Plot 11 vjet më parë u ulën në auditorët e dijes studentët e parë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. 11 vjet punë, përpjekje, realizime dhe suksese… Mbi 3000 studentë ulen këtë vit në auditore në 29 programe studimi.
U ngrit si institucion i arsimit të lartë jopublik me një filozofi të re, me një vizion të ri. Vizionet kërkojnë shtigje për t’u hapur rrugën ideve të reja dhe mendimeve me forcë transformuese.
Ka një drejtues, një organizator, një financues, një lider të këtij Universiteti. Ky është Akademik Anastas Angjeli.
Tek Akademik Anastas Angjeli gjejmë një gërshetim të shkëlqyer të mësimdhënësit me studimet shkencore, të njohësit të teorive të ekonomisë botërore me drejtuesin e sektorit të financave, të zotëruesit të shkollave më të njohura ekonomike me aplikuesin në praktikën e përditshme… Parashikues dhe i aftë për të punuar në grup e për t’i udhëhequr ato.
Sipas studiuesve dhe specialistëve të arsimit pesë aspekte të një shkolle të suksesshme janë:
- udhëhëqje e fortë orientuese,
- mjedis, disiplinë dhe siguri,
- shkëmbim idesh,
- shpresa të mëdha,
- kontroll i shpeshtë i njohurive.
Realizimi me sukses i këtyre kërkesave ka një emërues të përbashkët: aftësi të larta komunikuese me pedagogët, biznesin, studentët, mediat dhe komunitetin, të pranosh idetë, kritikat, vërejtjet që përmirësojnë dhe çojnë përpara punët, aftësi për të shfaqur afërsi e ngrohtësi, aftësi për të zotëruar shumë stile komunikative e për të qënë elastik e pragmatist.
Mjedisi miqësor, i hapur nga pikëpamja afektive është element i rëndësishëm i suksesit.
Gjithë stafi akademik po punon që të kuptojë studentët, por edhe të kuptohemi prej tyre, sepse sa më shumë i kuptojmë, aq më shumë dhe më mirë i vlerësojmë, aq më të dendura, më të sinqerta dhe produktive do të jenë marrëdhëniet dhe komunikimet me ta. Të prekësh shpirtin e studentit është sikur të ecësh mbi një tokë të shenjtë.
Universiteti “Mesdhetar” i Shqipërisë është kthyer në një qëndër të rëndësishme mësimdhënieje, shkencore, argëtimi dhe edukimi.
Rritja e numrit të studentëve nga viti në vit, punësimi i tyre tregon se ka cilësi, përgjegjshmëri, vizion dhe ambicje nga gjithë stafi mësimdhënës dhe administrata për të qenë një nga universitetet më të mira në vend.
Suksesi në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë është i garantuar:
- mbështetet në përzgjedhjen e pedagogëve,
- në shtimin e vlerave të reja në mënyrë të vazhdueshme,
- në sistemin e punës të pedagogëve të suksesshëm,
- në llogaridhënien për realizimin e detyrave,
- në kualifikimin dhe trajnimin e pedagogëve,
- në modernizimin e infrastrukturës arsimore,
- në rritjen dhe fuqizimin e punës kërkimore shkencore, duke rritur nga viti në vit fondet për këtë qëllim.
Mbi 100 është numri i pedagogëve të brendshëm pa llogaritur me dhjetëra pedagogë të jashtëm. Rreth 14% e tyre janë Profesorë dhe Prof. Asc., 42.5% Doktorë Shkencash, ku 1/3 e tyre e kanë mbrojtur gradën shkencore jashtë vendit, 8.5% vazhdojnë Doktoraturat në Gjermani, Itali, Greqi, pjesa tjetër janë me Master Shkencor.
