PS

KRIIK: PS-ja të siguroje të ardhmen demokratike të vendit, duke mos e pritur Opinionin e Komisionit te Venecias

Partia Socialiste si forca qeverisëse dhe me pushtet të pakufizuar, të marrë dhe të ushtrojë përgjegjësinë e saj të plotë në sigurimin e së ardhmes demokratike të vendit,   duke u tërhequr dhe pritur Opinionin urgjent të Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet ligjore të njëanshme të ndërmara mbi zgjedhjet

 

Marrëveshjet politike të 14 Janarit dhe 5 Qershorit 2020 mes aktorëve politikë[i] përfaqësues të vullnetit popullor të mandatuar nga procesi zgjedhor parlamentar i vitit 2017, në kontekstin e gjendur, morën përgëzimin dhe mbështetjen e aktorëve të brendshëm dhe partnerëve të huaj, ndonëse në vetvete ishin manifesim i një sjellje extra-institucionale, jo transparente, jo gjithëpërfshirëse dhe që nuk siguronte një adresim të plotë të problematikave të duhura.

Në këtë mënyrë, tërë dimensionet e një procesi reformues të një realiteti demokratik dhe institucional, u bënë nul në funksion të një qëllimi madhor që ishte ai i pranimit të procesit zgjedhor të ardhshëm nga të gjithë palët, si dhe ai i rikthimit të jetës parlamentare në normalitetin demokratik.

 

Pa u miratuar ende amendimet e Kodit Zgjedhor sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit 2020 të Këshillit Politik, rrjedha legjislative, nën drejtimin e mazhorancës socialiste, mori një kurs të dytë amendues të papritur dhe në shkelje të ligjit, sikurse KRIIK e ka shprehur më parë në Dokumentin[ii] e publikuar më datë 17 Korrik 2020.

Mazhoranca socialiste dhe opozita parlamentare ndërmorën në Kuvendin e Shqipërisë një amendim kushtetues mbi çështjet zgjedhore, në kundërshtim me vullnetin e shprehur në marrëveshjen e 5 qershorit dhe pa siguruar dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare.

Ndryshimi kushtetues i miratuar në datën 30 korrik 2020[iii] u ndoq më pas nga një tjetër paketë amenduese e Kodit Zgjedhor, sërish pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare.

Paketa amenduese, e cila në thelb ishte e ndryshme dhe tejkaloi frymën e propaganduar prej mazhorancës socialiste gjatë ndërmarrjes së njëanshme të ndryshimeve kushtetuese, u miratua më datën 5 tetor 2020 në Kuvendin e Shqipërisë[iv].

Ky amendim i dytë i Kodit Zgjedhor, me Dekret të Presidentit të Republikës të datës 23 tetor 2020, iu kthye për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë me një arsyetim të gjatë[v] ku ndër të tjera i kërkohet mazhorancës që “të reflektojë duke rishikuar qëndrimin e saj mbi këto rregulla të reja, dhe të sigurojë opinionin final nga Komisioni i Venecias, duke thirrur njëkohësisht dialogun gjithëpërfshirës përmes Këshllit Politik”.

Sikurse bëhet me dije Presidenti i Republikës i është drejtuar më datën 21 tetor 2020 Komisionit të Venecias[vi] të Këshillit të Europës për një opinion urgjent mbi ndryshimin e njënashëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor.

 

 

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në vijueshmëri i ka bërë thirrje aktorëve kryesorë politikë që të shfaqin domosdoshmërisht maturi në ndërmarrjen e reformës së kuadrit ligjor zgjedhor. 

Ndonëse ka shprehur dhe ka rezerva të shumta për procesin reformues të kuadrit ligjor zgjedhor të ndërmarrë, me synimin për arritjen e ri-stabilizimit të jetës parlamentare në vend, KRIIK ka nxitur fort aktorët politikë për dialog gjithëpërfshirës në gjetjen e dakordësisë së nevojshme që do t’i paraprinte një procesi zgjedhor të pranuar nga garuesit.

 

KRIIK shpreh shqetësimin e tij se tashmë të gjendur në periudhë zgjedhore, në situatë të rënduar të shëndetit publik dhe me një Komision Qendror Zgjedhjesh të sapokonstituuar, ndryshimet legjislative për çështje thelbësore zgjedhore pa dakordësi politike janë fatale për ecurinë normale demokratike e politike në vend.

 

KRIIK shfrytëzon rastin e kthimit të kësaj pakete amenduese në Kuvend për t’i bërë thirrje aktorëve politikë që të dialogojnë dhe gjejnë sa më shpejt dakordësinë për përmbylljen e procesit reformues. Madje, kjo dakordësi është e nevojshme të vijojë në ndjekjen dhe në asistimin e KQZ-së të sapokonstituuar për të përballuar sfidat jo të vogla të cilat i janë ngarkuar nga legjislatori. Termat kohorë dhe konteksti i emergjencës së shëndetit publik, përpos të tjerash, po rëndojnë gjithmonë e më shumë në mbarëvajtjen e përgatitjes së procesit zgjedhor të 25 prillit 2021.

 

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese si një mekanizëm thelbësor garantues për respektimin e lirive e të drejtave të qytetarëve, si dhe të garancive të tjera kushtetuese,  dikton akoma më shumë mosndërmarrjen e një procesi amendues të Kodit Zgjedhor pa dakordësi politike. Një proces i tillë më shumë se sa ka lidhje me fatin e zgjedhjeve pasuese, është kritik në pasurimin e precedentëve të rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit.

Mazhorancat pasardhëse mund të përvijojnë përsëritjen e këtij precedenti duke legjitimuar ndërmarrjen e reformave zgjedhore ngushtësisht të njëanshme e rrjedhimisht antidemokratike. Veçanërisht në realitete parademokratike një sjellje e tillë përbën një tjetër hap pas në traditën shtetformuese, duke zhbërë tashmë edhe standardin e mëparshëm të marrëveshjeve të mbyllura bipartizane me qasje të ngushta interesash.

 

Aktorët politikë, veçanërisht Partia Socialiste si forcë qeverisëse dhe me pushtet të pakufizuar, duhet të marrë përgjegjësi të plotë për të ardhmen demokratike të vendit duke siguruar tërë garancitë e nevojshme për të gjithë aktorët që duan të marrin pjesë në zgjedhje.

Praktika gati 30 vjeçare e vuajtjes nga mospranimi i rezultatit zgjedhor nga palët pjesëmarrëse në zgjedhje, duhet të marrë fund.

 

Pjekuria dhe largpamësia e klasës politike shqiptare, në justifikim dhe përmbushje të angazhimeve demokratike që ka marrë Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, kandidat për në Bashkimin Europian dhe, aktualisht, si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), duhet të sigurojë sa më parë zgjidhjen e këtij ngërçi të panevojshëm politik nëpërmjet një tryeze të vazhdueshme dialogu për të mirën e vendit dhe popullit shqiptar, duke pranuar zbatimin paekuivok të aspiratave kushtetuese dhe jetësimin e sjelljes së plotë ligjore e institucionale, e cila, në mungesë të garantit vendor kushtetues, pranon verdiktin e aktorëve të tretë ndërkombëtarë me potencë, ekspertizë dhe përvojë sikurse është Komisioni i Venecias.

 

KRIIK shpreh keqardhje që ky mekanizëm nuk u investua më parë nga aktorët respektivë, sikurse KRIIK bëri thirrje që në muajin korrik në nisje të përplasjeve politike për ndryshimet e njëanshme kushtetuese.  Megjithatë, edhe tani në afatet kohore të ngushta përkundrejt përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme, konsideron se periudha kohore deri në marrjen  urgjente të Opinionit dhe tematika e cuar per interpretim, nuk sjellin ndonjë komplikim serioz, të drejtëpërdrejtë dhe me pasoja të parikuperueshme në ecurinë përgatitore të procesit zgjedhor të nisur. Tërë kjo, përballë kontekstit aktual dhe shmangies së një situate akoma më shumë problematike që mund të përvijohet gjatë apo pas zgjedhjeve të ardhshme.

