leoni

UCK

Kosovë, unë jam biri dhe ushtari yt

zjarri yt i heshtur

mbuluar nga hiri

në oxhakun e vjetër

dëshira heshtjesh djegur

largësi në kohë

brengë e rikthyer në fillim

kujtime të largëta shprushë

plagë e shpirtit tim

me pezmin që gërvishtë në grykë

me pezmin e zënë në gushë

futur thellë në lakun e kohës

futur deri në fyt

 

  

kohë që s’të harrojmë lehtë

kohë stuhish paralajmërojnë

në vijën e zjarrit

me gishtërinj të thyer

kur hapnim grykën e varrit

me dorën tonë

në gjoks peshuar

këngën e trimit

kujtimin e djalit

zjarr e barot

në faqet e tokës djeg

si dy pika loti

 ne faqe mali përpjekë

 

  

si lum ti

i madh sa mali

djalë i tokës sonë

djalë fisi

me bardhësi plisi

bardhësi e papërsëritshme

as tani

nuk u përkule

pesëqind vite përpjekje

pesëqind lule

mbolle faqeve të atdheut

nuk i shkule

as lulet

as zemrat e nënave

ti

engjëllor

tek mrizi i zanave

 

 

në vegimet e hyjnisë nuk u takuam më

shprehja alegorike mbi trupin tënd

kryqëzuar me relieve plagësh

plagë mbi hartat e atdheut

o zoti i madh

për të vdekur si ata

që jetojnë përjetësisht

të admirueshëm

burra që më nuk flasin

burra që shkëlqim e dashuri falin

 

 

vetëm ai nuk ka vdekur

me shikimin buzagaz

nga lendinë e lotëve të shohim

të shohim e s’mund të flasim

për ditë të takojmë

ti rritesh e nuk të njohim

përditë e më i madh

ngrirë në bronz

si lisi në mal

 buzëqeshje e ngrirë në fyt

Kosovë

unë jam

biri dhe ushtari yt

thuaje një këngë për mua

mos e mbajë në grykë

se vjen pranvera

e prapë do mbijë bari

unë biri yt Kosovë

unë ushtari

unë ai djali

 

 

23-10-2020

 

Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …