leoni

Tomislav Marković

Tomisllav Markoviq: A është Kosova territor apo shenjëtëri

*Mbrojtja e Kosovës prej banorëve të saj nuk po shkon bash mire, por gromadave tona intelektuale nuk po iu ngutet

*Në shkurtin e vitit 2018 demonstruesit valonin flamurin e Serbisë në protestën kundër dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

 

Se kush me se merret, intelektualët serbë e mbrojnë Kosovën nga Shqiptarët dhe Malin e Zi nga Malazezët. Dhe puna nuk po iu shkon keq. Malin e Zi tanimë kanë filluar ta çlirojnë nga okupimi malazez, me ndihmën e vogël të Aleksandër Vuçiqit, të buxhetit të Serbisë dhe të makinerisë mediale përparimtare, e cila  hodhi breshëri projektilesh propagandistike në drejtim të jugperëndimit.

Duhet ta kuptojmë inteligjencën  patriotike dhe klikën në pushtet: lufta nuk po duket askund në horizont, qëmoti kaloi ajo kohë kur mund të kënaqeshin me granatat e hedhura mbi Sarajevën, Dubrovnikun ose Vukovarin, prandaj bombardimi medial iu vjen si ngushëllimi i vetëm në këtë kohë të paqës neveritëse.

Mbrojtja e Kosovës nga qytetarët e saj nuk po shkon si është më së miri, por intelektualëve tanë të mëdhenj nuk po iu ngutet. Ata të gjithë, vargevi, janë të krishterë pravosllavë, me shikim në amshim dhe orientim ekstaze; për ata dita është sa njëmijë vjet, dhe njëmijë vjet sa një ditë.

Se a do të jetë Kosova pjesë e Serbisë nesër, pas disa shekujve apo mileniumeve, fare nuk është me rëndësi, por me rëndësi është të ruhet amaneti i Kosovës në zemrat e bijve më besnikë të popullit tonë të shumëvuajtur. Në këtë frymë është themelua Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovë-Metoisë, të cilën e përbëjnë profesorë universiteti, doktorë shkencash, akademikë, poetë, shkrimtarë, piktorë, publicistë, peshkopë, igumanë (abatë), historianë, redaktorë, të gjithë  intelektualë të shquarë.

Njohja e Kosovës është më e tmerrshme se apokalipsa

Janë mbledhur kokat e mençura për një qëllim të vetëm, e ai është “të pengohet dhe për gjithmonë të pamundësohet tëhuajësimi juridik nga Serbia i cilësdo pjesë të krahinës jugore serbe”. Në Kryesinë e Lëvizjes janë: prof.dr.Sllobodan Samarxhiq, prof.dr.Bogolub Shijakoviq, prof.dr.Millo Llompar, prof.dr. Millosh Koviq dhe prof.dr.Çasllav Koprivica. Njeni prej anëtarëve të Kryesisë, historiain Millosh Koviq, është zgjedhur përfaqësues i Lëvizjes. Kokat më të mençura serbe frigohen se Vuçiqi do ta njohë Kosovën, prandaj i janë përveshur punës për ta penguar në këtë tradhëti.

Por, nuk dihet prej nga i erdhi kësaj bote të mençur ideja se Vuçiqi do ta njohë Kosovën, sepse gjasat për diçka të tillë janë baras me zero, apo ndoshta edhe më pak se kaq.

Sa mund të shihet prej anash, Vuçiqi qe tetë vjet po e  mashtron Bashkimin Europian dhe pjesën tjetër të botës, duke aktruar si bashkëpunues në zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë përkrahjen ndërkombëtare për ta fituar dhe mbajtur pushtetin absolut në Serbi, për ta robëruar shtetin plotësisht dhe shndërruar në park të tij zbavitës.

Njohja e Kosovës do ta trondiste pozitën e gjithëlavdishme të Vuçiqit, dhe me qenë se atij nuk i intereson asgjë më tepër se pushteti dhe fuqia, gjasat janë të vogla se do ta rrezikojë atë që e do më së tepërmi. Realiteti i vrazhdë i jetës politike serbe është i tillë, por të mençurit tanë e urrejnë realitetin si dukuri e hapur antiserbe; ata nga lartësitë e tyre intelektuale rrallëherë zbresin në këto ultësira tona ku jetojnë njerëzit e rendomtë, prandaj faktet aspak nuk i pengojnë në zhvillimin e përralllave për mbrojtësit e vegjël të Kosovës.