Filozofia arsimore e shekullit XXI kërkon që studentët të formohen si forca krijuese vizionare, të aftë për të vetëideuar të ardhmen e tyre dhe për ta kthyer atë në një realitet të ri në dobi të vetes dhe të shoqërisë. Sipas Willie Jalley: “Tragjedi e vërtetë nuk është që të mos arrish objektivat, por të mos kesh objektiva për të arritur. Nuk është katastrofë të jetosh pa realizuar ëndërrat e tua. Katastrofë është kur nuk ke ëndërra për të realizuar”. Idetë e reja janë baza e suksesit për të realizuar ëndrra të mëdha. Njohja e progresit, e asaj që kemi arritur në këto vite u bë udhërrfyesi për të përcaktuar objektiva të reja. Ka tre vjet që kemi marrë statusin e Universitetit. Programet tona zhvillohen në tre nivele: Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Çdo vit hapim programe të reja, përmirësojmë programet ekzistuese në funksion të tregut të punës. Po punojmë për të krijuar bindje të thella e të qëndrueshme se suksesi është shpërblimi i punës, i plotësimit hap pas hapi të formimit shkencor të studentëve, për të përballuar kërkesat e vizionit të ri, duke rritur vetëvlerësimin për punën tonë, duke zbuluar mangësitë që e pengojnë suksesin. Gjërat e reja i kërkojmë dhe i zbulojmë në debate krijuese që mbështeten në argumente e interpretime shkencore.
Në këtë Universitet u zhvillua një debat për misionin e pedagogut. Thelbi i këtij debati ishte: detyra e pedagogut nuk është vetëm të japë mësim (këtë e ka detyrë parësore), por edhe të bëjë kërkime shkencore e të punojë me projekte. Misioni i tij është i trefishtë. Debati ndihmoi në rigjenerimin e ideve dhe në hartimin e një plani konkret për rritjen e përgjegjësisë së pedagogëve dhe zotimit të tyre në kërkimin shkencor dhe pjesëmarrjen në projekte. Kështu çdo vit zhvillohen dy Konferenca Shkencore Ndërkombëtare dhe botohet revista e Universitetit. Në vitin akademik 2019-2020 u zhvilluan Konferencat me temë “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor” dhe “Kriza e Coronovirusit: Sfidat dhe efektet ekonomiko-sociale të saj në (nivel global) dhe në Shqipëri. Çfarë do të ndodhë?” Tre ditë pas kësaj Konference mes 1600 konkurentëve, Universiteti Mesdhetar u vlerësuat me Çmimin Ndërkombëtar për Humanizëm nga Organizata Ndërkombëtare me qendër në Angli, “World Humanitarian Drive” për Ekselencë në Edukim dhe Kërkim Shkencor. Çmimi Ndërkombëtar për Humanizëm, u dha gjatë ceremonisë së zhvilluar nga organizata, e cila ka vleresuar ndër vite politikëbërës, lider të ndryshëm botërorë, personalitete të artit, shkencës, kulturës dhe institucione të njohura nga e gjithë bota.
Gjithashtu janë organizuar Konferenca Shkencore me Universitetin e Barit (Itali), Të Lublinit (Poloni), AAB (Prishtinë), me Universitetin e Tiranës, Elbasanit dhe të Durrësit. Kemi marrëveshje bashkëpunimi me universitetet në Itali, Polini, Rumani, Portugali, Bullgari, Turqi dhe zhvillojmë leksione të përbashkëta me këto universitete. Çdo vit në muajin maj organizohet Panairi i Ideve me punimet më të mira të studentëve, ku ndahen edhe çmime.
U zhvilluan cikle diskutimesh problemore Webinare dhe UMSH Forum me sistemin Zoom Cloud Meeting. UMSH zbaton nëntë projekte, duke angazhuar 70 anëtarë të stafit akademik dhe rreth 200 studentë si lider dhe partner si: ERASMUS COST, Horizon 2020, IPA cross border, CEF PUS, Adrion interreg etj., Ku dallohen Eros Angjeli, Nevila Xhindi, Niko Pano dhe Mihal Zoto.
Nga pedagogët: Anastas Angjeli, Adrian Civici, Greta Angjeli, Ksenofon Krisafi, Përparim Kabo, Alqi Naqellari, Mimoza Ahmeti, Holta Heba, Skënder Demaliaj janë botuar libra dhe monografi. Tre monografi u botuan në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave. Të gjithë këta janë prezent edhe në media, por edhe Dritan Hoti (tepër aktiv, bile edhe në median ndërkombëtare), Vladimir Mici, Ilir Aliaj, Edon Qesari, Valter Hoxha, Ela Tollkuçi, Kriton Kuci, Emilio Çika, Eni Nasi, Elona Shehu etj. Po përgatiten për të dalë në treg me botime edhe studentët me temat e diplomave.
Programet e studimit ofrohen në përputhje me strategjinë e zhvillimit të institucionit, në përputhje me tregun e punës, me objektivat kombëtarë që lehtësojnë përshtatjen e studentit me mjedisin universitar. Është ngritur dhe funksionon Klinika Ligjore. Çdo departament ka ngritur Bordin e Punësimit me ekspertët më të mirë të fushave përkatëse jashtë universitetit. Biblioteka ka mbi 4200 tituj fizikë libra dhe tekste universitare, gjithashtu funksionon edhe biblioteka online në shqip dhe anglisht. Çdo vit miratohen fonde për literaturën e kërkuar nga departamentet. Mbahen statistika rregullisht rreth punësimit të studentëve sipas degëve e viteve të tyre të diplomimit dhe organizohen takime me ta. Rreth 85% e tyre janë të punësuar në sektorin publik dhe jopublik. Bëhen përmirësime të programeve dhe të leksioneve mbi bazën e vërejtjeve të studentëve dhe problemeve e vështirësive që u dalin në vendet e punës. Zhvillohen lëndë ekstrakurrikulare për të përshtatur më mirë programet me tregun e punës.
Arsimi i lartë është një formë e rëndësishme e investimit në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe konsiderohet me të drejtë si “motori i zhvillimit në ekonominë e re botërore”, është përcaktues, jo vetëm i një zhvillimi më të shpejtë dhe më të lartë ekonomik, por edhe më cilësor (përmes zhvillimit teknologjik, inovacionit dhe të reja të tjera të shkencës), është ndikues për rritjen e të ardhurave, përmirëson sistemin shëndetësor të një vendi, përmirëson teknologjinë dhe forcon mirëqeverisjen. Kontributi i arsimit të lartë në nxitjen e rrritjes ekonomike është i rëndësishëm, aq më shumë në periudha krize, si kjo që po kalon bota sot. Arsimi i lartë ndihmon në industrializimin e shpejtë të ekonomisë, duke ofruar fuqi punëtore me aftësi profesionale, teknike dhe menaxheriale, bën ndryshimet e mundshme të qëndrimeve të nevojshme për socializimin e individëve dhe transformimin e modernizimit të përgjithshëm të shoqërive, ndihmon nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në tërheqjen, krijimin dhe përhapjen e dijes. Arsimi i lartë gjithashtu ndihmon në formimin e një shteti të fortë dhe në të njëjtën kohë bërjen pjesë në procesin e gobalizmit. Prandaj është shumë i rëndësishëm reformimi i arsimit të lartë.
Përvoja botërore ka treguar se suksesi arrihet kur punët realizohen me guxim, me njerëz me një vështrim të përbashkët dhe mbi bazën e forcës së zotimeve të ndërsjellta. Gëte këshillonte: “Çfarëdo lloj gjëje që mund të bëni ose të ëndërroni ju mund ta filloni atë. Guximi ka aftësi gjeniale, fuqi dhe magji. Vetëm angazhohuni dhe mendja nxehet. Fillojeni, pastaj detyra do të përfundohet”.
Thellësia e angazhimit për përsosmëri dhe cilësi është motoja e punës sonë në vitin e ri akademik 2020-2021. Lufta për përsosmëri dhe cilësi nxit dhe zhvillon vizionin. Ndryshimi midis njerëzve, të cilët marrin iniciativë dhe atyre që nuk e bëjnë një gjë të tillë, është si ndryshimi mes ditës dhe natës. Shkolla është vendi i shpresave dhe i ëndrrave. Studentët duhet të jetë plot shpresa dhe ëndrra. Është përgjegjësia jonë si pedagogë që në kontekstin e ndryshimit të botës t’i realizojmë këto.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ecën i sigurtë në trasenë që ka shtruar këto vite. Me shumë besim tek stafi që ka zgjedhur dhe studentët e mrekullueshëm që ka. Më shumë vendosmëri dhe kurajo.
(Autori është Përgjegjës i Departamenti të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)