurinë, funksionimin dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës është kobzezë! Heshtja e krerëve të institucioneve ose deklaratatë e tyre me dy e më shumë kuptimësi për këtë çështje përcaktuese për të ardhmen e Kosovës shqiptare dhe për paqen te ne e në rajon është e papresedan!! I papresedan është edhe qëndrimi i mëtejmë i tyre në krye të partive politike dhe institucioneve shtetërore!! E papresedan dhe e turpshme është edhe heshtja si mumje e atyre deputetëve që i kanë votuar ato marrëveshje!! Populli ynë dhe shoqëria jonë duhet të këmbëngulin që këta deputetë, politikanë e qeveritarë të largohen një orë e më parë nga pozitatë që mbajnë dhe të tërhiqen nga nënshkrimi dhe votimi i atyre marrëveshjeve dhe i Gjykatës që dënon Luftën tonë Çlirimtare. Ndryshe do të shndërrohen (nëse nuk janë edhe sot…) në kuislingë të “kalibrit të madh”…

   Popullit shqiptar, sot më shumë se kurrë, i duhet të jetë syçel e unik për të kundërshtuar dhe për të mos lejuar me asnjë çmim krijimin e minishtetit serb në Kosovën shqiptare… Themelimi i një entiteti politik serb në Kosovë me atribute e ingerenca ekzekutive nuk i shërben pakicës serbe, por shtetit shovinist serb, apetitet e të cilit nuk do të ndalen, po do të rriten. Ky mini shtet serb do të jetë kërcënim i përhershëm për lirinë, pavarësinë, stabilitetin dhe paqen e qytetarëve tanë dhe të rajonit… Tirana zyrtare do të duhej urgjentisht të mbante qëndrim për këtë çështje kaq jetike për Kosovën dhe kombin shqiptar. Shteti shqiptar nuk duhet të mbetet nën hijen e këtyre politikanëve të kapur e të shantazhuar, por duhet botërish ta marrë në mbrojtje Kosovën si pjesë organike të tij dhe të kombit tonë…

    Xhevat BISLIMI (deputet në Kuvendin e Kosovës (2004-2207) dhe kundërshtar i “decentralizimit”, i Planit të Ahtisarit dhe i marrëveshjeve të Brukselit…)

Kontrolloni gjithashtu

Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e …