Nëse dikush beson se Kosova është pjesë e Serbisë,  ai nuk e ka vështirë të besoj se si kryetari do ta njohë Kosovën, dhe pas kësaj vetëm qielli është kufiri i haluciacioneve.

Për ta parandaluar rrezikun inekzistent, intelektualët janë angazhuar me shpirtë, duke organizuar tribuna dhe tryeza të rrumbulllakta, kanë kirijuar web-faqen e Lëvijes, shkruajnë pandërprerë tekste në të cilat, në mënyrë origjinale paraqesin problematikën kosovare; nuk e kanë vështirë të jenë mysafirë nëpër mediume dhe në vijën e parë të frontit të luftojnë për zemrën e Serbisë, thjeshtë – janë të palodhshëm.

Nuk është çudi pse intelektualët janë aktivizuar aqë shumë, sepse për ta skenari sipas të cilit Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës është më i rrezikshëm se vet apokalipsa, zhdukja e botës, shiu sumporik dhe vërshimi i karkalecave. Siç e thotë me urti filozofi Çasllav D.Koprivica, duke i qëndruar kundërshtisë: ”Lëvizja jonë është e barabartë me lëvizjën e popujve të ballafaquar me kanosjen e tmerrshme të zhbërjes së identietit, që do të bëhej poqese vullnetarisht do të heqnim dorë nga Kosova e Metohia

Ithtarët e kultit religjioz opskurantist

Koprivica flet për Kosovën si për një “amanet të djepit tonë”, dhe eventualisht heqja dorë nga krahina e dikurshme jugore, “do të binte mbi të gjithë ne dhe mbi pasardhësit tanë mallkimin e tradhëtisë së të Shenjtit, tradhtësisë së shkakut të krijimkuptimit të qëndresës së popullit tonë”. Ah, shihni se si këta filozofë dijnë të shprehën kaq bukur, është çudi. Hajde, provoni ju ta mendoni shprehjen si kjo “shkaku i krijimkuptimit të qëndresës sonë popullore”,  të shohim a po ia arrini.

Shihet qartë se filozofi ka marrë mësime nga magjistarët dhe stilistët e gjuhëtarët më të mirë, si për shembëll, nga Matija Beçkoviqi. Në mendimet e thella filozofike të Koprivicës jehojnë urtësitë e Beçkoviqit, si psh. Ajo: ”Kosova është fjala serbe më e çmueshme”, apo ”Kosova është satelit i planetit të Serbisë”.

Edhe anëtarët e tjerë të Lëvizjes nuk janë më pak inventivë. Intelektualët bëjnë gara se cili do shpikë sintagma më të mira e më mbresëlënëse për Kosovën.  Kështu, bie fjala, profesori i letërsisë, Vlladimir Dimitrijeviq thotë se përcaktimi për Kosovën është “fill i pamposhtur”; profesori i Fakultetit të Matematikës, Aleksandër Lipkovski thotë se Kosova është “kuptimi i qenies serbe”; ndërsa filozofi dhe profesori universitar Bogolub Shijakoviq jep diagnozën se çështja e Kosovës është “një lloj skaneri apo rentgeni i gjendjes sonë, gjendjes së organizmit serb”. Piktori Millosh Shobajiq  e thotë shkurt dhe qartë: “Kosova është bukuria jonë dhe shpirti jonë”, ndërsa kleriku, teologu dhe profesori Darko Ristov Gjogo, në lidhje me betimin e Kosovës thotë: “Serbizmi obligon, ndërsa Serbia Qiellore obligon hyjnueshëm”.

Nga tekstet e shumta dhe mendimet e kokave tona më të mençura është vështirë të kuptosh se çka është kjo Kosovë famoze.  Kjo më së paku është territor, shtet apo krahinë, diçka si një copë toke reale e planetit të Tokës, në të cilën jetojnë dhe punojnë dofarë qeniesh njerëzore.  Të vetmën gjë që mund ta nxjerrë si përfundim vëzhguesi i paanshëm nga këto shkrime, është se Kosova qenka njëfar hyjësie, prandaj intelektualët tanë të mëdhenj në të vërtetë janë ithtarë të një kulti religjioz opskurantist.  Veçse, nuk është nevoja që bindjet e tyre religjioze t’i shesin për krishtërizëm.