 

Në këtë kuadër, nevojitet së pari që Mazhoranca Socialiste të tërhiqet dhe të pezullojë menjëherë shqyrtimin sot në parlament[vii] të dekretit të Presidentit, duke treguar lidership, përgjegjësi dhe largpamësi politike, sikurse ka treguar edhe më parë lidhur me çështje të cilat janë marrë në shqyrtim prej Komisionit të Venecias.

Nga ana tjetër, në opinionin e KRIIK, aktorët politikë mund dhe duhet t’i japin jetë menjëherë tryezës së dialogut politik për dakordësimin e qëndrimeve konform praktikave dhe standardeve më të mira ndërkombëtare, pa pritur momentin e publikimit zyrtar të Opinionit prej Komisionit të Venecias.

 

 

Në përfundim, sillet në vëmendje të aktorëve politikë se ndryshimet e Kodit Zgjedhor të 5 tetorit, në gjykimin e KRIIK, prekin në thelb reflektimin e drejtëpërdrejtë të votës së qytetarit në mandatin përfaqësues të votuar, duke shkuar kështu në kundërshtim me praktikat e mira të caktuara nga Komisioni i Venecias.

Pa hyrë në një analizë të plotë të gjithë ndryshimeve të bëra, KRIIK sjell në vëmendje shqetësimin madhor të bërë të ditur që në krye të herës për pamundësinë e hapjes së sistemit politik prej establishmentit aktual

 

Ndryshimet ligjore të kryera, megjithëse të frymëzuara nën aspiratën për rritjen e mundësisë së qytetarëve për të zgjedhur vetë kandidatët e preferuar, rezultuan në një liri të kufizuar për të zgjedhur veç nga “shportat” elektorale të kandidatëve të paracaktuar nga lidershipi partiak, duke pamundësuar zgjedhjen e garuesve të rinj apo të alternativave të reja politike përtej forcave të establishmentit.

 

Veçanërisht alarmante në këtë drejtim është pamundësia e garimit të kandidatëve të pavarur që mund të vijnë nga shoqëria civile dhe që mbështeten nga zgjedhësit, ndaj të cilëve në një qasje jo parimore dhe jo kushtetuese iu kërkohet që pavarësisht rezultatit në zonën zgjedhore ku ata kandidojnë, që të mund të përllogaritjen në marrjen ose jo të mandatit, iu duhet të kalojnë pragun prej 1% të votave në rang vendi.

 

Gjithashtu, theksohet se mekanizimi i kontrollit dhe transparencës financiare nuk është i projektuar për situatën e parashikuar nga ndryshimet e fundit duke shtuar akoma edhe më problematikat e mbartuara deri sotmi. Formula e propozuar e kandidimit pritet të nxisë akoma më shumë garimin ndërmjet dhe brenda vetë partive politike, për rrjedhojë duke rritur dhe veprimtarinë financiare zgjedhore, e cila me ndryshimet e bëra mbetet tërësisht janë kontrollit dhe transparencës, qoftë edhe minimaliste të siguruar më parë.

 

Tiranë,  më 27 Tetor 2020!

 

 

 


[i] Këto marrëveshje u hartuan dhe nënshkruan nga përfaqësues të: – mazhorancës socialiste; – opozitës jashtëparlamentare dhe – opozitës parlamentare, në prezencën edhe të aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.

[ii] KRIIK, Qendrim Publik “Prishja e Marrëveshjes Politike dhe amendimi i njëanshëm i Kushtetutës, precedent tejet i rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit”, publikuar më datë 17.07.2020.

[iii] Ligji nr. 115/2020 datë 30.07.2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.

[iv] Ligji nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

[v] “Arsyet e kthimit të ligjit 118-2020”, të paraqitura në përmbajtje të Dekretit Nr. 11797, datë 22.10.2020, “Për kthimin e Ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar””

[vi] Shkresë e Presidentit të Republikës, Nr. 3620 Prot, datë 21.10.2020, drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias z. Gianni Buquiçhio me lëndë “Kërkesë për një Opinion urgjent mbi procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

[vii] Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Mbledhja e datës 27 tetor 2020, Ora:12:00. Ne rend të dites:

1. Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11797, datë 22.10.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …