Pandemia COVID 19, tash sa kohë ka goditur mbarë botën dhe orientimi kryesore i qeverive është parandalimi i përhapjes së mëtejmë të virusit, kujdesi shëndetësor dhe shpëtimi i jetëve të njerëzve.
Mirëpo krahas përballjes direkte me parandalimin e përhapjes së COVID19, aktualisht qeveritë e vendeve në Evropë dhe në të gjithë botën, janë në proces të përgatitjes edhe të zbatimit të planeve të rimëkëmbjes ekonomike, të goditur nga pandemia.
Ky opinion i imi më shumë është i fokusuar në pjesën e planeve, politikave dhe masave që po zbatohen në rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë, dhe përfshirjen e çështjeve të mjedisit në këto plane.
Po ashtu do të mundohem të bëjë një krahasim dhe të tërheqë një paralele, se si vendet e Evropës dhe botës janë duke e trajtuar këtë çështje dhe si Qeveria e Kosovës, i është qasur këtij problemi.
Çfarë po bën Evropa dhe bota?
Në të shumtën e rasteve planet ekonomike të rimëkëmbjes dhe pakot financiare të mbështetjes po përgatiten për tri qëllime kryesore:
• E para, për të mbështetur dhe përkrahur bizneset dhe sektorët që janë përballur direkt me luftimin e pandemisë.
• E dyta, për të shmangur kolapsin e disa bizneseve dhe sektorëve që janë goditur më së shumti nga pandemia dhe për të mbrojtur të ardhurat e punëtorëve të këtyre sektorëve;
• E treta, për të siguruar një qëndrueshmëri ekonomike të gjelbër për një periudhë më të gjatë kohore.
Kjo e para është e rëndësishme dhe e domosdoshme për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe mirëqenien e punëtorëve që përballen me pandeminë. E dyta do të duhej të garantonte një stabilitet për bizneset e goditura nga pandemia dhe të ruajë vendet e punës, ndërsa e treta ka për synim që të garantojë një mirëqenie dhe stabilitet ekonomik më afatgjatë për gjithë vendin.
Derisa kjo e para dhe e dyta janë më shumë të karakterit emergjent, kjo e treta është më shumë e karakterit strategjik prandaj si e tillë do të dukej të ishte e dizajnuar me kujdes dhe në shërbim të arritjes së qëllimit për rimëkëmbje ekonomike.
Nisur nga kjo, shumica e vendeve në kuadër të paketave për rimëkëmbje ekonomike i kanë dhënë rëndësi primare ekonomisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë stimulime dhe kredi të buta për sektorin e energjisë së ripërtërishme, mbështetje për kompanitë që zhvillojnë teknologji të pastra miqësore me mjedisin si dhe forma tjera të mbështetjes për bizneset që aktivitetin e tyre e kanë të orientuara në ekonominë e gjelbër dhe atë qarkore.
Në frymën e ekonomisë së gjelbër dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ka plane dhe pako stimuluese për mbështetje të veçantë për bizneset e vogla lokale, me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së tyre, rritjes së konkurrencës dhe përmirësimin e cilësisë.
Si ka vepruar dhe si por vepron Kosova?
Nga ajo që është vepruar deri me tani Qeveria e Kosovës, ka qenë e orientuar pjesërisht vetëm në dy çështjet e para të lartë-përmendura:
• Për të mbështetur dhe përkrahur bizneset dhe sektorët që janë përballur direkt me luftimin e pandemisë;
• Për të shmangur kolapsin e disa bizneseve dhe sektorëve që janë goditur më së shumti nga pandemia dhe për të mbrojtur të ardhurat e punëtorëve të këtyre sektorëve.
Megjithëkëtë, edhe në veprimet e deritanishme të ndërmarra për mbështetje financiare dhe rimëkëmbje ekonomike, ka pasur shumë mangësi dhe dilema.
Tek pakot fiskale emergjente të dedikuara për bizneset dhe sektorët, tek sigurimi i pagesave shtesë për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (masa 6), nuk u përfshinë kompanitë e mbeturinave dhe punonjësit e mirëmbajtjes, edhe pse ata ishin direkt të përballur me grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, një pjesë e së cilave ishin mbeturina medicinale dhe të gjeneruara nga pajisjet dhe mbetjet medicinale që ishin të ndërlidhura me COVID19.
Po ashtu në kuadër të masës 10 të pakos fiskale emergjente ku ishin planifikuar kreditë, nuk ishin të përfshirë të ashtuquajturat ekonomitë e gjelbra, sikurse që në kuadër të mbështetjes për rritjen e buxhetit të institucionet qeveritare, pjesa e mjedisit, lerë më që nuk ishte përfshirë por kishte përgjysmim të buxhetit për projektet kapitale të sektorit të mjedisit pas rishikimit buxhetor.
Po ashtu nuk kishte ndonjë mbështetje dhe subvencion as për bizneset lokale, me përjashtim të atyre që ishin në sektorin e bujqësisë.
Situatë e ngjashme ishte edhe në kuadër të projektligjit nr.07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike –COVID-19, në mënyrë specifike nuk përmendet askund fjalët “mjedis”, “ekonomi e gjelbër”, “ekonomi qarkore”, “energji e ripërtërishme”… dhe as që është paraparë ndonjë mbështetje për sektorin e mjedisit.
Ndërsa, sa i përket çështjes së sigurimit të një qëndrueshmërie ekonomike të gjelbër për një periudhë më të gjatë kohore si pjesë e planit strategjik dhe afatgjatë për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë, Qeveria e Kosovës, aktualisht nuk ka ndonjë ide apo propozim konkret.