Gjithfarë të këqijash kanë bërë njerzëtit në emër të Krishtit: i kanë përndjekur heretikët, i kanë djegur shtrigat, kanë zhvilluar luftëra kryqëzatash, kanë organizuar net të ndryshme të Bartolomeut, por dihet se Krishti me këto nuk ka kurrëfar lidhje. Sikur që nuk ka lidhje as me vrasjet e civilëve në Kosovë, dhunimet, djegëjen e shtëpive, plaçkitjet sistematike, përndjekjet dhe mbulimin e trupave të fëmijëve në varrezat masive në Batajnicë.

Nuk dëshirojmë luftë, veçse mezi presim të fillojë lufta

Edhepse kanë gojën plot fjalë madhështore, në atë lëmsh të betimit për djepin, për kuptimin e qenies serbe, fillimin e pamposhtur, dhe të tjera – siç do thoshte Konstantin Kavafi “banalitete të zhurmshme”, nganjëherë shihen rreze të pragmatizmit të papritur. Intelektualët kohëpaskohe zbresin nga lartësitë e padukshme të Serbisë Qiellore, në realitetin e urrejtur dhe ofrojnë zgjidhje konkrete të problemit të Kosovës. Ja, për shembëll, Çasllav Koprivica ka idenë se “I vetmi dialog i brendshëm serb për Kosovë-Metohinë, duke mos llogaritur dialogun për çështjet teknike, të cilat nganjëherë mund të jenë të dhembshme dhe të errëta, pra i vetmi dialog i ndershëm duhet të zhvillohet në Shtabin e Përgjithshëm, kur për këtë të jetë koha.”

E shihni se ku përfundojnë tregimet e rrejshme idealistike mbi etikën e Vidovdanit, identitetin, vendet e shejta, kuptimin, shpirtin dhe bukurinë – në thirrjen për luftë dhe shkatërrim.  Kur të shpërndahet e gjithë ajo mjegull e krijuar nga metaforat banale, në fund mbetet vetëm gjakimi për vrasje. Është komike ajo që mbrojtësit e Kosovës nuk janë në gjendje t’ia pranojnë vetvetes se gjakojnë për këtë, dhe kjo shkakton pështjellim logjik total në mendimet e tyre.

Vlladimir Dimitrijeviq thotë: “Kur mëkatet dhe tradhëtitë shumohen, atëherë vjen deri te lufta fizike, sepse Zoti tërhqiqet dhe i lë njerëzit të korrin atë që kanë mbjellë me djallin.  Nuk mund të tradhëtohet Krishti i betimit të Kosovës, dhe të jetohet në paqe. Natyrisht, feja pravosllave është paqëbërëse dhe askush nga pravosllavët nuk e dëshiron luftën. Serbët e kanë thënien ‘kush do luftë, luftën e pastë në shtëpi’. Por, feja pravosllave nuk është qyqare dhe nuk është rrejshëm pacifiste”.

Se çfarë ka dashur shkrimtari të thotë me këtë, as vet nuk e di, sepse po ta dinte do të shprehej më qartë dhe në mënyrë koherente. Pravosllavët nuk dëshirojnë luftë, sepse pravosllavja është fe paqebërëse, por nuk është pacifiste në mënyrë qyqare, dhe nëse ndodhë tradhtia e Krishtit të amanetit të Kosovës, atëherë duhet të luftohet, sepse feja pravosllave nuk është qyqare. Shkurt, nuk dëshirojmë luftë, por mezi presim të fillojë lufta. Kështu na ndihmoftë Krishti i amanetit të Kosovës. Të cilin kurrësesi nuk duhet ngatërruar me Krishtin e Dhjatës së Re, sepse këto janë personalitete diametralisht të kundërta, veçse ashtu quhen.

Zoti gjakpirës në anën e Millosheviqit

Darko Ristov Gjogo, teologu i ardhshëm, problemin e shtron në rrafshin metafizik dhe religjioz.  Ai e çvesh tezën e rrejshme, sipas së cilës rrafshi politik është e vetmja metafizikë. Ai thotë se e obligon “vetëm qëndrimi para Zotit dhe para të Dytit, dhe konkludon” “Ky është kuptimi i politikës si gënjeshtër; unë delegoj qëndrimin para paraardhësve, në atë mënyrë që së pari nga kërkesa që qëndroin para meje krijoj një problem pseudo-praktik (‘çfarë të bëjmë me një apo dy million Shqiptarë?), e pastaj atë problem të lehtë pragmatik ua besoj mjeshtërve të pragmatikës”.

Pra, një apo dy million Shqiptarë në Kosovë janë “problem i pragmaticës së lehtë”, kështu duket kur besimtari dhe kleriku qëndron “para fytyrës së të Dytit”: në te nuk e sheh njeriun, por pengesën për realizimin e projeksioneve vetanake. E kemi parë se si ushtria dhe policia e kanë eliminuar atë pengesë të vogël në vitin 1999 – me masakra dhe përzënien e 900 mijë Shqiptarëve nga Kosova.

Janë përhapë gjërë e gjatë ata Shqiptarë mu në mes të kuptimit të qenies serbe, në qendër të bukurisë dhe të shpirtit tonë, deri sa hordhitë e armatosura nuk arritën ta përmbushin betimin e Kosovës me zjarr e hekur. Sepse, siç thamë pak më lart, “Serbizmi obligon, kurse Serbia Qiellore obligon hyjnueshëm”. Nuk ka asnjë neveri që nuk ia vlenë të bëhet në emër të “Krishtit të betimit të Kosovës”. Kështu besojnë dhe mendojnë kokat tona të mençura, profesorët, doktorët, yndyra  intelektuale e shoqërisë sonë të mjerë; I tillë është edhe Zoti i tyre gjakpirës të cilit i luten – gjithmonë i gatshëm të pranojë ndonjë victimë njeriu.

Me qenë se janë bërë rob të etikës të lartë të vidovdanit dhe të mbrojtës së betimit të Kosovës, duke shikuar lartë në Serbinë Qiellore, profesorëve tanë iu kanë shpëtuar pa i vërejtur ca imtësira që që po ndodhin në tokë, në realitetin të cilin e urrejnë ata. Bie fjala, vuajtjet e pashembëllta të njerëzve. 

Për shembëll, profesori i letërsisë Ismet Haxhiavdiu, nga Gjakova, të cilit në prill të vitit 1999, forcat serbe ia kishin djegur 20 anëtarë të famljes së gjërë, prej të cilëve 9 ishin gra  e fëmijë. Në mesin e tyre ishte edhe gruaja e Ismetit, Valbona, vajza tetëvjeçare Doruntina, djali pesëvjeçar Egzoni dhe vajza katërvjeçare Rina. Duke dëshmuar për këtë krim të tmerrshëm, Haxhikadriu thotë:  “Kur e kam gjetur një copë të indit të njeriut, kam filluar të qajë.  Jam ulur dhe kam qarë dy orë dhe e kam sharë Zotin. Mendoja se edhe ai duhet të jetë në anën e Millosheviqit

Nëse ndonjë Zot ka qenë në anën e Millosheviqit dhe vrasësve të tij, ai duhet të jetë “Krishti i betimit të Kosovës”, i Dimitrijeviqit. Sepse, Krishti e Dhjatës së re dhe jevangjelies sigurisht nuk është, ngase ai gjithnjë është me të përndjekurit. Janë të kota të gjitha përpjekjet e mbrojtësve të Kosovës që ta kidnapojnë dhe t’i fshehin motivte e keqija të tyre pas emrit të tij.  Atje ku lakmohet për territorin, atje ku ktithet për luftë dhe vrasje, atje ku mbretëron indiferenca ndaj vuajtjeve të njeriut, aty ku nuk ka asnjë grimë pendimi as ndërgjegje – aty nuk ka as Krisht as krishtërizëm.

(Marrë nga “Al Jazera”; përktheu, Adil Fetahu)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …